Poezia e Sofia Skleidas vjen në shqip nga Arjan Kallço
Mëngjese kuptimplote
Disa lavdi më kujtohen,
kur rievokoj në meditime
gjithçka që takova në kohën time.
Dashuri të bukura, lule, përqafime
atëherë kishin hije bashkë me tingujt, dritat,
ndërsa orët kalonin shkëlqyeshëm
duke pirë verën majoshe.
Por jeta ecën përpara.
Nuk i kam përzemër mëngjeset
kur agu nuk vjen e që
prej dritës unë lavdinë
ta mbledh…
Rizgjim krijues
U rizgjua nata nga letargjia e vet,
u vesh me esenca lulesh
dhe trishtimit derën ia mbylli.
E përqafoi fort ditën e
luajtën me kukafshehti.
U rrokullis dembelshëm në tokat e pastra
dhe të ardhmen e vet inkuadroi.
Ekuinoks vjeshte
Po e qaj vdekjen me ëndrrat
e parealizuara,
të varura në pemët plot jetë
dhe bereqet,
me dashurinë e përkohshme
mbushur me fshikullima
zjarrin e ngacmoj që të mos fiket.
Dritë janë mendimet…
Ekzistencë
Kthehem në folenë time e trembur
si e ndjekur nga pas unë vrapoj
jam vetëm një pikë e vogël
në universin tonë të pafund.
Dolli në mesnatë
vera mban erë dashuri, pasion
misticizëm
dimri i vadit me lotë
gjethet e pambrojtura
të pemëve të lodhura.
Nata e përkëdhel errësirën
me mantelin e bardhë të dëlirësisë.
Ndjej, jetoj, qaj të shkuarën, por
Prapë dashuroj.
Pa emër
Ardhe i armatosur
i zbukuruar prej ninfash ujore,
valëzimesh oqeanesh,
shpirti i lidhur tek bregu klithte
që të largohej,
dielli refugjat në një vend të huaj
zëra të pakuptueshëm,
yjet e përhumbur në errësirë
e shuan gëzimin e ditës.
U betove
me atë shikim të përlotur dhe
të drejtpërdrejtë dashurie,
të çastit, të shpirtit, të jetës
dhe unë e nënshkrova bashkëpunimin
e përjetshëm me fantazmën erotike,
atë të pakapshmen që gjithmonë
e kërkon dhe pafundësisht të largohet, por
kur e gjen e ke humbur përfundimisht.
Mos qaj shpirti im,
mos e prish magjinë e atij çasti
kur përherë të parë me the që do të jem
pika e shiut mbi xhamin tënd.
Edhe një herë këtë mbrëmje
Tinëz u fute në dritaren e mendimeve
të mia
i trazove ujrat e qeta blu
të kujtesës sime,
ua çele derën ujëvarave
të syve të mi,
duke krijuar rrëke, kanale të thellë,
luajte me zotësi kukafshehti
me shqetësimet e mia,
i sfilite fluturat e shkujdesura
të jetës sime,
por tash nuk i druhem më
dimrit tënd acar.
Lojë erotike
Dashuria apasionohet
me valët e jetës
kur e gjen rrugën e vet.
-Fruti i pasur –
ngjall revolta
dhe e vadit shtratin e vet…
Sarkazëm
Koha i vodhi festat
atëherë kur jeta përballej
me besime të rralla.
Me puthjet e dikurshme të shkujdesura
ne i mbushnim orët
lozonjare ishte për ne jeta…
Kujtime dashurie
Çaste të shkurtra kujtimesh
kur të kisha pranë meje.
Atëherë unë i qëndisja puthjet tona
janë të panumërta…
Dashuria ende përvëlon brenda nesh
ndërsa na rrëmben.
Të mbështjellë në flakën e saj
asaj ia dorëzojmë rrahjet e zemrave tona.
Përktheu Arjan Kallço