Poezia e Stefania Romitos vjen në shqip nga Arjan Kallço
Lindi në Zvicër në vitin 1967. Ka studiaur në universitetin e Milanos dhe është diplomuar në Letërsi moderne. Është shkrimtare, drejtuese radiofonike dhe televizive, themeluese e projektit kulturor ‘Orfelia dhe miqtë’. Pasioni për letërsinë bëri që në vitin 2010 të botonte romanin e parë me titull ‘Përmes syve të Emës’. Në vitin 2013 botoi librin humoristik ‘Po ti cilit çifti i përket’? Në vitin 2016 botoi një triller me pjesë me titull ‘Ofelia, jeta e një shkrimtareje fantazmë’. Në maj 2017 botoi përmbledhjen poetike ‘Nadiri dhe Najeli tregojnë’.
Ti – nuk je askushi
Ti, nuk je askushi
në gjithësinë time.
Si një nevojë e përhershme
dhe vërshuese
ende e dominon banesën time.
Përpiqem ta largoj mendimin tim
për ty
por Ti kthehesh si bumerangu e
me një grusht të fortë në fytyrë
më plagos.
Unë ndihem e çliruar prej triftongut
“Ne të dy” së bashku.
Ne kurrë s’do jemi
Ne kurrë s’do të jemi kujtime,
ato ushqehen me të shkuarën.
Jemi e sotmja e pafund
të kapur në kurthe në mjegulltinë
e një realiteti hyjnor.
Jemi hije emocionesh të vërteta
që jetojnë në hapësirën e pakohë
në pamundësinë e magjishme.
Nëse më dëgjon,
do më shohësh si një Afërditë
që e përkdhel Zotin e vet
në dashurinë soditëse
të parathënë nga fati.
Të dua
përtej pafundësisë së pamatë.
Më shoqëro nëpër porte
Më shoqëro në portet
e njohjes
përtej kolonave të Herkulit
në një udhëtim pa nisje
dhe pa kthim.
Fluturo bashkë me mua
në krahët e pulëbardhës
drejt horizonteve pambarim
brenda magjisë tënde
brenda ëndrrës sime.
Zoti i deteve
Ti, o Zoti i deteve,
përpimë si ekstaza
e një batice
më lër të mbytem
në humnerat e një qielli
magjepsës e më pas
të përmendem
në fundet rënore
zgavrime të guximshme
të ëndrrave të ndërprera
të ruajtura
përtej kohës
në përjetësinë e një guacke.
Ti je kundrimi im
I përkdhel mendimet
e të vështroj
sikur të ishte e nesërmja.
Ne dashnorët e dëshpëruar
jetojmë me hapësira dhe kohë
duke vrapuar pas largësive
në grackën e erës
së fatit tonë.
Dua të të dhuroj madhësinë
brenda pafundësisë
në çdo puthjen time
në çdo dhelje të rrëmbyer
por jemi pemë
me rrënjë të thella
që s’shkulemi kollaj.
Koha e fut në grackë
vajtimin tonë.
Ti je qielli në ëndrrat e mia
Re e vesës që cik horizontin tim
Je drita në hijen e pritjeve
Je frymamarrja që e mban jetën
Ti je kundrimi im.
Mësomë
Mësomë durimin
të të pres pritjeve
Mësomë të dëgjoj
fjalët e heshtjeve të tua
Mësomë të mos druhem
mos të të humbas çdo çast
Mësomë që të mos mbytem
në melankoni
sa herë që mungesa jote
të bëhet e padurueshme
Mësomë të mos vdes
kur kam frikë se mund të të humbas
e të kem besim tek e ardhmja jonë
Mësomë gjithçka
e më shumë akoma
por mos më mëso
se jemi rastësi
pasi s’mund të të dua
po të mos e dija.
Përktheu Arjan Th. Kallço