Ismail Xhaferi: Digju, shpirti i njeriut!
Përshëndetje për të gjithë miqtë e mi në Facebook
Digju shpirti i njeriut,
Si zjarri në erë,
Dhe shpërnda veç dashuri,
Për njerëz të tjerë!
Mos kërko në këtë jetë,
Vetëm pasurinë,
Digju shpirti i njeriut,
Digju për njerinë!
Rend gjithnjë e mos ndalo,
Si lumi në zall,
Nëse s’bëhesh dot shenjtor,
Të mos bëhesh djall!
Digju shpirti i njeriut,
Kurrë i qetë mos rri,
Digju siç digjet qiriri,
Në kishë a xhami!
Digju shpirti i njeriut,
Si yll në të gdhirë,
Siç digjet një meteor
Nëpër errësirë!
Digju shpirti i njeriut,
Si bari në gusht,
Sepse bota jonë e akullt,
Ka nevojë për prush!
Kur ka njerëz të lënduar
Derdhe një pikë lot,
Se kjo botë më ligësira,
Është e mbushur plot!
Digju shpirti i njeriut
Ti o shpirt i lirë,
Që kjo botë mos të ngjajë
Si një egërsirë!
Digju shpirti i njeriut,
Dhe kur je zhuritur
Jep pak ujë kur ka të etur,
Bukë për të uritur!
Bëje botën më të bukur,
(Bukuria rroftë!)
Nëse vë një gur për mirë,
Zoti të bekoftë!
Ndaj vrapo ku kanë nevojë,
Siç vrapon dhe era,
Nëse kujt s’ia zbut dot plagët,
Mos i hap të tjera!
Digju shpirti njerëzor,
Digju natë e ditë,
Sepse sot të shkretët njerëz,
Kanë nevojë për dritë.
Digju shpirti i njeriut,
Veç për më të mirën!
Dhe kur s’mund të bësh dot dritë,
Mos mbill errësirën!
Digju shpirti i njeriut!
Të kesh më shumë vlerë,
Digju, o njeri i zotit
Të ngrohen të tjerë!