Libri “Për Gjirokastrën dhe nxënësit e Gjirokastrës” i prof. Hajri Shehut
Katjusha Pogaçi
Takimin e parë me librin “Për Gjirokastrën dhe nxënësit e Gjirokastrës” të profesor Hajri Shehut e mora nëpërmjet e-mailit, pasi nuk isha në Shqipëri. Dhe nuk mund ta shfletoja siç bëhet zakonisht me një libër që del nga shtypshkronja. Por nisa ta shikoj me rregull nga fillimi, faqe për faqe, duke lexuar një sasi të përcaktuar, sipas mundësive të mia ditore, shpesh edhe natën, duke mposhtur kuriozitetin për ta shfletuar një herë të gjithë librin në dorë. Por që në faqet e para, pas leximit të parathënies dhe paraqitjes së kapitujve, fjalia e parë që më erdhi në mendje ishte: Na duhej ky libër.
Libri hapet me një përshkrim vjeshte në viset e Peshkopisë, me ngjyrat dhe punët e stinës; me marrjen e emërimit mësues në Gjirokastër, të autorit të librit dhe me fillimin e udhëtimit të tij për në jug të vendit, në rrugën e vjetër Peshkopi-Tiranë e, më pas, Tiranë-Gjirokastër. Kujtimi i këtij rrugëtimi të parë me autobuz: Peshkopi – Tiranë – Gjirokastër, rruga e vjetër, e quajtur nga Sevasteri (6 orë), përshkruar aq bukur dhe me të gjitha detajet e ndalesave, të duket gati e pabesueshme për syrin vëzhgues dhe mbajtjen në kujtesë (qoftë edhe me shënime).
Një përshkrim i detajuar me emra vendesh, shpatesh, burimesh, krojesh, të cilat autorit i sjellin në mendje akte dhurimesh, bërë prej vashash e nusesh, që kanë falur ose shitur pajat e tyre në dobi të komunitetit, duke dëshmuar kështu edhe hulumtimet e tij në shumë fusha, që përbëjnë një nga pasuritë e këtij libri.
Me një sens krahasimi mes Veriut e Jugut të Shqipërisë autori ka ditur të gërshetojë mirë kohën dhe historinë, që lidhet edhe me një vend, edhe me një lumë, me një mal, rrugë ngjarje a personazh, duke dhënë shpjegime të vlefshme edhe për emra vendburimesh të hershme historike si “Rruga e Arbërit”, emra vendbanimesh ilire si Uskana, kalaja ilire e Grazhdanit, Liqeni i Ohrit-vendburimi i Drinit të zi, etj., apo emra të mëvonshëm si “Rruga e dritës” etj. Pastaj vjen udhëtimi i dytë, ai Tiranë-Gjirokastër, edhe ky i lidhur me grykën e Mezhgoranit e kujtimin për Asim Zenelin, Sevasteri e Salaria e kujtimi për Selam Musain, pastaj Tepelena e kujtimi për Ali Pashën, vijnë Lugina e Drinos e Viroi dhe sheshi i Çerçiz Topullit.
Që në hapje të librit autori i ka dhënë udhëtimit një përmasë tjetër. Nuk është vetëm. Bashkë me të janë vendet, bashkë me vendet janë emrat, bashkë me emrat janë njerëzit, janë historitë të vjetra dhe të reja: “Kisha lënë Korabin gjeta Malin e Gjerë. Kisha lënë Drinin gjeta Drinon. Kisha lënë luginën e Drinit të Zi gjeta Luginën e Drinos. Kisha lënë qytetin e vogël të Peshkopisë, gjeta qytetin e madh të Gjirokastrës” (f.20).
Kështu përshkruhet udhëtimi drejt Gjirokastrës. Jo thjesht një udhëtim fizik, por në radhë të parë shpirtëror dhe ndiesor. Nën titullin e bukur “Dheu i Gjirokastrës”.
Pra, që në hapje të librit, ti e kupton se ke të bësh me një densitet informacioni që të vjen nga shumë drejtime; se brenda librit po fillon të lëvizë një jetë përshkruar nga një penë skrupuloze dhe e kujdesshme. Përsa u përket përshkrimeve shpesh të duket sikur ke të bësh me letërsi artistike.
Fakti se nuk kemi të bëjmë me kujtime të thjeshta, por me një arsenal dijesh që vijnë nga shumë fusha dhe nga një përvojë e madhe studimore, përbën një nga vlerat e veçanta të librit “Për Gjirokastrën dhe nxënësit e Gjirokastrës” të Profesor Hajri Shehut.
Ndër veçoritë e tjera të librit do të theksoja:
- Përcaktimin e një metodologjie të qartë e të mirëstudiuar.
- Karakterizimin nga rrjedhshmëria narrative, pasuria e fakteve, pastërtia dhe pasuria gjuhësore dhe pasuria e leksikut.
- Brenda narracionit të tij gërshetohen mirë kohët, (koha e përshkruar në libër me të tashmen) dhe vendet (vendlindja e autorit – Dibra, Vlesha, Ujëmuja, Peshkopia me vendin që është objekt i shkrimit – Gjirokastra me krahinat e saj, Libohovën, Mashkullorën, Jermën e Antigonenë, Asim Zenelin, Zagorinë, Lunxhërinë, Luginën e Drinos (f.37,38.) etj., etj.
- Portretizimi i njerëzve që ka njohur në të dy vendet dhe mjedisi natyror.
- Libri përshkohet nga ndjenja dashamirësie dhe vlerësimi pozitiv.
- Por, mbi të gjitha libri është dëshmi e zhvillimit arsimor në Gjirokastër 1966-’69 dhe një nderim e vlerësim i veçantë për arsimtarë, pedagogë, drejues të arsimit, si dhe personalitete e administratorë në Gjirokastrën e kësaj periudhe dhe sidomos për ne nxësësit e atëhershëm të profesor Hajri Shehut.
Është një gërshetim i së tërës me të përveçmen, duke të dhënë përshtypjen se …Jeta është si një lumë, nuk kthehet dot mbrapsh, sepse pasi rrjedh, ikën. Por çdo pikë e saj siguron rrjedhën, pra është e rëndësishme. Dhe të gjitha këto pika autori i ka mbajtur në vëmendje për të siguruar rrjedhshmërinë e udhëtimit të tij në këtë libër.
Gjirokastra vjen në optikën e mësuesit që ka ardhur në këtë qytet jo vetëm si arsimtar i brezit më të ri, por edhe të mësojë nga qytet. Kjo edhe falë një edukate të mirë familjare që e ka brumësuar, falë edhe këshillave të urta dhe të zgjuara të prindërve apo të të afërmve që e kanë përcjellë për në një punë të re, në një mjedis me njerëz të tjerë e me të tjera zakone.
Gjirokastra dhe gjirokastritët ndihen vërtet të vlerësuar në penën e profesor Hajri Shehut, ku mes shumë dukurive, autori në libër ka veçuar:
- Bukuritë ndërtimore të banesave gjirokastrite (shoqëruar edhe me fotografi nga më të spikaturat);
- Bukuritë natyrore të krejt krahinës, përshkruar me kujdes e hollësi nëpërmjet eskursioneve, marshimeve, apo vizitave;
- Kulturën gjirokastrite (kultura shoqërore, kultura e lartë familjare, kultura e lartë materiale, kultura e lartë artistike) janë një e vërtetë e pamohueshme e vëzhguar dhe e analizuar kaq mirë nga profesor Hajriu.
- Por, më të spikatur janë “personazhet”, personat e sjellë në vëmendje nga autori.
Janë pa fund emrat e përmendur një për një në këtë libër. Sidomos në gjashtë kapitujt që fillojnë me “Gjirokastra e dijetarëve”, ku veçanërisht jepet një statistikë interesante për Shqipërinë e 1927-ës, ku Gjirokastra figuron me 246 veta me universitet dhe 236 për studime jashtë shtetit, duke lënë shumë e shumë mbrapa gjithë qytetet e tjera të Shqipërisë.
Në këtë kapitull autori liston 58 emra personalitetesh nga Gjirokastra, duke vijuar me kapitullin “Për breza e brezatarë dijetarësh”, ku flet në mënyrë më të hollësishme për kontributin e 29 personaliteteve, midis të cilëve (në renditje alfabetike): Bajo Topulli, Dalan Shapllo, Emil Lafe, Enver Fico, Eqem Çabej, Farudin Hoxha, Ismail Kadare, Jorgo Bulo, Musine Kokalari, Tatjana Elmazi (Kore).
Në libër zenë vend të veçantë kompozitorët, arkeologët për Gjirokastrën, pushtetarë dhe partiakë bashkëkohës të autorit dhe natyrshëm pjesa më e madhe e tortës u takon kolegëve të shkollave “Koto Hoxhi” e “Asim Zeneli” dhe nxënësve të tij; Përmendja emër për emër dhe me biografi të zgjeruar e njëzet e shtatë kolegëve arsimtarë. Por jo vetëm kaq. Arsimi është parë në gjithë prerjen e tij historike në Gjirokastër si një ecuri dhe zhvillim i traditave të hershme dhe personaliteteve që e kanë krijuar.
Po nxënësit?! Emër për emër, natyrë për natyrë, temperament për temperament. Pa lodhje. Pa kursim. Me vëzhgim të zgjuar e dashamirësi të pamatë. Si është e mundur?! Ja që është. Profesor Hajriu e ka bërë të tillë.
Dhe i ka thirrur nxënës e kolegë të jenë pjesë e librit të tij. I lexova me vëmendje prurjet e tyre brenda librit dhe u çmalla me intervistën e bashkënxënëses, sopranos Tatjana (Kore), që për herë të fundit e kam takuar dhe biseduar te Sheshi Skënderbej, ajo me një metodë të gjuhës italiane në dorë, pak ditë para se të nisej për në Itali, në kapërcyell të viteve ’90; me shkrimin e Mësuese Minekos (Labi), një mikeshë e mirë që më mori në telefon dhe më tha t’ju përcjell përshëndetjet dhe përqafimet e saj me mall për të gjithë, në pamundësi për të qenë këtu sot; me shkrimin e ish-nxënësit, shokut të klasës, Mihal Guxo, vërtet numri një në lëndën e anglishtes atëherë; etj. Po, kujtimet e Harallambit (Qirko)?! Shumë të hollësishme dhe interesante, me një kujtesë për t’u admiruar. E kush nga ne nuk ruan ato kujtime të thella nga aksioni në hekurudhën Rrogozhinë-Fier dhe punën jo të lehtë për moshën tonë në ndërtimin e këmbëvë të Urës së Rrogozhinës. (Kam një poezi në librin tim ta parë “Fjala jonë”, Tiranë, 1983, titulluar “Bisedë me vajzën tek Ura e Rrogozhinës”.) Kujtime të pashlyeshme, gjithashtu, nga marshimi pesë ditor dhe nga përgatitja ushtarake, korrik ’68. Kujtime nga aksioni në Jonufër, aksion i bukur, por aspak i lehtë, në hapjen e brezareve, buzë Jonit. Por ne ia dilnim, sepse veç të tjerash në gjimnaz kryenim me seriozitet edhe lëndën e kulturës fizike. Gjithnjë më ka pëlqyer kjo lëndë si në “Koto Hoxhi” edhe në “Asim Zeneli”. Ishte e plotë, kërkuese, zhvilluese. Bëhej me shumë seriozitet dhe qe rezultative. Pothuajse, gjatë gjithë kohës kam ruajtur shprehi të saj dhe kam kujtuar këshillat e dobishme të mësuesve e mësueseve të kësaj lënde.
Eleganca gjuhësore
Gjuha e përdorur nga autori në librin “Për Gjirokastrën dhe nxënësit e Gjirokastrës” karakterizohet nga pasuria e fjalorit, duke sjellë edhe pasuri nga e folmja krahinore, edhe neologjizma, si psh.: Ndezulli (zelli,) f.31/ Mbushulli (bollëk) f.38/Zbiloi (bleroi)-f.43/ Fshikarta (cfaka) f.40 / Gungalec (topuz) f. 84, etj., etj.
– Përdalloj (f.41 / Dashatar (f.64) / Përveçon (f 67) / Mbushamendës (f.74) / Njerëzishmëria (ishte njerëzishmëria e Dragushit-f.81)/ Kulloj-shkulloj, (f. 82)
Një karrige më tej, ijas, (shkruan në f.69 te shtëpia (kthina) e basho Thomait, (e kush nga ne s’e njihte, mëusesin e popullit), por sa elegancë gjuhësore, sjell ky përcaktim ijas
-Apo, me një folje në të shkuarën: dija që…Basho Thomai kishte qenë…por mësova se ishte ai që në Gjimnazin “Asim Zeneli” tundte zilen e parë për fillimin e Vitit të ri shkollor. Ose në raste të tjara për aksh gjë, nuk e kisha ditur… por mësova që… shih f. 69.
Në këtë hulli vijnë shpesh edhe krahasimet dy apo më shumë gjuhëshe, fjalësh e sidomos frazeologjish apo thëniesh të urta, aq të pëlqyera dhe të lakmuara nga njerzit e letrave.
Bie në sy që këto kujtime janë në dorën e një specialisti, e një njeriu të ditur, që nëpërmjet tyre jep dhe përçon dituri. Kështu kujtimet dalin nga suaza e zakonshme e të qenit thjesht të tilla. Ato marrin më shumë vlera shoqëruar me informacion shkencor, historik, gjuhësor dhe nga ana tjetër shkruar me ndieshmëri dhe dashuri njerëzore.
Kështu vjen së pari shkolla Shkolla “Koto Hoxhi”, jo thjesht me përshtypjet e një vendi pune, por fillon me historikun e saj. f.26, për të vazhduar me Gjimnazin “Asim Zeneli” dhe historikun e fillimit, f. 28-29.
Portretizimet
Kapitulli “Te çdo nxënës duhet gjetur diçka pozitive” më bëri përshtyje të veçantë. Ndoshta që atëherë e kemi ndierë, por pa e ditur ekzaktësisht që te profesor Hajriu bashkoheshin mësuesi me psikologun, gjë kaq e domosdoshme për edukatorin e brezit të ri. Rastet që ai sjell në këtë kapitull, se si falë këtij dimensioni ka trajtuar raste të veçanta janë me të vërtetë mbresëlënëse, të denja për prozë të shkurtër narrative. Për taktin, vëmendjen, dashamirësinë, impenjimin që i kanë kërkuar dhe e kanë gjetur tek ai professor, (gjë që mund të jetë ndihmesë edhe për pedagogët e rinj). Por, nga ana tjetër, ky kapitull, i parë me syrin e nxënësit, ngjall kujtime edhe për mungesën ndonjëherë të këtij takti, ose ndonjë penalizim të padrejtë nga ndonjë pedagog, në ndonjë rast tjetër, gjatë gjithë jetës shkollore, gjithnjë në kontekstin e një sistemi të mirëbalancuar arsimor, pra atë të kohës sonë, pa folur për sot…. Megjithatë është e vërtetë ajo që vëren profesor Hajriu, se marrëdhëniet mësues – nxënës në gjimnazin Koto Hoxhi dhe në atë Asim Zeneli janë karakterizuar nga mirëkuptimi, serioziteti dhe përmbushja e detyrës së përbashkët në fushën e dhënies dhe marrjes së dijes.
Një vend të veçantë, vend nderi do të thoshja, zënë në këtë libër portretizimet, të shumta, sidomos për njerzit e Gjirokastrës e më gjerë. Portretizime që bazohen mbi veprimet, mbi vëzhgimet, mbi njohjet dhe vlerësimet. Nuk janë vetëm nxënësit, nuk janë vetëm kolegët, por rrethi zgjerohet e zgjerohet, me personalitete me kontribute nga gjirokastritë dhe për Gjirokastrën. Persolalitete të historisë, letërsisë, gjuhësisë, shkencave sociale, arsimit, mjekësisë, inxhinierisë, arkitekturës, e shumë të tjerë. Personalitete në fushë të mbrojtjes kombëtare, me mendje a me armë, vijnë në këtë libër se janë gjirokastritë, ose se diçka i lidh patjetër me Gjirokastrën. Po kështu edhe për njerëzit e thjeshtë, të njohur të autorit.
Libri i profesor Hajriut ka edhe një veti tjetër, atë për të na zgjuar edhe ne kujtimet për Gjirokastrën, shkollën, shokët dhe shoqet si dhe mundësisht për t’i sistemuar ato. Është, në një farë mënyre, si një udhërrëfyes për ne edhe për faktin se ai sjell shumë informacion për ngjarjet, për njerëzit, për familjet, grupet shoqërore, lidhjet mes tyre, etj. Kështu që libri vlen si një pikë referimi dhe dëshmi për jetën tonë të atyre viteve në Gjirokastër.
Lënda e gjuhës angleze
Shumë interesant do të gjeja brenda librit të Profesor Hajriut edhe kapitullin “Pak për mësimin e gjuhës angleze në shkollë”(f.117-132). I mbushur me shembuj konkretë interesantë, me përkufizime të sakta, me krahasime ndërgjuhësore, me referenca gjuhësore në rrafsh lokal e global, ky kapitull ngërthen veç të tjerave një frymë të lartë profesionale dhe është një ndihmë e veçantë për mësuesit e kësaj lënde. E lexova me shumë ëndje, si të isha akoma nxënëse dhe po ta kisha lexuar kur isha maturante, ndoshta do të kisha zgjedhur të vazhdoja për gjuhë angleze…
Me thënien që të gjithë e njohim: “Një gjuhë e huaj është një armë në luftën për jetën”, apo me thënien më pak të njohur, por shumë interesante: “Mendja ka formën e saj të veçantë në çdo gjuhë” (f.117), si dhe me idetë se si mund të veprohet për përkthimin, ose gjetjen e kuptimit të barasvlefshëm për fjalët e urta, frazeologjitë, aksiomat, etj, ky kapitull dëshmon profesinalizëm në nivel studimi
Dhe jo vetëm ky, por i gjithë libri përshkohet nga një nivel i lartë shkencor, kur është fjala për të folur për historinë e Gjirokastrës, të kalasë, të shkollave të saj, të arkitekturës së banesës, të mënyrës së jetesës, etj., etj. Për vëzhgimet brenda qytetit dhe krahinave përreth, gërshetuar këto edhe me zhdërvjellësinë e kujtimeve dhe mbresave personale.
Gjirokastra dhe sistemi arsimor
Nga ana tjetër, për vëmendjen që i kushtohet sistemit arsimor të atyre viteve në Gjirokastër edhe për gjithë definicionet që sjell, ky botim ka vlera për çdo lexues, të çdo moshe dhe natyrisht është shumë i mirë edhe për arsimtarët e brezit të rinj. I gjithë libri “Për Gjirakastrën dhe nxënësit e Gjirokastrës” përshkohet nga ndërtimi korrekt i marrëdhënieve mësues – nxënës si një konstante e nevojshme për të realizuar me sukses detyrën e të dyja palëve në këtë marrëdhënie. Dhe m’u për këtë ky libër është i dobishëm jo vetëm për ne, por sidomos për arsimtarët e rinj, që duke pasur në dorë një përvojë kaq të pasur pedagogjike kanë ç’të mësojnë prej tij.
Profesor Hajriu dëshmon që e ka dashur me shpirt profesionin e tij. Dhe këtë e ndeshim në çdo faqe të librit. Me vlerësime kaq të larta për kolegët dhe nxënësit, po edhe për administratorët e qytetit të Gjirokastrës në ato vite, ai ka ditur të shohë një lidhje komplekse midis të tashmes (flas për vitet e marra në shqyrtim në libër) me historinë dhe kontributin e shumë brezave dhe personaliteteve në etapa të ndryshme historike dhe në fusha të ndryshme, si një prurje e pashterrshme në bashkësinë kombëtare.
Kalaja dhe Butrinti, lashtësia e tyre, pastaj figura si Skënderbeu e Ali Pashë Tepelena e duke vazhduar me personalitete në fushën e arsimit (që është edhe objekti i këtij libri), si Koto Hoxh, Pandeli Sotiri, e të tjerë, madje gjithë Gjirokastra janë pjesë e së tërës, janë prurje në ngjizjen e kombit e të frymës kombëtare.
Autori i librit ka ditur të gjejë ose më mirë të kapë një fill lidhës midis viteve, kohës, krahinava dhe njerëzve të tyre, në emër të një tërësie kombëtare. Dhe kjo nuk bëhet lehtë. Profesor Hajriu ia ka dalë, duke na dhënë nga ana tjetër një libër literarisht të rrjedhshëm që lexohet me ëndje jo vetëm nga gjirokastritët dhe dibranët, por nga të gjithë shqiptarët.
Kujtimet e profesor Hajriut, në këtë libër, krijojnë një efekt zinxhir edhe mbi ne, duke na rizgjuar e rifreskuar kujtimet tona, duke na risjellë në këto kalldrëme, mes njerëzve të njohur e atmosferës së atyre viteve. Prandaj edhe një herë them me plot bindje se ky libër na duhej.
Siç e përshkruan edhe profesori, pastërtia e marrëdhënieve mes nesh ishte një realitet. Ne akoma mund ta besojmë njëri tjetrin si atëherë, pasi ishim, jemi dhe do të mbetemi shokë gjimnazi – dhe veçanërisht të gjimnazit “Asim Zeneli”
Ja pse ky libër, vërtet na duhet.
Edhe një herë, faleminderit pafund, Profesor Hajriu!
Gjirokastër, më 28. 09. 2019. Nga fjala e mbajtur me rastin e përurimit të librit “Për Gjirokastrën dhe nxënësit e Gjirokastrës” i Hajri Shehut.