Novelë e jetuar/Miho Gjini: VDEKJA E BURRIT (2)
Kushtuar Martirit të Demokracisë, Dino Martiko
(Pjesa e dytë)
5.
Dino Martikon e kishte sjellë në Burgun e Ballshit vet Gjenerali Famëkeq K. me një Gaz. 69 të prodhimit kinez në ngjyrë të zezë që i ngjante një “burgu të vogël”. Perdoreshin më së shumti për arrestime dhe populli tmerrohej kur afrohej pranë tyre ky mjet i tmerrshëm, qoftë edhe rastësisht: “Gazi i Degës”,-sikundër edhe quhej tani. Edhe kur grindeshin dy vetë, kundërshtari yt të shihte me neveri e të thoshte: Ç’pret prej teje që e ke fytyrën si “Gazi i Degës”! Herë pas here Gjenerali shihte në pasqyrën e përparme fytyrën e Dinos, e cila ishte çuditërisht e qetë dhe kjo e tmerronte… “Është njeri ky, apo shkëmb stralli”!? E kishin vënë në mes dy nga trimat e tij më të bëshëm e ai dukej sikur do të shkonte në një të kremte në kishë, veshur me këmishën e bardhe e kostumin gri, që i solli ajo grekja që ditën e djeshme, që,-sipas tej, edhe ajo duhej të ishte një “agjente e stërvitur”, si e tipit të Mata Harit. Nuk kishte durim sa ta dorëzonte këtë “Agjent të rrezikshëm”, me duar të lidhura fortë, tek Komandant Xhelo Safrani, që kishte ende gradën e majorit, me fytyrën si të një bishe, që do të dinte se si ta “ndreqte mirë” këtë “të pabindur”, që nuk kishte pranuar asgjë prej akuzave të tyre…
Qe ende pa u gdhirë mirë, kur ai e dorëzoi të burgosurin “kokëfortë” te miku i tij që e priste aty, në rrafshnaltën e kobshme, mbi qyngjet e larta të nje rafinerie, që villte zjarrë e tym njëherësh, rrëzë një mali të zhveshur. Qe në të sosur viti i keq 1979, të tjerë vite do të pasonin dhe, i dënuari “i pabindur”, do të kishte mundësinë që edhe “të bindej”, të njihte më mirë “vërrën e sëmës” në ato 23 vite që i kishin dhënë si “shpërblim të kokëfortësisë” së tij, -sikundër i’u shpreh Gjenerali nga Vlora, Majorit të Mallakastrës…
Dhe, me të vërtetë Dinoja do të kishte mundësinë që të njihej aty ku e sollën, me një sistem të çuditshëm burgjesh që ishin ngritur në një kohë fare të shkurtër në vendin e tij. Burgu i Ballshit në sistemin e burgjeve të tjera që, për ironi të fatit, i quanin “Kampe riedukimi”, ishte cilësuar si Streha e Fundit e të “paaftëve të rrezikshëm”. Ndërkohë, “Armiqtë e nivelit të lartë të Politikës” gjendeshin në Burrel, burg politik që e ndërtoi Mbreti Zog për kundërshtarët e tij, në konkurrim me të famshmin “Burg-Kala” të Gjirokastrës, ku nuk pritej veç vdekja e sigurt e kundërshtarëve. Mirëpo ato ishin tejmbushur tashmë! Burgjet e Spaçit e Qafë Barit, të ndërtuar më vonë, për të shfrytëzuar edhe fuqinë fizike të armiqve të rrezikshëm, mbartnin brenda tyre edhe regjimin më të përbindshëm të një politike denigruese: në minierën e piritit në Spaç, të burgosurve u merrej fryma edhe në mesin e dimrit, kur nëpër galeritë e saj të nëndheshme zhvillohej një temperaturë deri 40 gradë Celsius dhe mbi male rëndonte dëbora! Ndërsa në Burgjet e Bregdetit, ngritur me nxitim në Borsh e Shën Vasil: vend-lindja e Dinos, dërgonin kundërshtarët e rinj politikë apo ordinerë me aftësi fizike për të hapur tarraca në kodra e male. Vlen të thuhet absurditeti i ideve kineze të Mao Ce Dunit që përdorej për rraskapitjen totale të njeriut. Zbatohej në çdo hap parimi leninist-stalinist se, nëse ekziston problem me trurin e kundërshtarëve politikë, gjëja më e mirë është zhdukja e tyre fizike, qoftë edhe me një afat pak më të gjatë nga vdekja e menjëhershme. Mbi të gjitha, regjimi aktual, i kishte vënë vetes si detyrë se, nuk duhej të ekzistonte asgjë që të kujtonte kulturën dhe qytetërimin e një bote kaluar. Kështu, emrin e fshatit Shën Vasil e ndryshuan duke e zëvëndësuar me fjalën utopike “Përparim”, që nuk do të vinte kurrë në vende të tilla komuniste, ku shteti ndërtohej me parimet e xhunglës, veshur me “vellon” e vullnetarizmit e të “kalitjes proletare”! Burgu i Bënçës në Tepelenë ishte i tipit të mirëfilltë nazist: dy regjimet më të egra në historinë e njerëzimit që nuk kanë ndryshim të madh nga njëri tjetri. Ndërsa burgu i ndërtuar enkas për tharjen e Kënetës së Maliqit, shkaktonte në pak kohë edhe tharjen, tretjen e shpejtë fizike të viktimave. E vërteta më e zgjeruar është se atrofizimi njerëzor ndodhte edhe në 15 rrethet e vendit, ku kishte “Degë të Punëve të Brendshme”. Ato ishin vende të mirëfillta inkuizicioni mesjetar ku mbaheshin të arrestuar njerëz të shumtë, të cilët torturoheshin pa pikë mëshire para gjykimit, për të provuar “akuzat bindëse” në gjykata të zhveshura nga çdo ndjenjë drejtësie e vërtetësie. Përbri të ashtuquajturave “qyteza të reja”, apo “fshatra e ferma socialistë” për të shfrytëzuar fuqinë e lirë punëtore të skllevërve, me njerëz me “biografi të keqe” e me “njolla në ndërgjegje”,-sikundër quheshin! Ndërkohë, propaganda komuniste trumbetonte në gjithë botën Shqipërinë si “vendin më të përparuar të botës”, që gjoja “farkëtonte njeriun e ri socialist”, por në të vërtetë nuk bëhej fjalë veçse për të shfrytëzuar e nxjerrë jashtë përdorimit gjithnjë e më shumë fizikisht, shpirtërisht e moralisht njeriun, sikur të thuhej për qënie pa pikë vlere humane, të kredhura e mbajtura me forcë brenda, në “Ferrin” e Dante Aligierit…
Dino Matikua do të mësonte gjithashtu se, përpos sistemit të burgjeve egzistuese qe ngritur me shpejtësi edhe një sistem tjetër paralel, jo më pak i tmerrshëm: sistemi i “Dëbim-Internimeve”, që varej direkt nga një Drejtori e veçantë në K.Q të Partisë e drejtohej nga një antar i Byrosë Politike, me emrin Manush Myftiu, i cili tmerronte të madh e të vogël, sa herë që puliste sytë nga nervozizmi. Ai firmoste se ku e kur do degdiseshin, para e pas burgimeve, si njerëz “të djegur” e të “padëshirur për shoqërinë”, nëpër “kampet civile” të punës, në miniera, qendra industriale e ferma bujqësore, ku grumbulloheshin nëpër kapanone që nuk shquheshin aspak nga burgjet reale. Nga këto qendra të “Dëbim-Internimeve” kishte në Lushnjë, Fier, Lezhe, Laç, Memaliaj, në Sarandë, në zonën e Bregdetit e gjetkë, ku punohej e ndërtohej në “trajta vullnatare” dhe që kontrolloheshin direkt nga Degët e Punëve të Brendëshme të Rretheve.
Gjithë Shqipëria qe kthyer në Burg. Por Burgu më qesharak për Dinon e për të gjithë sa ishin aty, ishte ai i Ballshit, ku e përplasën, herën e dytë “të pabindurin” dhe ku përbërja e të burgosurve ishte nga më heterogjenet. Gjeje aty njerëz të shpallur “armiq” që nga koha e “çlirimit të vendit”, edhe për një fjalë goje, tipa ordinerë që shanin dyqanxhiun pse nuk kishte qumësht, patate, mish apo kafe. Gjeje hajdutë që i akuzonin se kishin sharë qeverinë ngaqë nuk kishte punë për ta dhe ata shtrëngoheshin të vidhnin. Por gjeje edhe djem kuadrosh të larta apo të ulëta, që kishin sharë gjykatësit e partinë, ngaqë kishin futur në burg baballarët e tyre, dikur me studime në Moskë, të cilët kishin nostalgji për gratë ruse, për jetën e atjeshme, po edhe për këngët e filmat e tyre. Kishte edhe profesionistë në ekonomi, ushtri, arte e kulturë, që u rrëshqiste këmba e gjuha dhe u hidheshin sa hap e mbyll sytë hekurat në duar. Nuk mungonin edhe kuadro diçka më të larta që kishin guxuar të kritikonin ndonjë ministër apo sekretar të partisë, madje edhe vetë Enver Hoxhën. Pa përmendur edhe nje kapanon të tërë me klerikë katolikë e prifërinj ortodoks, me mjekëra të rruar, si delet. E ç’të thuash mandej për homoseksualët që kishin guxuar edhe ata të kërkonin lirinë e tyre e pastaj kishin sharë partinë e qeverinë, duke preferuar të mbylleshin burgjeve se sa të lëviznin në jetën e ashtuquajtur “të lirë”! Medet çfarë i kishte gjetur gjithë këta njëmijë e dyqind e pesëdhjetë njerëz të pafajshëm që vërtiteshin në grykën e qyngjeve të larta të Rafinerisë së Naftës, që u ndërtua enkas për ta… Ky burg sa qesharak, po edhe aq i lemerishëm! Bashkëfshatari i Dinos, Dukë Kapetani, që shquhej pë “humorin e zi” të tij, kur e kundronte me qesëndi “këtë turmë” më fytyra të mjeruara thoshte: “Ja armiqtë e Shqipërisë. Medet”!
Në burgimin e dytë, Dino Matikon e kishin mbajtur në qelitë e Degës së P.B. të Vlorës, me një hetuesi të gjatë prej nëntë muajsh në moshën 65-vjeçare. Qe tretur fizikisht e ligështur, po pa e humbur toruan e pamjen fisnike të nje aristokrati të hershëm. E shqetësonte përditë ay tym i zi e me flakën ngjyrë vjollcë, që villnin qyngjet e Rafinerisë së Naftës dhe, pa u qetësuar ende mirë në kapanonet qindshe me “kokëqethurit” e atjeshëm, pësoi infrakt në zemër! Në burgun e parë hetuesia zgjati vetëm gjashtë muaj, në një kohë kur ishte më i ri: 42 vjeç. Në të dy rastet “dokumentet” e gjoja “fajësisë” së tij mbetën të pafirmosura. Në një rast dobësie kryehetuesi, një farë Nesti, që ishte gjithashtu edhe nënkryetar i Degës së Punëve të Brendshme të Vlorës, iu drejtua me fjalët: “Kam asistuar dikur edhe në hetimin e Hamit Matjanit, por vendosmëri e karakter të fortë si tëndin, nuk kam parë”. -“Kjo të ndodh sepse je duke hetuar një njeri të pafajshëm”, i qe përgjigjur Dinua, i qetësuar nga reagimi i hetuesit, ndërkohë që ai vetë e kishte shkaktuar përplasjen.
Sa për dëshmitarët e burgjeve, ata i ishin shfaqur gjithnjë në hetuesi me të njëjtën pafytyrësi, të nënshtruar e trembur deri në palcë. Për një ish-mikun e tij të ngushtë nga Himara, të cilin e njihte qysh më parë si tip të trëmbur, kishte mjaftuar t’i vinte hetuesi revolen mbi tavolinë dhe ai fillonte të dridhej i tëri nga frika. Dinua i shihte ata me një ndijesi neverie. Dhe nuk kishte përgjigje më asgjësuese për hetuesit, aq të tmerrshëm të asaj kohe, kur i burgosuri u drejtohej me një zë fare të qetë, ndryshe nga rastet e shpërthimit të tij dinamik e me nerva të tendosura: “Mos u mundoni kot të nxirrni nga unë gjëra të paqëna. Shkoni në banesën time ku gjëndet biri im dhe e bini këtu, para meje. Mund ta varni po të doni. Unë nuk kam për të treguar asgjë, ngaqë jam i pafajshëm! Nuk kam se çfarë të rrëfej”.
Sidoqoftë, logjika dhe mendimi qoftë edhe gjysmak e përherë me defekte i hetuesve, nuk mund të mos kuptonte se ai, ndonëse thoshte se ishte i pafajshëm, nuk mund të mos fshihte biseda të bëra kundër regjimit me miq, familjarë apo edhe me njerëz më pak të njohur. Por e vërteta është se në këtë pikë Dinua pranonte më mirë të vdiste se sa të denonconte bisedat e bëra në mirëbesim, të cilat i konsideronte me të vërtetë të shenjta. I të njëjtit kalibër ndjeshmërie ndaj kultit të njeriut ishte edhe Sofia e tij. Në hetuesinë e parë e thirrën gjashtë muaj pas arrestimit të të shoqit. Gjatë kësaj kohe pritjeje në ankth të madh, ajo kujdesej sa herë lante një fustan që do të vishte përsëri ditën e hënë, të fshihte në to disa fletë brisqesh rroje, të përgjysmuara e qepur me kujdes, me mendimin se nëse papritur e thërrisnin në hetuesi dhe ajo shtrëngohej të pranonte diçka komprometuese, më mirë të priste venat e gjakut se sa të dilte dëshmitare në gjyq kundër burrit të saj, miqve dhe të njohurve të familjes.
Në burgimin e parë në Vlorë, Dinos, ndër dhjetëra klerikë katolikë, nuk mund të mos i linte një përshtypje të thellë një figurë fisnike si at Pjetër Meshkalla. Madhështia shpirtërore e këtij individi të rrallë, që si askush tjetër në Shqipëri, në kohën e tre milionë duartrokitësve, hyri në burg vullnetarisht me letrën që i dërgoi një kasapi si Mehmet Shehu, binte në sy për Dinon edhe në gjëra të thjeshta. Në ndonjë rast i ofronte ushqime dhe Pjetri nuk pranonte. Në kushtet e urisë së madhe të burgjeve shfarosëse të asaj kohe, shpirti i këtij mbinjeriu apo individi të jashtëzakonshëm, tregonte se mungesa e ushqimit ishte gjëja e fundit që mund ta preokuponte.
Në Ballsh gjeje edhe të dënuar me bindjet politike të Ballit Kombëtar apo nacionalistë e legalistë, avokatë e tregëtarë të ndershëm, që dikur kishin ndihmuar Lëvizjen Nacional-Çlirimtare, me besimin e ndërtimit të një Shqipërie më të mirë nga e mëparshmja. Binin në sy edhe ata të “rrymës së kundërt” ndaj politikës aktuale, të ashtuquajturit “pluralistë”, duke filluar nga Konferenca e Mukjes dhe deri në të ashtuquajturin “Aktiv të Partisë së Tiranës”. Të pranishëm në burg ishin edhe të ashtuquajturit “sabotatorë” në ekonomi, naftë, ushtri, letërsi e arte. Në “llumin e ri të shoqërisë shqiptare”, të etiketuar zyrtarisht si të tillë, ndodhte të trazoheshin bashkë edhe gjithfarë hajdutësh, vrasës ordinerë, diversantë dhe homoseksualë, që nuk e gjenin dot veten e tyre jashtë dhe në burg mund edhe të ushtronin veset e tyre fshehurazi, politikanë të mëvonshëm, midis tyre edhe “nga të vetët e pabindur” si ministra, hetues, prokurorë, funksionarë të Qeverisë, anëtarë të Komitetit Qendror të Partisë, për të cilët flitej se “ia kishin pasur me hile partisë” së tyre. Ndodhte jo pak herë që aty të vinin hetues e prokurore të regjimit që gjenin e përballeshin me të ndëshkuarit e tyre, për t’u vënë edhe ata, në radhën e gjatë të mjerimit, para sportelit të mensës, tri herë në ditë me një tas e lugë alumini ne duar për një garuzhdë çaji në mëngjes dhe dy garuzhde supë preshi në drekë e në darkë.
Kishte lexuar diku se “sa mjerim është të kujtosh ditët e mira e të bukura, në fatkeqësin tënde”! Po, për të, ato kujtime, do t’i vinin vetiu në subkoshiencën e tij përherë të freskët. Në Vlorë Dinua ishte një njeri i pjacës. Në qytetin e madh bregdetar, pothuajse e njihnin të gjithë intelektualët dhe jo vetëm ata. I veshur përherë me shije, në shoqërinë e individëve më të njohur të Vlorës, nuk pati kurrë problem të ndiente nevojën për t’u bërë “i padukshëm”. Do të ishte diçka që nuk do të shkonte fare me karakterin e tij përherë ballëlart e të hapur. Për Dinon as që bëhej fjalë të mendonte se njerëzit-hije të shtrofullave morale të nëntokës, mund të arrinin t’i thyenin shpirtin e tij të lirë, parimin idealist të ndershmërisë, fisnikërisë apo të guximit qytetar. Në anën tjetër nuk mund të mos kuptonte edhe se etika e paraqitjes së tij të veçantë, që e bënte të binte në sy fizikisht në qytet, autoriteteve të regjimit nuk mungonte t’iu dukej si krekosje, fodullëk, sfidë e drejtpërdrejtë e një borgjezi kokëfortë, mjaft i papajtueshëm në mendime e ide me ta. Edhe pse i privuar nga liria me 23 vjet dënim penal, praktikisht i gjendur në burg, e njëjta gjë ndodhi edhe në Ballsh. Kur e shihnin që ky i burgosur, “agjent grek”, siç e quanin, tek shëtiste mbi shkallaren me çakëll të Burgut të Ballshit, i shoqëruar me Dragon, “agjent jugosllav” dhe me Andon Shetin, gjeneralin “puçist, të kundër rrymës” nga Vunoi, krijohej në mënyrë spontane një “trekëndësh i rrezikshëm”, përballë të cilit, binin në plan të dytë gjithë provokatorët apo spiunët ordinerë, që si kërpudha në pyll pas shiut i gjeje në çdo kënd e skutë të burgut. Kjo ishte arsyeja qe Dinua, biri i rrallë i një fshati heroik si Shën Vasili, në Historinë e Bregdetit të Himarës, e pa veten të transferuar në Zejmen, në rrethinat e Shën Kollit, në një moçalishte të vjetër, fole e infektuar mushkonjash, e ndërkohë duhej të mendonte se njeriu mund të rastisë të jetojë disa vite më pak, i shtrënguar nga rrethanat në një jetë më të shkurtër, por ka rëndësi fytyra nëse është e pastër ose jo, se si shfaqet ajo pëpara një gjykatësi me karakter absolut siç ishte ndërgjegjja e tij e papërlyer. Në tri qeveri të ndryshme, Zejmeni ishte burgu i shtatë që e mbante këtë njeri të “pathyer” brenda një dyzine mushkonjash që të pinin gjakun! Po si u bëhej vallë “mushkonjave-njerëz”?!
Kostandin Martiko e ndjente tani veten, jashtë kësaj “grigje mjerane”, pjellur nga ajo qeveri që ai e priste më ndryshe, në ëndërrimet e tij të moshës më të re, kur trimat, mund të hidhen edhe në zjarr, për një ideal që u djegë krahërorin! Po edhe e kuptonte se, vetëm këtu mund “ta thyenin” shpirtin e tij kryengritës, parimin e ndershmërisë, të guximit e kurajës qytetare, po edhe edhe të asaj etike e paraqitjeje aristokratike, që e shquante fizikisht e që autoriteteve të regjimit u dukej si tipar i një borgjezi te ri, të papajtueshm me ta. Kjo ishte edhe arsyeja qe ai, “I pamposhturi” i Shën Vasilit e shihte veten tani këtu, në rrethinat e Shën Kollit, në këtë moçalishte të vjetër të mushkonjave. Vetmia qe një nga ato tortura që ata e përdornin më shpesh, për ata njerëz stoikë, që sipas tyre, kishin “dalur nga binarët”! Ata rufjanë, kishin vendosur ta vdisnin edhe atë, po ai do te dinte si të vdiste…
Dhe shpalli grevën e urisë, vetë, pa i thënë kurkujtë e pa shokë të tjerë pranë! Nuk pranoi të delte më në Apel, e refuzoi “lëtyrën” e komandës e do të shtyhej ca ditë me çajin e limonit, derisa të tretej ngadal. Bota e tij qe e paprekur. Truri i tij ishte i pa infektuar dhe trupi i tij i ngjante tani shenjtorëve të ikonave… Shoku që flinte përbri tij, majtas, po edhe ai në të djathtën, të cilët, po ashtu “bluanin” vetveten, e ndjenin se, midis tyre qëndronte një “shkëmb” që kishin vendosur t’a thërmonin, pa e goditur me çekan e varre, po me heshtjen e vetmisë, të izolimit, me mushkonjat e erërat e akullta të Veriut, me “prerjen e fijeve” me idealistët e tjerë, që lëngonin në afërsi të tij. Nga Ministria e Brendshme, një xhahil, me mbiemer bishe, Nevzat Hasnadari, që të kujtonte derrat e egër, pyeste çdo ditë me telefon, se deri ku kishin vajtur me torturimin e këtij njeriu që i kishte përbuzur me neveri!? Ata të komandës së këtushme, mustaqelliu vesh më vesh dhe operativi me fytyrën prej vajze, e parandjenin dhe e ndiqnin hap pas hapi, qëndrimin e tij e nuk e përdorën qelinë me lagështirë përsëri, duke e lënë në vetminë e agonin e sëmundjes së tij, pa asnjë mjekim, pa le të bënte edhe atë: “Grevën e Urisë”! Dinua nuk donte t’i përdorte më ata miq e shokë të vërtetë që u vunë në lëvizje për të mbrojtur pafajësinë, konseguencën e ndershmërinë e tij, kur e mbajtën aq gjatë në qelitë e Vlorës. Ai e ndjente se, edhe rrethanat politike të vendit, sa venin e bëheshin më shtrënguese. S’kishte pak kohë që “I PARI”, kishte asgjësuar “TE DYTIN” që vinte pas tij, nga frika se i zinte vendin! Dhe kishin shpallur që “ai vrau veten” , se edhe ai qënkish “agjent”, bile një “poliagjent”!? Tmerri i padëgjuar vinte deri aty, në vendin e mushkonjave i freskët, para se të shpallej nga autoparlantët e tyre e gazetat, me ca “fije të padukshme telash”!
Ndërkohe, kolla e tij u bë kaq e ashpër, saqë, ata qe flinin përbri tij, kërkuan të largoheshin, ose të largonin atë… që do të “zinte vend”, vetëm atëhere kur ai volli gjak, pas kollitjeve të forta! E vetëm atëhere, për sy e për faqe, u thirr një mjek nga Lezha, i cili do ta vizitonte të burgosurin e do të konstatonte: “T. B. C. infiltrative, bilaterale e shkallës superiore” dhe që do ta linte me shkrim se, i sëmuri kishte nevojë të kurohej urgjentisht në Spitalin e Burgut të Tiranës…
6.
Një javë më mbrapa, nga autoparlantët e burgut, me të mbaruar leximi i mbasdites i paragrafeve në vazhdim nga veprat e Udhëheqesit, të cliat i lexonte po ai spiker i Radio Tiranës, që me pas u akuzua me nenin 55, edhe ai për “Agjitacion e Propogandë kundër Partisë e Shtetit!” (!), u përmënd edhe ky njoftim: Të dënuarit Ndue Prendi dhe Kostandin Martiko, pas gjysmë ore, të paraqiten para komandës, bashkë me sendet e tyre personale! Dhe gërvishjet e zakonshme të mikrofonit nuk u dëgjuan më.
Ra po ajo qetësi e zakonshme, e mbytur nga mërmërima e të ngujuarve që hamëndësonin fatet e atyre që u thirrën me ngutje! Kostandinin donin ta ndihmonin të dy anësorët e pagojë, secili në krahun e vet, po ai nuk pranoi. Mjaftonte një gjest i tij falenderues. U vesh, rregulloi jakën e palltos së murme, mbërtheu komçat, drejtoi edhe trupin lastar e doli ngadalë para komandës, pa marrë me vete asgjë tjetër nga ushqimet që i kishte sjellur Sofia, me përjashtim të këmishës së bardhë dhe kostumit gri, të cilin e mendonte se do ta vishte një ditë, kur “ta lëshonte vetja” përfundimisht . Aty vuri re se, personin tjetër e mbanin nga të dyja krahët dhe qe shumë më i vjetër në moshë. Mezi e shihte, se qe mesi i natës e deri aty projektori i karakollit, pengohej nga trupi i bëshëm i një ushtari që bënte ecejakun e tij të zakonshëm. Dukej sikur do ta shembte përdhe era e fortë që vinte vrullshëm nga Lugina e Matit e përkulte majat e kallamave të buzëlumit.
Pas pak, sikur u fashit pakëz era dhe, në vend të “vërshëllimave” të saj, dëgjohej vetëm e kënduara e një bulkthi që dukej sikur vajtonte fatin e këtyre njerëzve të Perëndisë. U ndez motori i makinës së autoburgut që i priste në pjesën e dytë të ndarjes , ku ndodhej administrata dhe sakaq, thuajse i shtynë në karrocerinë e kafazit të hekurt dy “kafshët e pabindura”, që duheshin shpënë gjetkë! Gjatë kohës që llozi prej hekuri e kishte bërë punën e vet dhe makina e Burgut nuk po nisej ende, plaku mbi të nëntëdhjetat, me mustaqet majëpërdredhura deri tek veshët e me leshrat e bardha mbi zverkun e tharë, thua se fliste me veten, ndërkohë që sytë e mjerrgulluara i kishte të kthyera ngulshëm prej tjetrit:”Ç’a dreqin a k’shu? Vdekjen hak e kina prej t’madhit ZOT, po jo nji k’shu, me na zvarritë!”… Kostandini e pa me keqardhje. Dukej i dërmuar. Fjala e tij zvarritej dhimbshëm, si një rrënkim shpirti. Dhe vazhdoi gjatë gjithë rrugës, me po ato gulçima lirie, si ta kishin nxjerë jashtë telave me gjëmba e karakolleve të ngujimit afro gjysmë shekullore, përgjithmonë!
Plaku foli pa ndërperrje, duke rënkuar sa herë makina e tmerrshme binte nëpër gropat e rrugëve të braktisura, shumë më keq se sa edhe nga njerëzit… gjatë gjithë natës, po Dinoja nuk e dëgjonte më. I vinin vetë në vesh ca fjalë të shkëputura të tij… se e quanin Ndue… se ishte dënuar tri herë… se i përkiste që në ballë Ballit Kombëtar… se vetëm Mukja duhej mbajtur e jo të dëgjoheshin këta të tanishmit… se tre herë qe liruar e tre here të tjera qe kthyer përsëri… Më në fund u shpreh edhe kundër Enverit që e kishte “qëruar” haptazi, me një plumb ballit, si tradhëtar, edhe të kunatin e tij, Bahri Omarin, “Shefin e Balli”, pa pikën e mëshirës! Veç të tjerave, bezdisej që po e dëgjonte, po edhe hamëndësonte se i kishin sjellur pranë “provokatorin e rradhës”…
Nuk i ktheu asnjë përgjigje këtij personi te panjohur që dërdëlliti gjatë gjithë rrugës, nëpër natën e errët, kur jashtë dëgjohej vetëm vërshëllima e erërave. Zëri i tij u lodh e u ngjir, duke folur monologun e tij të pafundmë, nga honet e thella të shpirtit, -ndofta-,derisa t’i shuhej e folura, tok me dhimbjen e troshijen e ambël prej asfaltit të rrugës nga ecte tani “burgu lëvizës” dhe ta zinte gjumi.
Befas iu kujtua se Jaho Gjoliku i kishte folur edhe për njerëzit e Ballit, pa qenë shumë i vendosur, po nuk i kishte njohur nga afër, edhe kur këta njerëz, fillimisht, ishin ngritur në të njëjtën barikadë… Mbante mend vetëm se dikur, kur ai qe emëruar si Kryetar i Frontit NÇL të Bregut të Poshtëm, disa partizanë i kishin sjellë për ta gjykuar e vrarë, fare pa gjyq, një ballist në moshë te re! E kishte liruar menjëhere, duke kundruar fytyrën e tij njomishte, në ato kuturi të para, ku gjithçka shihej në turbullirën e asaj kohe, kur edhe partizanët vriteshin fare pa gjyq, vetëm për një fjalë goje dashurie a një gjest! Ai qe tronditur jashtë mase, kur partizanët pushkatuan Ramize Gjebrean që miku i tij i zemrës Zaho Koka e donte deri në përgjërim… Partizanë që të dy, të “orës së parë” që të dy, po mjaftonte të thoshte njeri “gjysmë fjale më tepër” që tjetra, sado trime që ishte, të hante “gjysmën e lekut”, sikundër thuhej e veprohej!…
Veproi në këtë mënyrë, pasi qe mëse i bindur se, një vend, kushdo qoftë në botë, që udhëhiqet nga ndjenjat përçarëse dhe të vëllavrasjes, është edhe më i dënuari tragjikisht!… Dhe tani i duhej që të udhëtonte në një “burg lëvizës” me njerin prej tyre përsëri, që edhe ai po e ngryste jetën nëpër burgjet komuniste, ndofta me fate “njëlloj të shkruara”! Kishin kaluar katër dekada, për të vajtur “me vdekë”, në po atë spital të panjohur, rrëzë Malit të Dajtit. Ku do të mbërrinin vetëm pas tri orësh, me troshitjen e kufomave të tyre.
7.
Nga dremitja e rënduar u përmëndën të dy të dënuarit, pas kërcëllitjes që bëri shuli i hekurt kur doli prej unazave të çelikta, me një vërshëllim të çjerrë. Dy gardianët shoqërues të Zejmenit e infermieri rondokop i spital-burgut të panjohur, thuajse i tërhoqën zvarrë, deri në katin e dytë të asaj ngrehine misterioze, të mbështetur në brinjën e një mali, që zinte thuajse rrëzën e zhveshur, buzë përroi a rrëpire të errët. Ndriçimi i zbehtë nga projektorët e këndeve të godinës trekatëshe, bënte që të dukej edhe rrethimi i kobshëm, me karakollet përkatëse në të katër këndet e këtij Burg-Spitali të mënjanuar, të fshehur diku, jashte qytetit të mdh e syrit të njeriut…
Edhe në dhomën më të madhe të katit të dytë, ku i drejtuan, drita e zbehtë e zhurma e shkaktuar prej ardhjes së tyre, do të përmendte edhe të përgjumurit e tjerë: një plak të shkuar në moshë nga malësia e Dukagjinit që, siç do ta merrnin vesh në ditët në vijim, do ta quanin Shtjefën Lika, Halim Drizën nga Kukësi, Kadri Hysën nga Saranda, Klerikun Papleka nga Shkodra dhe atë, më të veçantin e më të dëgjuarin, Myqerem Janina, nga një derë e njohur fisnikësh të Beratit, që kishin të bënin edhe me “Derën e Lartë” të Turqisë. Me ata të dy, mbushej edhe kjo dhomë e katit të dytë e shuhej “kërshëria” e asaj mesnate.
Infermieri mezi merrte frymë nga shëndeti i tepërt e, jo pak herë sa hynte aty, zinte hundët me gishtrinjtë e dorës, nga era e keqe që kundërmonte. U vuri termometrin të sapo ardhurve, i hodhi sytë edhe një herë nga “banorët e vjetër” kronikë, pa nga tavani e, si i pa termometrat më shpejtësi, u dha “mysafirëve” nga dy hapje, pa u thënë se çfarë qenë ato dhe pa ujë… Me dorën tjetër, pa i hequr gishtrinjtë nga hunda, bëri shënjë me dorë se shërbimi i asaj ditë-nate, merrte fund me ta…
Drita e zbehtë e llampës elektrike, e fiksuar në tavan me një rrjetë metalike, nuk shuhej më as natën e as ditën. As brenda e as jashtë. Pa çelësa elektikë, pa butona zilesh për raste urgjente dhe pa priza. Gjithçka komandohej nga diku jashtë këtyre dhomave që përbënin spitalin e vetëm të atyre burgjeve e kampeve të internimeve që shtoheshin pambarimisht! E të burgosurit e sëmurë, duhej të mësoheshin me këtë ndriçim ferri, derisa t’u vinte fundi! Të vdekurit, i merrnin vesh se kishin vdekur me të vërtetë, të nesërmen, kur ndodhte që edhe të qelbeshin (!), sa vinte përsëri njeriu i dhjamosur përsëri, pa i hequr gishtrinjtë nga hunda!
Mendja e Dino Martikos po kthjellohej. I ishte avitur fundit. Si një e vertetë e madhe. Ndërkohë, pas infraktit në Ballsh, sëmundja në mushkëritë e sëmura përparonte. Me natyrën e tij egzakte, që shkonte gjithçka nëpër mendjen e tij, duhej të preokupohej deri diku dhe për humbjen e trupit. Pasi, nëse vdiste në Zejmen, varrezat pa emër, në brigje me shtrat të lëvizshëm përrenjsh, do të bënte që familja të mos kishte asnjë shënjë të tij materiale, pas vdekjes… Me këto mendime të zymta e kapiti gjumi…
Andej nga ora 9 e mëngjesit, infermieri i rrumbullakosur e pa ngjyrë fytyre erdhi përsëri, i shoqëruar nga një grua me stetoskop në qafë. Qe Doktoresha Meri Gjinushi. Ajo u drejtua direkt e tek krevati i Kostandinit. E kishte mësuar nga shkresa përcjellëse që dërgohej nga Burgu i Zejmenit, si edhe nga një shënimi i mjekut lezhjan, që i bënte të ditur se ai vuante nga një “Bronshit akut”, i përparuar, në të dyja anët e mushkrive. Më poshtë shkruante se dyshonte, për një “T. B. C. infiltrative pulmonare”. I mati pulsin e dorës dhe pastaj dora e saj i mbuloi ballin e gjerë. Kostandini hapi syte mirë dhe pa që edhe sytë e saj ishin lëngëzuar, po ndjeu edhe një dridhmë të lehtë të dorës së një gruaje mbi ballin e tij që përvëlonte nga ethet! Qe si një dridhmë brenda shpirtit. I dukej si një fytyrë e njohur dhe shumë e dashur! Po edhe Meri, tashmë e dinte se me kë kishte të bënte! Ky i burgosur, nga më fisnikët që vinte aty, qe miku i atit të saj, njeri i përkorë, me kulturë të gjërë, edukatë prej aristokrati e pamje dinjitoze… Gjithmonë i paepur, i pastër e i sjellur, si një xhentëlmen i vërtetë, megjithëse vuajtjet e sëmundja e kishte bërë punën e vet shkatrrimtare. Ajo i shtrëngoi të dyja duart e kryqëzuara, ndërkohë që edhe sytë e këtij burri të pa epur iu njomën. “Jam Meri,- Ndini,- bija e Lefterit,-tha ajo, me një zë të trishtuar e fortë të ulët, që ngjante si një mërmërimë e ëmbël. – Më dëgjon Dino,-jam vajza e mikut tënd më të mirë, kur punonit në Bankën e Vlorës”. Infermieri rondokop bëri një hap më mbrapa dhe gishtrinjtë i hoqi nga hunda… Qe një rast i rrallë këtë herë, të kthehej tinëzisht nga dera e të ngjitej në zyrat e katit të tretë… Mirëpo askush nuk do ta vinte re atë hije… Kostandini mbylli sytë fortë, prej një ngërçi befasues e, kur i hapi, ndodhi ajo që nuk ndodhte kurrë tek ky njeri: rrëshqitja e pikës së lotit, që burri stoik do ta fshinte menjëherë, për të mos e tradhëtuar veten…
Nuk tha asnjë fjalë. Nuk u ankua, po Meri i buzëqeshi e i preku përsëri ballin që i digjte si furrë. “Mos… Mos Xhaxhi Dino! Ti je ai që je! Mos e lësho veten. Do bëj ç’është e mundur që mund të bëhet për ty”. E u shkëput menjëherë, që të bënte detyrën e saj edhe me të tjerët që ishin aty, si fatkeq të një historie të trishtë që po kalonte Kombi ynë…
Ditë më pas, Kostandini do të ndjente njëfare përmirësimi, nëpërmjet një bombole oksigjeni që doktoresha dha urdhër t’i vihej, për të ndihmuar frrymëmarrjen dhe të një kure me autobiotikë. Dhe, do të mundej të dëgjonte e të njihej me historinë e habitshme të klerikut Ndue Papleka, që kishte mbaruar Shkollën e Jezuitëve në Shkodër e kishte vazhduar për filozofi e teologji në Romë, me një shërbim të gjatë në Dioqezat e Shkodrës e të Malësisë së Madhe, me Shtjefën Likën që po e “hante krimbi” nëpër burgje, tash 20 vite, me jetën e shkatërruar të Drizës, prej sëmundjesh të pa diagnostifikuara asnjëherë(!), me peripecitë e jashtëzakonshme të Kadri Hysës nga Saranda, me ato degdisje nga njeri burg në tjetrin(!), si edhe me më të veçantin e këtij Spital-Burgu, Myqerem Janinën, që po venitej aty, me pamjen e shënjtorëve të ikonave bizantine, aq të përafërta me Jezu Krishtin e përfyfyruar në ngjalljen e tij… Ata do të kishin rastin të dëgjonin nga goja e këtij njeriu të rrallë, historinë e një shqiptari që u rrit në dyert e Perandorisë Osmane, që mësoi në shkollat e ndritshme të Italisë, Francës, Greqisë e që po dergjej në spitalin e një burgu të mënjanuar diku, pa mundur të derdhte dijet e tij universale në shtatë gjuhë! Po, sa do prekej Dino Martikua, kur do të dëgjonte nga goja e tij historinë e romancës së dashurisë së tij me vajzën e bukur të Sulltan Hamitit, kur të gjithë i thonin të largohej prej saj, por që ai, nuk pyeti asnjeri, po e rrëmbeu turkallën dhe e solli në Shqipëri… O Shën Mari!, -thoshte me vete Kostandini ,- sa e afërt qëndronte kjo romancë dashurie e fortë, me atë të tij, me greken e bukur Korfinjate Sofia, që e solli edhe ai në Shqipëri, për të kaluar me të një jetë të tërrë, si edhe për të hequr edhe këto vite të zeza që po hiqte(!!).
Mbylli sytë një çast, sa të prehej në përfytyrimet e tii, që u kthjelluan befas! Qe akoma ditë. Në atë dhomë ku rrezet e diellit hynin vetëm në mesditë e largoheshin pas dy orësh, jo më tepër. Kostandin Martiko, i dënuar si “agjent grek”, kur i kishte urryer të gjitha agjenturat e botës, mundej të analizonte edhe vetveten me qindra herë… E kishte idealizuar komunizmin, si një ëndërr të vëllazërisë, të perafërt edhe me parimet e krishtërimit, po pastajë, si e njohu në praktikën reale, i zhgënjyer e braktisi, si sistemin më të keq që mundi të njihte. A nuk ishte ai, që me mënçurinë, vetmohimin e tejpamësinë e tij, arriti të marrë në dorëzim Sarandën, pa luftë, kur Italia po kapitullonte?! A nuk arriti të bëhej Komandant i Frontit NÇL të Bregut të Poshtëm, sikundër qe edhe Zaho Koka për Bregun e sipërm dhe që do ta braktiste këtë detyrë, kur pa se vëllavrasja e degradimi moral i komunisteve alarmoi ndërgjegjen e tij?! Qe një komunist i vërtet Jaho Gjoliku, shoku, vëllai e miku i tij më i afërt, i cili e dëgjonte e i jepte të drejtë për gjithçka, ndërkohë që i ” hëngri plumbi” të dy djemtë e tij!? Po Zaho Koka, që aq shumë e donte Dinon? Si përfundoi? Vajti vetë në “grykën e zjarrit” dhe u vra! Po vinin ditë edhe më të zeza për vëndin e tij! Bëri mirë që i’u përkushtua ekonomisë së shkatërruar të vendit të tij, në ngritjen e rimëkëmbjen e Bankave Shqiptare në Sarandë, Gjirokastër, Peshkopi e në Vlorë, po as këtu nuk e lanë të qetë të punonte, injorantët që zaptuan menjëherë frenat e pushtetit?! Dino Martikua nuk i përkiste politikës ekstreme që bënin komunistët, po “saktësisë matematike”. Ai qe një ekonomist i shkëlqyer për mbarë vendin tonë të varfër, që i ngriti bankat e tij të para, sipas ideve e punës së tij të mënçur !Me hidhërimin më të thellë, po mendonte tani se, vetëm sistemi i “mbylljes se gojës”, i spiunimeve, i korrupsionit, i burgimeve masive e i vrasjeve të pashembullta e prapa krahëve pa gjyq, i kishte sjellur edhe këta njerëz të mirë, stoikë e ëndrrimtarë idealesh, në aktin e fundit të dramës së jetës së tyre, me përmasa tragjike!
E parandjeu afrimin me vdekjen qysh kur dha shpirt parmbrëmë, Shtjefën Lika, pas 20 vitesh, pa dalur fare nga burgu, kur as ai vet nuk dinte e nuk po e kuptonte përse e kanë dënuar, kur kishte mbetur edhe fare pa njerëz të afërt, në vetminë e tij tragjike, kur edhe sëmundja e mëlçisë së zezë, e kthyer në Cerozë i bllokoi edhe zemrën! Pati një rënkim të lehtë e të zgjatur që e dëgjoi vetëm Kostandini që e kishte në krahë dhe që u ngritë me kujdes e i mbylli sytë e shqyer prej dhimbjeve të thella e pastaj të shtrihej përsëri, që të bënte sikur flinte, me të vdekurin përbri! Vetëm pesë orë më vonë do ta mësonin edhe të tjerët, kur panë që hyri tek dera rondokopi e i zuri të dyja hundët me gishtrinj, prej erës që lëshonte kufoma! Ja që, u duhej të mësoheshin edhe me vdekjen e tyre, fare afër!
Në mbrëmjen tjetër, Dinua pati një therrje në gjoks e provoi të ngrihej. Po e mbyti kolla e, mbas pak, pas mesnate, volli gjak në një shami të bardhë, nga ato që ia kishte qëndisur Sofia e tij… Bëri të ngrihej përsëri, të vente deri në banjën që ndodhej në fundin e korridorit. Diçka ndjeu, një si zë i brendshëm që e ftonte të ishte gjthmonë i larë e i pastruar, bile edhe i veshur si Zotëri… Në të dyja ekstremet e korridorit, vigjëlonin të dy policët që shihnin njeri-tjetrin në largësi, natën e ditën! Atyre nuk u kishte pëlqyer që i burgosuri kishte disa tesha të reja nëpër duar dhe menjëherë e dhanë shënjën e alarmit! Asgje nuk u shpëtonte! Befasia e tyre do të forcohej, kur po ky person, doli prej andej i pastruar e i rregulluar, me kostumin e tij më të mirë, me këmishën e bardhë e kollaren në qafë, si dikur,-që rojeve nuk ua rrokte mëndja për më tej. Po i burgosuri u kthye rishtazi në dhomën e tij, me hapin e një profeti, veshur ndritshëm si zotëri, me kostumin që e mbante për këtë ditë-natë të shënjtë dhe, andej në të aguar, ashtu si e mendonte, gjysmë i ngritur, me shtatin drejtuar, pa asnjë të kollitur tjetër dha shpirt, qetë e bukur, burri nga Shën Vasili, si një shenjtë edhe Ai.
Kur Doktoresha Meri Gjinushi erdhi në Spital, në mengjesin e asaj dite, pa ditur se ç’kishte ndodhur, e thërret Administratori i Spitalit, kirurgu N. dhe i thotë se, i kishte telefonuar Kryehetuesi i M.P. Brendshme, Nevzat Hasnedari, që: “u kemi sjellur aty , për kurim të përkohshëm, një armik të betuar, njerin nga të burgosurit më te rezikshëm, që i kishte thënë “JO” Hetuesisë në të dyja burgimiet e tij”. Dhe se: “Ai duhet mbajtur në izolim të veçantë, për hetime plotësuese…”. Mjekja Gjinushi, qe hutuar një çast, e stepur përsa dëgjonte dhe u shpreh që, para saj, qëndronin të sëmurë rëndë që duheshin kuruar e shëruar! Se, gjithmonë, para detyrës humane të mjekut,-kishte vazhduar ajo,- asgjë brënda këtyre mureve e telave, nuk duhej ngatëruar me Hetuesinë!… Administratori N, që e vlerësonte reputacionin e mjekes së tij, si profesioniste nga më të mirat, që përballonte këtu vlerat më madhore e më fisnike të Hipokratit, uli kryet mbi tryezën e tij, ndërkohe që ajo doli e zymtë, e heshtur dhe e dërmuar! “Jo,- i tha ajo vetes, duke zbritur shkallët me shpejtësi, nuk do ta lejonte! Ai, “Kostandini i Shën Vasilit, është më i pastërti e më i shenjtë sa edhe vetë shenjtori që e ka si emër fshati i tij! Une e njoh atë! Gjithë Vlora, Saranda e krejt Bregdeti e njohin atë” !Kështu do t’i thoshte kujtdo që do këmbëngulte të bënte hetuesira me të sëmurin e saj, mikun e pafajshëm të të atit!…
Ajo do të hynte me një frymë në dhomën e gjashtë martirëve, (kur dy net të shkuara e kishin përcjele të shtatin!) dhe martirin e gjashtë e gjeti thuajse të ngrirë, në trajtën e një shenjtori! Mbeti një çast si e goditur nga rrufetë qiellore! U afrua e tronditur, si rrallë here në jetën e saj… I mbylli sytë me pëllëmbën e duarve të bukura e tha nën zë që të “prehej në parajsë”! Të pesë të tjerët, të ngritur përgjysëm, nuk kishin parë kurrë se si mund të qante ashtu, një mjeke, midis të ashtuquajturve “armiq”, ashtu në këmbë, thuajse e paralizuar, pa zë, me lotët çurk, mëtëposhtë faqeve, rrëpirave të nënë Dajtit, të Malit me Gropa dhe të përenjve të tharë, nga stina më e tharrë e më e keqe, që nga kohëra që nuk mbaheshin mend…
Epilog
Gjithmonë vijnë çastet e ndryshimit të kohërave, sado të errëta e të vështira të duken, dhe heronjtë që kujdesen për mënyrën se si largohen nga jeta, mbeten në memorien e kombit e të shoqërisë, nëpërmjet dëshmive origjinaale, provave në “kohën e zjarrit”, fisnikërisë e ndërgjegjes absolute, të papërlyer deri në vdekje.
. Ajo që e takoi e fundit atë, heroin tonë, edhe në gjallje edhe sa kishte vdekur, Mjekja Pathologe Meri Gjinushi, shprehet te “Gazeta Shqiptare” të 25 qershorit 2011, se Dino i shkretë, para se të mbyllte sy, i kishtë thënë: ‘Po vdes, moj bijë dhe nuk e di se ç’farë kam bërë”…
Administratori i Spitalit te Burgut, Kirurgu N., e pa të nevojshme t’i telefononte Xhelatit të Burgjeve, se Hetuesia e mëtejshme e këtij njeriu, ishte mbyllur me vdekjen e tij! Ai kishte heshtur përtej telit e dha porosinë e kobshme se nuk qe e nevojshme të njoftonte familjen, mbasi,-siç e dini,- dënimi i të burgosurve do te vazhdonte deri në atë ditë, natë, minuta e sekonda, që shënohen ne dosjen e tij, pra, edhe 15 vite më pas vdekjes se tij të zakonshme”!
Kështu që, Kastandin Martiko, do të varrosej me të tjerë martirë, diku midis varreve të panjohura të “Shish Tufinës”, Linxës e “Malit me gropa”, ku zakonisht hidheshin në një gropë të përbashkët kundërshtarët e rregjimit më të egër që kishte parë bota, shumica e të cilëve vriteshin me një plumb pas koke e pa gjyq, sikundër bëhej dikur nëpër gjyqet partizane! Gjithsesi nuk mund të thuhej që ky njeri i shquar, nuk ishte më në fund edhe pa miq të rëndësishëm, të cilët, -të paktën,-të mundeshin të bënin diçka, sado të vogël: t’i siguronin një “gropë varri” veçmas, me një gur betoni përsipër, ku të shënohej vetëm emri i tij, me një gërvishje të ashpër dalte çeliku… Një emër midis të vdekurve të gjallë!
Kur dy tre muaj më pas, Dinua ishte lerguar nga jeta, nëna e Doktoresha Merit, pati guximin të vizitonte Sofinë në Vlorë, ndërkohë që në apartamentin e tyre nuk shkelte askush, bile edhe nga farefisi, të trembur deri në palcë…
I biri, që aq shumë ngjante me Apollonin, Zotin e Dijeve dhe të Dritës, me flokët e tij të dredhura, me shtatin e lartë e të bukur, si edhe i ati, tashmë burr edhe ai, poet, shkrimtar e piktor, që jetonte e punonte në Korfuz, e kërkoi varrin e të atit dhe e gjeti me shumë vështirësi, duke patur edhe ndihmesën e shokut të vuajtjeve të Dinos, Fadil Meços, si edhe për t’i sjellur eshtrat të preheshin në Shën Vasil, në vendlindej e tij qe e donte e bëri aq shumë për të.
Në përcjelljen e fundit të Dino Martikos, ngjau sikur erdhi aty i gjithë Bregdeti, shoqëruar nga flladi i detit dhe i malit. U bë një procesion fare i thjeshtë, karshi vlerave madhore të këtij HEROI,-thuajse të harruara edhe nga sistemi që erdhi, pa e ditur se, ishte edhe ai ndër themeluesit e shtetit të ri…
Autori i këtyre rradhëve të një tregimi real e të jetuar, i shoqëruar edhe nga ish-Ambasadori Shqiptar ne Greqi Z. Bashkim Zeneli, trokitën në derën e Presidentit të Republikës, Z. Bamir Topi, për të thënë edhe këto fjalë: “A nuk ka arrdhur koha, Zoti President, që të shpallen heronj edhe ata njerëz konseguentë për DEMOKRACINË E DITËVE TONA, që luftuan me mish e me shpirt, me mendjen e zemrën e tyre, per idealet e ëndrrat e të gjithëve, që vdiqën si burrat, burgjeve, fare “të panjohur”për brezat që errdhën më pas, krahas edhe atyre që ranë në luftë”!? “E drejtë është,-tha ai, por nuk ka ende një ligj të tillë nga Parlamenti Plurealist i ditëve tona. Ah! Ka vetëm një dekoratë për ta: “MARTIR I DEMOKRACISË”! Dhe kështu u vendos. U tha dhe u bë! E, në një mjedis intelektualësh, shkrimtarësh e artistësh, në selinë e Ambasadës Shqiptare në Athinë, në praninë e ambasadorit të radhës, Vili Minarolli iu dorëzua Robert Martikos, të birit, kjo dekoratë mirënjohëse, për atë qëndresë stoke shëmbullore, vepër e lartë jete e lufte e të atit të tij Hero, njeri nga më të rrallët trima, jo vetëm të Bregdetit, po edhe të të gjithë Shqipërisë…
Pas kësaj ceremonie mbresëlënëse, në fshatin e Martirit të Demokracië u mbodh përsëri i gjthë Shën Vasili e Nivica, shokët e tij të vujajtjeve, intelektualë, shkrimtare, gazetarë e artistë, ku u përkujtua edhe një herë vetmohimi i këtij heroi të pashembëllt, për qëndresat e vlerat e tij morale. Folën me radhë miq e shokë, bashkëfshatarë e zyrtarë te Bregut të Poshtëm, aty ku ai militoi në vitet e para e ku ndërkohë, u promovua edhe libri memorialistik për Dino Martikon “Shpirti i zjarrtë në orën e hijeve”, nga shkrimtari shqiptaro-amerikan Petraq Pali, ku spikat, plot ndjeshmëri e krenari edhe fjala e të birit Robert Martiko: “Nëse heroi i një çasti mrekullon një jetë, të cilën nuk duron dot, heroi fisnik një periudhë të gjatë vuajtjesh e poshtërimi të përgjithshëm, mrekullon një jetë që kanë duruar të gjithë”!
(Shkruar në Athinë, në javën e Pashkës se madhe, fillim maji 2021. Pjesa e parë e kësaj novele shkrimi është publikuar në portalin “Albspirit”, 21 maj 2021).
Please follow and like us: