Ilir Levonja: Harxhoni energji për unifikimin!
Gjatë fushatës së fundit, kur pyesje lart e poshtë për Agron Shehajn, të thoshin, oh ai do fitoj. Me atë e kemi të sigurt iks zonë elektorale etj. Sot që ai kandidon, e quajnë mosmirënjohës. O shokë, boll me përbaltje. Në fund të fundit edhe Agron Shehaj është demokrat, madje fitues i madh. Ka të drejtë të kandidoj? Duhet ta keni si model të së djathtës, veproni e respektojeni po ashtu siç edhe vepruat gjatë fushatës. Madje jo vetëm ky Agroni, por edhe ndonjë deputet tjetër që theu herësin e votave, siç është rasti i Luçiano Boçit në Elbasan, të ofrohet e të kandidoj. Më të votuarit duhet të kandidojnë, kaq dhe thjesht. Të tjerat janë si t’i nxirrni sytë vetes. Luli nuk ka përse ta ketë të vështirë t’i pranoj. Duhet ta kuptoni, ai i pari që ashtu si tek sportistët edhe në politikë ka një cikël që mbaron gjithmonë. Ndaj mos përbaltni Agron Shehajn por të shqetësoheni për përjashtimet brutale, për rregullat e lojës me teza absurde ke bërë ao nuk ke bërë fushatë. Kjo që po ndodh sot tek e djathta, nuk i shërben vetëm asaj, por kultivimit në përgjithësi të demokracisë shqiptare. E majta u bë një model i Llukashenkos, të paktën të mos bëhet e djathta. Nëse në Minskun e lodhur Llukashenko del me kallashnikov në dorë, Edi Rama ju ka mbytur me propogandën. E kam fjalën për garën plot konkurencë. Nëse aty do zhvillohet një garë plot konkurencë, fiton edhe demokracia shqiptare. Sot të gjithë ata që ishin në listat e Lulit e quajnë mosmirënjohës Agronin. Sepse gjoja Luli e ka vendosur dy herë të kandidoj. Kjo tregon se sa e ashpër është lufta brenda një force. Zakonisht kjo ndodh kur aty fuqizohen klanet dhe vritet statuti. Aq sa të vjen pështirë kur shikon se si një figurë deformon ato pak radhë, madje bën shtojca nenesh si e si t’i bëhet krah kryetarit aktual. Mendoje pastaj se çfarë mund t’i bëj ky person Kushtetutës së vendit. Epoka e Lulit mbaroi. Mirë do bënte të hapte krahun. Nuk e bëri, është një përgjegjësi personale e tij. Pretendimet për vjedhjen e zgjedhjeve, masakrimin e votës etj., janë humbje kohë. E para sepse si KAS apo çfarë institucioni tjetër gjoja gjykatës i zgjedhjeve, janë me anëtarë të dominuar nga shumica. Çfarë prisni që ata të varin veten? Tek ne nuk ka linduar akoma nëpunësi i statutit civil, i kemi me shumicë ata të teserës së partisë. E dyta edhe sikur të vërtetohen vjedhjet, rezultati nuk ndryshon. Shikojeni humbjen në sy dhe pranojeni. Ajo zuri fill që tek ulja e bërja gjoja e reformës zgjedhore me Damian Gjiknurin. Tjetra tek mos menaxhimi i duhur i vendimeve të forta, si djegia e mandateve. Kur them të forta kam parasysh, o shkoi deri në fund e flijohu, o hap krahun. Luli shkiste. Vendim i fortë ishte dhe mosfutja në zgjedhjet lokale 2019. Por me një përfundim pa bythë. Protestave në mbarë vendin Luli u hodhi kova me ujë duke u thënë që shihemi në shtator. Vetëm Lulzim Basha çon me pushime protestuesit. Dhe mos të harrojmë, i gjithë mandatati i dytë i Edi Ramës, ishte një krizë edhe sociale. Dimri i ashpër i studentëve 2019-2020, fermerëve etj., që kurrë nuk ngjitën me opozitën për shkak të emrave të përfolur në krye të saj. Duket se një vend i tërë është marrë peng pikërisht për shkak të këtyre emrave. Një propogandë e tërë i ka vënë poshtë sot shqiptarët, aq sa studiot e tyre japin debatet në konfliktin e gadishullit palestinez. Çështjen non grata të Sali Berishës… madje këtu, u duhet thënë të majtëve t’i ruajnë argumentat e shumta që kanë karshi Berishës, edhe kur të dëgjojnë emrin Edi Ramës. Të mos harrojnë, vet Edi Rama për ish kryetarin e Bashkisë së Durrësit kur u shpalla non grata (2019) tha, që, nuk më intereson fare mendimi i DASH-it, ky person është miku im. Të vjen të vjellësh kur shikon e dëgjon analistët e majtë që merren me lëvizjen brenda të djathtës. Ndërkohë një tip Llukashenko pret shirita banesash me fondet e Bashkimit Europian. Mbaroi epoka e Lulit, me sukses vetëm humbje. Një emër i ri, i bën më shumë se mirë së djathtës pastaj vendit. Një studio e tërë mbrëmë shfrynte me pyetje të panevojshme si, a do shpallësh Sorosin non grata? Të djathtëve më parë se Sorosi u duhet një plan program riunifikimi, një plan program për shqiptarët, të tjerat zbythen vetiu. A do i dalësh në krah Sali Berishës? Sali Berisha është sot tabela më haraçin më të lartë për të djathtën. Këtë më mirë se të djathtët e di ai, Edi Rama, ndaj studiot e tij merren me gjoja krimet e Sali Berishës. Kjo është absurde, pasi në Shqipëri, akoma nuk janë shpaguar krimet e komunizmit. Ose ca pyetje idjote si, e vërtetë që gjatë fushatës punove për emrin tënd? Absurditet… paçim sa më shumë të tillë që punojnë për emrin e tyre në nja garë elektorale. Se do i shikoni rezultatet. E djathta duhet me domosdo të përqëndrohet tek vetja. E gjitha duhet të jetë një fair-play. Agroni rezulton se është i dyti më i votuari. Megjithëse në raport me titullarin që humbet zgjedhjet, i bie të jetë më i miri. Kurse ju e quani mosmirënjohës. Në fakt është më i miri. Dhe si i tillë duhet të jetë krenaria juaj, jo ta përbaltni!