Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz RADOVANI:  In memoriam, Pjetër Gjini (2)

OPTIMIZMI ISHTE I TIJ!

PJETER GJINI (1908 – 1988)

Një ditë na shpjegoi një ngjarje të ndodhun në një nga dhomat e burgut të Burrelit, aty nga viti 1954, me dy të burgosun gjermanë të luftës, njeni kapiten i I “SS” dhe, tjetri toger “SS”. Ata flisnin gjuhën shqipe me nëndialektin e Dukagjinit, mbasi atje kishin shërbye disa kohë. Nuk trazonin asnjë të burgosun edhe pse ndonjeni mund ti
randonte me fjalë. Nuk pranonin asnjë dhuratë përveç cigarës dhe, në raste ngushllimi për vdekje pranonin me pi një kafe. Nuk mund të kuptonte njeriu ndër fëtyrat e tyne asnjë shenjë merzije nga humbja ndoshta e përjetëshme në Shqipni dhe, aq ma shumë nga moslidhja prej 9 vjetësh me familjet e tyne. I vetmi njeri që komunikonin me té
ishte Bajraktari i Dukagjinit, që ngryste vitët e fundit të pleqnisë në atë burg i dënuem përjetë. Kur gratë e familjes i vinin Bajraktarit (se Burrat i ishin vra të gjithë nga komunistët), ato i sillnin duhan të mjaftueshëm për llullën e Tij, që nuk shuhej kurr, vetëm kur flente dhe, Ai Burrë, dy grushta ua jepte dy gjermanve. Ruente miqësinë me ta që në kohën e luftës, madje edhe kishte deklarue në gjyq se i njihtë dhe se asnjeni nuk kanë shprazë një pushkë ndër banorët dukagjinas. Kur prokurori e kishte pyet po kundër komunistëve a kanë shti? – Bajraktari asht përgjegjë, nuk e di!… Prokurori e ka pyet prap se pse nuk e di ti nëse kanë shti apo jo kundër komunistëve?…
Bajraktari i asht përgjegjë: “Nuk kam ku me e ditë se në Dukagjin nuk kemi pasë asnjë komunist derisa unë kam ra në burg!”.
Kjo i kishte lidhë edhe ma shumë, ndonse të dy ishin dënue si “kriminelë të luftës”, kapiteni 25 vjet dhe togeri 20 vjetë heqje lirije.
Një diversant i ramë ato ditë të vitit 1954, dhe i kapun nga forcat e sigurimit, ju kishte tregue se në Gjermani Demokratike, tashti mbas vdekjes së Stalinit, ka pasë demostrata…

Të dy gjermanët kishin ndryshue pamje, dukeshin disi ma ndryshej, tregonte daja Pjetër, daja madje, kishte qeshë me ta, tue i thanë: “Nuk e keni mësue mirë gjuhën shqipe, atje ku keni kenë ju dy,
fshatarët thonë: Sa asht fryma asht uzdaja (shpresa)!..”.

Mbas pak ditësh të ardhjes së këtij lajmi nga diversanti, një natë kah e vona, të dy gjermanët i kishin kërkue policit një letër dhe lapsë. Ishin ulë në dyshekun e tyne dhe krye në krye kishin shkrue atë letër, që heret në mëngjes e kanë dorzue tek polici i dhomës. Askush nuk dinte asgja rreth përmbajtjes së asaj letrës së tyne.
Mbas pesë gjashtë javësh, një polic në mengjez i njofton të dy gjermanët, se në ora 10 duhët me kenë të veshun, të rrumë dhe të pastër. Filloi diskutimi dhe hamendjet, por gjithmonë për mirë mbasi për të keqe nuk të lajmëronin por, të merrnin si shtatëqind dreqen pa ditë njeri i gjallë ku perfundojshe. Erdhi ora 10, i mori polici dhe mbas 15 minutash të dy u këthyen. Filluen me qeshë.
Treguen: “Na njoftoj një nëpunës i Ambasadës së R.D. Gjermane, se Presidenti e ka marrë letrën Tuej. Kaq për njoftim dhe iku”.
Pa kalue as dy muej, në një mbasdreke, drejtori i burgut i thrret të dy dhe i kërkon mendim: “A doni me ikë sande apo nesër, se do të vijë ambasadori gjerman me ju marrë. Pjesën tjetër të dënimit do ta kryeni në Republikën Demokratike Gjermane?” Të dy kishin kërkue atë natë me fjetë në burg me shokët e dhomës së 9 vjetve. Një gëzim i
madh për të gjithë. Askush nuk kishte mbyllë sy atënatë tue pi kafe e tue ndrrue cigare ndoshta, per të fundit herë…
Në një kohë kapiteni gjerman ka lanë një porosi: “Kini kujdes, këtu ka politikan dhe burra të mendshëm, por dinje një gja që asnjë nga këta burra nuk e di. Komunistët për 50 vjet do ta mbajnë pushtetin, se kështu asht vëndosë nga Aleatët në Jalta. Edhe nëse ju do të keni shëndetin e delni, ruenju mos me ra prap në burg sesa, t’ju dënojnë
do t’i bani kokërr në kokërr. Këte porosi jepjani edhe fëmijve të tuej.
Mos pritni as ma të voglen mëshirë nga këta. E keqja ma e madhe ka me kenë mbas 50 vjetve, kur trashigimtarët tuej do të sundohën nga
fëmijët e këtyne kriminelave, mbasi pushtetin këta nuk e dorzojnë pa
dhunë, ashtu si e morën kur ua dhurune!”
Të nesërmen ora 11.00 paradite janë përshëndetë me të gjithë dhe janë largue përgjithmonë nga burgu i Burrelit.
Pak ditë mbas vitit të ri 1955, kanë mërrijtë dy kartolina: “Mos harroni miq të dashtun: Sa asht fryma asht uzdaja!”… nga kapiteni me banim tashti në Këln, ndërsa togeri me banim në Drezden, të dy pranë familjeve të veta të riatdhesueme mbas sa vitësh nga Siberia.
Ky tregim i dajës Pjetër ishte një leksion i plotë universitar për gjithë jetën… Porosia e dajës lidhej me shpresen po jo me budallallëkun.
Ishte viti 1959… Gjithë Shqipnia ishte çue në kambë per me pritë udhëheqsin e kampit komunist Nikita Hrushovin… Ndersa sigurimi i shtetit punonte edhe naten… Një muej perpara daja Pjeter kishte shkue me ble buken. Sa ka hy me strajca të rruga e Kafes së Madhe ka ndigjue një za: Pjeter, Pjeter, dhe asht kthye: I asht afrue shefi i sigurimit Hilmi Seiti dhe i ka thanë: “Nuk dua të shoh as në Kafe të Madhe as, në rrugë per një muaj, degjove?… Dhe ka ikë në punen e vet. Edhe daja Pjeter ka shkue në shtëpi e asht ndrye mbrendë…
Qeshej, sa keq, më duket se po mes pa e pa Hrushovin?!..

Në vitin 1988, pikërisht në kryqzim të Perashit, aty e takova dajën me biçikletë perdore si gjithmonë. U përshëndetëm dhe ndrrueme pak bisedë, ku, unë i kujtova atë “porosinë” e dikurshme. Po, më tha, po kam frikë se po e kalojnë stafetën në duert e trashigimtarve të vet, mbasi orta e jonë nuk ka intelektual të pregatitun tash 50 vjet për me drejtue Shtetin Shqiptar në rrugë demokratike… Jam optimist, më tha, se me ramjen e Murit Berlinit e bashkimin e Gjermanisë, besoj se mori fund njëherë e përgjithmonë ai dreq traktatit i Jaltës. E bashkë me ate don Zoti, po ha dreqi edhe ate të Varshavës, mbasi edhe komunizmit i erdhi fundi, ndonse né na xuni të plakun… Le të
shpetojnë rinia… Me gjithate, ma mirë vonë se kurr!
Unë e pyeta se nuk e dij as sot sesi mu dha, i cilës datlindje jè ti dajë?
– Ai mu përgjegjë, i vitit 1908!
Fillova me qeshë dhe u afrova afer: Edhe asnjëherë nuk ke diftue se ti paske pasë datlindjen me shokun Enver!..
Ai qeshi e atypëraty, e më tha: “Po, por me një ndryshim, se ai ka shkue…. n’ate të s’amës, (po nuk mund ta shkruej si e tha daja)… E, unë jam këtu shyqyr, tue i pa si po e ha dreqi komunizmin e tij!..”
Nuk mund t’i harroj kurr fjalët e të Ndjerit Ndoc Naraçi, bashkvuejtes në burgun e Burrelit, ish minister i telekomunikacionit para vitit 1944, tue u kthye mbas funeralit të dajës Pjetër, u ndalue për një çast dhe, i zhytun në merzi më tha: “Asnjëherë nuk ka me ju ditë vlera e fjalës Këtij Burri që humbi Shkodra sot! Rinia shqiptare duhet me
kenë mirënjohse e madhe ndaj Tij. Se sa vlerë kishte fjala e Tij e dëshmonë ajo brezni që ishte ndër burgje e vuejtje me Té në Burrel, ku sa e sa vetë kanë shpetue nga vetvrasja e ramja në telat rrethues të burgut nga mërzia e dishprimi prej jetës nder kthetra të siguriit.”
Ishte po, Ky Burrë, që me gaz e optimizëm i ngrinte nalt moralin tue i ringjallë në zemër shpresën, shpresën për ditë ma të mira që do të vijnë, pikërisht, atëherë, kur as në horizont nuk shihej asnjë shenjë shpetimi se jo ma shprese apo lirije.
Duhet t’jeni Optimista, jeni të rij. Optimizmin mendoni, ai asht jeta! Optimizmi ishte gjithmonë porosia e të Madhit Pjetër Gjini! Këta pak rreshta në shenjë nderimi per të paharrueshmin Pjeter Gjini. Shkodres shokët e Tij do ti mungojnë pergjithmonë!
Gjithnjë e kujtoj thanjen e Burrave të vjeter per Dajen Pjeter: “Sot Shqipnia ka humbë një nder Njerzit ma të mëdhaj të Saj…”.
Kujtimi i Tij kjoftë i Perjetshem!
Melbourne, 26 Maji 2021.

Please follow and like us: