Albspirit

Media/News/Publishing

Haris Vongli: Basha ka bërë denoncimin e çdo shkeljeje, afere dhe padrejtësie të iniciuar dhe ekzekutuar nga pushteti

Ka kaluar vetëm një muaj nga 25 prilli, ditë në të cilën kulmoi një masakër elektorale. Masakër e cila kish nisur kohë më parë, me çdo armë që qeveria ka dhe e përdor; nëpërmjet institucioneve e agjencive të pushtetit, mjeteve shtetërore, fondeve e burimeve njerëzore, nga publiku tek privati, vetëm e vetëm për të vjedhur, shantazhuar, manipuluar, gënjyer – duke dashur t’i legjetimojë të gjitha këto. Një sistem i tërë i ndërtuar mbi kolapsin e vlerave, mungesën e meritokracisë e përgjegjësisë – përballë një populli sa të varfër aq edhe të vjedhur, të trembur e të lodhur.
Personalisht, nuk i kam dalë dhe s’do t’i dilja kurrë krah këtij pushteti absolut, autoritarist, totalitarian, makiavelist, e padyshim abuziv, aq abuziv saqë edhe ndërkombëtarët zgjedhin stabilokracinë në vend të demokracisë. Dalë nga një fushatë elektorale e së djathtës, një fushatë shpirti, një fushatë me emra larg botës së krimit e terrorit; me demokratë që e duan familjen dhe vendin e tyre, e që punuan me mish e me shpirt për ideale, s´do të përdorja kurrë kapacitetin tim për të relativizuar keqqeverisjen apo të amnistoja pushtetin abuziv të Ramës, aq më tepër duke anatemuar liderin e PD-së apo opozitën.
Partia Demokratike është një Parti e lirë dhe një parti shumëdimensionale. E them këtë sepse siç ka ndodhur sot nën drejtimin e Bashës, asnjë individ në ndonjë parti tjetër, nën drejtimin e asnjë lideri tjetër, përfshirë edhe PD-në e mëparshme, nuk ka mundur të debatojë dot aq hapur, aq lirshëm, e të shpreh çdo mendim pa analizuar as për formën e jo më përmbajtjen e artikulimit të tij, pro apo kundër, siç ndodhi gjatë mbledhjeve të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar gjatë këtij muaji.
Basha ka përfaqësuar e do përfaqësojë për mua qytetari, edukatë perëndimore e përkushtim, dhe padyshim forcë mendimi e guxim për t’i çuar nismat opozitare gjer në fund, pavarësisht se si kanë shkuar ato. Në një sistem si ky i yni, matësi i vërtetë i humbjes dhe fitores, nuk lidhet gjithmonë me rezultatin, por me mekanizmat e përdorura padrejtësisht nga kundërshtari, gjë që sjell një fitore të pamerituar, rezultat i një masakre elektorale. Ajo që ndihej gjatë fushatës ishte një dëshirë e pashmangshme për ndryshim. Dhe fakti që kjo frymë nuk u përkthye në rezultat, nuk tregon domosdoshmërisht dështimin e PD-së dhe liderit të saj, por shtrëmbërimin e vullnetit të qytetarëve. Dhe nuk ka akt më përdhosës në demokraci sesa shtypja e zërit të sovranit.
Në përfundim të 25 prillit të gjithë kemi përgjegjësitë tona, sepse të gjithë kemi ngritur dorën për të gjitha vendimet e mëdha brenda partisë, përfshi kundërshtarët e Bashës. Ende pa mbaruar procesi zgjedhor, kundërshtarët e Partisë së lirisë, u ngritën kundër Bashës me një pasion që nuk janë ngritur kurrë kundër regjimit të Ramës. Opozitarizmi në vetvete është një kauzë më e madhe se sa marrja e pushtetit, e si e tillë, kundërshtarët e Bashës nuk duhet të kishin problem kryesor karrigen e Partisë Demokratike por dëmin e madh që i është bërë popullit shqiptar.
Në këto 8 vjetë opozitë, Basha ka bërë një gjë plotësisht konsistente, denoncimin e çdo shkeljeje, afere dhe padrejtësie të iniciuar dhe ekzekutuar nga pushteti më i egër që ka njohur tranzicioni shqiptar, po, regjimin Rama. Njëra palë ka shpalosur një program, tjetra ka dale rrugve të Shqipërisë krah kriminelëve. Opozita është aksion, e jo fjalë
Please follow and like us: