Libër për botën poetike të Fatos Arapit
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Poeti dhe njeriu që i deshi të gjithë
Prof. dr. Bardhosh Gaçe me fillimin e muajit maj na vjen me librin e ri të tij, “Universi poetik i Fatos Arapit”, i cili synon dhe ja ka arritur qëllimit për të analizuar të gjithë opusin poetik të tij. Ai nëpërmjet këtij botimi me vlerë ka sjellë më afër vëmendjes të pasionuarit e poezisë, ku në qendër të studimit dhe të mendimit shkencor, ka prurë universin e poetit.
Në letrat shqipe të viteve ’60 të shek. XX, Fatos Arapi ka hyrë shumë natyrshëm. Poeti i ri që në fillim u shfaq si një poet shpërthyes, me poezi me nivel të lartë estetik. Pranadaj që në fillim dhe deri më mbyllje të jetës së tij, Fatos Arapi ka qenë në vëmëndje të mendimit kritik. Ai ka zënë vend në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe, po studiohet në universitetet shqiptare, si dhe është përkthyer dhe botuar jashtë Shqipërisë. Ai është vlerësuar si zë origjinal dhe i fuqishëm për kohën.
Poeti Fatos Arapi jetoi dhe shkroi poezi, ku siç shprehet prof. Bardhosh Gaçe mbeti një “poet që vdiq me penë në dorë”. Poezia e tij ruajti dhe përshkoi me interes jetën, fatet, kohët, ruajti cilësinë estetike, u thellua në thekset dramatike e tragjike duke u përshtatur me rrjedhat e kohës. Ai i jetoi zhgënjimet e komunizmit, rënien e tij, si dhe pasimin e agonisë së gjatë e të lodhur të tranzicionit. Në fundin e jetës poeti zgjodhi dhe përmblodhi krijimtarinë poetike të tij në disa vëllime.
Botimi i plotë i veprës së tij, bëri që të çelë punën studiuesi i apasionuar i letërsisë Bardhosh Gaçe. Studiuesi Gaçe duke qenë nga qyteti i Vlorës, si dhe mik i tij, e ka lexuar të gjithë librat e Fatos Arapit. Kështu Gaçe, duke njohur mirë historinë, mjedisin, djepin dhe epokën ku u formua poezia e Arapit, njihnte nga afër historinë e familjes Arapi, patriotin dhe rilindasin Tol Arapit, babanë e poetit, vendlindjen, fshatin dhe Manastirin e Zvernecit. Në jetë kjo familje ka patur fatkeqësi, por dhe arritje të fëmijve të Tol Arapit. Të gjitha këto, si dhe duke shfrytëzuar këto njohje i shërbyen prof. Gaçes për një studim të plotë në lidhje me “botën poetike universale” dhe veprën monumentale të poetit.
Konceptimi i studimit për universin poetik
Libri fillon me një parathënie të poetit studiuesit Sadik Bejko, si dhe një hyrje të bërë nga autori. Libri është konceptuar në dy krerë. Në kreun e parë “Bota poetike e Fatos Arapit dhe hapësirat universale të saj”. Autori i librit e ka studiuar poezinë e Arapit sipas motiveve dhe kronologjise së botimeve. Vend të dukshëm zënë dhe titujt që e shoqërojnë këtë kre si: vitet ’60 dhe poezia moderne shqipe, Fatos Arapi dhe poezia e vendlindjes, lirika e peizazhit dhe elementet e saj mesdhetare, lirika e dashuriseë, lirika e meditimit, cikli i poezive për Skënderbeun dhe Motin e Madh të Arbërit, cikli i poezive për Vllasin, identifikimi me fatet shqiptare, poezia e Fatos Arapit pas viteve ’90, poezia e Fatos Arapit në kontekstin e poezisë europiane, vendi i Fatos Arapit në poezinë moderne shqipe dhe mendimi letrar dhe etnologjik i Fatos Arapit.
Në kreun e dytë me titull “Mendimi kritik dhe letrar mbi poezine e Fato Arapit” bëhet një përmbledhje e gjithë shkrimeve kryesore të studiuesve me emër, e që janë ndalur mbi poezinë e Arapit. Prof. Bardhosh Gaçe ka bërë një punim të thellë në gjetjen e rrugës krijuese të Arapit, nga fillimet e tij. Au, bukur e ka vendosur poezinë e Arapit në brazdën e poezisë shqipe, por edhe në krahasimin e saj me poezinë europiane të kohës. Duke bërë përgjithësime në rrugëtimin e tij të gjatë, prof. Gaçe ka pasqyruar idetë e tij.
Që në krye të herës ai ishte një poet modern, në konceptimin e botës përmes poezisë, ai ishte modern në mjetet shprehëse, në ndjesi e në mendim. Fatos Arapi u paraqit në fushën e letrave shqipe emancipues në fjalë, në gjuhën poetike dhe në poezi. Shumë të vështirë e pati Fatos Arapi të ishte vetvetja. Ai ishte dhe mbeti një zë original në kushte të çensurës, sepse ajo kishte programe për të shkruar dhe se çfarë duhej shkruar për poezinë. Në këto kushte Fatos Arapi mbeti vetevetja, shkroi poezi që ishin origjinale të tij, me një gjuhë të freskët. Në të gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij, Fatos Arapi e mbrojti me fuqitë e veta te paepura shpirtërore nderin e shkrimtarit. Ai shkroi poezi me stil dhe në kohën kur poezitë paguheshin shtrenjtë.
Këto ide të studiuesit Gaçes, për atë çfarë kemi humbur nga poeti, e që në libër pasqyrohen shumë qartë, poeti Fatos Arapi shkroi dhe botoi në liri poezi të bukura. Në të gjithë trajtesat e librit prof. Gaçe ndalet fortë në poezitë e vendlindjes, të detit dhe të motiveve mesdhetare. Ashtu si Lasgushi për liqenin e Pogradecit, edhe Fatos Arapi ka prurë në poezinë shqipe, Zvërnecin. Ky është një fshat piktoresk, por poezia e Fatos Arapit e ka pikturuar, ku në poezi gjejmë peizazhe, det, ullinj, pelikan, qipariza, drita dhe ujërat e Jonit. Nga ana tjetër Zvërnecin, Arapi e bën vend dashurie dhe meditimi për jetën, për vdekjen, për detin e dallgët që përplaset në breg, thyhen dhe prapë nuk ndalen. Në Zvërnev gjenden varret e gjyshes, të atit, të nënës, etj. Në këtë vend poeti thekson prof. Gaçe gjeti çelësin për të na dhënë me mjete të fresketa poezitë në një kënd intim të jetës së tij, sa që arriti ta bëjë të dashur dhe për ne të tjerët. Kjo është cilësia e poezisë dhe e gjetjeve poetike befasuese në thjeshtësinë e tyre, të prurë aq ëmbël nga Fatos Arapi.
Poezitë e luftërave dhe të dëshmorëve
Poezitë e luftërave shqiptare vijnë me poemat “Drashovica”, “Alarmet e përgjakura” dhe me ciklin e poezive për dëshmorët e Vlorës. Nga analiza që i bën prof. Gaçe del e veçanta e Arapit në realizimet për temën e luftës dhe të dëshmorëve. Origjnale dhe heroike vjen poezia e ciklit të Skënderbeut dhe të Motit të Madh, ku gjuha poetike paraqitet e vrazhdë me tingujt e tunxhit e të armëve, pra të luftës së madhe të bërë në shekuj nga shqiptarët.
Një pikë kulmore në librin e prof. Bardhosh Gaçes është dhe analiza rreth ciklit të poezive për Vllasin. Fatosin e ka njohur nga pranë në vitet ’70 të shek. XX, ku në libër ka foton e parë të njohjes dhe foton e fundit, kur Fatos Arapi ndaloi shkrimin e poezive. Ai ishte po ai Fotos elegant e i gjallë, që përsëri shoqëronte me gjeste fjalët, por kishte dhe raste që ndalej, zymtohej dhe mbytej në lot. Kjo i ndodhte rrallë dhe mbeti enigmë, për prof. Bardhoshin që e shoqëronte, Fatosin me sytë e shkruar dhe të qeshur.
Poezitë për Vllasin, të vëllain, mundohen të japin një shpjegim për poetin i cili e vuante shumë një brengë të ndrydhur dhe të fshehur. Vllasi kishte qenë antifashist, komandant partizan, por ai revoltohej nga dhuna revolucionare ndaj kundërshtarëve dhe shkon deri në konflikt me shefat e tij. Këtë e pagoi me kokë. E eliminuan si armik. Ai nuk ka varr. Por në liri, mbas një gjysmëshekulli, poeti shkroi për Vllasin, të eleminuar tragjikisht. Për familjen kjo ishte një fatkeqësi, ndërsa për poezinë shqipe ngjarja ka prurë poezi me forcë të madhe emocionale. Ndryshe nga poezitë e tjera poeti në poezitë për Vllasin ka mobilizuar figura dhe struktura gjuhësore të mistikës kristiane dhe të mitologjisë së lashtë.
Prof. Gaçe ndalet në libër edhe për poezitë meditative të Arapit, si dhe për poezitë e shkruara në vitet e fundit të jetës. Vend të veçante zënë motivet për fate personale, për fatin e një epoke, për fatin kolektiv të vendit të tij. Në këto poezi ka revoltë, zhgënjim dhe trishtim. Saqo që poeti ka rendur në filozofi dhe në mitologji, përsëri nuk i janë zbutur ankthet e tij, por ka shpërthyer ashpër, sepse liria pa kufizime çon në anarki dhe anarkia të çon në fatkeqësi. Kjo e ka tronditur shumë autorin, ku në poezinë lirike thekson se “Ne… ne jemi humbës”. Fatos Arapi mbeti deri në fund poet i kohës së tij, i ngjarjeve tragjike nëpër të cilat kaloi dhe jetoi, ai ka mbetur poet i njeriut dhe i fateve të vendit të tij.
Analiza e problemeve shqetësuese
Libri “Universi poetik i Fatos Arapit” ka analizuar të gjitha problemet kyçe të kësaj poezie, probleme që me kohë kanë shqetësuar studiuesin Bardhosh Gaçe. Autori kalon nga analiza e blloqeve të mëdha motivore, te zhytja deri në strukturat më të imta të kësaj poezie. Ai ndalet në interpretimin e hollësishëm të disa prej kryeveprave poetike të Arapit, ndalet në strofa, në vargje, në figura të papërsëritshme për nga bukuria. Kështu, bashkë me librin, lexohet edhe një herë poeti, të kthehen emocione dhe të shfaqen befasitë e artit të tij poetik.
Këto janë disa nga prurjet dhe mendimet më të spikatura të librit të shkruar me shumë kujdes dhe profesionalizëm, me pasion nga studiuesi që asnjëherë nuk e ndan angazhimin e tij studimor. Libri në çdo faqe të tij paraqet anën shkencore, dashurinë për kulturën dhe për personalitetin e Fatos Arapit. Libri na vjen dhe si një homazh për Fatos Arapin, njerin nga poetët më të shquar të gjuhës shqipe.
Prof. Bardhosh Gaçe thekson se ardhja e Fatos Arapit në letërsinë shqiptare nuk ishte vetëm një penë më shumë, por ajo ishte një produkt jashtëzakonisht i nxënë mirë, qoftë për nga tradita familjare, kultura historike, intelekti dhe karakteri, mjedisi familjar dhe ai shoqëror, nga vendlindja e tij Vlora, e cila do të jetë përjetësisht e pranishme në krijimtarinë e tij poetike dhe gjithëllojesh të tij. Prania e gjithë këtyre faktorëve bazikë, ka bërë që krijimtaria e Fatos Arapit të ketë një ndjeshmëri të madhe estetike, të ketë një shqetësim social dhe një lloj aftësie depërtuese në të gjitha nivelet e shoqërisë edhe pse ajo sa ka qenë konkrete, e qartë dhe e drejtpërdrejtë, në jo pak raste është përshkruar edhe nga një farë hermetizmi, i cili ishte refleks i kohës dhe i përgjigjes, që poeti i ka dhënë realitetit të kohës.