T’i kërkosh ndjesë Milosheviçit! Pse Tirana dhe Prishtina duhet ta shpallin ‘non grata’ presidentin çek pas asaj që tha në Pragë në takimin me Vuçiç
Nga Shaban Murati
Nuk ka ndonjë informacion nga takimet në Tiranë në 23 maj të ministrit të jashtëm çek, Jakub Kulhanek, nëse ai kërkoi të falur për deklaratat skandaloze antishqiptare të presidentit të tij dhe nuk ka informacion gjithashtu nëse zyrtarët shqiptarë i kërkuan atij shpjegime për skandalin e kryetarit të shtetit çek.
Në takimin zyrtar me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç në Pragë në 18 maj presidenti i Republikës Çeke, Milosh Zeman, deklaroi se ai i kërkon falje Serbisë për bombardimet e NATO-s në Jugosllavi në 1999.
Presidenti i një shteti anëtar të NATO-s, shtet që mori pjesë në ndërhyrjen e Aleancës Atllantike në Serbi për të ndalur spastrimin etnik dhe gjenocidin ndaj popullit shqiptar të Kosovës, në mënyrën më cinike dhe kriminale i kërkon falje Serbisë. Pra i kërkon falje Sllobodan Millosheviçit dhe gjithë kriminelëve serbë, që organizuan dhe drejtuan masakrat në Kosovë, ku vranë afër 20 mijë shqiptarë, zhduken mijra banorë të pafajshëm, përdhunuan 20 mijë gra e vajza shqiptare, dëbuan me dhunë një milion shqiptarë nga vatrat e tyre, etj.
Për spastrimin etnik, masakrat dhe varret masive në Kosovë, ushtarakët dhe zyrtarët kriminelë serbë janë dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi. Kjo që bën presidenti çek është njësoj sikur një shtet i koalicionit botëror antifashist pas Luftës së Dytë Botërore t’i kërkonte falje qeverisë së Hitlerit për bombardimet, që fuqitë aleate ndërmorën mbi Gjermani gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Është një qëndrim skandaloz, që shpreh jo vetëm disekuilibrin mendor dhe moral të presidentit filoserb dhe filorus të Çekisë. Por është një përpjekje kriminale për të krijuar një narrativë të deformuar historike, që mbron agresionin dhe masakrat kriminale të Serbisë në Kosovë në vitet 1998-1999. Një përpjekje e turpshme për të ç’fajësuar Serbinë e Millosheviçit, e ngjashme me çdo përpjekje të çmendur për të ç’fajësuar nazistët e Hitlerit.
Presidenti serb Vuçiç ka qenë anëtar i qeverisë së kriminelit të luftës Millosheviç, por as Vuçiç dhe asnjë udhëheqës serb që nga viti 2000 nuk kanë i kanë kërkuar falje Kosovës për krimet dhe spastrimin etnik kundër popullit shqiptar të Kosovës. Serbia 22 vjet pas agresionit të saj kriminal kundër Kosovës ende nuk i ka kërkuar falje Kosovës dhe del një president i fandaksur çek, i cili në vend t’i bëjë thirrje Vuçiçit që t’i kërkojë falje Kosovës, merr përsipër, pa pasur tagrin politik dhe juridik, që të bëjë apologjinë e shtetit kriminal serb.
Presidenti i Serbisë dhe qeveritë serbe refuzojnë të pranojnë të vërtetën historike dhe fajin se Serbia ka kryer gjenocid në Bosnje dhe në Kosovë. Ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s në të dy shtetet e ndali makinën gjakatare serbe dhe solli paqen në të dy shtetet.
Serbia dhe Rusia kanë 22 vjet, që duan të fshehin përgjegjësinë për luftrat e përgjakshme të Serbisë kundër popujve joserbë në ish-Jugosllavi.
Serbia dhe Rusia kanë organizuar fushata të jashtëzakonshme diplomatike dhe propagandistike si dhe fonde kolosale për të deformuar narrativën reale historike të aktit të rrallë historik, moral, politik dhe njerëzor të ndërhyrjes së NATO-s nëSerbi në vitin 1999, që shpëtoi popullin shqiptar të Kosovës nga çfarosja. Ka qenë presidenti i parë demokratik i Çekisë dhe një nga shkrimtarët dhe intelektualet më të shquar europianë, VaclavHavel, i cili e përkufizoi i pari ndërhyrjen e NATO-s në Serbi në vitin 1999 si një ndërhyrje humanitare.
Tani del në skenën çeke një president xhuxh si Milosh Zeman, i cili shtrembëron narrativën historike sipas interesave të Rusisë dhe Serbisë. Në fakt nuk duhet të habitesh shumë me një president si Zeman, i cili ka harruar dhe nuk e përmend kurrë agresionin e armatosur të Rusisë kundër shtetit dhe popullit të tij në vitin 1968 dhe tani në 20 maj 2021 e quan agresionin rus thjesht “tradhti nga aleatët lindorë”.
Nuk duhet habitur nesë së shpejti presidenti çek do t’i kërkojë të falur Moskës për agresionin rus kundër Çekosllovakisë në vitin 1968.
Apologjia e presidentit çek për agresionin kriminal serb kundër Kosovës nuk është një këndvështrim apo një pikëpamje historike e një historiani apo mësuesi. Ajo është e ngjashme me mohimin e holokaustit, i cili dënohet penalisht në Europë edhe sot e kësaj dite, 76 vjet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Kemi të bëjmë një qëndrim politik antiatlantik të ekstremit të djathtë nga një kryetar shteti anëtar të NATO-s.
Kemi të bëjmë me një urrejtje patologjike kundër popullit shqiptar të Kosovës,kundër kombit shqiptar, sepse tenton të moralizojë dhe të glorifikojë spastrimin etnik dhe gjenocidin serb ndaj shqiptarëve. Armiqësia ndaj kombit shqiptar është bërë vijë presidenciale në Pragë. Në 10 shtator 2019 presidenti çek gjatë vizitës zyrtare në Beograd i deklaroi presidentit serb Vuçiç: “Unë e dua Serbinë dhe popullin serb dhe nuk e dua Kosovën”.
Në shtator 2019 presidenti çek Zeman u bë presidenti i parë i një shteti anëtar të NATO-s, i cili kërkoi që Çekia të zbatonte kërkesën e Serbisë dhe të tërhiqte njohjen e saj për shtetin e pavarur të Kosovës. Presidenti çek u bë pjesë e fushatës së tërbuar ndërkombëtare të Rusisë dhe të Serbisë për të detyruar shtetet e botës që të tërhiqnin njohjen e Kosovës si shtet. Presidenti i shtetit anëtar të NATO-s Zeman e parashtroi zyrtarisht këtë kërkesë antishqiptare dhe antidiplomatike në qarqet ekzekutive të vendit të vet.
Në gazetën “Dita”, në artikullin me titull “Një problem serioz diplomatik midis Shqipërisë dhe Çekisë”, kam theksuar: “Provokacioni antishqiptar dhe antiatlantik i Presidentit çek bëhet në një moment delikat diplomatik, kur faktori perëndimor, SHBA dhe BE, kanë marrë një angazhim të ri për arritjen e marrëveshjes përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, të bazuar në njohjen reciproke midis tyre. Dalja e Presidentit çek me kërkesën për revokim të njohjes së Kosovës dhe për shtrimin e kësaj çështjeje në forumet më të larta të pushtetit në Pragë, janë jo vetëm ecje kundër rrymës atlantike dhe europiane, por edhe kalim në anën tjetër të barrikadës diplomatike e gjeopolitike me Rusinë”. (Gazeta “Dita”, 25 shtator 2019).
Ndaj shpërtheu gjithë ajo ekstazë nga Serbia dhe nga Rusia, të cilat vunë në kapacitet maksimal gjithë propagandën e tyre të brendshme dhe ndërkombëtare për të glorifikuar tezat dhe mohuesin e ri çek të krimit shtetëror serb, që për fat të keq mban në dorë kartën e anëtarësisë atlantike.
Presidenti serb Vuçiç e lavdëroi si “akt historik dhe nder historik” dhe deklaroi se fjalët e presidentit çek do të futen nëtekstet serbe të historisë. I ekzaltuar nga shërbimi që po i bënte presidenti çek krimit serb, presidenti serb deklaroi në Pragë në 18 maj se që nga ky moment për Serbinë “populli çek nuk është popull mik, por është popull vëlla”.
Ish-ministri i qeverisë së kriminelit Millosheviç dhe kryetar i sotëm i parlamentit të Serbisë, Ivica Daçiç, u pompua aq shumë sa që në 19 maj deklaroi se “të tilla kërkesa për falje duhet të bëjnë udhëheqësit e të gjitha vendeve dhe organizatave që na bombarduan ne, që nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, përfaqësuesit e lartë të BE e deri tek SHBA, Britania e Madhe, Franca dhe shtetet e tjera”.
Në datën 20 maj presidenti çek e amplifikoi edhe një herë deklaratën e tij të çekulibruar mendore, kur në një intervistë me një agjenci serbe lajmesh theksoi jo pa qëllim se kërkimi i faljes Serbisë nga unë është kërkim falje nga presidenti i Republikës dhe shtoi se ndërhyrja e NATO-s në Serbi ishte e paligjshme. Moska e përshëndeti menjëherë skandalin Zeman dhe deputeti i Dumës Ruse, Oleg Morozov, deklaroi në 20 maj në një intervistë për “Agjencinë Federale të Lajmeve” se “përpara presidentit çek askush nga liderët e vendeve të NATO-s nuk e ka bërë një gjë të tillë. Zeman u ka bërë thirrje europianëve që ta njohin Krimenë si territor rus”.
Qëndrimet skandaloze të presidentit çek janë një fyerje për të vërtetën dhe të drejtën, janë një fyerje për gjithë viktimat e agresionit serb, janë fyerje për të gjitha shtetet e NATO-s dhe për vetë NATO-n si aleancë e shteteve demokratike. Presidenti i një shteti anëtar tenton të çvleftësojë vlerat e larta njerëzore dhe historike të NATO-s dhe misionin e saj të madh human, që u çfaq me aq madhështi në mbrojtjen e popullit shqiptar të Kosovës nga spastrimi etnik dhe nga gjenocidi serb.
Akti i presidentit çek është i rëndë në planin politik, diplomatik, historik, etik dhe njerëzor. Ai nuk mund të kapërcehet me justifikimin e thatë se presidenti çek Zeman i bëri si deklaratë personale apologjinë ndaj Serbisë dhe dënimin e NATO-s, siç u përpoq ta kalonte këtë skandal ministri i jashtëm çek nëdatën 18 maj.
Një justifikim, që nuk mund të kapërdihet, sepse Milos Zeman është president i Republikës Çeke, ai i bëri deklaratat e tij në një takim zyrtar me presidentin e Serbisë, i cili ndodhej në Pragë për bisedime zyrtare me homologun çek. Gazeta ruse “Komsomolskaja Pravda” theksonte në 19 maj se “përpjekja e ministrit të jashtëm çek për t’i paraqitur deklaratat e Zemanit si “deklarata personale” nuk janë bindëse. Tani serbët, përveç përkrahjes së Rusisë kanë mbështetjen e Çekisë. U krijua precedenti”.
Garnitura drejtuese politike në Pragë mund të jetë tepër e dobët derisa lejon presidentin e republikës të sulmojë dhe të dëmtojë aleancën dhe aleatët e NATO-s për hatrin e Serbisë dhe të Rusisë. Por vija antishqiptare dhe antiatlantike e presidencës çeke ka arritur në një pikë kur kërkon ndërmarrjen nga qeveria çeke të masave, të cilat të paktë duhet t’i mbyllin gojën atij në raport me NATO-n dhe me aleatët e NATO-s.
Është vërtetë absurde që Shqipëria, forcat e armatosura dhe populli i saj, si anëtarë të NATO-s janë të detyruar që t’i shkojnë në ndihmë Çekisë dhe popullit të saj në rast se ajo sulmohet nga një shtet i tretë. Natyrshëm lind dilema si mund t’i shkohet në ndihmë një shteti aleat, presidenti i së cilës ndjek një vijë antishqiptare dhe ka sfiduar Shqipërinë, Kosovën,kombin shqiptar, NATO-n, Perëndimin.
Nuk e dimë se çfarë do të bëjë Praga më tutje. Por Shqipëria, që është anëtare e NATO-s dhe Kosova si shtet i pavarur, të cilat kanë marrëdhënie diplomatike me Çekinë, do të duhet të ndërmarrin një hap dhe një veprim që t’i dëshmojnë Pragës dhe NATO-s se kupa e durimit diplomatik ndaj presidentit çek është mbushur dhe po derdhet prej kohësh. Ndaj do të ishte në dinjitetin shtetëror të Shqipërisë dhe të Kosovës që ta shpallnin presidentin çek Milosh Zeman “persona non grata”, sepse antishqiptarë si ai nuk mund të lejohet të mos kenë përgjigjen e merituar./gazeta dita