Albspirit

Media/News/Publishing

Sabina Darova: Tirana Dream

Skicë

 

Ishte hera e parë që tërhiqja pas meje derën e rëndë të hotelit aq herët në Tiranë. Ora shënonte 4:30 e mëngjesit e pas dy orësh duhej të merrja fluturimin për Milano. Taksia elektrike më priste e përpiktë në orar, përballë hotelit. E gjendur përpara një tablloje pothuajse surreale për sytë e mi, ngacmimi për të shëtitur në rrugët e Tiranës, përshkoi ethshëm kapilarët në tru. Me pak ngurrim i afrohem shoferit dhe kërkoj 10 minuta kohë. I kapur në befasi tund kokën në shenjë pohimi, duke më parë i çuditur. Ç’mund të shijoja në atë orë ku errësira dhe dita sapo kishin filluar të këmbenin kufinjtë? Mister që dëshiroja ta zbuloja edhe vetë. I besoj valixhen dhe drejtohem drejt bulevardit.

Qyteti gjendet ende i kapur në kllapinë e gjumit të rëndë. Thuhet që gjumi i parë dhe ai i mëngjesit të zhvendos në një qiell pa emër.

Mbi ndërtesat rrokaqiej, retë e mbarsura të pranverës duken si kërpurdha që kërkojnë të zaptojnë sa më shumë sipërfaqe mbi tavanet e tyre. Duel i egër i kohëve moderne. Asfaltit thyen qetësinë tek-tuk ndonjë makinë, që provon të vetëllastohet me rritjen e shpejtësisë. Përfitojnë nga zbrazëtia e qytetit. Veshi më kap një melodi të njohur dhe shumë të dashur, “California Dream”. Po Tirana vallë, çfarë ëndrre shihte këtë natë?

Pranë Kafe Florës në krahun e djathtë të rrugës, dëgjoj një zë që kërkon të blejë një picë Margerita.

Buzëqesh me veten duke pohuar se kryeqyteti ballkanas nuk rresht kurrë së mbllaçituri bulçinjtë. Ngjan me një autokombajnë, që rrëmben në barkun e saj me tonelata ushqimesh, dhe nuk ndjen të ngopur.

Një puhizë e lehtë arome zambakësh më gudulis hundën. Në krah, nga një derë e vjetër, pothuajse e rrëzuar, shquaj kokat e disa zambakëve të egër. Ndez dritën e celularit. Zambakët bluvjollcë spikasin me një forcë të çuditshme, si ngjyrat e Gogenit. Nuk dua ta humbas këtë pejsazh. E fotografoj.

Kam hyrë në një nga rrugicat e brendshme të rrugës së Kavajës. E dua këtë zonë, sepse ruan ende gjurmët e qytetit të vjetër. Kanë mbetur pak pjesë të tij, ku ruhen si padashje eshtrat e Tiranës që njoh mirë. Këto pamje më kthejnë me këmbë në tokë dhe kuptoj arësyen e nevojës për të hedhur disa hapa në rrugët e heshtura. Qyteti fle i lodhur. Një natë më parë përballej me kutitë e votimit. Deri vonë, sytë qëndruan të mbërthyer ethshëm mbi ekranet e televizorëve. Sondazhet kanë hedhur mbi tavolinë fishat e parashikimeve të tyre. Kush do të fitojë? Rilindasit apo demokratët? Tirana gjatë natës ngjan me Las Vegas. Poshtë banakëve luhen intrigat e lojrave të pushtetit që do kenë vijim në ditët në vazhdim.

Mbi asfalt një pako me maskerina  është hedhur si e pavlerë.

Të rallë qytetarët që mbrohen me maskë. Shprehja “e kam kaluar koronën”, ka zëvëndësuar përshëndetjen “Jam mirë”. Midis tyre njerëzit takohen duke shkëmbyer një përqafim apo takim duarsh.

E çuditur i vërej me admirim. Shqipëria ndoshta është vendi i vetëm ku afeksioni njerëzor sfidoi virusin më të egër të kohës. Ndoshta është e papërgjegjshme me përballjen për humbjet. E ardhur nga nje vend ku distanca sociale ruhet me rigorozitet, gjehem si një peshk jashtë ujit të kripur. Nuk dij si të veproj. Edhe pse ënda ma ka t’i shtrëngoj pranë vetes. E megjithatë, arrij të vërej diçka të re në sytë e bashkatdhetarëve të mi. Diçka që nuk e kam pikasur në udhëtimet e kaluara. Një tis i trishtë bojë hiri përshkon vështrimet e tyre. Shqetësimi i mungesës së punës dhe i pasigurisë për të nesërmen, humbja e njerëzve të dashur, ndjehet dhe perceptohet brenda në lëkurë.

Shqipëria lëkundet si një  zog i plagosur. Gumëzhijnë opinionet, ankesat, drithërojnë shpresat. Nga e majta në të djathtë. Dikush shpreson vazhdimin siç është tani, në një zyrë apo kateder shkolle, ku siguron bukën e përditshme, dikush dëshiron revolucionin e ardhjen në pushtet të opozitës. Dikush tjetër shpreson të gjejë qetësinë e natës, pasi ka shitur votën dhe ka frikë nëse nuk fiton krahu për të cilin ka votuar. Të tjerë mendojnë një strehë dhe fundin e karantinës nëse do vijë,sepse janë në prag të falimentimit.

Po agon e ndoshta jam me fat që shoh Tiranën të përgjumur në ëndrra.

Pas pak orësh do rizgjohet me gumëzhitjen e saj, e do kuptojë drejtimin e busullës, lindje apo perendim. Ndërsa unë, afrohem pranë taksisë që më pret me dritat fikur.

Si çdo herë në largim, mbi mollëza rrëshqet një pikë lot, të cilin mundohem t’ia fsheh shoferit. Mbyll sytë e ndërsa drejtohemi drejt Rinasit, pyes veten nëse ka shërbyer vota që hodha në kuti pas 27 vjetësh në mërgim.

Pyetje që më rreh si këmborë edhe tani, pas një muaji kthim…

Please follow and like us: