Albspirit

Media/News/Publishing

Me 388 mijë të vdekur nga konflikti i përgjakur, Bashar al-Asad fiton mandatin e katër me 95 % të votave

Siria i ka besuar presidentit Bashar al-Asad për herë katërt postin më të lartë të shtetit, në një proces zgjedhor, që ndërkombëtarët dhe opozita e kritikuan si farsë politike. Al-Asad është president që prej vitit 2000, kur fitoi referendumin popullor pasi, paraardhësi, i ati i tij, ndërroi jetë. Presidenti i Sirisë, Bashar al-Asad, pritet të nisë mandatin e katërt në krye të shtetit pas fitores në zgjedhjet e kontestuara të së mërkurës. 55-vjeçari erdhi në pushtet 21 vite më parë duke pasuar të atin, Hafez al-Asadin, i cili e drejtoi Sirinë një tjetër çerekshekull përpara tij. Kryetari i parlamentit sirian tha të enjten se pjesëmarrja në votime ishte mbi 78 për qind. “Duke qenë se kandidati i parë, zoti Bashar ib Hafez al-Asad mori shumicën absolute të totalit të votave, apo 95,1 për qind, e kam për nder ta shpall z. Bashar al-Asad president të zgjedhur të Republikës Arabe të Sirisë“. Dy rivalët e presidentit al-Asad morën mes 1,5 dhe 3 për qind të votave. Procesi u kritikua nga ndërkombëtarët, nga Amerika dhe Bashkimi Europian si jo i lirë dhe i pandershëm, ndërsa vetë presidenti deklaroi se opinionet e të huajve kanë pak peshë. “Mobilizimi qytetar që pamë javët e fundit ishte reagim i qartë ndaj kritikave të perëndimit dhe u thotë atyre se opinionet tuaja kanë zero vlerë, e ju vetë jeni 10 herë më të pavlerë”. Siria prej 10 vitesh gjendet në një luftë civile që ka vënë përballë qeverinë e presidentit Asad dhe demonstruesit e ngritur kundër padrejtësive e korrupsionit në kuadër të Pranverës Arabe. Mbi 388 mijë kanë humbur jetën dhe gjysma e popullsisë është shpërngulur nga banesat.

Please follow and like us: