Fragment nga ‘Apologjia e Sokratit’ vjen në shqip nga Klodeta Dibra
“Kur nuk ka më rrahje mendimesh, shpifja bëhet vegël në duart e humbësit”
(Sokrati)
Si lindën shpifjet. Sokrati heton ndër politikanë perceptimin e orakullit
“E rrëfeva këtë sepse të mund të vëreni sesi lindi shpifja. Kur u njoha me fjalët e orakullit mendova ndër vete: “Vallë çfarë kërkon të thotë Zoti? Meqë nuk e ndiej veten të jem një i ditur. Cili, vallë, është kuptimi i fjalëve të tij? Patjetër, nuk ka mundësi që ai të gënjejë”. Dhe mbeta shumë kohë mëdyshazi pa ia dalë të kuptoja se çfarë kishte dashur të thoshte. Dhe kështu, kundër dëshirës sime, vendosa t’ia dilja në krye.
E në fakt shkova tek njëri prej atyre që e hiqnin veten për të ditur, i vendosur për të përgënjeshtruar orakullin dhe për të dëftyer se ai qe më i ditur nga unë. E këqyra aq thellësisht personazhin tim (është e panevojshme t’ua them emrin: ishte një politikan) dhe, ja, cila qe përshtypja që krijova: m’u duk se ky njeri shfaqej i ditur para shumëkujt, e mbi të gjitha para vetvetes por, në të vërtetë, nuk qe aspak i tillë; dhe u përpoqa edhe t’ia dëfteja. Natyrisht mora urrejtjen e tij dhe të shumëkujt të pranishëm me të. Ndërsa largohesha mendoja ndër vete: “Unë jam më i ditur nga ai, meqenëse askush prej ne të dyve nuk di kurrgjë; por ai tipi beson se di ndërsa nuk di hiçgjë; unë, të paktën, nuk di, por as nuk besoj se di. Dhe pikërisht për këtë dallim të vogël duket se jam më i ditur, sepse nuk besoj se di atë që nuk di”. Dhe afrova dikë tjetër që m’u duk se qe më i ditur se ai tipi; por përftova të njëjtin rezultat: urrejtjen e tij dhe të shumë të tjerëve”.
(Nga “Apologjia e Sokratit”, copëzë e shqipëruar nga Klodeta Dibra).
Please follow and like us: