Vaid Hyzoti: DHE TË VDESËSH ËSHTË E RËNDËSISHME
Përderisa loti të rrjedh në lindje,
Loti të përcjell dhe në ikje…
Dhe jeta mes lotësh-vetëm një rrëshqitje.
Dhe të vdesësh
Është e rëndësishme.
Dhe kur e di, e ndjen këtë të vërtetë,
Kupton se ke patur jetë.
*
Ore e zemrës sime
Çdo mëngjes më nis zile.
Jo për të shkuar në punë.
Ankohet se nuk e mbaj të zgjuar,
Proteston e habitet
Si vallë unë fle gjumë!
T’i shuaj zilen
S’po gjej një buton,
Të ruaj sekretin,
Mos gruaja e dëgjon.
*
Dhe sytë i hedh pas dritares,
Ku ushtarakisht parkohen dhjetra makina.
S’më hyjnë në sy dhe në është “Ferrari”,
Asnjë markë luksoze apo e thjështe
S’dua të jetë e imja.
Kërkoj makinën e funeralit me shandanë,
Apo makinën e plehrave…
Si nuk vijnë?
Ku janë?
Si vallë s’e ndjejnë, a punon urgjenca?
Sinjalet e zbehta
Vazhdon të më falë zemra…
*
Po gjumi më mund, më tërheq në krevat,
Më mbulon me ëndrra, ma çmall gjithë mallin.
Krejt pa biletë më nis aq larg,
Papritur takoj nënën dhe babain.
Babai e kish lënë…paska nisur duhanin?
Nxjerr tym nga goja, apo nga damarët,
Frymën po më zinte një shtëllunge e kaltër!
E nëna më ledhaton fytyrën me gishta.
Bej t’i përqafoj, por krahët s’më hapen…
I zgjuar isha…
Vazhdoja të rrëshqisja…
Tek shtëpia e vjetër
Më hodhi mërzia…
Unë-krejt i vogël,
Vazhdoja të flija.
Ja, aty në bar,
Rrëzë kumbullës së madhe.
Kokën fshehur gjoksit,
Si të jem kunadhe.
Rrëzë kumbullës së ëmbël,
Që lulonte në pranverë.
Por vit pas viti
I thahej një degë.
Derisa u tha
Dhe e premë krejt.
Në trungun e saj mbiu
Një trëndafil i egër.
Ne prapë e quanin:
Kumbulla e vjetër.
Se ish aq e mirë,
La pas dhe emër…
Zgjas duart ta prek,
Ndjej therje në zemër!
*
Kthehem në krah tjetër,
Gjumë si në përralla:
Ime bijë-nuse,
Krejt në të bardha.
Gjindja e mban frymën,
Verbohen magjitë.
Dielli rend të fshihet,
Veç vajza bën dritë.
Hedh sytë rreth e qark,
Të kërkoj vëllanë.
E pyet me shenjë:
A e pe babanë?
Djali është i rritur,
Krejt mua më ngjan…
Unë nuk shfaqem dot
Edhe vajza qan!
*
Më zgjatet një dorë të më ledhatojë.
E njoha, u tremba: si erdhi nga larg.
Zgjatem dhe unë ta prek në flokë,
O paskan ardhur veç duart e saj.
Një ledhatim për puthjen e padhënë,
Një ndjesë për dashurinë e pafaj…
Dhe përjetësisht
U ndamë pastaj…
*
Më zgjon një zhurmë, o sa trafik,
Zemra-motor,
Krevati- makinë.
E njoh këtë zë-është doktor.
Vallë pse nguron të më japë ndihmë?
E shqyj kanotieren
I tregoj gjoksin.
Mbi portofol
Më vë stetoskopin.
Dhe dridhet, sëmuret,
Ethet e zënë…
Unë qesh me të
Dhe me fatin e dhënë…
Se s’dua ilaçe,
Veç një dorë njeriu.
Medet! U sëmur,
Si shtatore ngriu!
*
Unë shkyhem së qeshuri, sa më tunden brinjët,
Si mbrëmjeve në lulishte, në birrë a në kafe,
Kur si çapkënë përvidhnim vështrimin
Në ballkonin ku bashkë rrinin dy polake.
Çdo ditë falnin virgjërinë me pagesë,
Çdo mbrëmje ndenin çarcafet në tel.
O ata çarçafë flladit pëshpërinin,
Thua se dëshirat tona na i dinin.
Tundeshin nga të qeshurat çarcafët e bardhë,
Që sot po më ngjajne me qefinin…
Dhe vazhdoj të qeshurën ta çoj gjer tek retë,
Por alarmi i zemrës:
Ora pesë pa dhjetë!
*
Në këmbë brof, zemrës t’i bëj gjyqin.
Dua akrepat t’ia bëj copë.
Ajo-kokëmushkë s’e ndal alarmin,
Të më mbajë në jetë ngulmon.
Jetën që aq shumë e lodha,
Përqesha botën,
Talla vetveten.
Tani e rëndësishme është të shkoj,
Dua të ngjasoj me kumbullën e vjetër.
(Ndonëse nuk arrita të shkruaj më të mirën vepër).
Të linja dhe unë për pak kohë një emër!
*
S’më duhet më zemra, as zilja e saj,
Veç ikja tani për mua ka vlerë:
Qoftë dhe për të qenë një fillim përrallë:
Na ishte dikush,
Që jetoi njëherë…