Albspirit

Media/News/Publishing

Andrew Spannaus: Amerika pasglobale

Presidenca e Donald Trump ka përfunduar, por katër vitet e fundit kanë shënuar në shumë fusha një kthesë të rëndësishme në politikën amerikane, që do të përcaktojnë trajektoren e ardhshme e Shteteve të Bashkuara për vitet në vazhdim, me implikacione domethënëse për të gjithë botën perëndimore. Trump ka qenë fëmijë i krizës së një establishmenti që mendonte se mund t’ia hidhte paq, pavarësisht efekteve të rënda të globalizimit ndaj një pjese të mirë të popullsisë amerikane, përveçse të një politike të jashtme të përbërë nga ndërhyrje ushtarake falimentare dhe jopopullore. Në mandatin e tij në Shtëpinë e Bardhë nuk mund të thuhet se e ka arritur objektivin e rindërtimit të bazës industriale amerikane dhe të çlirimit të Shteteve të Bashkuara nga konfliktet ndërkombëtare, por ka inauguruar një qasje të re në të dyja fushat, duke shënuar një shkëputje me politikat e mëparshme dhe duke imponuar realitetin e rij politik ku gjendet duke vepruar Joe Biden, në shumë raste në vijueshmëri substanciale me paraardhësin e tij.

Nevoja e një korrigjimi kursi ishte shumë qartë shumë përpara pandemisë së nisur më 2020.

Vetë Barack Obama u zgjodh mbi valën e një reagimi politik ndaj rënies së sistemit financiar të dominuar nga spekulimi financiar, karakteristikë themelore e një periudhe politikash pasindustriale të vëna në lëvizje qysh nga vitet Shtatëdhjetë. Nga ana tjetër, Obama e kishte shfrytëzuar mirë kundërshtimin popullor ndaj luftërave të neokonservatorëve dhe mosbesimin ndaj kujt që në botën demokratike u besonte. I shpërthyer me shkallë të ndryshme intensiteti thuajse në të gjithë Perëndimin, populizmi ka qenë një reagim i parashikueshëm dhe demokratik ndaj këtyre gabimeve: klasa politike dhe financiare ka vazhduar të ndjekë deri sa ka mundur interesat e pak njerëzve pa i paguar çmimin, për t’i përballuar më pas pasojat kur ka ardhur një politikan ose, në rastin amerikan, një imobiliarist dhe personazh televiziv për të afirmuar se “mbreti është lakuriq”, duke u kapur pas një burimi të thellë pakënaqësie midis popullsisë. Nuk duhet të kihet një zgjidhje të miratuar nga ekspertët: për të jashtmit është e mjaftueshme tl denoncohen problemet me pastërti dhe të përfitohet nga paaftësia dhe shpesh nga mosgadishmëria e establishmetit për të ofruar një përgjigje efikase dhe të besueshme.

Por në vijim i ka takuar Trump të kërkojë t’i mbajë premtimet e tij, veç të tjerash me kundërshtimin e vendosur e një pjese të mirë institucionesh lidhur me shumë pika. Qartazi i papërgatitur për rolin, presidenti i 45-të me siguri që ka bërë shumë gabime, duke u treguar jotolerant në nivel social e personal, shpërfillës i dogmave në nivel institucional dhe jo në lartësinë e sfidave si pandemia dhe protestave kundër padrejtësisë raciale. Personaliteti i tij luftarak dhe bindja se është shënjestër i një fushate të koordinuar për ta penguar me të gjitha mënyrat – shpesh jo pa arësye, duhet thënë – e ka çuar në fund tek ekseset e para në javët pas votimeve të 3 nëntorit 2020: paaftësia për të pranuar humbjen, deri në delegjitimin e zgjedhjeve me pasojat dramatike e 6 janarit 2021. Për shumë njerëz, sulmi ndaj Kapitolit është për t’u konsideruar si ngjarja që përkufizon të gjithë mandatin e tij, por korrentet e theëëa që e kanë çuar Trump në Shtëpinë e Bardhë sigurisht që nuk janë zhdukur. Pavarësisht difekteve tepet të dukshme të personazhit, është mbi këto tema që duhet nënvizuar presidenca e tij. Çështja qendrore është sesa përparime ka bërë ndaj objektivave të paracaktuara dhe, për pasojë, të kuptohet konteksti në të cilin Biden do të kërkojë të “shërojë” kombin dhe të krijojë një ndjenjë të re uniteti.

Tensione të mëdha, por asnjë luftë. Në politikën e jashtme Trump mund të mburret për një sukses të madh: është presidenti i parë në 40 vjet që nuk ka nisur një luftë të re. Është një dallim jo pak i rëndësishëm, për rolin amerikan në botë, por edhe për t’ju përgjigjur preferencave të votuesve. Trump ka adoptuar një pozicion agresiv në disa raste, por praktikisht ka provuar që t’i kthejë trupat amerikane në shtëpi duke shmangur që të ngecnin në konflikte jashtë vendit, përveçse ka kërkuar zona të reja bashkëpunimi me Rusinë. Një tentativë që megjithatë ja ka arritur vetëm në mënyrë të kufizuar për shkak të presioneve kundërshtuese brenda dhe jashtë administratës. Në vitin e saj të fundit administrata Trump ka ndërmjetësuar edhe Marrëveshjen e Abrahamit, duke kontribuar kështu në krijimin e një realiteti të ri në Lindje të Mesme, një përshpejtim të procesit tashmë në zhvillim drejt një aleance të hapur midis Izraelit dhe vendeve arabe sunite. Kjo marrëveshje do të ketë efekte të rëndësishme për realitetet e përfshira, duke ju hapur mundësi të reja. Nga ana tjetër ndryshojnë fuqimisht kalkulimet për sa i përket çështjes palestineze dhe duhet shënuar se i gjithë procesi drejtohet nga vullneti i ndërtimit të një fronti unik kundër Iranit, duke refuzuar qasjen diplomatike e ndjekur nga administrata Obama. Por edhe në këtë rast qëllimi final i Trump ishte që të rikthente Teheranin në tavolinën e bisedimeve, duke i kërkuar lëshime të reja. Ironia është se për sa toni i Biden do të jetë i ndryshëm, objektivat nuk janë kaq të largët: të bindet Irani që të japë garanci lidhur me raketat balistike dhe të kufizojë mbështetjen ndaj aleatëve të tij në rajon.

Lidhur me tërheqjen nga konfliktet gjenden më pak diferenca midis administratës së mëparshme dhe kësaj aktuale. Gjatë viteve të administratës Obama, Biden ishte treguar i rezervuar si lidhur me ndërhyrjen në Libi, ashtu edhe me shtimin e trupave në Afganistan. Ka veteranë të shumë të administratave të mëparshme demokrate që janë renditur midis ndërhyrësve të majtë, por disa – si Sekretari i Shtetit Antony Blinken – theksojnë se kanë mësuar nga gabimet e së kaluarës; për më tepër, këmbëngulja lidhur me këtë pikë midis politikanve më konservatorë djathtas dhe atyre më progresistë majtas demonstron se të injorosh kundërshtimin popullor ndaj luftërave tani është më e rrezikshme. Dosja lidhur me të cilën Trump ka shënuar ndryshimin më të madh ka qenë ajo e Kinës. Është e padyshimtë që ka ndodhur një spostim i rëndësishëm dhe transversal në institucionet amerikane: nuk shikohet më Kina si një vend në rrugën e hapjes demokratike në vazhdën e rritjes ekonomike, me shpresën që të bëhet shumë shpejt një “aktor i përgjegjshëm” në sistemin ndërkombëtar. Pekini konsiderohet një konkurrent strategjik, që synon të bëhet dominues në sektorët ekonomikë e teknologjikë themelorë, ndërsa vazhdon që ta zgjerojë influencën e tij dhe të rifitojë një rol botëror të dorës së parë.

Instrumentat e përdorur nga Trump kanë qenë të vrazhdë, nganjëherë me dëme kolaterale edhe brenda Shteteve të Bashkuara, por disponimi për të ushtruar presione të forta ndaj Kinës, duke e detyruar që të bisedojë, i ka ndryshuar termat e marrëdhënies, duke e detyruar Pekinin që të paktën të bëjë disa lëshime, kryesisht lidhur me hapjen e sektorëve ekonomikë ndaj konkurrencës së huaj. Administrata e mëparshme ka arritur edhe të shmangë përplasje direkte ushtarake, por lidhur me këtë temë tensionet janë rritur në vitin e fundit të saj dhe tani mbretëron një situatë paqartësie në raport, për shembull, me qëllimet kineze ndaj Tajvanit. Me Biden, politika amerikane do të adoptojë patjetër një ton më multilateral dhe do të synojë në forcimin e aleancave në zonën aziatike; por edhe kjo vjen nga larg: nga “pivot to Asia” e Barack Obama, nga rifillimi i dialogut të sigurisë së QUAD (Quadrilateral Security Alliance midis Shteteve të Bashkuara, Japonisë, Indisë dhe Australisë) nga viti 2017 e këtej.

Patriotizmi ekonomik bipartiak. Fushëbeteja thelbësore e administratës Trump ka qenë ekonomia, me Kinën ashtu si në aspekte të tjera. Objektivi kryesor ka qenë gjithmonë ai i ndalimit të rënies industriale amerikane, fillimisht për motive të brendshme, për shkak të efekteve fuqimisht të dëmshme ndaj klasës së mesme të politikave të delokalizimit e të kostove të ulëta, dhe më pas strategjike, pasi devijimi pasindustrial ka shkaktuar një humbje të peshës reale, duke hapur hapësira të reja për konkurrentët. Po të shikosh shifrat, mund të regjistrojmë ndonjë përparim lidhur me këtë temë gjatë viteve të Trump – një fillim i rritjes së rrogave në terma realë dhe një parim reshoring dhe riorganizimi të zinxhirave të vlerës – por mbetet larg nga arritja e objektivave të paracaktuar. Megjithatë, termat e debatit kanë ndryshuar në mënyrë drastike. Nuk ndjehen më mbrojtësit e modelit neoliberist, apostujt e efikasitetit të tregut të globalizuar; tashmë është zhdoganuar ideja e të bërit politikë industriale, falë këtij kombinimi presionesh popullore të shprehura përgjatë gjithë spektrit politik, dhe kontekstit të të sfidës strategjike me gjigandin aziatik. Po të dëgjoje planet ekonomike e kandidatëve si Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren gjatë primareve demokrate, mbeteshe i shokuar nga ngjashmëria me propozimet trumpiane në termat e “patriotizmit ekonomik”. Dhe pas primareve është shtuar edhe Joe Biden duke folur hapur për nevojën e promovimit të punës e të prodhimit amerikan, veç të tjerash objekt i një prej veprimeve të tij të para ekzekutive. Proteksionizmi, fillimisht një fjalë e keqe e Trump, tani është shndërruar në imperativ në disa sektorë.

Ky ndryshim ka marrë një shtytje të mëtejshme nga pandemia e Covid-19: është pranuar nevoja urgjente e garantimit të prodhimit të produkteve të caktuar si dispozitivët mjekësorë dhe, po ashtu, brishtësia e zinxhirëve të vlerës në kohërat e globalizimit. Edhe lidhur me këtë pikë gjejmë iniciativa bipartiake në politikën amerikane, në optikën e afirmimit të primatit të sigurisë kombëtare të shtrirë në sektorë që shkojnë nga shumë përtej atij ushtarak. Është në zhvillim një diskutim i gjallë dhe urgjent lidhur me nevojën e investimeve të mëdha në teknologjitë dixhitale, sidomos për të mos mbetur prapa në konkurrencën me Kinën. Sektorë si telekomunikacionet dhe inteligjenca artificiale do të bëhen një unazë lidhjeje themelore midis ekonomisë së brendshme dhe politikës së jashtme, duke shtyrë investime dhe iniciatova ndërkombëtare si Democratic Technology Alliance. Politika tregëtare dhe fiskale e Donald Trump synonte që të favorizonte bizneset amerikane, me dritë dhe me hije. Suksesi më i madh në nivelin makro ka qenë marrëveshja e re tregëtare për të zëvendësuar NAFTA, US – Mexico – Canada Agreement. Këtu është dhënë prova e një drejtimi të ri, duke synuar në rritjen e rrogave të punëtorëve dhe në destimulimin e delokalizimit. Duhet kujtuar se versioni final i kësaj marrëveshjeje u hartua bashkë me demokratët dhe me mbështetjen entuziaste e sindikatave të mëdha amerikane. Veç të tjerash Katherine Tai, një prej ekspertëve të temës që ka kontribuar në forcimin e parashikimeve mbi punën në marrëveshjen e re, është caktuar nga Biden si Përfaqësuese për Tregëtinë në administratën e re.

Risia më e madhe në fushën ekonomike ka ndodhur në përgjigjen ndaj pandemisë: Kongresi ka alokuar mbi 18% të PBB vetëm në 2020 për të përballuar emergjncën, me mbështetjen thuajse unanime midis dy rreshtimeve politike. Trump, që lidhur me tema si taksat dhe rregullimi ka ndjekur në fakt një linjë republikane tradicionale, është çmarkuar këtu duke kërkuar akoma më shumë para për t’u destinuar në pagesat e drejtpërdrejta qytetarëve. Por elementi më i rëndësishëm ka qenë ndryshimi në përdorimin e FED: jo vetëm që FED ka financuar një pjesë të mirë të borxhit të ri publik me kosto zero, por për herë të parë ka filluar të huatojë drejtpërdrejti në ekonominë reale, nën drejtimin e Departamentit të Thesarit. Rëndësia e këtij ndryshimi nuk u ka shpëtuar neoliberistëve, të cilët kanë bërë një tentativë të dobët për ta kundërshtuar në dhjetor: po qe se merret në konsideratë masa e kombinuar e braktisjes së preokupimeve lidhur me borxhin publik, objekt edhe i një debati të gjallë në botën akademike, dhe përdorimi i instrumentave financiarë publikë për të bërë politikë industriale, atëhere bëhet e qartë mundësia e një kthese afatgjatë në politikën ekonomike amerikane.

Ky tranzicion është shtyrë nga pandemia, por është bërë i mundur nga prishja me politikat e globalizimit e kryer nga Trump gjatë mandatit të tij; një prishje që në pikat kryesore të saj gjen reflekse dhe mbështetje nga të gjitha anët e politikës amerikane: nga demokratët progresistë që rivendikojnë më shumë shtet social tek republikanët konservatorë që synojnë një “kapitalizëm të së mirës së përbashkët” që u mundëson atyre të fitojnë sfidën për mbështetjen e klasës punëtore; deri në mjediset institucionale qe e kuptojnë urgjencën për ta rindërtuar qëndrueshmërinë përballë sfidave globale. Rezistencat ndaj ndryshimit ekzistojnë e megjithatë do të duhen shumë kohë për të mbyllur ndarjet sociale e politike, por konteksti ka ndryshuar: realiteti e ka detyruar vendin që të fillojë të ndreqë gabimet e së kaluarës, me një kurs të ri që mund të quhet “pasglobal”.
(Andrew Spannaus është një gazetar dhe komentator politik amerikan me qëndrim në Itali, themelues i Transatlantico.info. Jep leksione për historinë ekonomike e Shteteve të Bashkuara në Universitetin Katolik të Milanos dhe ka shërbyer si President i Milan Foreign Press Association nga 2017 deri më 2020)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Please follow and like us: