Albspirit

Media/News/Publishing

Shpend Bengu, i pari artist shqiptar, pjesë e enciklopedisë së artit modern pamor

Leontina Nika

Shpend Bengu pas një karriere të gjatë artistike, brenda dhe jashtë vendit, pjesëmarrës në bienale të rëndësishme ndërkombëtare dhe fitues çmimesh, siç është vlerësimi në bienalen e Austrisë, tashmë artisti shqiptar bëhet pjesë e enciklopedisë prestigjoze të artit kontemporan De’ Agostini.

Bengu mes emocionesh e cilëson përmbushje të një ëndrre.

“Ishte realizimi i një ëndrre. Unë personalisht nuk e prisja, ndërsa të gjithë miqtë e mi më thanë  e meriton për shkak të punës që kanë parë. Unë besoj që është një nga arritjet më të mëdha të karrierës time”, thotë ai.

Shpend Bengu  këtë arritje ia dedikon familjes e cila ka sakrifikuar, pasi çdo pjesëmarrje në bienale të rëndësishme botërore ai e ka realizuar  me shpenzime personale, pa mbështetje nga shteti.

“Çdo artist i cili është mbështetur nga shteti apo fondacione të tjera, e dinë mirë se sa kushtojnë pjesëmarrjet në këtë lloj aktivitetesh. Unë e kam bërë vetëm me shpenzimet e familjes time dhe për këtë i jam mirënjohës deri në fund, familjes dhe prindërve të mi. Faktikisht pas disa ditësh nëna ime ka përvjetorin e vdekjes dhe duhet të shkoj ta falënderoj sepse ajo e priste këtë, e kishte ëndërruar”, thotë ai.

 

Ndërkohë që nuk harron edhe botimet serioze shqiptare te realizuar nga kritiku i artit Ferid Hudhri, e ku sëfundmi historia e artit shqiptar është botuar edhe në Kinë.

Kjo enciklopedi kurohet nga emrat me të njohur të kritikës dhe kuratorëve  të artit.

“Është e kuruar nga doktoresha Stefana Pieraliçe e cila është një nga kuratoret më të mëdha të bienales së Venecias”, u shpreh ai.

Botimi do të ketë 1000 faqe dhe do  të përfshijë 81vite art pamor botëror nga 1940 – 2021  dhe do të shtypet  në miliona kopje, i cili shpërndahet në muzeume, galeri, shtëpi ankandi dhe bibliotekat më të rëndësishme  të  botës.

Shpend Bengu, është një nga artistët shqiptar më në zë të artit modern dhe konceptual në Shqipëri, i cili spikat me talentin, gjuhën dhe teknikën e tij  veçantë në pikturë dhe grafikë. tashmë pjesë e mozaikut të artit kontemporan botëror.

/abcnews.al/

Please follow and like us: