Albspirit

Media/News/Publishing

Blerina Shalari: Kush e shkroi tragjedinë e këngës shqiptare?

Deri në vitet 2000 kënga shqiptare kishte vlera të padiskutueshme, thënë kjo edhe në kuptimin universal, por më pas filloi një tragjedi e pandalshme edhe që vazhdon të thellohet dita-ditës.
Pse e quaj unë tragjedi këtë ndodhi të verbër?
E quaj kështu sepse, jam e bindur në atë që: Fillestarët e vërtetë të kësaj tragjedie janë vetë muzikantët me shkollë që e kanë nisur, e kanë bitisur dhe e kanë vazhduar pandalshmërisht këtë mynxyre kulturore, të barabartë me një genocid ndaj trurit, ndaj keq-edukimit në masë që i bëhet rinisë shqiptare nga këto kompromise, herë hapur, e herë nën tavolinë për të dëmtuar qëllimisht shtyllat e kulturës sonë, duke menduar si qëllim kryesor vetëm përfitimin material dhe asgjë më tepër. Po mirë o plangprishës: A nuk do ishte mirë, qëedhe të mirë-kompozonit, edhe të këndonit edhe të fitonit? A thua s’kanë fituar artistët botërorë të cilët, më së pari, këndojnë, pastaj fitojnë? Se dhe Eminem, që këndon rrep, ka shumë tekste të cilat i kuptohen dhe i respektohen për atë ç’ka përmbajnë. Sepse është thënë nga bibla e mendimit që është Aristoteli se:
Arti është në vetvehte dukuri e së bukurës. Kurse në Shqipëri bëhesh këngëtar brenda ditës, pa pikë lidhjeje me muzikën dhe pastaj vjen dhe merr çmime në festival. Nuk e di dhe nuk më arrin mendimi deri në pikën që: Artistë të vërtetë për talentin, por edhe me shkollë, madje edhe të nderuar nga publiku, marrin pjesë nëpër juri që vetëm të tilla nuk mund të quhen, dhe më pas vlerësojnë antivlera. Si nuk kanë këta njerëz një parim, të paktën të mendonin për karierën e tyre, që s’mund të baltoset vetëm e vetëm se kështu do pronari?!…
Ka kompozitorë me emër të madh, të cilët, hapur fare kanë folur për pseudoartistë, të cilët… i bëjnë nder këngës shqiptare, ose… këta janë e ardhmja. Kaq keq sa janë kompromentuar, këtyre as fitimi s’ju bën aq punë sa e mendojnë. Ajo që dhemb tani është genocidi kulturor që po ndodh, aqsa duket sikur të krijohet paranoja e komunizmit ku agjentura të huaja kanë futur hundët në kulturën shqiptare. Kjo edhe bën vaki, por ne po prishim shtëpinë tonë dhe ca më zi, shtëpinë kulturore të ngritur me aq mund në Shqipëri. A më thotë dot ndonjëri: Se: A e pranonte dot Çesk Zadeja që një këngë si ajo me thika, të fitojë një festival? A më përgjigjet dot ndokush se: A e pranonte dot Kujtim Laro, që një dikush i cili këndon në klube nate për të jetuar (dhe mirë bën), del e na shfaqet si artist skene dhe duke fyer dinjitetin dhe diplomën plot djersë të artistit profesionist ngre lart një kupë të pistë festivali? Unë si mendje s’kam asnjë kompleks, ta pranoj komercin, ndonjëherë edhe ta pëlqej, si për shembull në rastin e këngës “Tirona” ku fjalët, por edhe muzika e saj shprehin në thelb jetën e sotme? Sepse s’ka asgjë të keqe, nëse je modern, po jo banal, nëse reciton brenda ritmit, por jo duke ju thurur psalme pjesëve të trupit për porno?… Jam e fyer, e lënduar, e poshtëruar, jo vetëm unë, por të gjithë ata që janë shkolluar dhe bluzat s’ju janë tharë nga djersa e punës për këtë poshtërsi që po na vret nga ekrani, dita-ditës, që po tmerron rininë me mosshijen e saj, me edukatën porno, me vajza, të cilat s’ka problem se…. më falni për shprehjen, kurvërohen, boll të shesim ca mend se jemi artistë, se… na vlerëson juria, juria që për zinë e tyre, në shumë raste janë edhe muzikantë me diplomë.
Zotërinj të diplomuar: Është turp, për ju që përmes fitimit, bëni zgjedhje çmimesh, e këngësh, e zërash thjeshtë të edituar në kompiuter, të cilët hiqen si artistë skene. Ata, veç të tjerash, fyejnë gjithashtu edhe diplomimin tuaj. I kam dëgjuar me veshët e mi, por edhe të tjerë i kanë dëgjuar, se si, një violinist, që ka luajtur Beethoven, Lalo, Mendelson, del dhe flet për këngëtar të mirë i cili këndon me zë kompjuteri vetëm për në studio. E tmerrshme, e poshtër, e qëllimshme dhe e rrezikshme. Si nuk e menduat o zotërinj me shkollë, se do vijë një ditë që këto do të bëjnë që të mos keni mundësi të dilni edhe vetë në skenë, sepse si do t’i thoni publikut “që ju jeni ai i jurisë, i cili vlerësuat me çmim një këngë me thika”? Sa kohë më tej do të vazhdojë kjo masakër e cila ka vrarë edhe njerëz, si artisti i madh e i pakompromis Ferdinant Deda, i cili u zhyt në pesimizëm sepse klima kulturore e acartë nuk i dha meritat e duhura… Këtu bëhen festivale, po përse nuk ftohen në to, kompozitorë të traditës, gërshetuar me brezin e ri? Përse një djalë i ri, apo vajzë e re, e pafajshme, merr mikrofonin dhe këndon pa e ditur se kjo punë ka mësim, ka studim, edhe më pas ka edhe filtra deri sa të hysh në skenë? E pra, zija qëndron sepse janë shkatërruar institucionet. Ka shkuar kënga në duar kriminale, të cilat s’kanë asnjë mëshirë ndaj atyre që vriten me to. I bëj thirrje qeverisë, i bëj thirrje ministrisë së kulturës, i bëj thirrje shkollave të muzikës, teatrit të operas dhe baletit, i bëj thirrje akademisë së shkencave, i bëj thirrje universitetit të arteve, i bëj thirrje akademisë së studimeve albanologjike, të mblidhen në një konferencë urgjente, dhe të hartojnë një projektligj për mënyrën dhe futjen në shina të artit dhe kulturës shqiptare. Të bëjnë një moratorium, ku, për një farë kohe të ndalohet përhapja e këngëve banale sidomos në internet dhe televizion. Të ndalet sa më parë ky genocid i cili po jep fryte të helmuara, me të cilat rinia helmohet, bëhet edhe vrasëse po dëgjoi ndër tv nga këto toksina. Ky alarm ka kohë që po bërtet por nuk e di pse nuk reagon askush. Pra, është urgjente, të fillohet detoksifikimi i kulturës shqiptare, nga helmi, nga droga muzikore e gatuar qëllimshëm, dhe shpesh nga njerëz me diplomë. Jemi në rrezik si komb, për zhdukjen e traditës, të këngës shqiptare. Jemi në agoni të thellë. Na u tha buza për një idil dashurie, për një trëndafil mbi flokë, për një fyell që i këndon bukurisë së vajzës, për një flutur mbi kapele. Na u mpinë veshët, për një lule zambaku, e për një violinë, që luan nga meraku. Po vras mendjen, a do kem fuqi të bëj një këngë të bukur, kur jam droguar me muzikë të keqe, që të vret me thikë? Se di përgjigjen. Po ndoshta del një rreze dielli!
Please follow and like us: