Albspirit

Media/News/Publishing

Historia e vërtetë e kësaj pikture të shenjtë

  “Shën Maria”, piktura më e riprodhuar e të gjitha kohërave.

Në fakt, piktura portretizon një vajzë njëmbëdhjetëvjeçare, Angela Cian, me vëllanë e saj më të vogël Giovanni në krahë. Piktori Roberto Ferruzzi (Dalmaci 1853 – Luvigliano, Euganean Hills, 1934) ishte djali i një avokati të njohur dhe, pas studimeve klasike, u regjistrua në fakultetin juridik të Universitetit të Padovës.

Ai ishte shumë i talentuar në pikturë. Ndërsa vazhdonte kurset universitare, studionte edhe për vizatim dhe pikturë, si dhe iu përkushtua muzikës. Në vitin 1879 u vendos në Luvigliano (Kodrat e Euganeanit) ku iu përkushtua ekskluzivisht pikturës, duke krijuar një muze kulturor që u bë destinacioni i artistëve më të mëdhenj të kohës.

Një ditë ai pa një vajzë, Angelina Cian, e dyta nga pesëmbëdhjetë fëmijët e familjes së saj, që mbante në krahë vëllanë e vogël Giovanni në gjumë. Imazhi i tyre e la pa fjalë piktorin për ëmbëlsinë qëtransmetonin fëmijët, dhe ai e riprodhoi atë në një pikturë, të cilën e titulloi “Mëmësia”. Piktura u ekspozua në Bienalen e Venecias në 1897 dhe u shpërblye, mirëpo suksesi që pati, bëri që nga artistët e tjerë të kërkohej ndryshimin e titullit në “Shën Maria”.

Piktura është blerë për tre mijë lireta, një shifër astronomike për kohën dhe është rishitur disa herë. Në fund, ajo u ble nga vëllezërit Alinari, fotografë të njohur nga Firence, të cilët e ekspozuan në studiot e tyre. Ajo u rishit ende, por vëllezërit Alinari rezervuan të drejtat e riprodhimit. “Shën Mëria” u riprodhua në mijëra kopje, bileta, “karta të shenjta”, si dhe objekte kulti.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ambasadori amerikan në Francë, John G.A. Leishman, bleu pikturën, por gjatë udhëtimit për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës anija u përmbys dhe bukuroshja Maria përfundoi në fund të detit. Disa pretendojnë se nuk ka humbur, por gjendet në një koleksion privat në Pensilvani.

Vajza në portret, Angelina, e cila frymëzoi Marinë, ishte zhvendosur ndërkohë në Venecia. Ajo u martua dhe shkoi me burrin e saj, në 1906, në Kaliforni, në Oakland. Ajo kishte dhjetë fëmijë, por lumturia e saj u shua me vdekjen e papritur të të shoqit. E ve, ajo nuk ishte në gjendje të përballonte fatkeqësitë e jetës; fëmijët e saj u strehuan në një jetimore dhe ajo, e dëshpëruar, u internua në një azil. Vdiq në vitin 1972.Ajo nuk e dinte se fytyra e saj do të frymëzonte miliona besimtarë në mbarë botën.

Please follow and like us: