Albspirit

Media/News/Publishing

In memoriam, Ramadan Musliu!

ANDRRA E JETËS
Me një krahër me brymë
kaloi tinëzisht vjeshta
nëpër flokët e mi: fijet e argjendta
ndahen në dysh mbi vetulla
dhe vazhdojnë krela-krela
rritjen në bronz.
Dhe prapë dritë neoni
përzier me borë
ndriçon ballin tim
me shiritat magjikë të moshës. Lëng
vetëtimash
pikon nga damari i fshehur i dritës
në strall. Ndërsa netëve të vona
nën ndriçimin e ftohtë
zgjohet në kafaz
dhe zë e këndon bilbili
për retë e bardha në qiell tek pikojnë
currila kristali
për gjethet e verdha të vjeshtës
që dridhen në erë nga frika e moshës
O imagjinatë që trillon në errësirë
peizazhe të gdhendura në metal
porta të hapura të parajsës
bunacën e detit në pëlhurë. Derisa të fryjë
era mbi xham dhe t’i fshijë
të gjitha mbetjet
nga andrra e madhe e jetës.

In memoriam, Ramadan Musliu!

Ramadan Musliu ishte poet, gazetar dhe studjues, lindi më 31 maj 1954 dhe u nda nga jeta më 22 tetor 2020.

Ramadan Musliu studioi Letërsi dhe gjuhën shqipe në Fakultetin Filologjik të Universiteti i Prishtinës ku mbaroi edhe studimet pasuniveristare.

 

Krijimtarinë letrare dhe publicitike (gazetareske) e filloi herët.

Ai gjatë viteve 1977-1980 ka punuar arsimtar i lëndës gjuhë dhe letërsi shqipe në Qendrën Shkollore “Kuvendi i Lezhës”.

Po ashtu ai ka punuar edhe si gazetar i kulturës në gazetën e përditshme Rilindja dhe ishte anëtar i redaksisë së Revistës së përdyjavshme për kulturë “Fjala” të Prishtinës, nga viti 1981-1993.

Ramadan Musliu, ishte deputet i Kuvendit të Kosovës nga viti 2004 deri në vitin 2007.

Krijimtaria e Ramadan Musliut

1993 – 2004: Punoi si redaktor kulture e pastaj edhe si drejtues i të përditshmes “Rilindja”, botimi i Tiranës. Gjatë kësaj periudhe drejtoi Shtepinë botuese “Eurorilindja”.

2003 – 2004: Drejtoi revistën letrare “Kalendari letrar”.

2004 – 2007: Deputet i Kuvendit të Kosovës.

2008 – 2010: Këshilltar politik i ministrit të kulturës në Qeverinë e Kosovës.

Botoi pesë libra me studime dhe kritikë letrare:

 1990 – “Mbindërtimi poetik”, Prishtinë;

1998 – “Konfiguracione narrative”, Tiranë;

2005 – “Estetikja e dallueshme”, Prishtinë;

2010 – “Ekskurs në letërsinë për fëmijë”, Shkup;

2012 – “Tangjenta letrare”, Prishtinë;

1997 – “Vetëripërtëritja e totalitarizmit”, Tiranë, libër publicistik

Autor i pesë librave me poezi:

1981 – “Parodia e trupit”, Prishtinë;

1985 – “Shqisa e gjashtë”, Prishtinë;

1987 – “Pasqyra e të rrëfyerit”, Prishtinë,

1996 – “Kënga e sibilave”, Tiranë,

2004 – “Në zemrën e gjërave”, Prishtinë

Poezitë e tij janë përkthyer në anglisht, rumanisht, frëngjisht, serbisht, maqedonisht slllovenisht dhe është prezantuar në antologjinë e poezive ndërkombtare për vitin 2010 dhe është fitues i disa çmimeve letrare.

Please follow and like us: