Miho Gjini: “ARËZA”
Në vend të një urimi
(Rrëfim)
Mora sokakun më të fundit të fshatit, kur sapo ra mbrëmja. Ca njolla drite vinin deri aty nga një shtyllë hekuri, nga ato që Barba Niko Leka kishte prerë nga ujësjellësi i hershëm i Bunecit, kur u bë aty hidrocentrali i vogël i fshatit, pa u menduar nga askush se duheshin shtylla druri a betoni që rryma elektrike të përcillej deri lart në kodër, ku ishin edhe shtëpitë tona! Pak më tej, terri e ngushtonte fare shikimin dhe muret e Lutërvisë së Spire as që dukeshin aq thellë ku ishte.
Nëna më tha se atje me priste ajo, nusja që do të merrja dhe kaq sa tha, thuajse do të më pushonte tik-taku i zemrës. E pata mbyllur këtë “defter”! Nuk do të martohesha më! Po edhe babai, i ligështuar aq shumë nga shëndeti, më ishte vërsulur duke me thënë se “burgun e hoqe vetëm, more djalë! Ajo derë për burra është, po ajo që pate ti në krahë, nuk ta diti rëndesën dhe vlerën, e sa të rrëshqiti këmba atje lart “në pemë”, ku ishe ngjitur vetë, vajti e trokiti në dyert e gjykatës”!
– Po jo, more baba!
Ecja kuturu, me kokën varur… Nuk do t’i përgjigjesha kësaj “davaje”, tri vite nisur. Se të ikën edhe mosha, bashkë me vuajtjet e kohën që humbet!… Mirëpo “urët e zjarrit” qenë shtyrë e ndezur!… Atë e kishte sjellë halla e vet. Nganjëherë planet për ty i bëjnë të tjerët! Po, jo more vëlla! Unë që isha kundra këtyre gjërave, bile që kisha bërë edhe nja dy shkrime në gazetë për “mpleksjet” e këtij lloji, i ndjeva si të lidhura edhe gjuhën edhe këmbët! Te dera doli kushërira e parë e babait, me një të qeshur “vesh më vesh” që më rrëqethi shtatin, më tregoi shkallët e drunjta nga të ngjitesha në dhomën e ndriçuar, mbi gurët e heshtur të Lutërvisë, si të qenë gati të shtypnin edhe ato trurin tim, në vend të ullinjve! Shamizeza Melpomeni që i kishte ikur i vëllai tepër i ri, u ngrit serbes, më përqafoi si djalë fshati që isha, dhe u ulëm karshi njëri-tjetrit, që unë të shikoja më mirë, në krahun e saj edhe mbesën që kishte sjellë për mua. Edhe ajo e veshur në të zeza… Habia ishte “hapur”, po aq shpejt, sa edhe u mbyll!
– Jo!, – thashë unë, – e pamundur… – Nuk bëhet!, – dhe u ngrita vërtik.
U ngrit edhe gruaja me të zeza veshur, prishur në fytyrë.
– Jo të keqen motra, nuk është e vogël! – Ngrehu moj ti! – iu drejtua së mbesës e menjëherë u kthye nga unë. – E kam mbesën time këtë, vajzën e vëllait që ma mori perëndia, vëlla, më të mirën e fshatit, por nuk na lanë as hallet e as vdekjet që të ngrinim kokën. – Shikoje në sy! Shtatin të vogël e ka, por është “shpirto”, si thëllëzë mali.
Mbeta pa fjalë… Pastaj thashë ca fjalë pa lidhje, përmenda se unë nuk isha gjë tjetër veçse një i burgosur politik… se vërtetë isha i liruar nga “hapsana”, por ja që i kisha humbur të gjitha ç’pata… Se biografia më qe prishur dhe se, vetminë e kisha ngushëllim tani, që edhe mosha ime kishte kapërcyer shumë vite mbi të kësaj vajze, për të cilën nëna dhe babai më thanë fjalë aq të mira, para se të vija përpara vajzës.
Ajo ngrinte sytë pas çdo fjale që nxirrja nga goja, ndërsa unë po e shikoja për herë të parë, me vëmendjen e një burri.
– I di, – tha ajo befas… – Dhe i kam marrë parasysh të gjitha!
Guximi i saj më shtangu… Ra një heshtje e thellë në gjithë Lutërvinë e mua me vinte deri aty troku i dy kuajve që tërhiqnin e sillnin rrotull dikur gurët e bluarjes, sikur të më tërhiqnin e bluar edhe mua… Shihja tani shtatin e saj, të lidhur e aspak të shëndetshëm, paksa më të vogël se timin. Flokët e saj të zeza e të dredhura, si të zezakëve, sytë në trajtën e bajameve, si të kinezeve a të vietnamezeve, faqet e skuqura nga turpi i këtij ballafaqimi të pazakontë dhe, thashë me një zë më të shtruar se, ishim duke bërë “hapin” më të rëndësishëm të një jete të dërmuar tragjikisht dhe se, që të dy duhet ta mendonim diferencën e moshës. Ra heshtja përsëri e unë do të shtoja se… se… Por ma preu fjalën gruaja me të zeza, që u ngrit menjëherë dhe tha:
– Jeni nuri i Perëndisë që të dy dhe shkoni kaq mirë me njëri-tjetrin! S’të krren nga goja i gjithë fshati, more! Boll të ka “plasur buza” nëpër burgjet e qeverisë! Dhe kjo “binadalja” ime, boll i mbajti rrobat e zisë e t’i qeshë pak buza, si të gjitha vajzat…
Troku i kuajve të Lutërvisë, që kishte vite që nuk dëgjohej më, sikur mori revan atë mbrëmje të vonë, kur mua do të më “prishej mendja” qe të bëja kuturinë e një jete të dytë.. .
* * *
Kështu, do të hynte në jetën time kjo grua, që disa vite më vonë, nuk do të quhej Eleni po “Arëza”, sikundër e kishte thirrur një ditë kunati im, kudhësioti Qirjako Çani, por që do të merrte edhe emra të tjerë, sa herë e fiksoja si shëmbëlltyrë a tip letrar, duke e shndërruar edhe si personazh në tregimet e rrëfimet e mia, si edhe në një roman te dhimbshëm, me emrin Viktoria. Nuk e mendoja kurrë se ajo vajzë me trupin e vogël, do të kishte aq shumë forcë shpirtërore e fizike, sa të bëhej “pjesë e imja” e do të zbuste plagët e mia të thella, por edhe do të ringjallte “thëngjijtë e shuar” gjatë atyre dhjetë vjetëve të humbura trishtueshëm, do t’i quaja “të zeza”, që m’i imponuan me dhunën më të egër. E që tani, pas 36 vitesh, kur ajo, tokë me vitet e mia të trazuara, gjithsesi të mira e të ëmbla, – le t’i quajmë kështu, – më dhuroi edhe dy fëmijë të tjerë, që më kishin munguar, në atë “djegie të mynxyrshme” të dashurisë e të shpresës…. Për të fiksuar tashmë edhe këtë rrëfenjë, -mozaikun poetik të çasteve njerëzore që përbëjnë palcën e një jete normale, të cilën thuajse e pata harruar… .
Duke e nisur përsëri nga e para, atë që e quanin “biografi të re” ofiqarët e dikurshëm të gjendjes civile, por edhe partiakët e asaj kohe gjëmëmadhe! Me apartamentin e ri që, ymër të ketë ai Jashari i Dibrës, – nga më doli përpara, – ndjeu dhimbjen time e, vetëm me një telefonatë që bëri, më bëri me shtëpi, si mua edhe kolonelin e burgosur, të dy në një kulm. Por që, sikur ta dinte, si më i ri në moshë që isha unë, më dha një dhomë e kuzhinë e atij, kolonelit të moshuar, që i shkuan edhe 20 vite nëpër burgje, vetëm njërën dhomë. Sikur ta ndjente ky njeri i mirë i mbetur midis të ligjve, që unë mundej edhe të martohesha përsëri. Sikundër edhe ndodhi realisht që mua do më vinte edhe “Arëza” nga Piqerasi. Pra, jeta e njeriut, nuk mbaron me ca” ferra” të këqija e belara që i “hidhen përpara”nëpër këmbë!
E para që e ndjeu këtë ndryshim, ishte nëna ime plakë, qe erdhi “me vrap” nga fshati, ashtu çalë-çalë, (qysh kur rra nga ulliri, në ato vitet e urisë së pasluftës!), nga meraku i patretur akoma, duke gjetur aty, tek djali i saj i nëmur nga qeveria, vetëm katër muret që i kishte dhënë ai Jashari zemërbardhë dhe dy batanije që i kishte sjellë Lena e Xhane, – për fat kushërira jonë që banonte aty afër, gruaja e djalit të priftit e Xhane, Markos, që punonte kamerier te “Bar Sahati” i Tiranës. E shkreta nëna ime, maste orët, minutat e sekondat, sa të kthehesha unë nga puna rraskapitëse dhe nuk priste brenda, ku thoshte se aty i dukej sikur “do ta hante shtëpia” megjithatë, po te gardhi i mëpërtejmë rrugicës, ngaqë, siç thoshte, i ngjante se ishte në Jugë, në atë çikë fshat që e kishte bekuar vetë Perëndia me dorën e saj! E do ngrihej nga gardhi sa të na shihte mua a Lenën e Xhane. Lena aty mbiu, nga një gëzim i parrëfyer… Por, edhe nga “humori i zi” siç e quajmë ne të Teatrit, kur gjithçka nxin! Dhe, sa herë që ajo do të hynte te dera, nëna do t’i thoshte: “Kujdes pak Lenëëë, se mos shkelësh qilimin që ka shtruar ky “arëxhiu im!”, që nga burgu erdhi në burg përsëri, me ato dy batanije që i solle zotrote, me një pjatë e një lugë, që të të rrojë ai MarkoXhani, i cili të mira ka bërë gjithë jetën, pa le i ati, Toti i Xhane, i vlloisuri i dynjasë!”, patjetër edhe i Perëndisë, ngaqë tek tuk, e lexonte edhe në gjuhen tënë ungjillin e shkruar në gërqishte!. Por Lena dinte edhe si t’i përgjigjej nënës time, me ca shakara të kripura, duke i thënë ta “qepte gojën”, se ja ku do t’i vijë edhe nusja e re e djali yt do na bjerrë në “të buta” dhe tëk- fëk do e ngrërë në këmbë jetën e vet. Po proto, – tha ajo gërqisht, – i duhet edhe një krevat, të djegurit e të përvëluarit…
Brenda javës, të dyja kushërirat, bënë-ç’bënë dhe e mbushën dhomën më gjërat që i duhen njeriut të gjorë. Dhe bënin aq zhurmë sa, koloneli doli te dera e tij, mori pozicionin e dinjitetit të tij të nëpërkëmbur dhe u tha grave që të mos bënin aq shumë potere, mbasi nën atë çati ka edhe një person tjetër, “që jam unë, – sikundër edhe më shikoni në tërë formatin e vet!”, – vuri në dukje ai. Plakat panë njëra-tjetrën. Lena tha një “Signomi qirje!”, në greqisht, dhe e tërhoqi Aleksandrën në dhomën time. Pas gjysmë ore do të mbërrija edhe unë e do të shihja i habitur, gjithë ato ndryshime e do të rrotullohesha tri herë, meqenëse nuk më besohej që ishte vërtetë ky, salloni im i ndenjes e i pritjes! Desha të merrja frymë ulur në divanin e ri që kishin vendosur, por Lena më tërhoqi nga dora e me shpie në dhomën e gjumit, për të parë se, edhe mua më takonte një krevat!
– Boll ke fjetur në çimento, o i ziu njeri!, – tha ajo me trishtim gruaje… Dhe i shkeli syrin Aleksandrës, pa i ndarë sytë prej meje. – Ja edhe krevatin ta sollëm!… Edhe nusen “pas derës” e ke tani, – tha Lena. Të tjerat i di vetë Zotrote, nëse nuk i ke harruar aty ku ishe, o i ziu njeri!
Por nëna e quajti “halemadhe” nusen e priftit.., kurse unë e përfshiva nga mesi dhe e rrotullova nëpër hapësirën e vogël që kishte mbetur… Pikërisht në këto çaste ra dera e jashtme e dolëm që të dy banorët e rinj të apartamentit menjëherë, edhe unë, edhe koloneli. Nuk bëhej më shaka… Nuk do të na thërriste më, as polici e as hetuesi. Ne ishim qytetarë të lirë të Republikës Popullore… Ne tani kishim edhe një adresë shtëpie e gëzimi në sy na ndriti të dyve. Por jo, postieri, që për habi ishte edhe me uniformë të rregullt, lexoi emrin tim dhe zgjati telegramin. Unë kisha ngrirë në vend, sepse ai theksoi që telegrami ishte URGJENT, prandaj edhe Koloneli u tregua më i shkathët, e mori, falënderoi postierin, mbylli derën, e lexoi me vëmendje e u kthye nga unë, duke përplasur takat e këpucëve përsëri, si ushtarak që ishte, dhe thirri me solemnitet, në gjuhën ruse: “Malladjec Misha! Zaftra pridjot tvaja Masha! Budesh zhenillsja, moj daragoj!” (Të lumtë Misha! Nesër vjen Masha jote! Do të martohesh, i dashuri im!)”. Më qëlloi me grusht në gjoks dhe pastaj më përqafoi. Plakat e mia behën aty menjëherë, me sy të shqyera.
– Pa merak, – i qetësoi koloneli. – Nesër djali juaj, vë “kurorën” e dytë!
Nëna u shkreh në lot, kurse Lena brofi përpjetë nga gëzimi, shoqëruar me ulërimën e një kënaqësie, duke u matur që t’i hidhej në qafë edhe kolonelit të trembur, i cili, po me përplasjen e takave të këpucëve bëri dy hapa mbrapa!
– Signomi qirje!, – kërkoi ajo falje në greqisht, sepse këtë fjalë kishte mësuar të parën në shtëpinë e priftit. – Po nesër, – vazhdoi ajo, – kjo shtëpi do të mbushet me gëzim, se unë do mbledh këtu gjithë fisin tuaj e timin, do të presim nusen e re që na vjen nga Piqerasi, do të sjell mezera nga hotel “Dajti”, do të hamë, do pimë e do hedhim valle”!
Pastaj shtoi se, të gjitha shpenzimet qenë të saj dhe se është i ftuar edhe “ky gjynahqari tjetër”, – tha ajo, kuzhinierja e hotel “Dajtit”, duke i shkelur syrin kolonelit, që s’ishte më kolonel, po një njeri i mjerë që kishte hequr të zitë e ullirit, shumë më keq se unë…, vetëm e vetëm se kishte lëvduar jetën e tij leningradase. Dhe s’kishte ç’t’i bënte dot, as ai mallakastrioti tjetër, që ishte në krye të vendit, bile edhe nga i njëjti fshat…
Të nesërmen aty, ku futi këmbët Lena tjetër, gruaja ime e re tashmë, u mbush shtëpia me njerëz e u bë një aheng kaq i madh, saqë nuk e nxë “caku” i këtij rrëfimi, saqë u çudit e tërë lagjja, tek pa që kishin ardhur në atë kthinë të vetmuar e të heshtur, prej një kohe që s’mbahej mend, kamerierë të veshur me bluza të bardha e me papjon në jakët e bardha të këmishëve të tyre, direkt nga hotel “Dajti,” – ku punonte edhe Lena jonë si kuzhiniere e klasit të parë… Aq sa, shoku Baftjar, kryetari i Frontit Demokratik të Lagjes, që e dinte më përpara se aty kishin futur dy ish të burgosur politikë “të rrezikshëm”, nuk qe shprehur mirë, sidomos për kolonelin e gjorë, si “spiun rus” e kishte thënë që “partia jonë, vërtetë i ndreq njerëzit, sido që janë ata, por jo kaq sa të shemben muret nga poterja e madhe!”. Mirëpo ahengu vajti deri vonë, afër mesnatës, aq sa do të mbeteshin aty vetëm katër njerëz: koloneli tashmë pa grada, në dhomën e tij, nëna ime, në sallonin e vogël që priti “dasmorët” dhe “çifti i ri” që do kishte natën e mjaltit, – sikundër e quajnë të lumturit, – pas dhjetë vitesh të shkuara e të shuara, nga “Ferri i Dantes”, që nuk rrëfehen dot me fjalë…
Mirëpo të nesërmen, jeta përreth nesh do të merrte “një të krisur”, sepse kishte vdekur i pari i vendit e qe shpallur ditë zie dhe qenë ulur flamurët. Të pasnesërmen do të përcillej “Udhëheqësi i Madh” dhe kryetari i frontit, që banonte në katin e dytë, trokiti edhe tek dera jonë e njoftoi se përcjellja e Komandantit do të bëhej ditën e nesërme në orën 10 nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, duke filluar nga “Blloku i Udhëheqjes”(!). Ai pa me kujdes se çfarë pamje do të merrte fytyra ime dhe e kolonelit dhe u largua i brengosur, ndoshta nga që nuk pa ndonjë rrjedhje lotësh! Por të nesërmen, kur dolëm edhe ne në bulevard, pamë se dhjetë hapa larg nesh nuk na ndaheshin dy persona me pardesy të gjatë e me kapele republikë, derisa na humbën nga sytë në atë mizëri njerëzish që prisnin të kalonte kortezhi. Gruaja e djalit të priftit më dha një të cimbisur të fortë pas krahu e tha: “Qaj edhe ti, i biri i Djallit, – nuk sheh që s’ka mbetur njeri pa derdhur lot?!” …. Po mendoja se, askush nuk do ta vinte re që mua, në ato çaste, më ishin tharë lotët! Por, sikundër do ta merrja vesh më vonë, isha i gënjyer!
Ditët e javët e tjera patëm edhe ca gëzime, pa shumë të qeshura, që të mos dëgjohej hareja jonë deri në katin e sipërm të kryetarit, por shtëpia sikur u mbush me shakarat që aq mirë i bënte nëna ime Aleksandra me Lenën e Xhane, kur ato nisën të ngasin Lenën time e ta pyesnin se…”si kishte ndodhur që erdhi kaq shpejt në Tiranë?!”…, “si kishte fjetur natën e parë, me këtë “binadalin” e tyre, të përvëluarin e burgjeve?!”. Kokërrodhja ime ulte kokën me kaçurrela të zeza, e turpëruar. Por i dilte krah ime më, që nisi të lëvdojë atin e saj, Cidhen, kafexhiun e fshatit, i cili kishte edhe çelësat e hotelit të vogël të fshatit, për të afërmit e të burgosurve të 305-ës, që vinin nga ana e anës… “Ditëzinjtë këta njerëz, ç’kanë hequr”,-tha ajo me zë të mekur!… Nuk vazhdonte dot më tej. Ajo u ngashërye e fshiu me cepin e shamisë së zezë që i kishte mbetur tërë jetën mbi krye, sytë e mbushur atë çast me burimin e lotëve…
Ditët që erdhën më pas qenë ditë pune në shtëpinë time te re, ku harxhoheshin dy kallëpe sapuni në një kazan me ujë të përvëluar që t’u dilta lera …
– Këto duan futur në “bugadhën” që bënim me gjyshen time, Lenën e Lazëre, kur venim t’i lanim rrobat fshatçe, te burimi i Bunecit, – thoshte ajo me qesëndi, duke më parë në sy.
Por, e tillë qe puna që bëja, në guroren e Linzës, në ngarkimin e thasëve të çimentos në Fushë Krujë dhe të tullave në Vorë, por edhe me gërryerjen e ngarkimin e rërës që mbante akoma lumi i Erzenit, sipas një grafiku që na bënte Sadik Çoçoli, shefi ynë i transporteve në Ndërmarrjen Komunale Banesa, ku qenë mbledhur edhe shumë ish të burgosur të tjerë, sipas teorisë së riedukimit përmes punës së rëndë, të huajtur nga kinezët. Shef Çoçoli m’u afrua e më tha veçmas, me zë të ulur, se nuk duhej të mërzitesha se, kishte edhe të tjerë si unë që kanë qenë nëpër burgje, me “dënime të vogëla”, si të tuat, sikundër qe shkrimtari Mustafa Greblleshi, autori i romanit “Gremina e Dashurisë” dhe regjisori Mihallaq Luarasi (i “Njollave të Murme”!), ish mësuesi yt, – nënvizoi ai, enkas, – tani bojaxhi i komunales sonë! Po edhe Homeri që,-mase e di edhe Zotrote, nëpër burgje u përkthye nga greqishtja e vjetër…
Shef Çoçoli pa anash , se mos e kishte tepëruar dhe e “ndërroi gjuhën”… Ndërsa unë, vetëm pas tri vjetësh, si punëtor i ngarkim-shkarkimit në komunale, do të kisha një “gradim” më të mirë, si elektricist, por në “komunale” përsëri! Kështu që, ime shoqe do të harxhonte një kallëp sapun më pak. Por ajo që kishte më shumë rëndësi e vlerë, ishte se tashmë nuk do gjeja më në shtëpi kolonelin e të dëgjoja pareshtur historitë e dashurive të tij të Leningradit, të cilat, sa herë m’i rrëfente, i ndryshonte e i zbukuronte, porse aty do të gjeja ngrohtësinë e gruas dhe të nënës.
– Prapë je bërë kështu, si shejtani i përroit?, – thoshte Arëza serbes-serbes dhe të qeshurën e kishte brenda vetes, të parrëfyer nga jashtë. Mandej, e ngrohte ujin me një furnelë elektrike, me rezistencën e qarkuar në dy tulla refraktare, që ia kisha bërë unë, më lante në banjë me duart e saj, duke më hedhur ujin me kanaçe dhe, po me duart e saj, më fshinte e me vishte rrobat e pastra! E më gatuante gjellë të mira që më venin në zemër, duke pritur sa të vija unë, kurdoherë, edhe kur afronte mbrëmja e humbiste kufiri i drekës. Arëza qe mësuar me punë e me siratë e shtëpisë, se kështu i thoshte edhe gjyshja Eleni Lazëri, që u bë e Qendrothanase, emrin e së cilës i vuri edhe i ati kur kishte lindur kjo vajzë e imtë nga shëndeti, që do të merrej me punë të rënda e do t’i jepnin tërkuzën të ngarkohej, sa bëri tetë vite të jetës së saj. Por tani ajo erdhi tek unë dhe unë kisha vendosur të ndaja jetën që më jepej për të vazhduar, me të, sido që koha qe e rënduar me mijëra halle. Por, ja ku do të na vinte gëzimi i parë i kësaj jete, pa u mbushur ende viti, kur u bëmë me djalë. Atëherë do të kuptoja se isha në gjendje ta përballoja jetën duke krijuar familjen time. Isha punëtor i vërtetë, por edhe një “pushkatar” i mirë! Djalit ia vura emrin Detjon, sepse prej andej vinim, nga Deti Jon! Nuk do të kishim ngjarje te tjera, veçse atë që do të ndodhte me kolonelin tim, kur ai do m’i pakësonte rrëfimet e tij për të dashurat ruse që kishte patur në Leningrad, gjatë studimeve të veta ushtarake. Befas vendosi të rimartohej edhe ai, ndonëse në moshë të thyer, duke bërë që të gjallërohej edhe një herë kryetari i frontit. Ky, sa e mori vesh këtë “thagmë” erdhi të na tërhiqte vëmendjen përsëri se, duhej bërë kujdes, që “të mos prishnim qetësinë publike”, aq më tepër që ende “nuk kishim dhënë akoma prova” se mund ta merrnim edhe ne triskën e frontit. Sepse,”partia e qeveria, – shtoi ai, – nuk kursehet asnjëherë në riedukimin e njerëzve që kanë bërë gabime e faje, duke “i rilindur ata”!” Mirëpo ky ndryshim i “gjendjes civile” të kolonelit, i cili e kishte ende gjallë gruan e parë, sikundër edhe autori i këtyre radhëve, por që ishin bërë edhe ato më të partishme se partia vetë, – ngaqë politika e shtetit tonë vazhdonte të qe po aq e egër ndaj “deleve të zeza”!, – siç na quanin, – nuk bëri fare “potere”, kur e mori “Mashën” e tij shqiptare, por e futi direkt e brenda, si ushtarak që ishte, pa ceremonira e rregulla civile. Ajo ishte e kundërta e “Mashës sime” nga shtati, kërthi para asaj gruaje “dërdënge”, – siç i quajmë ne nga anët tona, bile dy herë më e shëndetshme se koloneli. Qe koha kur, kushërira ime e Xhane, që vërsën reale e kishte nga Gjinajt, më solli një autorizim televizori dhe kështu, do të rritej ndjeshëm mirëqenia jonë si të “burgosur politikë” e salloni im i vogël, ku u instalua televizori, do të kthehej në kinema, a në një “qendër riedukimi” me moral më të lartë, ku do të zinte vendin më të dukshëm edhe koloneli im, me Mashën e tij përbri, i veshur shik, si nëpër festat fetare e ceremonitë e mbrëmjeve ruse, që ai s’i krrente kurrë nga goja. Por atë fjalën e urtë ruse: “Harasha Masha, no nje nasha”! (“E mirë është Masha, por nuk është e jona”!), nuk e thoshte më…, sidomos kur marrëdhëniet tona morën një “krisje të heshtur”, ngaqë “Masha e kolonelit”, kishte huqin e tmerrshëm të komenteve filmike, duke supozuar gjithmonë se si do të zhvillohej subjekti i filmit e fati i personazheve, si edhe duke na bërë ne të mallkojmë veten që e blemë televizorin, bashkë me Lenën e priftit që na i solli! Por ama, në heshtje! Vetëm se Arëza ma tha hapur që kjo “komentatore” ia kalon edhe Ismet Bellovës!
* * *
Por, dreqi ta marrë, unë ndodhesha tani në tokën greke, sa u hap kufiri “katrash!”, me të gjitha ëndrrat e peripecitë e mia të pafundme e pa pritur që ta marr edhe “kartën e frontit”. Megjithëse “fronti” qe shkërmoqur krejtësisht. Pas vdekjes së “Udhëheqësit Legjendar” qe rrëzuar edhe monumenti i tij “i betonuar”, bile qe shembur edhe krejt shteti! Me duhej të rifilloja jetën, apo të ringrihesha për herë të tretë nga niveli zero, ndërsa për Lenicën qe hera e dytë. Kishim ardhur këtu, me këmbë, mal më mal e shteg më shteg, natën e një dimri me dëborë, me fëmijën e vogël në krahë dhe afendikoi i këtij vendi, bujar e i fisëm, na dha një “Trohospito” (shtëpi lëvizëse), për të jetuar dhe punuar në fabrikën e tij, në periferi të Athinës. Por të gjitha këto i kam shkruar e s’kam pse i rrëfej përsëri. Ajo që dua të them tani, është kjo: jeta mund të ngrihet edhe mbi disa gurë e shkëmbinj ku qe vendosur baranga jonë me rrota poshtë, kur e do jetën e nuk e shet atë! Punonim paradite, mbasdite nxirrnim gurët nga dheu e shtruam vendin me dhé e humus nga mali përbri dhe e mbollëm atë me pemë e lule gjithfarësh… Arëza u rrëfye e papërtuar, e palodhur dhe mërmëriste një këngë kineze që asaj ia kishin mësuar në korin e vajzave të shkollës, kur pritej të vinte aty Çu En Lai, i cili vetëm sa kaloi, me makinat e udhëheqjes e nuk qëndroi fare, edhe pse i kishin vënë fshatit tonë emrin: “Miqësia shqiptaro-kineze”! Vetëm sa morëm vesh se kishte thënë, që “kodrat t’i bëni tarraca e malet fusha”! Dhe, të gjitha këto, do të bëheshin në mënyrë vullnetare, pa pará nëpër duar, që “të mos u prishim ndërgjegjen njerëzve e të marrin rrugën kapitaliste, bashkë me të internuarit e të burgosurit që mbani dhe e i ushqeni falas”! Dhe kishte shtuar se, “për ju shqiptarët, sikur një kokërr oriz të japë çdo kinez, – jetoni edhe njëqind vite të tjera”! Siç dukej, ata i jepnin oriz edhe Greqisë, ndërkohë që afendikoi më kishte thënë që ta ushqenim qenin e stanit që ruante fabrikën ku punonim me turne, një ditë me konserva mishi e ditën tjetër me gjellë orizi! Dhe, me të vërtetë në koliben e madhe të qenit, gjeta edhe dy thasë me oriz! E kështu bëja edhe unë çdo ditë: ushqeja në mëngjes herët qenin me mish e me oriz, hapja e mbyllja derën e hekurt për të futur e dalë makinat e tonazhit të rëndë që ngarkoheshin me pinia (drosla për dritat e neonit e transformatorë të vegjël elektrikë), kujdesesha për lulishten e pemët dhe pastaj, bashkë me Arëzën e sajuam bahçen tonë, ku pema e parë që mbollëm ishte limoni, i cili pas 15 vitesh, kur do iknim ne prej andej, hodhi shtat, u mbushë edhe me kokrra të verdha-dyllë që kundërmonin me erë të mirë për të gjithë kalimtarët e punëtorët e fabrikës. Si pa u kuptuar, do të kalonim këtu disa vite, megjithatë të lumtura, zot të vetvetes, të paguar për punën e mundimet tona, të lirë e pa qenë nevoja fare për një “kartë fronti” a kushedi se çfarë! Jeta vazhdon gjithmonë për njeriun. Dhe, pesë vite më pas, do të bëhesha edhe me vajzë, që do të merrte emrin e Perëndeshës së Butrinit: DEA!
Por, bashkë me vitet që iknin me shpejtësi, ecte normalisht edhe jeta ime me Arëzën, që ndryshe si e quante i ndjeri Qirjako, ngjante më teper me bletët punëtore. E shikoja si ngarkonte humusin në kodren përkarshi, se si, “u bë luaneshë” për të shpëtuar fëmijët, kur errdhi vrundulli i përnbytjes së madhe, që morri me vete edhe barangën tonë, se si u veshë e u zbukurua në sallonin e madhe të Hotel “Zapoljas” në Athinë, kur më dorëzuan urrdhërin e Lartë nga Presidenti i Republikëe , për tu krenuar paskëtaj se “xheç isha” edhe unë! Po ama nuk mu bind që ta shpija deri në Stamboll me “Hundain”tim dhe na ktheu që nga Selaniku, me gjithë fëmijë, si kishim bërë vetëm gjysmën e rrugës në një shi të rrëmbyer behari, duke me akuzar si “aventurier të çmëndur” e unë qeshja, pa u bindur fare se po bëja marrëzinë e rradhës..E njëjta gjë do të ndodhte, kur do të vazhdoja t’i besoja guximit tim në timon, pa bërë kurs shoferllëku e me një patentë fallco të ngisja makinën, duke rezikuar veten pesë herë me rradhë, me të e fëmijë bashkë, nëpër ca karambole të rezikëshme! Pa përmëndur vendimin tim të çuditshëm: rikthimin në Shqipëri, me pese para në xhep, kur ende trëmbeshin prej meje, si të isha “ngritur nga varri!” dhe menjëherë ndërronin trotuarin e rrugës, ngaqë mbaja aksidentalisht të shkruar në fanellë (akoma!), etiketën e “armikut të klasës” e ku do të dilte përsëri “në skenë” Lena e Xhane, por jo edhe koloneli, i cili qe bërë edhe ai një emigrant i paligjshëm, i yshtur nga Masha e tij, e cila mburrej tashmë se edhe ajo ishte “e përndjekur politikisht” në biografinë e saj, prej martesës që kishte bërë me kolonelin!… Gjithçka tani shihej në inversin e dikurshëm! Pra, edhe mua do më jepej, sigurisht, edhe vendi i punës në Institutin e Arteve… Do të jepja mësim në degën e Aktrimit një vit të tërë… Por, do të gjendej edhe këtu një tip si Baftjari, -person i “veçantë!”, që vajtja ime atje do ta “sëmurte” e do të gjente “shtigjet e veta” e të shkonte deri në dikasterin përkatës, që të mos pranohej si pedagog definitiv një “i burgosur politik!”, edhe pse, i burgosuri, – që isha unë përsëri -ish profesori i dikurshëm i disa pedagogëve të atjeshëm!, merrte këtu një pagë mujore qesharake, sa paga e dy-tri ditëve në fabrikën greke! Triumfoi faktori ekonomik i Marksit! Kështu që, afër mendsh, do të pranoja mendimin se kisha gabuar e t’i kërkoja falje edhe Arëzës, qoftë edhe për lindjen e vështirë që pati atje. Do të kthehesha përsëri te “shtëpia me rrota” në Koropi të Athinës, ku pronari i “SHVABE HELLAS”, Ing. Stelo Stamboli, do më priste përsëri me krahët hapur. Aq më tepër që, nuk do të ishte më nevoja të shkoja më andej, si kaçakët e dikurshëm, nga malet, por nga rruga e ligjshme, me vizë të rregullt, si zotëri tashmë, me një vogëlushe njëvjeçare që Arëza e mbante në një karrocë të bukur me rrota, veshur edhe ajo bukur dhe që e shtynte tashmë Aleksandri i vogël, kur polici i shtetit tjetër, pasi i pa pasaportën e Arëzës sime, do t’i thoshte: “Peraste qiria Eleni” (Kaloni zonja Eleni!)
Por, ajo që mua më vlejti, ishte si të thuash rikthimi i Arëzës, deri në vlerësimin e dashurisë që unë kam për librin në përgjithësi e në veçanti për krijimtarinë letrare.
– Është një mundim i kotë, – thoshte ajo, – të merresh, si i marrosur me librat, t’i sjellësh të shkruarat e tua në gjendjen e botimit, bile edhe t’i paguash vetë e pastaj ato, librat, t’i ngrësh në krahë e t’i shpiesh deri në “Omonia”, apo andej nga vete zotrote, që t’i dhurosh, qoftë edhe t’i shesësh! Kur etja për të lexuar libra thuajse është shuar!”.”Mandeje, vazhoi ajo më mbrapa, kur Afendikoi solli për ne barangën tjetër, këtë herë pa rrota,-do na bjerë baranga nga librat” dhe pastaj m’u afrua deri tek hunda e inatosur të më thoshte se duhej të mendoja se ku t’i shpija, apo t’i shisja me kile, përndryshe, – paralajmëroi ajo, – do t’i vërshëllente në kazanin e plehrave!.
E folura e saj nuk kishte mesë asnjëherë, por shkonte menjëherë në fjalën e fundit. U vrava shpirtërisht! Ky qe dhe “pickimi” më i fortë i “Arëzes” sime! Por, si të ishte një “shpëtim nga qielli”, na erdhi ndërkohë FTESA nga Amerika, prej mikut tim PJP, Bregas edhe ai, bile gjysmë piqerasiot, që na ftonte të venim për vizitë në kontinentin e largët, në shtetin Virxhinia, në afërsi të Uashingtonit, sepse prej andej do të shkonim në Filadelfia, ku shtëpia “Bijtë e Shqipes” do të na promovonte librat e rinj të dyve. Arëza më pa me mosbesim e tallje… Mirëpo, ambasadori amerikan në Athinë, kur vajta e i kërkova një vizë javore e ma dha atë për një vit, nuk do të më vështronte më si një “çapaçul” a të “marrosur librash!”, – sikundër më quante, por xheç më ndryshe! Kështu që Ajo mbushi një valixhe me rrobat tona, ndërsa unë dy valixhe me librat e mi! Ajo u llahtaris dhe tha se “nuk mund të turpërohej më, me një ‘çuruk’ që i shpie librat që i kanë zënë derën, deri në Amerikë”! Plasi konflikti i parë i madh midis nesh, sa ishim gati të anulonim vajtjen, por arriti që ta bindnin mamanë e tyre djali me vajzën, duke i thënë asaj se, të gjithë shkrimtarët e botës, kështu janë, edhe nëpër filma, si babi ynë, të marrosur pas librave, “prandaj lere e mos e nga!”, pasi janë më të lumturit në marrëzinë e tyre! Dhe vetëm kur pa që, aty në Filadelfia kishin ardhur aq shumë njerëz “të marrosur” si puna ime dhe i blenë që të gjitha librat, me 10 dollarë secilën, la mendjen e që atëherë nisi të më shohë më ndryshe! E, jo vetëm kaq, por bëri të pamundurën që unë të kisha edhe studion time mbi tarracën e shtëpisë, që e blemë në Koropi, pas daljes sime në pension. ku binin menjëherë në sy vazot e shumta me lule, që i sistemoi Arëza me merakun e saj, përreth shtëpisë, në të dyja avllitë e në tarracë. Ishte meraku i saj pasioni për lulet, sikundër qe edhe i imi për librat!
Dhe do t’i vinte radha edhe fshatit, nga ku rifilloi jeta jonë, por edhe ky rrëfim paksa i gjatë, ku nuk e kishim një shtëpi tonën, kur venim aty tani vetë i katërt. Vetëm pas vitesh të tëra “lufte”, do të mundja të ngrija shtëpinë time në një pronë të hershme të tim eti, tek “Kroi i Gjine”, në të dalë të fshatit. E pikërisht, në të tilla raste Qirjako Çani, do t’i vinte atë nofkën “ARËZA”, që do të mbeste edhe si titull i këtij rrëfimi. Por ajo, Arëza, do të mbetej për ne, një grua e karakter i fortë, sikundër ishin dikur: gjyshi Babia-detari, i ati Cidhe që e pati jetën fare të shkurtër, si dhe e ëma nga Kudhësi, Vergjinia. Por që mua më mbështeti jetën, kur e mendoja se nuk do ta kisha më. E rreptë kur e donte puna dhe e këndshme kur i afrohej humorit. Impulsive. Që lëvizte edhe kur fliste.Që do të çlirohej vetë edhe po ta lidhje. Energjike, aq sa s’mund të rrinte pa punë e pa bërë asgjë… E unë do të isha i bindur se, po t’i lidhje duart, mund edhe të pëlciste! Që po ta ngacmoje, duhej të prisje edhe përgjigjen e hidhur! Por që e ndizte zjarrin edhe në mes të detit, si qe i bindur im atë, kur ma rekomandoi që ta bëja shoqe jete! Për më saktë, shfletova edhe Fjalorin leksikologjik ku thuhej se Arëza, nuk ishte gjë tjetër veçse një insekt që pickon, pra një fluturake që po e ngacmove, të pickon, aq sa mundet të të krijojë edhe plagë e të të lërë edhe pa gjumë. Saktë. Unë tani e di këtë gjë. Më kanë mjaftuar 36 vite jetë!
Më kujtohet,-ta marrë e mira ta marrë se, kur dolëm së vizituari pallatin e pazakontë në trajtë kështjelle të lartë, që e bëri për t’ia dhuruar së dashurës, Konti Henry Pellatti, në Toronto të Kanadasë, me më shume se njëqindë dhoma, mjedise shlodhese e sallone maramendëse, i thashë këto fjalë edhe unë Arëzës: “Nuk të bëra dot një pallat, po vetëm një strehë, midis ullinjve të fshatit tim, karshi detit, me ca portokalla, mandarina e limona përreth… E të më falësh që ta rikujtojë:- pas asaj kthine “çmëndurie” të përbashkët me kolonelin e burgosur e të asaj barange “me rrota” poshtë… Po ama, të gjitha këto, sa i bera, për tya do të jenë… E, kur “do ikij” do të më kujtosh, se edhe une diç bëra per ty… “Ku do ikësh ti?!”,- tha ajo e prekur… “Ja,-e drodha unë , që do ikm edhe nga Torontua, pasi të takohem edhe nesër me Farukun”. “Me kë Faruk? ,-pyeti ajo e habitur, me atë Shqiptarin e Egjiptit që u bë Mbret”?! “Jo, thashë unë, me ate të Minierës së Selenicës, që nuk është më pak “MBRET” se ai i Egjyptit”… “Po perse?”,-do të thuash ti… Se dinte te krrente prej andej, jo vetem bitum po edhe libra.. Po shyqyr që nuk më dëgjoi mirë e iku më tutje…
Tashmë ne ishim ne Piqeras dhe ajo shikonte shtëpinë tonë që doli në dritë, karshi detit, E, sipas zakonit, porositëm një kec, e therëm dhe e poqëm. Se, më në fund, njeriu që kishte ikur nga fshati i tij në moshën 10-vjeçare (që isha vet unë!) dhe koha e mëtejshme e jetës i qe ndarë nëpër konvikte, papafingo, bodrume, internime, qelira burgu, vagonë të braktisur trenash të vjetër e këmbë urash, barangash e “shtëpish mbi rrota”, në dhé të largët, do të kishte edhe strehën e tij tashmë, në vëndin e lindjes së tij…. Kishin kaluar 36 vite me këtë njeri në krah. Vërtetë që njërën këmbë e kishim në Athinë, por tjetrën këtu e kishim. Edhe shpirtin… Unë me Arëzën ishim tashmë qytetarë të BOTËS. Por ama e dimë fare mirë, që guri këtu rëndon më shumë, si edhe mali që nuk shkulet e nuk lëviz, ashtu si edhe malli që nuk tretet kurrë! Edhe si pika e lotit që nuk thahet lehtë.
Kur vajtëm të “varrezat e Shtodhërit”, mbanim nëpër duart tona tre tufa me lule të freskëta… Të parën e vendosëm që në shkallën e parë, ku ishte shpirti i kunatit tim të mirë, Qirjako Çanit, që s’kishte shumë që kishte ikur, buqetën e dytë do ta linim tek varroshi i përbashkët i gjyshërve të saj, Babes, Lenës e Lazre e të Aristidhit, që iku 50-vjeçar, ndërsa të tretën, tek prindërit e mi të urtë. E, kur putha fotografinë e tyre prej porcelani, do të shihja një qiparis përbri varroshit, që sapo kishte mbirë e hedhur shtat një metër.
– Pa më dëgjo Arëza ime, – i them. – Atë qiparisin e njomë dua ta kem mbi kokë kur të më sjellësh këtu.
Ajo u përmend! U rrëqeth e tëra. Iu drodh qiriri në duar… Tashmë e kishte ndezur qiririn në çastin që përsëri ia shoi era e detit dhe m’u afrua e u tulit në gjoksin tim.
– Nuk të lë unë që të më ikësh, dëgjove? – E mos të ta dëgjoj më këtë fjalë. Unë u rrita me ty dhe ti nuk u mplake kurrë me mua.
Mbetëm pa folur një copë herë, duke dëgjuar fëshfërimën e lehtë që vinte nga deti dhe përkulte majat e qiparisave përreth, nga ana e malit, por edhe të qiparisit të vogël që ia kisha vënë syrin!
(28 maj 2021, marrë me shkurtime nga libri im “NJË NATË E NDYRË”, viti 2021)
Please follow and like us: