Cikël poetik nga Lulzim Tafa
ATA MË THANË IK DHE UNË IKA
Kokën time të prerë
Në dorë ma dhanë
Dhe thanë
Ik!
Zorrët m’i nxorën
Dhe me to
M’i lidhën këmbët
Dhe thanë
Ik!
Mbusha xhepat
Me gjak
Valixhet me gjymtyrët
e mia dhe
IKA.
PAKETIMI I MËRZISË
S’ka faj Nana
Kur thotë
Hiqu andrrave se
T’i lujnë mentë prej kresë
Gjithë natën mbramë
Paketuam mërzi
Në do thasë najloni
E hamajtë e zi i ngarkonin ato
Në anije
Dhe më asgjë nuk di
Deri në mëngjes
Kur thanë
U idhtue Deti.
ETHET
Hartë e dhembjes
Shfaqur në buzë
Nëse mund ta lexosh
Rrugën nga do të shkosh
Ethet e forta
të ftohta
të zjarrmisë,
Ethe të gjalla
Ja ku më janë shfaqur
Por ti s’ke faj
që nuk mund ta lexosh
Artin absurd
të vijave në buzë.
VARJA
Haku
I hakut t‘gjakut
Gjaku
I ligshtë
Konopi
I Fortë
Laku.
Please follow and like us: