Albspirit

Media/News/Publishing

Dalip Greca: MIRË TË GJALLËVE, PO TË VDEKURVE, KUSH DO T’UA MBROJË DINJITETIN?

– Ngjarja që ndodhi me 18 Maj 2021-(kthimi nga Greqia i 108 trupave të zhvarrosur para 15 viteve, pasi AD në Greqi vërtetoi se ishin shqiptarë dhe jo grekë )- duhej ta kishte tronditë shoqërinë shqiptare, por atje çudia më e madhe nuk zgjat as 24 orë; gjithçka harrohet shpejt, madje dhe kur trazohen të vdekurit….

-Kush do t’i mbrojë të vdekurit në varrezat shqiptare? Po sikur grekëve t’u teket që të bëjnë zhvarrime në të gjithë varrezat e Jugut, veçanërisht më atë territor, që ata kanë 100 vjet që thërrasin se janë tokat helene?

NGA DALIP GRECA*

Në Shqipërinë tonë të drejtat e njeriut janë të nëpërkëmbura si në asnjë vend tjetër të rajonit: U merret jeta grave dhe vajzave të pambrojutura, trafikohen gra e fëmijë, bëhen përdhunime monstruoze nën kërcënimin e armëve, drogohen e përdhunohen; janë të kërcënuara jetët e fëmijëve, qytetarëve u mohohet e drejta e mbrojtjes nga që shteti është i korruptuar ose ortak me krimin, qytetarëve u mohohet e drejta votës dhe kjo konsiderohet e zakonshme, vota nuk është instrument demokratik, por ajo mund të shitet e blihet nga partia në pushtet etj. Vetëm po të analizosh statistikat e përdhunimit të femrave, të zë tmerri: Më shumë se gjysma e grave dhe vajzave të moshës 15-74 vjeç kanë përjetuar dhunë gjatë jetës së tyre.Janë më shumë se 100 gra të vdekura gjatë dy dekadave të fundit! Kjo ndodh vetëm në shtetin tone, në Shqipërinë tonë. Shkon gruaja të marrë urdhër mbrojtje në gjykatë dhe pikërisht aty ia marrin jetën me plumba!Po ku tjetër do të kërkojnë mbrojtje të gjorat gra të pambrojtura, o shtet koti?
Reagimi i qeveritarëve mbetet anemik, shoqëria civile punon me fushata dhe është e pafuqishme përballë dhunës. Media bën sa mundet, por efekti është i pakët. Reagim i vonuar: u desh që të denonconte e mitura 15-vjeçare nga Mirdita, e cila pasi është droguar, nën kërcënimin e armëve është përdhunuar nga pesë meshkuj, ndër ta dhe një 40-vjeçar, që shoqëria civile të dilte në protestë.
Turp dhe dhimbje!
U bë një fushatë e zhurmshme elektorale për zgjedhjet e 25 prillit,por askush nuk u kujtua për të drejtat e femrave dhe të qytetarëve të pambrojtur shqiptarë! Papërgjegjshmëria e klasës politike e ka zgjatur në pafundësi tranzicionin që i merr frymën shoqërisë së pambrojtur dhe nëpërkëmb të drejtat e qytetarëve. Shtetarëve e politikanëve u vjen pas oreksit trazicioni i zgjatur sepse ashtu vjedhin më shumë dhe nuk ndëshkohen as ata vetë.
Se mos janë vetëm të gjallët që u nëpërkëmben dhe nuk u mbrohen të drejtat, në Shqipërinë tonë edhe të vdekurëve u shkelen të drejtat. Prandaj pyes: Mirë të gjallëve, po të vdekurëve kush do t’ua mbrojë dinjitetin dhe të drejtat e mostrazimit ndër varre?
Ngjarja që ndodhi me 18 Maj 2021 duhej ta kishte tronditë shoqërinë shqiptare, por atje asgjë nuk ndodh, çudia më e madhe nuk zgjat as 24 orë; gjithçka harrohet shpejt sepse kështu u intereson shtetarëve e politikanëve. Politika sajon ngjarje të ditës për të larguar vëmendjen e qytetarëve nga ngjarjet qensishme që kërkojnë reagim. Madje merren edhe me poturet e atletet e bardha nën kostumin e zi të kryeministrit tone të shumë pushtetshëm. Ngjarja që po i referohemi ka të bëjë me kthimin nga Greqia në Shqipëri, pas 15 vitesh, që kur u zhvarrosën (2006)- të 108 trupave shqiptarësh, ndër ta edhe fëmijë, e gra. U zhvarrosën si ushtarë grekë, por u kthyen sërish si civilë shqiptarë sepse analizat e AND-së në Greqi rezultuan se nuk ishin ushtarë helenë, por shqiptarë, banorë të zonës, vdekur ndër vite. Eshtrat e tyre akuzojnë qeveritarët që nuk ditën t’i mbrojnë as brenda varreve.
Kur ngjarja ndodhi 15 vite të shkuara në fshatin Kosinë të Përmetit, banorët e fshatit dhe opinion publiki thirri me zë të lartë se aty nuk ishin bërë luftime gjatë luftës Italo-Greke dhe se varret u përkisnin shqiptarëve. Grekët nuk dëgjonin nga ai vesh, por dhe qeveritarët tanë që kishin nënshkruar marrëveshjet e ndërsjellta, u bënë memecë, të pazëshëm.N jë prift i marrosur, nga ata të konvertuarit nga feja tjetër, ish furrtar në kooperativat e Enverit, i ishin errur sytë nga parat e premtuara dhe ngritja në hierarkinë kishtare; edhe kjo e premtuar.
Banorët, në ditën e rivarrimit heshtnin se nuk dinin kujt t’i drejtoheshin për mbrojtje. Shteti i tyre i kishte lënë në baltë, nuk ua kishte mbrojtur të vdekurit, ndërsa prifti mashtrus, nuk ndjehej. Ditën e rivarrimit, pamë në ekranet e televizioneve dhe në vidiot e hedhura në rrjetet sociale, banorë që akuzonin: “Ne nuk kemi qenë dakord për zhvarrimet, por nuk na ka pyetur askush, ai prifti na ka mashtruar. Punëtorët, në atë kohë gërmonin varret dhe i çonin deri tek pllakat, prifti nuk i lejonte verifikimet e fshatarëve… Ato kanë qenë eshtra të banorëve të fshatit, nuk ka pasur asnjë ushtar grek, lufta italo-greke nuk është bërë në fshatin tonë”…
Po përse e lejove këtë mënxyrë, o shteti ynë? Mirë të gjallët se nuk u del dot për zot se ke aleancë me krimin, po na mbro së paku të vdekurit të prehen nën dhe’!
Në ditën e rivarrimit, ngjarja u mbajt larg syve të opinionit publik dhe medias, por aty nuk munguan përfaqësues nga Ministria e Pushtetit lokal, nga Ministria e Mbrojtjes, nga Prefektura dhe Bashkia Gjirokastër, nuk mungoi as konsulli grek!
Po, a u kërkoi kush të falur të vdekurëve? Po banorëve të Kosinës, a nuk u takonte një ndjesë publike për të dashurit e tyre të vdekur? Konsulli grek jo se jo, por as pushtetarët shqiparë, JO, nuk u ndjenë!
Ne pyesim: Po kush do t’i mbrojë të vdekurit në varrezat shqiptare? Po sikur grekëve t’u teket që të bëjnë zhvarrime në të gjithë varrezat e Jugut, veçanërisht më atë territor, që ata kanë 100 vjet që thërrasin se janë tokat e tyre Vorioepirote? Askush nuk i ndalon, shteti shqiptar- jo! Ata po përpiqen që ta mbushin me varreza greke Jugun e Shqipërisë, duke pretenduar më pas se në një tokë ku ka të varrosur helenë, ajo është pjesë e Greqisë!
Reago, o shtet pa gjak i shqiptarëve!
Media e Tiranës njofton se sipas burimeve zyrtare, trupat quhen ende të paidentifikuar. Tashmë duhet bërë ADN nga vetë banorët për identifikimin e tyre. E gjithë kjo praktikë u krye në kuadër të marrëveshjes dypalëshe Shqipëri- Greqi për kërkimin e eshtrave të ushtarëve grekë…
Nuk e dimë nëse u mbajt ndonjë meshë për shpirtrat e trazuar të të vdekurve shqiptarë, që i zhvarrosin dhe i rivarrosin sa herë t’u teket qeveritarëve të Tiranës dhe Athinës?
Mbrojë, o Zot, shqiptarët se nuk ka kush i mbron!
MAJ 2021
Please follow and like us: