Von der Leyen: KE do të avokojë për liberalizimin e vizave për Kosovën
Prishtinë, 2 qershor 2021 – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka dërguar një letër urimi Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Në letër, Von der Leyen ka thënë se Komisioni Evropian do të avokojë që Bashkimi Evropian të marrë vendim pozitiv për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.
“Znj. Von der Leyen në letër, më tej ka shkruar se perspektiva kredibile e BE-së për Ballkanin Perëndimor mbetet prioritet i Komisionit Evropian, duke potencuar edhe pritshmëritë për një bashkëpunim në thellimin e marrëdhënieve me BE-në. Ajo po ashtu theksoi rëndësinë e reformave dhe procesit të dialogut.
Tutje, znj. Von der Leyen, e ka potencuar rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke e konfirmuar angazhimin e Komisionit Evropian për avokim në drejtim të marrjes së një vendimi pozitiv nga ana e BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes së Kosovës.