Albspirit

Media/News/Publishing

Fadil Sahiti: PUSHTETI, A MUND TË ZBUTET? (4)

Në teatrin e pushtetit të Bertrand Russell – akti i katërt dhe i fundit!
IV. PUSHTETI, A MUND TË ZBUTET?
Problemi i zbutjes së pushtetit është i lashtë sa vetë njerëzimi. Taoistët thonin se është e kot të besohet se pushteti mund të zbutet. Duhet të mësohemi të jetojmë pa pushtet, në një lloj anarkie, të jetojmë thjeshtë, në ekuilibër dhe në harmoni me natyrën. Konfuçianët nga ana tjetër besonin se pushteti mund të zbutet vetwm nëse pushtetarët marrin edukim etik dhe qeveritar dhe kjo i bën ata disi më të urtë, më të moderuar. Edhe helenët e vjetër kishin provuar egërsinë e pushtetit – oligarkinë dhe tiraninë (tridhjetë tiranët). Kur zbuluan demokracinë, shpresonin se do kontrollojnë abuzimet e pushtetit. Por, demokracia e mposhtte vazhdimisht veten duke rënë viktimë e popullaritetit të përkohshëm të pushtetarëve demagogë.
Por, a mund të zbutet pushteti? B. Russell thoshte po, por duhet të plotësohen katër kushte: të kemi demokraci politike, kushte të përshtatshme ekonomike, kontroll të propagandës dhe arsimim adekuat.
Demokracia politike ndihmon, por nuk është kushti i vetëm dhe nuk ofron një zgjidhje të plotë për zbutjen e pushtetit. Britania e Madhe gjatë periudhës 1885 – 1922 ka pasur demokraci politike, por ka shtypur dhe persekutuar popullin irlandez. Kështu, pushtetet demokratike të bazuara në shumicë mund të ushtrojnë tirani brutale mbi një pakicë, qoftë politike, etnike apo fetare. Ndërkohë, ruajtja e sigurt e pakicave dihet se është një pjesë thelbësore e një demokracie. Dishepulli i Russell, Karl Popper, këmbëngul se demokracia është i vetmi sistem politik që mund të zbusë pushtetin. Kjo ndodh kur pushtetet ndryshohen përmes votimit të lirë; pwrmes një kornize ligjore që mundëson reformimin e institucioneve shtetërore; ose duke i dhënë individit një ndjenjë të pjesëmarrjes më efektive në ushtrimin e pushtetit politik.
Përveç demokracisë politike, kushtet ekonomike ndihmojnë gjithashtu në zbutjen e pushtetit. Marksi madje besonte se pushteti ekonomik është thelbi, që ka primat mbi fuqinë politike që është vetëm forma, ose superstruktura e pushtetit. Barazia ekonomike është një kusht i barazisë politike, thoshte ai. Karl Popper pajtohej me Marksin se pushteti ekonomik mund të jetë po aq brutal dhe persekutues sa ai politik, por që të dy mund të zbuten përmes kushtetutës dhe ligjeve. Qeveria mund dhe duhet të mbrojë ata që janë ekonomikisht më të dobët.
Kushti i tretë për zbutjen e pushtetit është kontrolli i propagandës. Nuk është e pazakontë që qeveritë përmes mediave publike dhe propagandës shurdhuese të përpiqen të minimizojnë brutalitetin e pushtetit. Russell besonte në të drejtën e individit për të mos u pajtuar me pushtetin, dhe ai madje mbrojti krijimin e mediave publike ku individi afishon ankesa kundër qeverisë, duke fajësuar publikisht zyrtarë që tejkalojnë ose abuzojnë me pushtetin. Ai besonte në ekzistencën e mediave publike, të tilla si BBC, e cila mundëson debatin e një game të gjerë pikëpamjesh për çështje të ndryshme politike.
Zbutja e fuqisë varet posaçërisht nga cilësia dhe qëllimet e sistemit arsimor. Kur një shoqëri pushtohet nga ndjenja negative si frika, zemërimi, ngazëllimi i dhunshëm kolektiv, mundësia që masat të ndjekin verbërisht një autokrat apo tiran është e madhe. Në këto shoqëri zakonisht mbizotëron fryma e dogmatizmit të egër, ku mendimi ndryshe provokon konflikt dhe dhunë.
Që demokracia të ketë sukses, sistemi arsimor duhet të krijojë dy cilësi njerëzore, të cilat në shikim të parë duken kontradiktore me njëra-tjetrën. Së pari, njerëzit duhet të arsimohen që të kenë vetëbesim dhe gatishmëri për të luftuar për bindjet e tyre; dhe së dyti, ata duhet të jenë të gatshëm t’i nënshtrohen vendimit të shumicës kur bien ndesh me bindjet e tyre. Shpesh të dyja këto cilësi dështojnë ndërsa njerëzit i nënshtrohen diktatit të një autokrati; ose secila palë mund të jetë shumë e ‘vetëvendosur’ dhe kombi mund të bie në anarki.
Përveç kësaj, sistemi arsimor duhet të ketë aftësinë për të zbutur ndjenjat negative të tilla si urrejtja, destruktiviteti, frika ose nënshtrimi. Shkollat nuk duhet të edukojnë njerëz të nënshtruar, pa bindje personale, sepse kjo i bën ata ose skllevër ose rebelë. Duhet të bëhen përpjekje për të formuar njerëz me një mendim qytetar, të cilët kanë përgjegjësi për shtetin dhe shoqërinë. Kjo mendësi është e ngjashme me mendësinë shkencore të kërkuar në jetën intelektuale – një mendim që shkon midis skepticizmit dhe dogmatizmit ’, i cili e di se e vërteta nuk është as plotësisht e arritshme dhe as plotësisht e paarritshme; është e arritshme në një shkallë të caktuar, dhe vetëm me vështirësi.
Mentaliteti autokratik funksionon ndryshe; dëshiron të fusë dogmën e vet te ‘myhibët’, veçanërisht te rinia; dëshiron që mbështetësit të mos kenë aftësinë të mendojnë vetë. Ata përsërisin dogmën e tyre aq shpesh duke shpresuar se ‘myhibwt’ nuk do të mund të shpëtojnë kurrë më nga efekti i tyre hipnotik, histeria masive dhe sugjestionimi.
Si përfundim, pavarësisht nga brutaliteti, egërsia, butësia apo gjentilesa e pushtetit, duhet të jemi të vetëdijshëm se fati i jetës sonë nuk përcaktohet vetëm nga pushteti. Jemi ne ata që mund të bëjmë diçka për të hequr qafe vuajtjet e shmangshme, të lirohemi nga veset dhe shëmtitë e panevojshme të jetës. Mbi të gjitha, duhet të bindemi se i vetmi fat që kemi si qenie njerëzore është ai i bartjes së kryqit mbi supet tona.
Please follow and like us: