Albspirit

Media/News/Publishing

Nexhat Halimi: Alba

 

Tregim

 

 

Qyqavica, në luftën atdhetare, qe një arenë e përgjakur. Luftëtarët e UÇK-së deri në frymën e fundit i mbrojtën nënat shtatzëna, plakat e lëna, pleqtë e mbetur dhe fëmijët e mitur. Luftëtarët trima sado të armatosur keq ia dolën ta mbrojnë malësorin e paepur e duarthatë. Shumë vetë u flijuan për lirinë. Në emër të tyre tashmë liria lind e ndrit në pemët, në udhët e dhiaret e bjeshkës së rëndë, në gjirin e së cilës u strehuan shumë atdhetarë, për t’i ikur ballafaqimit me armikun, i cili qe bërë gati t’i shfarosë të gjithë shqiptarët. Nuk ia doli ta arrijë një gjë të tillë, ndonëse u derdh gjithë ai gjak dhe shumë mbetën përgjithmonë në themelet e lirisë.

Liria arriti dhe tashmë ndrit mes ditësh të argjendta, në ecje të paepur të atyre që synojnë zgjimin e jetës, të shkollimit e të punës.

Ja, me ag çdo gjë zgjohet dhe ecë në horizontet e reja të jetës.

Me mëngjes Mira e Dea morën rrugë për në Qyqavicë. Të dilnim në ajër të pastër, të shëtisnin pa ngarkesë fshatit të Strovcit, me shtëpi të shpërndara dhe larg njëra tjetrës, me rrugica të ngjashme me dhiaret, me drurë të vjetër e të rinj, në të dy anët e zbritje-ngjitjes deri te maja e bjeshkës. Rrallë herë të takoheshin me ndonjë malësor dhe të ndaleshin pak në ndonjë bisedë me të. Gratë, vetëm i shikonin largësie nga oborret e shtëpive të tyre, me dritare të vogla. Ecnin të liruara nga ngarkesat e përditshme të jetës e të punë më qytet… Bisedonin për ndonjë fillim tregimi, apo për ndonjë përfundim rrëfimi, me hepiend. Të dyja merreshin ndopak me shkrime. Planifikojnë të botojnë dhe ndonjë libër. Për ujin, për gurin, për ndonjë qenush…  Natyrisht pa e harruar për asnjë çast  të shëtisnin pak e të pinin ujë të ftohtë te Kroi i Firës. Aty të drekonin në natyrë buzë rrjedhës së ujit, të mbuluar  të tërin me degëza lajthie, ndërsa  uji të ikte me sajna të vogla, prej burimit gurit e të ktheheshin prapë me mbrëmje në shtëpi, më të pasur për një peizazh, më të pasur për një përjetim, i cili ta zgjat jetën…

I mendoja të  shëtisnin dhe nga futeshin në perin magjik, i cili me lepujt, që e nxirrnin kokën aty-këtu, me fluturat e zogjtë në fluturim, e krijonin rrjedhën e jetës apo zgjatjen e jetës.

-Çfarë është ajo që të bën ta hetosh zgjatjen e jetës, – më ra ndër veshë një zë ndërsa e pija kafenë me hërpimë të thella. Asgjë nuk më trazonte. E përjetoja ditën në ballkonin tim të madh dhe shikoja anësh, mos do të hetoja zërin që më shfaqej herë herë e herë tjetër humbte. Natyrisht nuk lëvize asgjë. I bëja një hërpimë kafesë e mendja papritur më shpinte te deti, te valët e zgjuara në mëngjes, sado që deti dremiste i qetë. Në të njëjtën kohë m’u zgjua e më lëvizi përhitja e Lul’Albas. Kaq vjet më vonë e ndiqja të lëvizte hije para meje dhe valëve të detit. Ia ndiqte gjurmët Deas. Ky udhëtim në vete më bënte gjithnjë e më të lidhur me miqësinë e qenushit dhe të vogëlushes Dea. Kaq shumë qe i lidhur me Dean dhe Dea poashtu me të. Nuk lëviznin fare pa njëri tjetrin. Ajo kujdesej për të, a hëngër, a pini, a doli të kryente nevojën fiziologjike.  Apo – është koha të dalim në shëtitje unë dhe Lul’Alba, ta zgjojmë e ta zgjasim  jetën së bashku me të…

-Ja, pra, pse zgjohej e zgjatej jeta?

-Jeta me Lul’Albën qe tepër e bukur dhe shumë atraktive. Vërtetë me të zgjatej jeta! – kaloi ndër veshë prapë i njëjti zë dhe fluturoi. Kot shikova rreth, asgjë nuk hetova. Ndërkohë fundi qe e idhët. Ai ngeli te deti e ne duhej të niseshim për në shtëpi, pa asnjë mundësi, ta marrim Lul’Albën me vete. Kanë ikur disa vjet e Lul’Alba asnjëherë nuk është harruar.

-Çfarë ka ndodhur me të?

-Kanë ikur vjet e vjet nga ndarja me të dhe asnjëherë nuk dëgjuam për fatin e Lul’Albës. A është ende gjallë. Kush e ka marrë dhe sa kujdeset për të, – më binte ndër veshët një zë, të cilin sado të përpiqesha të kuptoja prej nga vinte nuk arrija. Pak-pak më mbylleshin sytë dhe brenda mendimit më shfaqej Lul’Alba nga vrapon buzë valësh të detit, pranë hijes së Deas që gjuante peshk.

Në tryezën e vogël me njërin sy e shikoja filxhanin e kafesë dhe rrugët që çeleshin nga mbetja e kafesë. Kush do t’ia dilte t’i lexonte ato rrugë në fundin e kafesë në filxhan. E hetoja vetëm qenushin nga nuk i ndahet Deas dhe retë e bardha në të përhirta nga përziheshin e krijohej një sipërfaqe e lëmuar e ditës. M’u mbyllën sytë. I dëgjoja valët e detit dhe vrapimin e Lul’Albas nëpër gjurmët e Deas.

Ajo dhe qenushi prisnin me shqetësim ta kapnin ndonjë peshk.

Ndërkohë e dëgjova derën e oborrit të hapej e të mbyllej me rrëmbim.

Pranë verandës, tek bëja gjumë, më përftoj një hije. Kush qe, vallë? Prapë më bëri për vete gjumi. Ecja mes yjesh e buzëqeshja. Qenushi me hijen e Deas vraponi nga ylli te ylli tjetër, të arrinin. Cakun nuk ua mësoja, i ndiqja të bashkohesha me të dytë. Kot. Sapo i arrija, prapë më iknin vetëtimthi. Ngelja fillikat vetëm mes yjesh që ndrisnin ndër kope delesh e qengjash, të pandërprerë blegëronin dhe iknin e vinin të takoheshin mes tyre

Ndërkohë, prapë e dëgjova derën e oborrit të hapej e të mbyllej me rrëmbim.

-Çfarë po ngjet, vallë?

-Babi, o babi. Babi eja dhe shikon çfarë ka ngjarë.

Brofa nga gjumi i hutuar. I fërkova sytë. Para vetes e vërejta me qenushin në dorë nga qeshet Dea. E mbante qenushin për këmbësh në dorë dhe qeshte.

– Alba, – i tha. – Ky është babai im!

-Kush është ky? – i fërkova prapë sytë.

– Nuk po e njeh, babi, – ndërhyri Dea prapë e buzëqeshur dhe i ofroi këmbët e qenushit. – Shikoi dhe kujtoje gjahtarin çfarë thoshte…

-Ky s’është Lul’Alba?

-Ndoshta një pasardhës i tij, identik! – fola unë me gjithë dilemën që e kisha. Si mund qenushi kaq vite më vonë të jetë i njëjti, krejt i ngjashëm me atë paraprak.

-Paramendoje Lul’Albën, siç do ta ketë përshkruar gjahtari, i cili u gjet aty rastësisht…

Ky qenush është i humbur…Nuk e kërkon askush. Nuk është i askujt…Ky është një qenë i racës së përzier. Ja, shikoja shputat, shikoja kokën… Sytë më pastaj, veshët, siç duket është mjaft inteligjent,- e shprehu mendimin gjahtari.

-Ja, – e përsërita, – është qenush i së njëjtës racë. Shikoja shputat çfarë i ka. Shikoja veshët, lëvizjet e njëjta!

I fërkova prapë sytë. Nuk besoja në diçka të tillë, ama as nuk mund ta demantoja gjithë atë që e vëreja. Mendjes më iknin shumë vetëtima të çuditshme, të cilat i ndërpreu Dea.

-Ky nuk mund të jetë Lul’Alba, veç është Alba, – tha dhe e lëshoi qenushin para këmbëve. Ai u ul në fund të këmbëve të prapme, me dy këmbët e para të ngrehur me krenari dhe kokën e njëjtë të mbajtur me mburrje dhe me bishtin nga e lëvizte pandërprerë.

-I njëjti qenush, pa dilemë.

Ja, shikoja shputat e njëjta. Shikoja nofullat, veshët dhe sytë, të cilët i derdhin vrushkuj lotësh pandërprerë. E ka marrë malli për ata që i do dhe e duan. Dea vërsulet nga ik ai e prapë vjen. E thërret me afsh: Alba, Alba, Alba…

 

 

 

Please follow and like us: