LAMTUMIRË PIRRO MANI- IKU MJESHTRI I MADH I REGJISURËS SHQIPTARE- SHKOI TE PUSHOJË “GJENERALI” I SKENËS-VATRA NGUSHELLON FAMILJEN
Sipas njoftimit të familjes sot në mëngjes, e Enjte 3 Qershor 2021, në shtëpinë e tij në Nju Jork, nën kujdesin e njerzëve të dashur të familjes, pushoi së rrahuri zemra e artistit të madh, e regjizorit më të shquar që ka nxjerrë Shqipëria, (Mjeshtër i Madh)Pirro Kosta Mani.
Federata Panshqiptare e Amerikes”VATRA” dhe Gazeta Dielli i percjellin ngushëllimet më të sinqerta Familjes Mani! Pirro Mani ishte biri i vatranit, inxhinirit Kosta Mani,qe studio në Institutin e famshëm MIT të Bostonit, dhe qe shoqeroi Fan Nolin gjatë udhëtimit në Shqipëri. Ai nuk u kthye më në Amerikë por kontribuoi per ndertimin e Shqiperise. Ndërroi jetë në kampin nazist-Mathauzen.
Regjisori i madh shqiptar Pirro Mani, ikona e teatrit shqiptar, ndërroi jetë sot në moshën 89-vjeçare. Lajmi u bë i ditur nga Teatri Kombëtar i cili i shpreh ngushëllimet familjes dhe të afërmve. Pirro Mani lindi në 14 prill të vitit 1932 në Korçë. Ai është një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar. Regjisor dhe pedagog i shkëlqyer, për 25 vjet punoi në Teatrin Kombëtar. Studioi në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Pas kthimit në atdhe u emërua regjisor i Teatrit “A. Z. Çajupi”, Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për rreth tetë vjet. Që nga 1967 – 1992 ka qenë regjisor i Teatrit kombëtar, ku ka vënë me dhjetëra pjesë teatrale. Në karrierën e tij artistike numëron mbi 80 shfaqje. Është nderuar me shumë çmime. Është mjeshtër i regjisë e skenave masive, njohës i thellë i mizanskenës. Shfaqjet kulminante janë “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12 -të”, “Prometeu”, etj. Regjisori Mani është angazhuar edhe në disa filma artistikë. Ka fituar shumë çmime dhe është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Prej disa vjetësh jetonte në Nju Jork, SHBA, së bashku me të shoqen, aktoren e mirënjohur Pavlina Mani dhe familjen.
Please follow and like us: