Albspirit

Media/News/Publishing

Bledar Koçi: UDHA E VJETËR

M’a lini ashtu atë udhë.
Virgjërisë së saj mbetën përjetshëm gjurmët e mia.
Aty kam parë xixëllonja të zjarrta prej yjsh ëndërrimtarë,
dhe diej që rropateshin tek ngjiteshin të përpjetës së gurtë.
Ashtu m’a lini!…
Ja, te ajo kthesë gjarpërúshe shoh gjyshin që më ngroh duart me frymë, thëllimeve t’acarta. Ca degëza, varur më tutje, diç flasin e qeshin çuditshëm.
Ç’kujtime…
E ndërsa rritesha, ajo zvogëlohej e zvogëlohej syve të mi si një bukuri e vrazhdë ku lidheshin fijëzat e shpirtit.
Një mall ka një rrudhë…
Ndaj m’a lini. M’a lini ashtu atë udhë!
Please follow and like us: