Albspirit

Media/News/Publishing

Çapajev Zëra: Lamtumirë, Skënder Muho!

Evidentimi i vlerave është detyrë qytetare.

Para pak ditësh u nda nga jeta Z. Skënder Muho, një qytetar model, një mësues i dashur dhe një njeri me virtytin e mirësisë. Për ta njohur më mirë Skënderin duhet vendosur në serinë e figurave të nderuara të arsimit si Lame Xhama, Fejzo Mehmeti, Femi Qelepiri, Vasil Partali, Agim Xhiku, Xhorxhi Vasili, Apostol Nika etj. Përmasa e titullit të mësuesit ju rri pak si ngushtë, këta meritojnë emrin e edukatorit. Këta dhe Skënderi mes tyre janë edukatorë të shumë brezave qytetare që brumosën shpitrat dhe mendjet e tyre me cilësitë më të denja për njeriun. Metoda e tyre ishte fjala, shembulli personal dhe humanizmi. Ata ishin njerëz të dijes dhe njëkohësisht autoritete morale, protagonistë realë të jetës qytetare. Roli i tyre për brezat është pasqyrimi i shkallës së emancipimit dhe krijimit të komunitetit në qytetin tonë heterogjen. Ata ishin njerëz të përgjegjshëm dhe si të tillë ishin dinjitozë dhe pikërisht kjo cilësi si themel i personalitetit i bënte ata figura me vlerë në qytet. Pra Skënderi është pjesë e kësaj elite që i kushtuan jetën e tyre me vokacion e modesti edukimit të brezave. Çdo shoqëri ka një hierarki vlerash që është dhe krenaria dhe shëmbëlltyra cilësore e saj ose modeli dhe duhet të ruhet në memorjen e qytetit si shembull sidomos për mësuesit, edhe si nderim e mirënjohje e vlerësim për punën e tyre si bazë e trashëgimisë së vlerave. Me pak fjalë, ata ishin ndërgjegja e kohës së tyre në çështjen më fisnike të edukimit të njeriut. Parë në këtë rrafsh figura e Skënder Muhos del në pah si një njeri me kuturë i thjeshtë dhe i vetëdijshëm për rolin fisnik në shoqëri. Humbja e njerëzve të tillë si Skënderi shkaktojnë keqardhje jo vetëm si humbje jete njerëzore, por edhe si vlera të papërsëritshme dhe deri diku të tillë njerëz prishin dhe raportin midis të mirës dhe po përdor një eufemizëm, të kundërtës së saj në shoqëri.

Please follow and like us: