Albspirit

Media/News/Publishing

Ylli Asllani: Kryqi i Kishës së lashtë të Labovës

Rreth 30 km në lindje të Gjirokastrës, pasi lë pas dhe Libohovën, në të djathtë të rrugës në një kodrinë shtrihet Labova me Kishën e saj të famshme që mban emrin Shën Marisë!

Me një moshë më shumë se 15 shekullore, Kisha e Labovës së Kryqit vlerësohet si një prej monumenteve më të rralla historike, fetare e kulturore të Shqipërisë.

Ajo njihet si një prej 40 kishave të para, të ndërtuara në gjithë botën. Ndodhet në fshatin Labovë e Kryqit, në rrethin e Gjirokastrës, i vendosur në shpatin verior të malit të Buretos, mbi lumin e Suhës që është një degë e lumit Drino, në të djathtë të qytetit të vogël të Libohovës.

Nga periudha bizantine deri më sot quhet Labova e Kryqit dhe emri lidhet me kryqin e kishës në fjalë. Historia e Kryqit të Laboves zë fill në vitin 326 Pas Krishtit. Shën Elena, nëna e Kostandinit të Madh të Bizantit, gjeti në Jeruzalem kryqin ku ishte kryqëzuar Krishti. Ky kryq u nda në dy pjesë, një pjesë mbeti në Jeruzalem dhe pjesa tjetër u dërgua në Konstandinopojë. Disa copa druri nga ky kryq u shpërndanë. Një prej tyre mendohet se gjendej në kryqin e kishës së Labovës.

Një nga studiuesit shqiptarë që pjesën më të madhe të jetës së tij ia kushtoi Kishës së Labovës së Kryqit, Gazmend Muka (1964-2012), ka shkruar se ky kryq u soll në Labovë në prill të vitit 559 nga Kostandin Shpatari.

Mukaj shkruan se brenda kryqit ndodhej një kuti druri e punuar hollë. Brenda kësaj kutie të vogël konservohej një copë druri rreth 152 gram.

Llogjika të thotë se Kostandini, duke qenë shpatar i Perandorit Justinian si njeri me influencë, ashklën për Kryqin e Kishës së fshatit të tij duhet ta ketë marrë nga Kryqi origjinal që gjeti Elena.

Për banorët e fshatit Labove dhe fshatrave përreth, ky kryq për 1430 vjet ka qenë kryq i mrekullive, çudibërës dhe qetësues.

Kur në vitin 1967 u shkatërruan të gjitha kultet fetare, ky kryq u fsheh dhe u ruajt. Ai u vodh në vitin 1989 dhe asnjëherë nuk u gjet, pavarësisht kërkimeve private nga banorët apo apeleve të shumta për rikthimin e tij në kishën e Shën Mërisë në fshatin Labovë e Kryqit.

Megjithëse për këtë ngjarje u gjykuan dhe u dënuan tre persona asnjëherë nuk u mor vesh se ku përfundoi ai.

*Autori ka qenë Kryetar i Bashkisë Gjirokastër 1996-2000.

Please follow and like us: