Albspirit

Media/News/Publishing

Rexhep Shahu: NESËR DUA TË FLAS ME TY

Dua të flas pafund me ty
me veten në ty
të të them njëmijë fjalë, njëmijë herë të dua
të flas për zogjtë, për yjet, për sytë e tu
për frikat e mia, ëndrrat, dallditë
për mallin që më merr për ty
për luftën që bëjmë me dalë nga varri
si e tërheqin njerzit njëri – tjetrin në gropë
e s’e lënë të dalë
të flas për dorën që më zgjate e më ngrite
për dritën e syve që ma lëshove në fytyrë
të të falenderoj që je
e që më bën të kem mall për ty.
Nganjëherë dua të hesht,
të vdes, të mos dëgjoj zhurmat që më çmendin
të dëgjoj frymëmarrjen tënde
të harrohem duke të parë ty
të mos më thuash, ik tani, akoma nuk ike
të humbas në sytë e tu
të mbështillem me qeshjen tënde.
Nuk dua të vdes, ende nuk dua të vdes
se nuk mundem as dua të rri pa ty
nuk dua të më shohë askush
askujt s’dua t’ia vras sytë
dua të jem send që veç ti e di se jam unë
dua të jem stilolaps p.sh. që ti e mban në dorë
dhe vizaton me të ëndrra
dua të jem një libër që nuk e lexon askush
libër i mërzitshëm që s’i hyn kujt në punë
qoftë edhe gjemb në trëndafil dua të jem
të ta shpoj gishtin e ti të zemërohesh
e të mos kesh ç’të më bësh.
Nesër dua të flas me veten në ty
dhe nuk dua të vdes.
Please follow and like us: