Albspirit

Media/News/Publishing

Mehmetali Rexhepi: VEÇANTIA E POEZISË SË BEQIR MUSLIUT

11 qershor 1945- 24 qershor 1996)

 

VËLLIMET POETIKE DHE TRASHËGIMIA ARTISTKE E BEQIR MUSLIUT

Padyshim në letrat e shkrimit artistik të shqipes,  që nga gjysma e dytë e viteve gjashtëdhjetë dhe në të gjallë të Tij, deri më 24 qershor 1996, Beqir Musliu paraqet dukuri prej një shkrimtari të veçantë. Pohimi ngërthen një mori përbërësish, një shumësi elementesh të përthithura nga urtia e njerëzimit, që nga antika deri tek moderniteti  dhe veçantia e dhuntisë për kapje fijesh të holla të faktonit dhe fiksonit shkrimor. Pohimin e këtillë e përtrollitin vëllimet e poetit, të romancierit dhe dramaturgut, madje të publicistit e kritikut Beqir Musliu. Në këtë qasje, shënjuese të njëzetepesë vjetorit, ç’prej shkuarjes në amshim të shkrimtarit shumë degësh, për shkaqe përcaktuese më lejohet t’i nënvizoj vetëm publikimet e deritashme me poezi:

Rima e shqetësueme, poezi, Jeta e re, Prishtinë, 1965;

Lulëkuqet e gjakut, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1966;

Kurorë sonetesh, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1968;

Bukurija e zezë, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1968;

Sezamet, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1972;

Parabola, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1976;

Darka e magjisë, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1978;

Libri i anatemave, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1987…

Pas shuarjes së poetit Shtëpia botuese “Faik Konica”, në Prishtinë, më 2004, përkujdesur nga miq të autorit, i botoi në një vëllim të përbashkët në Shtatë Libra Anatema nga opusi Mbledhësit e Purpurit:

Metafizika e Sfidimit;

Mandragora;

Klepsidra e Magjisë;

Martirium;

Magna Karta;

Ekzodus;

Kodeksi i Argasit;

Skënderbeu…

Të gjitha këto vëllime poetike dhe të tjerë, mbetur në sirtarë dorëshkrimesh të Beqir Musliut, nuk e pasqyrojnë plotësinë e këtij potenciali shkrimesh artistike. Ana tjetër e kësaj plotësie janë romanet dhe dramat me pleksje poetike-dramatike; është teatrologia e veçantë e Beqir Musliut; janë edhe tetë romanet dhe një libër me tregime… Në opusin e publikuar të shkrimtarit Beqir Musliu kemi dymbëdhjetë drama të botuara, kryesisht brenda periudhës së viteve 1978-1990.

E tërë periudha e jetës vepruese të këtij shkrimtari, u shqua për zgjerimin e horizonteve të ngushta të shprehjes artistike, për shfaqjen e përmasave të papara të imagjinatës poetike, për lakimin e depërtimin e fjalës në vrima gjilpëre, që solli veshje të reja përmes mitesh e legjendash; duke e pasuruar pakrahasueshëm fushën metaforike e simbolike, për t`i lidhur me universin gjithë-kohor situatat e urtësisë e të absurdit njerëzor… Pothuajse e tërë poezia e Beqir Musliut pleks dendësi figurative, të shtrira si fije nervore, me prekje ndijimesh metaforike të zgjeruara në esenca kumtimesh  e kuptimesh, të cilat zëvendësojnë njëra-tjetrën me pamjet dhe përfytyrimet, që veniten dhe shkëlqejnë, mes tyre ngrihen koncepte e transformime konceptesh… Një zjarr i ndezur më parë, i shuar në hi, një hi “hiri i ndriçuar” kumton përsëri për një kuptim të shuar; vjen legjenda e  ri-kumtimit e “risemantizuar…” (R. Musliu).  Kësisoj funksionon universi poetik i poezisë së Beqir Musliut.

Në gjallje të shkrim-kërkimtarit, ende nuk e kishim nivelin e kompetencën e dijes e të përvojës së mjaftueshme, për ta kapur e zbërthyer poezinë e abstraksioneve dhe të konceptimeve teorike, metaforat e bi-semantikën, që sillte në poezinë shqipe Beqir Musliu. Daljet e para të vëllimeve poetike të Beqir Musliut, i tërhoqën disa nga kritikët tanë letrarë me formësime bindjesh e shijesh të ndryshme teorike-kritike. Profesor Hasan Mekuli nga më të hershmit, pas botimit të përmbledhjes poetike Rima të shqetësueme në edicionin e revistës të vetme letrare “Jeta e re”, më 1965,  drejtuar nga doajeni i letrave shqipe Esad Mekuli, në shkrimin e tij “Ngjyrat e fjalës dhe shqetësimet”, publikuar më 1966, vlerësoi, këshilloi, madje “gjykoi” e “drejtoi” “kahet”  poetike të poetit fare të ri, që kishte nisur të shpaloste botën e tij të shqetësuar poetike. Bota e poetit shfaqej mes dy censurave… Ndjeshmëria e vargut, pamjet e hirta, vizionet e poetit nuk mund të ishin me ngjyra të ndezura, mes shkëlqimesh të salloneve; të ngazëllyera çfarë i lypeshin prej social-realizmit e shovinizmit të ngërthyer brenda… Ngjizja e ndërdymes, atmosfera e ndrydhjes së identitetit, Poetit nuk i kishin lënë përzgjedhje për joshje ngjyrash. Njëri nga personazhet e tij në librin e parë Rima të shqetësueme, të poezisë “Tregime për Axhën Xhemkë”, e kishte nisur dhe ngrysur jetën vetëm me të hirtën e saj! Përderisa dielli praronte morinë e ngjyrave… Vallë, përse kështu?!… Poeti ngrehu mëdyshjet e Tija poetike të ekzistencës…

Në librin e dytë “Lulëkuqet e gjakut”, botuar më 1966, në vargun e Beqir Musliut shohim  qëmtime  shprehjesh me frymëmarrje e prirje më të pastër lirike… Poeti ende nuk ia kishte nënshtruar lirikës tij poetikën epike: mitet, legjendat, baladat, tragjiken, absurdin, ironinë, njerizimin, parabolat… Me një fjalë: përkatësinë drejtimit surrealist e post-modernist. Janë të rrallë poetët sikurse Beqir Musliu, që emërtimet, përkatësisht titujt e përmbledhjeve në vargje ose në prozë dhe në tekste dramatike të jenë aq sugjestionues, aq  përmbajtës të brendisë, aq të rrumbullakuar, aq përcaktues dhe aq unifikues tërësish! Vëllimi “Lulëkuqet e gjakut” bosht të konceptit e ka ngjyrën e kuqe: të kuqen e lules dhe të gjakut… E kuqja përshkon një qenësi të gjerë observimesh: gjallërinë dhe ngurtësinë, bukurinë e joshjes dhe të dhimbjes, magjiken dhe tragjiken, lëvizjen dhe shtangimin, ngjyrën e ndezur dhe të zezën. Sfondi i kësaj përmbledhjeje poetike mbështillet prej simbolikës kombëtare.

Pikërisht nga ky vëllim poeti kapërceu sprovën e zgjerimit të rrathëve koncentrikë në detin e valëve tjera poetike.

Për librat poetikë të Beqir Musliut do të shkruajnë kritikë e shkrimtarë, bashkëkohësit e Poetit; duke prekur secili në mënyrën e vet anë dhe anames këndvështrimesh të përgjithshme, por ende jo shteruese. Gjithsesi, ishin për t`u çmuar kontributet kritike-analitike për shkrimtarin Beqir Musliu të: Rexhep Qosjes, Ibrahim Rugovës, Ali Aliut, Sabri Hamitit, Teki Dervishit, Hysni Hoxhës, Sylejman Sylës, Rifat Ismajlit, Nebi Islamit, Ramadan Musliut, Mehmet Krajës, Faik Shkodrës dhe të tjerëve… Secili nga vlerësuesit mëtonte të ngjitej majave të thepisura të maleve poetike të Beqir Musliut… Akëcilët niseshin më parë të gjenin shtegun e vet më të përshtatshëm… Të gjitha anë-vështrimet  e përgjithësuara, të ngushta ose të zgjeruara mëtonin t`ia zbërthejnë, t`i vënë në pah veçantinë, diapazonin, erudicionin poetik-estetik-stilistik-filozofik, abstraksionet, hermetiken dhe gamën e përmasave me reflektime imagjinare të pakufishme. Thelbësorja e meta-poetikës e një tipologjie të këtillë artistike, nisjen dhe  fundin e ka në hi. Hiri është metafora ose kodi i lektisjeve, i manifestimeve të tërësishme të frymës e qenies…

 

 

 

QASJA E IBRAHIM RUGOVËS PËR POETIKËN E BEQIR MUSLIUT

 

Lexuesve të pasionuar, cilit më shumë a akëcilëve më pak, doemos iu shërbyen qasjet e studimet e përqendruara përkitazi poetikës, përkatësisht sistemit poetik-artistik të Beqir Musliut; qoftë përmes vëllimeve të veçuara, qoftë si pikëpamje të përgjithësuara tek Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova, Ali Aliu, Sabri Hamiti, Teki Dervishi, Nebi Islami (për diskurset dramatike), Agim Vinca, I. Stafaj, Adem Pajaziti, Ramadan Musliu, Besim Rexhaj… Ibrahim Rugova jo njëherë iu qas poezisë dhe poetikës së Beqir Musliut. Në librin e ribotuar nga Redaksia e Botimeve të Rilindjes “Bukuria e zezë”, më 1980, në pasthënie të këtij libri kemi studimin e përqendruar “Abstraksioni poetik”, që është njëri nga studimet me qasje analitike për kontekstin, për konceptin e metaforës “Bukuria e zezë.” Kritiku e studiuesi me urtinë e parametrave shkencor, Ibrahim Rugova zbërtheu, analizoi, sintetizoi dhe konstatoi me një rreptësi të qëndrueshme përbërësit tipikë të poetikës, poetikën e abstraksionit, kategoritë e kohës e të hapësirës në figuracionin metaforik, estetikën dhe lajtmotivin të mbështjell në boshtin e togfjalëshit “Bukuria e zezë.” E bukura dhe e zeza dy antipode përjashtuese të njëra-tjetrës, por të ngjizura në njëra-tjetrën… Pleksjet kësisoj hapin mundësi të shumanshme për ndërvarje jetësore dhe përsiatje estetike. Mirëpo, kritiku dhe esteti Rugova nxjerr përkufizimin “se në këtë poezi çështja e të bukurës ka më shumë vlerë etike se sa thjesht estetike dhe, fundja këto  janë të njësuara, funksionojnë së bashku me forcë e me ndikim të barasvlershëm.”[1]

Studimi tjetër i studiuesit me dije e profil kritik, nxënës i zellshëm i Roland Barthes-it, Ibrahim Rugova në harkun kohor të përfshirjes së vëllimeve, që nga i pari “Rima të shqetësueme”, “Lulëkuqet e gjakut”, “Bukurija e zezë”, “Kurorë sonetesh”, “Sezamet”, “Parabola”, “Libri i anatemave”; publikoi në Prishtinë, në prill të vitit 1986, studimin gjithëpërfshirës për poezinë e Beqir Musliut “Opusi poetik i Beqir Musliut.”

Megjithatë, sikurse do të shohim në librat vijues, Poeti tejkaloi harqet kohore, hapësinore dhe, sprovat e shkrimit tij evoluuan në shtrirje atëbotë të panjohura për kulturën e shkrimit shqip.

 

BEQIR MUSLIU DHE AMULLIA KULTURORE

 

Deri në kapërcyellin e viteve nëntëdhjetë, me ndonjë kapërcim, kishim qasjet e autorëve të sipërshënuar për krijimtarinë e deriatëhershme të Beqir Musliut. Pra, e kishim një trase të hapur për shtruarje dhe vijimin e mëtejmë për zbërthime edhe  më të shumanshme kritike-teorike. Në këtë periudhë në teorinë tonë të letërsisë ende zotëronte ndarja e prerë klasike e llojeve dhe gjinive poetike. Lënda që sillte, pas sprovave të mëvonshme, opusi poetik vëllimor, shumështresor dhe ndërtimet tej-gjinore në artin e shkrimit të Mjeshtrit tonë, duhej të shqyrtoheshin nga kompetenca të reja të dijes… Si shkak-pasojë e përballjes të etnisë për ngritjen e statusit shtet-ndërtues, si dhe përballja me gjenocidin dhe etnocidin serb, filologjia shqiptare  shtrëngohej të merrej me çështje ekzistenciale të mbijetesës. Shumëçka ishte djegur deri në rrënjë. Historia rikthente Absurdin dhe Feniksin e Beqir Musliut!… Beqir Musliu nuk do të dorëzohej si personalitet në kërkimet e Tija shkrim-strukturore… Ai do të interesohej për gjallërimin e jetës kulturore në Prishtinë e në Gjilan… Në publikimet aq sa ishin, aty ku kishte dorë Beqa, vendoste kriterin e vlerave. Ndonëse ishte periudhë amullie dhe pezullimesh, Ai nuk iu jepte vizë, nuk i nënshkruante dorëshkrimet pa vlera. Ishte i rreptë dhe pa-kompromise në pikëpamje të tilla; ndaj as blihej, as shitej; por kishte mjaft të tjerë që komprometuan vlerat dhe institucionin e redaktorit e të recensuesit! Ishte nisma e Tij për nxjerrjen e revistës për kulturë, art dhe letërsi “Agmia”… Ngjashëm me nismën e më hershme të “Plejadës”, më 1970-1971, revistë letrare-artistike për të rinj, të cilën pas gjashtë numrave të daljes saj mujore, në numrin e shtatë e pezulloi politika shtypëse e Federatës Sllave në jugun e trojeve Ilirike, në Dardani.

Beqir Musliu herë-herë shfaqej qortues e kritik në jetën tonë shoqërore për amullinë e dyfishtë, njëra: klima e ftohtë e shkaktuar prej okupatorit dhe, tjetra plogështia, brishtësia, hezitimet e fjalamania e pafrytshme, jovepruese për të ndërtuar institucione paralele dhe të pavarura kundruall pushtuesit.

Kapitull më vete janë shkrimet publicistike të Beqir Musliut. Ndoshta pikërisht publicistika, ndonëse nuk thuhet hapur, doli të jetë ajo frenuesja bezdisëse e pa-përsosmërisë të disa projekteve poetike  të  Art Mjeshtrit tonë?… Ndodhte kështu ngase Mjeshtri duhej të jetonte…

Beqir Musliu fare i ri do të prangosej së bashku me bashkëveprimtarin dhe poetin urtar Rexhep Elmazi, që të dy të përcaktuar për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare prirë nga Adem Demaçi… Dëshmohet për qëndrimin e Tij dinjitoz në Zyrat e Shtrëngatës…

Sidoqoftë, ai vdiq i ri në majën e zenitit Tij, në trininë e art-jetë-shkrimit…

Në karakterin e Poetit Beqir Musliu plekseshin urtësia,çiltërsia, njerëzorja dhe atdhedashuria. As njëra, as tjetra cilësi tek Ai nuk shfaqeshin si veti mburracakësh, si paraqitje fodulli me ikonografi folklorike. Ishte një det i heshtur idesh, por i trazohej modestia ndesh bëmave të gjysmakëve e demagogëve, që në mjedisin tonë përherë kanë vegjetuar sikurse hithrat ligatinave të pista!

Periudha pas shkuarjes të Beqir Musliut u kaplua nga gjëma e Luftës Çlirimtare dhe betejat karrieriste. Shtrirja si mendësi, edhe si ligjshmëri e demokracisë të tipit Euro-Perëndimor, në mjediset kur ende kishin mbetur  vezët e  çerdheve moniste, sheshoheshin kundërthëniet frenuese të vend-numërimit për funksionimin, përkatësisht mosfunksionimin e të gjitha hallkave të institucioneve të Republikës së gjakut! Kjo periudhë të gjitha izmave iu hapte udhë… Brishtësia e lëkundshme e një shteti, që sapo fillonte t`i merrte hapat fëmijëror drejt ngjitjes hierarkike, prodhonte situata të tendosura, kriza stereotipash komike… Shkëlqente demagogjia, zvetënoheshin idealizmat, trashej e majmej shtresimi i përfituesve në emër të asaj ose të kësaj “merite…”. Vërshimet në shumë fusha, veçmas në artin e shkrimit, në emër të lirisë së fjalës; publikimet diletante, nëpërkëmbnin kriteret themelore për peshën shkencore dhe artistike, duke imponuar kësisoj “standardin” e vet! Tashmë kishim hyrë në korniza të tautologjisë intelektuale dhe të diletantizmit e snobizmit artistik! Në dimrin tonë lulëzonin gradimet dhe titujt me qindra doktorantësh?! Në çdo lagje përuroheshin poetët e shkrimtarët! Harrohej se faktori i  gufimit të kërpudhave është afat-shkurtë. Diamanti sado në thellësi të tokës, kurdo që del mbi sipërfaqe shkëlqen me përbërësit e tij fisnikërues.

 

RIKTHIMI TEK POEZIA E BEQIR MUSLIUT

 

Artit të Beqir Musliut do t`i rikthehen penat jashtë censurave e klisheve ideologjike, pena të sinqerta; përderisa të pasinqertët me heshtjen e tyre, besuan se e mbuluan vetveten me kapakun e argjendtë. Çfarë do të thoshte kjo? A mos ishte një lajthitje e vetëdijshme? Në copën e qiellit tonë kurdoherë  vjen e ikën një klimë e tillë… Penë-shkrues të tjerë “elitarë” dhe jo elitarë, do të eksplorojnë universin imagjinar, përmasat e shtrirjes së ideve, të pamjeve drithëruese, të vizioneve, të veçantive stilistike, të metaforave të shtrira, të lojës me absurdin e paradokset, groteskun,  metamorfozat, kipcat, metafizikën e poetikës, ironinë e historisë, tragjiken, bashkë-dyzimet epike-lirike, estetikën dhe etikën, antiken dhe etniken, të përshpirtshmen dhe gnoseologjinë, onomastikën dhe topikën, figuracionin hermetik, lashtësinë e modernitetin, sindromën e paragjykimet, ëndrrat e fantazmat, bukurinë dhe mallkimin, konvertimet dhe inkarnimin, urtinë dhe koret e të marrëve… Rreth këtyre korpuseve poetike do të vijojnë përpjekje për shtjellime, kush më thellë e kush më sipërfaqësisht, për ndikimet, rolin ndikues dhe autentik të bukurshkrimit, për gjetje e konceptime tezash, pikëpamjesh, krahasimesh, tumirësh a mëdyshjesh konceptore për akëcilën figurë, për akëcilin simbol e simbolikë, për situata paradoksale, për pësimet e pamësuara njerëzore, për verbërinë epshore, për  prekje dhe prehje, për kritikë integrale, estetike, stilistike, gjuhësore, ritmike, interpretimesh këndngushta e gjerësish përgjithësuese. Kësaj poetike do t`i rikthehen Prend Buzhala, Ramadan Musliu, Mehmetali Rexhepi, Nehas Sopaj, Yrjet Berisha, Anton Nikë Berisha…

Duke dalë prej një takimi letrar nga salla e bibliotekës së vjetër në Gjilan, fund-viteve të shtatëdhjeta; profesor I. SH. adhurues i kulturës dhe artit letrar, me shprehje gjakftohtësie i drejtohej Poetit, që sapo kishte shqiptuar shtatë-tetë vargjet e Tij para dhjetëra artdashësve të pranishëm:

– Beqir për kë shkruan kur nuk kuptohen shkrimet tua?

Po  me gjakftohtësinë e Tij Poeti i pohoi:

– Ndoshta  do  të më kuptojnë pas njëzet vjetësh…

Autorit me shpirtin mes rreshtash nuk i mbushej mendja se lexohej, se në një të ardhme të afërme, sikurse kjo jona, do të niste një dialog i pambaruar brezash, se do të pëshpëritej nën zë “Bukuria e zezë”, “Sezamet”, “Parabola”, “Darka e magjisë”, “Libri i anatemave”, “Orfeiana…”; romanet:“Vegullia”,“Mbledhësit e Purpurit”, “Makthi”, “Amullia”, ”Krupa”, “Skerluta”, “Ndeshtrasha“, “Kori i gjelave të vdekur…”; nga teatrologia: “Shtrigani i Gjel-Hanit”, “Unë Halil Garria”, “Faustiana”, “Ora e Kukuvajkës”, “Panairi i Gjilanit”, “Rrakullima II”, “Murana”, “Kori  i Korbave”, “Familja e Shenjtë”, “Antifona…”

Lexuesit tonë do t`i riktheheshin ato përfytyrime fluturimesh imagjinare, që kishin skalitur figura  prototipash, të cilat nuk i shikuam gjithanshëm, të cilëve përpos tipareve nuk ua shihnim  edhe skutat e shpirtrave… Disa i kishim shikuar shkaras, nuk ua pamë sytë magjikë, as të gjitha gjymtyrët që jepnin e merrnin diçka prej unit tonë… Ne këtu, në ciklet poetike monokolona, gjithsesi do të gjejmë fragmente të  huajtura prej nesh, si dhe prej kipcash, mitesh e legjendash, prej botës së mistershme… Për çudi se si ngjasojmë, pajtohemi dhe urrehemi, gufojmë dhe ftohemi deri në akullin e vdekjes… Simpatizojmë dhe dashurojmë sikur Francesco Petrarca  Beatriçen, simbolin e dashurisë për jetë të jetëve… Nëse e shohim imazhin e Poetit pa kokë, pa kohë, pa hapësirë brenda teje e meje, tek një vesh melodi, në njërën buzë: qeshjen, në tjetrën vajin; me dy sy: njëri në pllajat e shkrumbuara, tjetri në toponiminë e kështjellës, sheh një eremit në manastirin Dardan, duke i rënë një kambanoreje të glasur, dëgjon dridhjet  e një tingulli të mekur kambane dhe heshtjen si fytyrë e verdhë vdekjeje…  Kur të doli kllapia të përmend esëllti e nëntekstit të Poetit…

 

BEQIR MUSLIU NË OPTIKËN E NEHAS SOPAJT

 

Poeti Nehas Sopaj, duke qenë admirues i poezisë dhe shkrimeve të llojeve tjera artistike të Beqir Musliut, që nga viti 1993, i vuri kusht qëllimit të tij, që admirimit për Mjeshtrin e Shkrimit t`ia shtonte edhe nderen e përkushtimit… I shtyrë nga premisa e sinqeritetit, lexoi qindra-mijëra rreshta nga Poeti dhe për Poetin dhe, kapi e artikuloi, aq sa e si mundi, reflektime mes rreshtash mbi pesëmbëdhjetë vjet dhe, nxori studimin për Mjeshtrin e Metaforës në kuadër të projektit për studime “Individualitete letrare I” “Beqir Musliu”; që e publikoi Shtëpia botuese “Rozafa”, Prishtinë,  2008.

Studimi i Nehas Sopajt shtroi dhe mbarështoi, që nga kapitulli 1.“Individualiteti letrar i Beqir Musliut” prej faqes fillestare 5, deri  në gjashtë njësi gjithëpërfshirës: 2. “Shkrimi automatik i Beqir Musliut”; 3. “Poezia”; 4. “Proza”; 5. “Drama” dhe 6. “Përfundimi” me literaturë burimore, interpretuese teorike-estetike dhe sintetizuese, i lehtësuar  me literaturën ndihmëse  në faqet e fundit, me 276 sish.

Autori Nehas Sopaj e pohoi me çiltërsi: “Ky libër merret ekskluzivisht me veprën e botuar të shkrimtarit dhe mund të them se është i vetmi shkrim, që mëton të jetë  interpretimi  i tërësishëm  i veprës  së autorit.”[2]

Nehas Sopaj për një studim të këtillë kishte pararendës të kësaj fushe; secili nga ata shtruan mënyrat e veta për t`i interpretuar e shqyrtuar veçantitë e artit shkrimor të Poetit Beqir Musliu nga kënd-shqyrtimet e tyre të shkurta e të gjata, të ngjeshura dhe të brishta. Shtytja parësore e studiuesit Sopaj, që t`i hynte një ndërmarrjeje kësisoj, ishte vullneti i përshkuar prej dy rrethanash: a) adhurimi i hershëm për poetikën  dhe  Poetin Mjeshtër të Metaforës dhe: b) rrëzimi i tendencës për “poetin e pakapshëm abstrakt!” Një fakt tashmë është i qartë: logjika e disiplinës mirëfilli shkencore, me rreptësinë  e saj argumentuese, i përjashton paragjykimet dhe animet subjektive të  hatëreve, si dhe gjithçka tjetër pa peshoren e faktit. Përpara një figure të admiruar, sikurse kjo e Poetit me shumësi përmasash, ndonjëherë me epitetet e vlerësimeve tona, mund të përplasemi me kokëfortësinë e argumentit. Mendoj se Prof. Nehas Sopaj përgjatë shtjellimit të studimit tij, i mëtuar si një nga studimet shteruese për Poetin e Metaforave, me gjithë ndonjë nuancë anese, është kujdesur që t`i pajtonte animet margjinale me faktet përmbajtjesore.

Studimi i një gjerësie të këtillë në librin “Beqir Musliu” i Nehas Sopajt, i marrjes me të gjitha llojet e shkrimeve të Poetit, pos publicistikës, si duket shpërndau kompetencat e studiuesit vullnet-plotë. Çfarë spikati ky studiues në relievin e poezisë së Beqir Musliut? Le t`i nënvizojmë ca nga të gjeturat e tij në disa plane: “Dalja në legjendë” dhe “Hyrja në legjendë”, “dalja para hyrjes”, lojë e qëllimshme fjalësh; fjalët si tërësi tekstesh metaforike; rrëfimi i shndërruar në fotografi; mënyrat e komunikimit me lexuesin “gjuhë të cilën duhet kuptuar si metagjuhë.”[3]  Në vëllimin “Parabola” ri-kapitullohet përzgjedhja njerëzore nëpër shtigjet e historisë, si “udhëtimi hagiografik”, toposet mistike “Fushë-bozhur dhe Bozhur-fushë”, trajta të inversionit; koha e vënë në lojë të folësit lirik, “e tanishmja është antike, ndërkaq antika bëhet e sotme”[4]; filozofimi “ i metatekstit si non-sens”.

Studiuesi konstaton “jo vetëm për nga titujt janë lojë fjalësh, por edhe filozofi blasfemie e konceptit të metaforave abstrakte”; si ide të përçuara “të kënduarit orfeik, një lloj veçantie poetike autoriale…”; “ një odiseadë kozmogonike.”[5] Në shqyrtimin  për thurjen e sonetit, Nehas Sopaj nënvizoi faktin se Poeti shpesh me qëllim thyente rregullat, asisoj sikurse bëri në formën e soneteve të Tij për Skënderbeun. Kështu bënte jo vetëm në sonetet për Skënderbeun, por edhe te ato me motive legjendash shqiptare. Sa i përket ndërtimit të tingëllimës-sonetit, Poeti Beqir Musliu mëtoi të ndërtonte një sonet vetjak.

Nehas Sopaj  iu kishte qasur gjithanshëm poezisë së Poetit Beqir Musliu. Ndoshta po të ishte përqendruar veçmas në poezinë e Tij, pa prozën dhe dramën, ky studim do të arrinte një shkallë edhe më të lartë shteruese, mbase?…

Si nënvizim për kontributin e Profesor Dr. Nehas Sopaj për poezinë dhe opusin krijues të Beqir Musliut, pos tjerash, le të citojmë edhe këso konstatimesh: “I ftohtë, gati pa brengosje për lexuesin, autori (fjala për librin Orfeiana, nënvizim i M. R.)  nga ky libër i uniformon figurat dhe shenjat e tij të këndimit, të cilat sikur anojnë kah proza poetike apo proza pa rrëfim, që është një tendencë universale  e poezisë së sotme botërore, sidomos te ajo amerikane.”[6]

Pa hamendje hipotetike se me çfarë mund të identifikohej figura mitike e Orfeut, që në kohën dhe hapësirën e idesë poetike të Poetit Beqir Musliu, merr konotacion të zgjeruar: nga Orfe-Orfeiana… Studiuesi dhe admiruesi i Poetit Nehas Sopaj vjen tek konstatimi identifikues: “Orfe ose këngëtar “në krye të këngëtarëve”, Beqir Musliu e meriton”.[7]

 

“POETIKA E BEQIR MUSLIUT” SIPAS YRJET BERISHËS

 

Një tjetër vepër që iu përkushtua shkrimeve poetike: poezisë, prozës dhe atyre të natyrës dramatike, Yrjet Berisha tetë vjet pas librit të Nehas Sopaj “Beqir Musliu”, botuar nga Rozafa, Prishtinë, 2008, publikoi studimin “Poetika e Beqir Musliut”, tek Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, në Gjilan, më 2016. Vepra strukturohet përmes nëntë kapitujve, katër prej të cilëve trajtojnë poetikën e Beqir Musliut në poezi:

  1. Lirika me intertekst nga mitologjia antike;
  2. Lirika me intertekst mitologjie iliro-arbërore;
  3. Poezi me intertekst metafizik;
  4. Lirika me intertekst neosimbolist.

Autori  i studimit “Poetika e Beqir Musliut”, vijoi të shqyrtojë poetikën në prozën dhe romanet e Poetit; mandej shqyrtoi nëntë tekstet e poetikës në dramat e Beqir Musliut dhe, së fundmi nxori përfundimet rreth kësaj poetike të Poetit, romansierit dhe dramaturgut, që në tërësinë e këtyre llojeve letrare, Beqir Musliu doli të jetë, shprehur me përqindje, kryesisht Poet! Ky është fenomeni Beqir Musliu në letrat e artit të shkruar në shqipe! Tërësia e shkrimeve në librin e cituar të Yrjet Berishës arrin vëllimin prej 410 faqesh. Këto faqe libri janë nderimi, të cilin ia fali Yrjet Berisha shkrimtarit elitar Beqir Musliut!

Studiuesi Berisha në nëntëdhjetë faqe të librit, prej gjithsej katërqind e dhjetë, drejtpërsëdrejti, faqe për faqe u mor me poezinë e Beqes. Nëpërmjet një trajte leximi të tekstit e nëntekstit, zbërthimit të figurave nga vargjet e shkëputura për ilustrim; Yrjet Berisha shqyrtoi veçantitë e korpuseve poetike, ngërthesat aspak të lehta të kësaj tipologjie të poezisë, me dendësi shtresimesh e strukturimesh të pamjeve, ideve, aluzioneve, tezave, antitezave, të kontrasteve, miteve, legjendave, mozaikut të karaktereve, të bardhës në të zezën dhe të zezës në bardhësinë e dritës…

Yrjet Berisha e kishte vënë re evoluimin e shprehjes poetike në poezinë e Beqir Musliut: zhvendosjen nga tradicionalja kryesisht pas dy-tri vëllimesh të para, që edhe si motive e tematika, si veshje figurative e reflekse, si koncepte ndërtekstesh, si kumte e kuptime, si inversione sprovash e lojërash, si mendësi e përshpirteni, shmang krejtësisht tiparet e tipologjinë e poezisë tradicionale, aty-këtu me doza neoromantizmi. Ai tashmë, pakthyeshëm ndërton poezinë e pavarur nga rregullat klasike, i jepet surrealizmit, post-modernes me burime nga mitologjia, antika, mitet ilire-arbërore-dardane, poezinë e sprovave metafizike, lirikën e re simboliste. Kodin që i përshkon të gjitha këto njësi korpusesh poetike, si dhe burimet e tyre, studiuesi ynë e sprovon nëpërmjet vendosjes të formulës së intertekstualitetit. Kuptimi i termit buron nga latinishtja intertexere, që përkthehet në shqip: thurje, gërshetim, shprehje konceptuare e futur në filologji nga teorikët bashkëkohorë francezë Mihail Bahtin dhe Julia Kristeva. Në teorinë e Mihail Bahtin-it njihet si “fjalë të dialogizuara” dhe “polifoni e romanit”; ose sipas Julia Kristeva-s si fjalë e re , neologjizëm ose “teksti si prodhim ose transferim.” Në shqip mund ta përshtatim si ndërtekst, i cili strukturohet dhe ushqehet nga tekstet e huazuara prej fushash  të ndryshme të dijes. Andaj, këtë term çelës e hasim pashmangshëm në të gjitha mitet e mitologjitë, në pikë-përkimet e fluturimet metafizike, në shtigjet e simbolikës e të neosimbolistëve…

Yrjet Berisha secilën njësi poetike e ilustron me shkëputje vargjesh, pastaj mbi atë shkëputje ndërton diskursin me interpretime përmbajtjesh deri në imtësinë e tyre,  mbase të stilit shpjegues shkollor për secilën strofë katër, tetë,  dy a më shumë vargjesh. Autori në cilësinë e studiuesit, me durimin e paepur jep sqarime për arketipat, mëtimet, pozicionimet, personazhet e kaheve antitetike, kontrastet dhe antinomitë, si: luftë-dasmë; trazimin e Ilirisë nga ploja, Lufta e Trojës; simbolika e përtejshme e mollës prodhimtare porosish, shumësi kuptimësie; motivet e udhëtimit të Orfeut, figurë konceptore  e identifikimit vetjak dhe kolektiv, semantikë e gjithë-përfshirjes si fat e fatkeqësi, si gjen i shuar dhe “hi i ndriçuar…”

Titulli i librit “Poetika e Beqir Musliut” i autorit Yrjet Berisha, nuk doli si rezultat i frymëzimit të rastit. Termi poetikë ngërthen shumësinë e shtigjeve deri te arritjet e burimeve të fshehura: mitike, legjendare, të përshpirtshme, historike… Tek njohja, vetë-njohja e rinjohja, tek vdekja e ringjallja, tek bërja dhe zhbërja… Poetikën e Beqir Musliut e ushqejnë moria e bëmave: toponimia mistike, Hadi, tematika orfeiane me fyej e lyrë dhurata të Apolonit e Hermesit… Cikli i anatemave në vëllimin “Orfeiana”; lirikat me ndërtekste të miteve ilire-arbërore… Tek njësia ose kapitulli “Lirika me intertekst mitologjie Iliro-Arbërore”, Berisha spikati ndërtekstet e miteve ilire, kreshnike, legjenda e balada, Betejën e Kosovës, “Motin e madh” të Skënderbeut. Në këtë pikëvështrim Yrjet Berisha tumirë konstatimin e Ibrahim Rugovës “poeti  nuk përdorë sforcimin poetik, po figuracionin tejet të pasur, kryesisht, do të thoshim, një rrëfim metaforik.” Studiuesi Berisha e sjell një tjetër konstatim, sindromën tonë etike-etnike: “Rozafa si arketip mitik ilir-arbëror pasqyron kompleksin  e subjektit vetëshkatërrues.”[8]

Yrjet Berisha i bëri nder filologjisë moderne shqiptare me studimin e tij “Poetika e Beqir Musliut”, ngase shtjelloi dhe iu dha zë një morie çështjesh parësore për Poetin, i cili u quajt “hermetik”(A. Vinca) dhe i pakapshëm për lexuesin mesatar. Në disa pikëpamje studiuesi ynë nuk tejkaloi përkufizimet e studiuesve, si: I. Rugova, S. Hamiti, R. Musliu, N. Sopaj, Prend Buzhala… Mirëpo, solli  një vistër konstatimesh, nivelesh përshkruese, shpjeguese, analizuese, të dhëna për njohje, por mbase i mungoi shkalla e lartë e taksonomisë së Bloom-it, zbatimi i lëndës së shtruar mbi premisat e niveleve sintetizuese e vlerësuese. Gjithsesi, do t`ia tumirim dhe apostrofojmë disa nga konstatimet e shtruara këtu për Art Mjeshtrin Beqir Musliu.

Duke shkruar për librin poetik “Orfeiana”, botuar më 2004, për ciklin e poezive “Malet e Thesalisë”, i përbërë prej pesëmbëdhjetë poezish, Berisha sjell konstatimin: “Arti i tillë është një polemikë e ashpër me ultraortodoksinë e Gadishullit Ilirik (ballkanas), që vazhdimisht deshën të shlyejnë ekzistencën e të parëve tanë nga nënqielli i Ilirisë, në ato periudha të hershme, dhe kështu del në shesh “ekzodusi” si problem në vete nga Malet e Thesalisë”[9]

Diskursi vijues i këtij studiuesi është krejtësisht në anën e Poetit dhe të poetikës Tij në kontekstin e shtruar:

“Lirikat në këtë intertekst, kur i krijoi e botoi poeti, më tepër u trajtuan si lirika hermetike, me motive konfesionale. Kritika tradicionale këtë lirikë nuk e përfilli, e arti i tij atëbotë shikohej me mosbesim. Poeti i vetëdijshëm se arti  s`njeh kufij, s`përfill rregulla, andaj  nuk i bëhej vonë  për  shijen e penave oborrtare-moniste, që u rritën e u afirmuan nën tutelën e politikës e jo të poetikës.”[10]

Po i njëjti diskurs që i kishte ndarë poetët me prurjet e tyre, në poetë tradicional dhe modernë, e forcon nënvizimin paraprak për poetin:

“Në brezin e dytë rreshtohet Beqir Musliu, që filloi të krijojë e botojë tekste artistike sipas rregullsive të lirikës moderne, me vargje të lira, huazoi intertekste mitologjike, konfesionale, mbështet në kategori estetike të së shëmtuarës, nuk i thurë lavde regjimit monist, as klikës ultraortodokse  në pushtet. Ky poet  dhe brezi i tij u akuzuan: të papërgatitur, rrënues tradite, të ndikuar nga arti i huaj, banalizim arti. Por e vërteta qe ndryshe”[11]

Përmes diskursit mbi të cilin vumë apostrofimet tona, dolën konstatime të përgjithësuar të Yrjet Berishës, të këtij admiruesi jetëshkurtër të artit, i cili preku edhe anë-pamjen hermetike të krijuesit Beqir Musliu: “Arti (i B. Musliut, nënvizimi im) ngjeshët me intertekstualitete nga lashtësia antike, dardane, gërshetuar me intertekstualitet folklori e mitologjie shqiptare. Poeti nën ndikimin e parabolave të letërsisë dhe të paradokseve nga realiteti do të formojë botën e tillë hermetike në poezi.”[12]

 

THIRRORJA (VOCATIV) E BEQIR MUSLIUT

 

“Të lut zogu prej letre

Mos këndo zbrazëtive të ftohta

Se mund t`i takojë shpresës

Edhe ajo që na trimëroi

Derisa ishim duke e mbështjell

Për lëkurë Vetëm shpresë Vetëm

Robi e Liria bënë mur

Në të njëjtët zinxhirë kënge”

(Anatema e Tretë në Orfeum)

Është një kënd i shtjellimeve interesante të idesë poetike, se si përzgjidhen mjetet e figurat nga Poeti, për ta vënë në lëvizje pamjen e përfytyrimit, që mund të jetë abstrakt, por edhe i dukshëm. Atmosferën e “zogut prej letre”, një figurë fluturuese e përcaktuar nga kundërshtia përçuese e shpirtërores, të cilës i bën opozitë shprehja nistore e vargut të dytë “Mos.” Për çfarë “Mos?” Kërkohet ndalja e veprimit: “Mos këndo zbrazëtive të ftohta…” Kë e lutë “zogu prej letre?” Lutja i drejtohet një vete dhe ajo vete, veta e dytë qëndron mes Poetit dhe një kipci të padukshëm të subjektit poetik. Kështu, tërthoras  pritet nxitja e një monologu dialogues, por nuk ndodh dialogu ngase subjekti lirik vijon urtinë e vet metaforike. Dëftimi i drejtpërdrejtë se çfarë atmosfere e pret anën tjetër të vetës së këngës, ndërtohet përmes kumtit të trajtës lidhore në vargun e tretë, sepse gjasa për hyrje në ato “zbrazëti të ftohta” “mund t`i takojë shpresës.” Opozicioni i të shmangurës dhe pozicioni shpëtimtar ndodhin fare pranë njëri-tjetrit. Mes opozicionit dhe pozicionit ndodhet shpresa. Andaj, edhe kur duket se këndimi “zbrazëtive të ftohta” është i pamundur, meqë gjithnjë mbi kokë sogjeton Anatema e radhës, e cila mund të jetë e treta, ose më shumë se kaq. Në aktin e një pamundësie doli mundësia, “ajo që na trimëroi”, të cilën e gjallëroi shpresa,“Vetëm shpresë Vetëm” apostrofoi dyzash Poeti. Njëkohësisht “duke e mbështjell” me atë pëlhurë lëkurën e trupit, të qenies sonë të përzënë nga ngrohtësia prej Anatemës  në hapësirat e toponimisë mitike, shpirtërore, të topikës etnike të Orfeum-it; ndaj ideja merr përmasa të shumësisë përgjithësuese.

Lëkurën e kishim kurdoherë të cenueshme prej akujsh, brymës së pranverave të hershme dhe diellit mizor mbi krye, mbi lëkurë, që kishte djegur këmishën e parë e të satën me radhë… Paradoksi përtrollitet:

“Kur Robi e Liria bënë mur

Në të njëjtët zinxhirë kënge

Si në antikë”

Tre përbërësve shtresorë: Robit, Lirisë dhe këngës fati u lidhet në zinxhirë. Nëpërmjet kontrasteve dhe të kundërtave ndërtohet kuptimësia në poezinë e Beqir Musliut. Trinia e Robit, Lirisë dhe këngës mëtonte këputjen e zinxhirëve, ata zinxhirë, që i mbërthenin; por këputja e tyre këpuste dhe vetë  këngën?!  Nga cila anë të kapej paradoksi? Përpjekjet rrotullohen brenda një harku metaforik, si dhe kuptimi i frymorit me frymë të penguar drejt të përgjithshmes, Lirisë e cila ndoshta do t`ia kishte hequr thonjtë prej fytit të shtrënguar?… Dy koncepte shtrëngesash i përkasin Anatemës në hapësirën e Orfeum-it të Parë dhe Orfeum-it të Dytë. Megjithatë, Robi dhe Liria duhej t`i këputnin zinxhirët, të cilët e mbërthyen frymorin dhe konceptimin për frymëmarrje të plotë:

“E u përbiruam nëpër vdekjen

Që e pamë të zezë në luginë”[13]

Poezia e këtillë mbyllet me “lutjen e zogut prej letre”:

“Mos këndo nëpër zbrazëtitë e ftohta…”

Në mënyrë të përsëritur vihet në funksion të urtësisë forcimi i vetëdijes për zbrazëtinë e shurdhërinë; aty ku mungojnë shqisat e ndijimit dhe sytë, aty ku nuk duken  shikimet e fytyrave të dashura, atje ku nuk ka  impulse zemre, ose zemrat nuk rrahin për Orfeum-in, janë të ftohta prej akulli. Në fund  të  shtjelljes poetike kemi  zanoren O ose një zero të madhe të shtypit! Ç`është kjo O në fundin e shtjellimit të kësaj mynxyre? Ndoshta është trajta më e shkurtë e thirrores, që e hasim herë pas herësh në shtjellimet e vargjeve të Beqir Musliut? Kjo trajtë thirrmore nuk është e rastësishme  në poetikën e Poetit tonë shumë planesh…

Pothuajse në të gjitha librat e poezisë, si “Bukuria e zezë”, “Sezamet”, “Parabola”, “Darka e magjisë”, “Libri i Anatemave” me shtojca plotësimesh prej botimit të pakënaqur të librit “Lulkuqet e gjakut”, që e dendësuan  “Librin e Anatemave”; mandej në Shtatë Libra Anatema nga opusi “Mbledhësit e Purpurit”, si: “Metafizika e Sfidimit”, “Madragora”, “Klepsidra e Magjisë”, “Martirium”, “Magna Karta”, “Ekzodus”, “Kodeksi i Argasit”, Poeti e përdorë zanoren e thirrores O me shkronjë të madhe e të vogël:

“O, të gjithë ata që kësaj rruge u kthyen  n`hi

Deri te kasollet e shurdhta  Orfeu ka me na pri”[14]

(Fyelli ose banorët e hinit)

Vargun e dytë të dyvargëshit të cituar, Poeti e ndërtoi  në trajtën e paskajores të gegërishtes, e cila nuk u përfshi në standardin e sotëm të gjuhës së njësuar letrare shqipe. Rrëfimeve epike mbi burime të arealit gojor në ciklin e poemave balada dhe legjenda, si: “Legjenda mbi vorret e krushqve”, “Gjergj Elez Alia ose balada për Bajlozin Shtatëkrenësh”, “Motra me nandë vëllazën”, “Prralla e përhimtë ose Balada për Shtatë Ditë e Shtatë  Netë”, të përfshira në vëllimin “Bukuria e zezë”, Poeti i shtjelloi, duke ua nënshtruar aspektin rrëfimtar  një bashkë-dyzimi lirik, nëpërmjet laboratorit poetizues të Poetit. Kësisoj rrjedhës epike i shtohet amalgama lirike… Rrëfimi shkrihet në përbërës të lirikës… Vetëm në poemën “Legjenda mbi vorret e krushqve” në njëzet e dy situata jehon thirrorja e zanores kumbuese “O” në stilin:

“O, si me gjetë urën e parë , e me kalue n`at anë-

Shiu u pik secilit n`zemra e bimëve ndër ara…”

(Legjenda mbi vorret e krushqve)[15]

Ose:

“O, çfarë bukurije, çfarë magjije n`krahët e pëllumbit –

Ku tanë lumejt e botës i kthen n`rrjedhjen e vet:

N`bukuri!”[16]

Në librin “Parabola” poezia “Bleni i katërt” prej katërmbëdhjetë vargjesh, vargu i fundit mbyllet me thirrore:

 

“O kush po loz tehut të shpatës me kokën time”[17]

(Bleni i katërt)

Te cikli “Molla e Afërditës”, përmban njëmbëdhjetë  poezi, në poezinë “Filli i Betejës së Kosovës” shfaqet thirrorja:

“O kush do t`i bajë kurorat  pas luftërave”[18]

“Nga libri i Anatemave, sipas Orfeumit(II)”, në tre ciklet e poezisë “Anatema e Parë në Orfeum”, “Anatema e Dytë  në Orfeum”, “Anatema e Tretë në Orfeum”, dukuria e thirrores O haset në pozita të ndryshme, përpos si prijatare e rëndomtë  e togfjalëshit “O Zot”, gjendet edhe si thirrore vetëm për  vetëm në vargjet vijuese:

“O

Përse zemra  s`e shpëtoi verën

Që në Darkën  e Magjisë e darkon”[19]

(Anatema e Parë në Orfeum”

Thirrorja në variante të këtilla është e pashmangshme:

“Kush i la buzët

Në kopshtin e paparë të hirit

Mbeti  shumë më i ri

O”[20]

Te “Anatema e Dytë  në Orfeum”:

“O

Cili mur i historisë je ti

Që don të balsamohesh në mua

Kur ende  s`ke zbritur  në fytyrë

Në këtë fushë të përhimtë

Ku po rri i gozhduar padukshëm”[21]

Po në këtë pozitë e shohim zanoren O thirrore, një trajtë foljore, duke i prirë një parandjenje, një ndeshtrashe, një kobi ose një gjëme:

O

A është kjo fuqi

Që engjëlli e ndjell me shkatërrim

Apo vetëm kokë guri

Që para kokës së vet hapet

Si dita para diellit mëngjesor…”[22]

(Anatema e Tretë në Orfeum)

 

ÇËSHTJE PËRKUFIZUESE

 

Si mund të përkufizohet trajta e thirrores në poezinë e Beqir Musliut? Jashtë përpjekjes që të ngre teori, në stilistikën e poezisë së këtij Poeti, thirrorja paraqitet në disa pozicione të vargimit: në fillim të vargut, diku-diku në mes, pastaj në fund dhe, fare e vetme, pa lidhje me togfjalësh, në fillim dhe në fund, jashtë tekstit! Në qoftë se zanorja O thirrore e fillimit kushtëzon dinamikën dhe lëvrimin e të mbjellave në fushën e sintaksës poetike; çka do të kushtëzonte thirrorja O e shkëputur krejtësisht prej tekstit poetik? Një thirrore O e tillë, e vetme, duket formale dhe pa funksion  ose?…

Thirroren nuk do ta konsideroja thjesht si ornament stilistik të këtij lloji poezie… Strukturime vargjesh kur trajta e thirrores shton, paralajmëron atmosferën e të ndodhurës në vazhdimësinë e vargjeve, Autorit i shërbejnë si thirrje për t`ia mobilizuar vetëdijen për tendosjet e mundshme… Kë, kënd, kujt, cilës forcë i drejtohet thirrorja? Forcës së ndërdymes a ndonjë okultizmi (latinisht occultus-i fshehtë ) shkencë për fshehtësitë, besëtytni në fuqitë e fshehta mbinatyrore; ose ndonjë trajte të perëndomë shpirtërore, si lehtësim i ndjenjave, si zbrazje prej mynxyrash, bëmash, ndodhish, zgropesh tragjike  a shpëtimtare? Shumësia kuptimore e thirrores shpie situatave të pritura ose të papritura, të shumtën si apostrofë e theksuar, e zëshme, si zbrazje emocionale, si shteg krenarie e marrëzie e papërmbajtur, që prologun fatlum e shpie në epilogun fatzi, me përballje përfundimesh humbëse… Post scriptum: në papirusin e kronikës lexojmë cinizmin, absurdin e llojit të vet dhe, dhimbjen e përmasës me pleksje të tragjikes e të komikes!

 

MJESHTRI  I VEÇANTIVE

 

Të veçantat e poezisë të Poetit Beqir Musliu, veprat e të cilit presin shterim me kompetenca të çdo-anshme kërkimore nga fushë-shtrirjet kritike, estetike, stilistike, gjuhësore, onomastike, filozofike, historike, mitologjike, biblike dhe kuranore… Nga një konstatim i rëndomtë, fare lehtë i shohim të veçantat e këtij Poeti kundruall të tjerëve. Si? Ai askund nuk duket si Poet i motivuar i rastit, i stinës, si përjetues i borës së parë, i frymëzimit për çeljen e luleve të para e, kështu me radhë… Ai ishte Poet i shtigjeve të gjata, të gjera, të thella e të larta… Por, gjithnjë  kokë e këmbë në tokë. Imagjinata e Tij kishte shtrirje universale  gjithë-kohës, tokësore dhe kozmike, reale dhe mitike… Fjalësi dhe kontrastet figurative mëtojnë rrokje të pambarimta…

Ontologjia, erudicioni, stilistika dhe poetika e abstraksioneve me kumte dhe kuptime të ngërthyera  dendur, vende-vende e veshin me të hirtën e hermetizmit…

Surrealizmi dhe post-modernia e Beqir Musliut, e zgjeroi dhe shumëfishoi gamën motivuese, ideore, stilistike, filozofike, veçmas kategorinë estetike të së shëmtuarës, që lagjet e ithtarëve të së bukurës e përjashtojnë si komponentë të  mirëfilltë të estetikës.

 

EMRI I BEQIR MUSLIUT

 

Beqir Musliut emri do t`i figurojë në emërtime rrugësh në Gjilan, vendlindja e Tij. Thuajse Ai i përkiste veçse Gjilanit?! Me emrin e Tij do të emërtohet Ars Club-i, si dhe Shtëpia botuese “Beqir Musiu” në Gjilan. Po ashtu, me emrin “Beqir Musliu” jepet çmimi letrar me seli në Gjilan,  për shkrimtarët e hapësirës kombëtare, të  dëshmuar për cilësi letrare-artistike.

Emërtimi me emrin Beqir Musliu do ta nderonte çdo institucion të dijes në përmasën e   Universitetit Publik.

Gjilan, kallnor 2021.

 

 

 

[1] Ibrahim Rugova “Astraksioni poetik” në librin: Beqir Musliu “Bukuria e zezë”; Rilindja, Prishtinë, 1980, f.105

 

[2] Nehas Sopaj “Beqir Musliu”, studim; Shtëpia botuese “Rozafa” , Prishtinë, 2008, f. 5

[3] Nehas Sopaj “Beqir Musliu”; po aty, f. 110

[4] Po aty; f. 112

[5] Po aty; f. 113

[6] Po aty; f. 128

S[7] Po aty; f. 140

[8] Yrjet Berisha “Poetika e Beqir Musliut”; Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan, 2016, f. 41

[9] Po aty; f. 54-55

[10] Po aty; f. 87

[11] Po aty; f. 88

[12] Po aty; f. 91

[13] Beqir Musliu”Darka e magjisë”, Rilindja, Prishtinë, 1979, f. 29

[14] Beqir Musliu “Bukuria e zezë” (Botim i dytë); Prishtinë, 1980, f. 17

[15] Po aty; f. 49

[16] Po aty; f. 51

[17] Beqir Musliu “Parabola”; Rilindja , Prishtinë, 1976, f. 37

[18] Po aty; f. 47

[19] Po aty; f. 118

[20] Po aty; f. 119

[21] Po aty; f. 120

[22] Po aty; f. 123

Please follow and like us: