Nurie Emrullai: Ekzili, identiteti dhe nostalgjia në veprat e Milan Kunderës
Ja dhe një enigmë tjetër e kujtesës dhe më themelore se gjithë të tjerat: a kanë kujtimet një kohë të matshme? Vallë zgjasin?… dhe aty fillon tmerri: e shkuara që na kujtohet, nuk ka kohë.
Milan Kundera
Historia dhe letërsia kanë në qendër njeriun. Të dyja të shpikura nga njeriu, të drejtuara po nga ai, ato krijohen në mënyrë paralele, por me kahe të pakrahasueshme. Nëse historia na jep detajet e një lufte me shifra të definuara, letërsia përcjellë ndjenjën e luftës te lexuesi. Historia gjithnjë është e ftohtë në përshkrimet e saj (sepse atë detyrë ka), ndërsa letërsia e mëson njeriun të ndiejë dhe të krijojë emocion. Letërsia, që në fillesat e saj të hershme, që nga thurja e Miteve, këtu na kujtohen fillimisht poemat epike të Homerit Iliada dhe Odiseja ‒ i cili është “Udhëtari” më i njohur që ka dëgjuar bota; epet e ndryshme të popujve, gojëdhënat, rrëfenjat, përrallat, këngët, duke vazhduar kështu me krijimin e letërsisë në koherencë me zhvillimin e njeriut, letërsia krijon civilizimin e tij dhe u jep popujve plotnimin e tyre. Letërsia i lindi dhe krijoi ligjet e njeriut dhe e përshtati atë në një botë ta panjohur më parë dhe e bën këtë vazhdimisht me çdo fëmijë a person që ka interes për të njohur botën.
Të flasësh për tema kaq të komplikuara siç është tema e ekzilit dhe identitetit, them të komplikuara sepse nuk kanë të bëjnë vetëm me një fenomen ose ndasi, janë hallka të ngatërruara njëra me tjetrën në jetën individuale dhe kolektive të njeriut. Prandaj këtu kërkohet që përveç letrarëve të marrim këndvështrime edhe nga historianë, psikologë e sociologë. Për të gjithë ata që për herë të parë rastisin në këtë nocion, siç është Ekzili dhe në emrin e shkrimtarit Milan Kundera, duhet të dinë se ekzili është ikje prej atdheut, atëherë kur ndjehemi të kërcënuar prej tij. Shkrimtari Milan Kundera prej Çekosllovakie, kërkon ekzil në Francë, në vendin ku jeton dhe vepron sot.
***
Ekzili është burimi prej të cilit rrjedh Nostalgjia, e cila bën pjesë tek ndjenjat njerëzore, por është i komplikuar sqarimi i saj, ashtu siç janë të komplikuara sqarimet për gjithë ndjenjat. Krejt këta grumbullohen në një pikë kyçe e cila është kriza e identitetit. Identiteti ka të bëjë me: Kush jam unë midis të tjerëve?
Asnjë pushtim që vjen në front nuk është i njëtrajtshëm. Ai ose bie nga qeverisja, ose futet rrënjësisht në mendësinë e popullit, derisa masa e pranon atë dhe ai bëhet ligj i ri i jetesës në atë vend. Çdo qytetërim ka kaluar nëpër fazat e tij të ardhjes dhe ikjes brenda një populli. Këtë gjë më vështirë e kalojnë individët të cilët janë në radhë të parë njerëz me ideale dhe që mendojnë në mënyrë të pandikuar nga asnjë lëvizje, zakonisht janë në moshë të re dhe gjenden në formimin e tyre si individual, ashtu edhe psikologjik. Pikërisht, shkrimtarin Milan Kundra, “Besimi i Ri” (Komunizmi) e gjeti në kohën e lulëzimit të tij djaloshar dhe në hovin e tij studimor. Ai besonte në ligjet dhe filozofinë e Marksit.
***
Please follow and like us: