Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. dr. Bardhosh Gaçe: Poeti Bledar Koçi drejt një profiliteti poetik

Bledar Koçi është një poet i ri, i cili ka kurajën për t’u shfaqur dhe për t’i kërkuar lexuesit njohjen e poezisë së tij, e cila është ngjizur, është shkruar dhe është botuar në një kohë të çuditshme për letërsinë dhe poezinë në veçanti. Në situata të tilla dilemash, “të botosh, apo mos të botosh” lidhet historia dhe fati i shumë poetëve në botë. Dikush është përfshirë në këtë “luftë”, dikush nuk është përfshirë, se njëri ka mbijetuar dhe tjetri jo. Në këtë “kompleks fati” është shfaqur Bledar Koçi. Libri poetik “Stina e qershive” është vëllimi i dytë poetik i autorit, me anë të të cilit ai po përpiqet të krijojë një profilitet të vetin në poezinë shqipe.

Vëllimi “Në stinën e qershive”, pa dyshim metafora e tij ka të bëjë me një paralele të stinës me shpirtin njerëzor, me një përndritje të brendshme të poetit, me një idilitet, që buron nga natyra dhe marrëdhënia që poeti ka me të. Një poet ngjan me një arkitekt, me një stilist dhe një piktor, i cili në nevojën e tij ka të rëndësishme aftësinë për të ekspozuar. Duke ngjarë me një krijesë të bukur, me një krijesë e cila gjykohet me anë të kodeve estetike, veças të të bukurës, poeti e ka këtë strategji, ka këtë organizim të brendshëm, që për fatin e mirë, tek poeti i “Stinës së qershive” e gjejmë qartësisht. Pra, poeti Bledar Koçi arrin t’i ekspozojë mirë “hiret” e krijimeve të tij.  Vëllimi “Stina e qershive” është organizuar mjaft mirë. Në tri kaptina, që mund t’i quash kapituj, cikle apo pjesë, libri ka një lloj funksionaliteti komunikues mbi një marrëdhënie që poeti ka me mjedisin, njerëzit, kohën, personazhet e tij të brendshëm dhe jo të brendshëm, me atë nga ai vjen vetë, pra me kontekstin gjithësor në të cilin gjendet.

Tri ciklet plotësojnë një lloj konteksti, që gjithësohet në një moment interesant, rreth të cilit sillet poeti, atë të stinës së qershive. Një stinë e bukur, në të cilën gjithëçka është e bukur, toka, qielli, ajri, mëngjesi, njerëzit, deti dhe malet, shpirti dhe trupi njerëzor. Është një nga stinët më të bukura të motit, në të cilën ka një kompleks motivues për njeriun.

Në ciklin e parë “Viset e vjeshtës” poezia “Nëna” është ndër në të mirat, e cila ka një marrëdhënie të brendshme e të ndjerë, që nis me një metaforë jashtëzakonisht interesante. Nga kjo metaforë sintagmatike, “Trazonte nëna…/ Me sytë gjysëm të mbyllur,/ Trazonte lodhjen e duarve…”, ka një vështrim gati depërtues në çdo gjë që është e pranishme dhe që e rrethon poetin.

Poezia “Nëna” ka një paplotëni të qëllimshme, ajo ngjan me një lloj kujtese, një lloj vëmendje, pra, është një lloj “etydi” që mund dhe duhet ta plotësojë cilido që e lexon nga raporti i tij që ka me nënën e vet. Poezia është një strukturë e hapur, me një profilitet të mirë të poetit Bledar Koçi, i cili e ka kapërcyer me kohë maninë e figurës, maninë e patetikës dhe të steriotipit, siç ndodh zakonisht me poetët e rinj. Poezia “Nëna” është një nga reflektimet poetike të poetit, në të cilën mund të besohet se poeti ka aftësi të qarta praktike për të sjellë poezi me karakter psikologjik, në të cilën shkrihen bashkë subjekti, detaji dhe kronologjia kohore. Figurë është brenda kënd-pamjes psikologjike që ka poezia, duke pasur në thelbin e saj një figurë emblematike, siç është nëna.

Duke qenë brenda raportit dialektik të jetës, brenda kredos së tij poetike, cikli i dytë i vëllimit “Stina e qershive”, vazhdon ta shpërshfaqë poetikisht këtë marrëdhënie dhe komunikim kompleks. Poeti Bledar Koçi përgjithësisht ka një prirje për të qenë një poet lirik. Lirizmi i tij, sa ç’duket tradicional, për shkakun e një ndjeshmërie me botën që e rrethon, me perceptime për njeriun dhe shoqërinë, ndjenjën e theksuar të një humaniteti të thellë, ka një natyrë depërtuese në kohezionin me të cilin ai jeton dhe ka kontributet e tij.

Poezitë e kësaj natyre, në të cilat është shmangur një lloj tradicionalizmi kohor, por dhe të një epoke të re poetike, afrojnë bindshëm me poezinë moderne, e cila fondamentet i shikon përmes këndeve, përmes detajeve dhe qendërsive, që në jetën e zakonshme duken si tangjente, si pika graviteti anës së “sferës”. Në thelb, poezitë e organizuara përmes një marrëdhënieje dhe komunikimi metaforik, të detajit për kontekstin (më së shumti kështu) kërkojnë një aftësi poetike përgjithësuese të stilizuar mirë me mjetet poetike- gjuhësore.

Poezia “Shtatores së Adem Jasharit”është shkruar mbi dyvargësha ritmik, që ngjajnë me “marshin” si perceptim, mbi karakteristikat e një luftëtari dhe mbi shenjat e luftës dhe të luftëtarit. Poezia përshkruan shtatoren e luftëtarit të njohur të kohëve moderne Adem Jashari, i cili bëri qëndresën e pashëmbullt ndaj pushtuesit në tokën dardane. Si i tillë poezia është ngritur mbi një simbol. Luftëtari përshkruhet përmes një fjalori të zgjedhur, por jo patetik, siç ndodh në të shumtën e rasteve si ky, pavarësisht se në poezi ka një llojë personifikimi të luftëtarit. Përmes një lloj “dialogu” të brendshëm, të vargut të parë me vargun e dytë, të çdo dy vargshit strofor, poeti i ri arrin të realizojë një komunikim interesant, ku tiparet apo cilësitë e luftëtarit reflektohen në një simbol apo metaforë të zhvillueshme e valorizuese, në saj të kësaj lidhjeje të luftëtarit me tiparet historike të luftëtarëve apo luftëtarit shqiptar.

Po të shihet me kujdes çdo strofë ka një vënie përballë të tiparit të luftëtarit me një simbol të njohur të natyrës së luftës. P,sh në strofën e parë ka një zhvillim interesant,  kur poeti shkruan:”Ç’i ngrin një nur,/ Madhështorit në gur.”, shikohet se ç’moment kap poeti. Ai luan bukur me kohën, e cila përbën një lloj “hapësire” e nëpër të cilën fluturon një shpend luftëtar. Fjala “nur” (një nur burri), hyn në korrelacion me fjalën “gur” (gur si përjetësim, si fiksim i kohës dhe legjendës Adem Jashari). Pastaj korrelacionet e tjera në strofat:”Mbi supe ndez sharku,/ Rënduar prej gjaku”, korrelacionet e “sharkut” si armë lufte dhe “gjaku”, si “armë” burrërie dhe trimërie; “Gjokspleksur gjerdani,/ Në gjalm xhamadani.”, në korrelacionet “gjerdani”, pjesë e armaturës së luftëtarit dhe “xhamadani’, një rrobë e njohur burrash, por në këtë rast e unifikuar me metaforën e përjetshmërisë, në luftën për liri; pastaj në strofën:”Nxirë mjekra barotit,/ Shkund predhat e mortit.”, në korrelacionet “mjekra barotit”, vizatim i tiparit qenësor të një luftëtari, me sintagmën sifiduese të vdekjes “predhat e mortit”, për t’u përmbushur mjaft mirë në strofën tjetër: ”Në ç’sy fle rrufeja,/ Të të çojë ndër beteja?”, ku shikohet një dendësim simbolesh në vargun e parë në “sy”, “rrufeja” për t’u përthyer në mungesën e mortit (vdekjes), e nëntekstuar në fjalën “beteja”.

Siç  shihet, poezia kushtuar luftëtarit të njohur Adem Jashari nuk është një poezi patetike, por e ndërtuar mbi detaje interesante dhe të imta, pavarësisht përdorimit të dendur jo vetëm si fjalë të fjalorit poetik, por të përditshmërisë njerëzore.

Një poezi mjaft e mirë, për mënyrën se si është organizuar në raportin e detajit poetik me strukturën poetike të komunikimit, të shqisës së poetit me arsyen për të përgjithësuar është poezia “Humbe nëpër shi”, e cila i takon ciklit të tretë të librit, titulluar “Ti e di…”, që në kumtin e parë duket një cikël gati i personalizuar. Poezia ka një lirizëm të brendshëm, një komunikim të poetit me ndjenjën e tij, shkruar me një lirshmëri të jashtëzakonshme. Poezia është ngritur mbi një moment, mbi një perceptim, mbi një meditim dhe duket plazmatike, duket si një grahmë interesante, e thellë, e ndjeshme, e cila nuk kërkon të përjetohet shoqërisht, përveçse vetëm nga poeti. Ai shkruan:”Bie shi…/I lagur kujtimesh, eci, vrapoj./Pellgjesh të hirta./Çudi!/ Herë-herë më shfaqej imazhi/ I yti imazh/ Tek dridhej mbi to/ Malluar,/ se di.?Të ndoqa i çmendur/ Deri sa humbe/ Nën pikëla rrebeshesh/ Ujësirash gri./ …Bie shi!”. Pra është ai dhe ajo (imazhi i saj) në një kohë pa kohë, në një kohë as për atë dhe as për tjetrin, bie shi, dhe poeti luan me imazhet. Në një botë të hirtë kështu ndodh gjithmonë me kujtesën. Të gjithë poetët e botës kështu e kanë përshkruar botën e imazheve, poetika e imazheve është perceptim, i cili anon më së shumti drejt ekzistencializmit.

Poeti i ri Bledar Koçi duket se reflekton në poezinë e tij një shpirt poetik të natyrshëm, të cilit ai nuk i krijon ngarkesa dhe artifice, as në detaje, as në mënyrën e komunikimit, as në gjuhën poetike, as në figura dhe as në lirshmërinë e vargut dhe figurës. Kjo ngjan me një tokë që është mbjellë mirë dhe që mbin e do të mbijë vazhdimisht./gazeta dita, June 24, 2018.

Please follow and like us: