Albspirit

Media/News/Publishing

Macron: Me Biden, Amerika është një vend më bashkëpunues

Shtetet e Bashkuara janë rikthyer si një vend udhëheqës e bashkëpunues i botës së lirë, tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë një takimi me presidentin e SHBA-së, Joe Biden.

“Është shumë mirë të kesh një president të SHBA-së që është pjesë e klubit dhe shumë i gatshëm të bashkëpunojë”, tha Macron.

Ndërsa presidenti Biden tha se e ka thënë edhe më parë që “Amerika është kthyer”.

“Unë mendoj se gjërat po shkojnë mirë”, tha Biden.

Te dy liderët u takuan në kuadër të samitit të G7-ës (shtatë vendet më të pasura të botës), që po mbahet në Britaninë e Madhe. Raportet mes evropianëve dhe paraardhësit të Bidenit, Donald Trump kanë qenë të trazuara. Trump e kishte tërhequr SHBA-në nga traktati i klimës dhe kishte kritikuar aleatët evropianë për çështje të ndryshme, përfshirë edhe kontributin e ulët financiar në kuadër të aleancës së NATO-s.

“Unë mendoj se Bashkimi Evropian është tepër i fortë dhe i gjallë, dhe kjo ka të bëjë shumë me aftësinë e Evropës Perëndimore jo vetëm për të trajtuar çështjet e saj ekonomike, por për të siguruar edhe mbështetjen për NATO-n”, tha Biden.

Vizitën e parë të tij jashtë vendit, presidenti Biden po e zhvillon në Evropë.

Pas samitit të G7-ës që përfundon të dielën, më 13 qershor, ai udhëton për Bruksel për takime me zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s./REL

Please follow and like us: