Albspirit

Media/News/Publishing

Gani Mehmetaj: Tri takimet e mia me Ismail Kadarenë

Ismail Kadarenë e takova për herë të parë në Prishtinë me 1980. Kishte ardhur me Helenën në promovimin e veprave letrare që ia botonte “Rilindja”. Ato ditë flitej se në Perëndim përgatitej xhirimi i filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, bashkëprodhim franko-italianë. Ishte romani i parë i një shkrimtari shqiptar, që do të bëhej film jashtë kufijve të shtetit. Edhe kjo ishte ngjarje, sepse po ekranizohej romani i Kadaresë. Nga redaksia e gazetës “Rilindja”, ku punoja, mora lejen që ta takoja shkrimtarin dhe të informoja lexuesit e gazetës. E takova në  hotelin “Grand”, ishte në shoqëri me Helenën. Dy-tri hije lëviznin në cepat e korridoreve. Në kërshërinë time, e vërtetoi se pritej fillimi i xhirimit të filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, se do të vinte ekipi franko-italian në Shqipëri, projekti do të realizohej nga dy shtetet latine në terrenet shqiptare. Po ashtu ma vërtetoi se do të luante Mishel  Pikoli e Marçello Mastrojani. Për detaje të tjera nuk foli. Aq sa më tha, më mjaftonin për lajm gazete. “Rilindja” kishte tirazh 100.000 copë në ditë.

Ismaili dhe Helena, ato ditë ecnin të shpenguar shëtitores së kryeqytetit të Kosovës. Njerëzit i shihnin me adhurim, por vetëm më të guximshmit afroheshin ose i përshëndesnin. Ta takoje a të bisedoje me të, ishte privilegj. Kadare qe shkrimtari më i famshëm shqiptar, që lexohej e komentohej në të gjitha qarqet letrare dhe jo vetëm letrare. Ndërkohë doli kompleti i veprave të Kadaresë. Tregu ynë e përpiu. Bleva edhe unë një kolanë. Librat i lexova dhe i ruajta në bibliotekën time deri në 9 qershor të vitit 1999, kur shtëpinë e bibliotekën personale ma dogji ushtria serbe. Me shtëpinë u shkrumbuan edhe librat e Kadaresë dhe dorëshkrimet e mia të romaneve që kurrë nuk i shkrova më…

Herën e dytë Kadarenë e takova në Tiranë në restorantin Juvenilja, pas 24 vitesh. Nuk i tregova për librat që m’i kishte djegur ushtria serbe. Ai qe bërë edhe më i famshëm, arriti kulmin e krijimtarisë, ishte në kreun e shkrimtarëve më të mirë të botës. Unë i kisha lexuar veprat e reja që i botonte, i kisha ndjekur pothuajse të gjitha intervistat e prononcimet në mediat ndërkombëtare, ia botoja në gazetën “Rilindja”, ku isha kryeredaktor. Ai u bë engjëlli ynë mbrojtës, në kohën kur shqiptarët e Kosovës përpëliteshin për jetë a vdekje. U angazhua më shumë se askush tjetër, ndërsa fjala e tij çonte peshë në opinionin botëror. Për këtë ishim falënderues të gjithë. Ai e preku dhe e zgjoi ndërgjegjen e botës demokratike. Me shkrimet e tij u angazhua më shumë se të gjithë shkrimtarët dhe intelektualët shqiptarë për lirinë e Kosovës, e përçonte zërin e shqiptarëve më fuqishëm se askush tjetër, kritikonte dhe alarmonte. Në disa raste mori qëndrim të rreptë ndaj Ibrahim Rugovës, duke ia parë për të madhe politikën paqësore. Edhe këto shkrime ia botoja. Por këtu i hynte në hak Rugovës, i mungonin informatat ose ia shtrembëronin gjërat njerëzit që e takonin dhe që ai u besonte. Prandaj, në dy-tre shkrime mora qëndrim kritik ndaj tij, duke ia parë për të madhe rreptësinë. “Si do të reagonte ai, po të qe në lëkurën e Rugovës në Kosovën e okupuar?”, e pyeta në fund të shkrimit.

Takimi me te ishte i këndshëm, ishte i pranishëm edhe Bujar Hudhri, botuesi i “Onufrit”, me të cilin patëm lënë takim për mundësinë e botimit të librit tim për filmin. Erdha nga pushimet në Shëngjin. Në ambientet e ngrohta të Juveniljes biseduam për çështje nga më të ndryshmet, për fenomenet devijante të shoqërisë shqiptare, për shqiptarët e Maqedonisë, për të cilët Kadareja ishte i brengosur me të drejtë, druante se i kemi humbur me përcaktimin e tyre oriental të fanatizmit islamik. Në këto tema, orientimi im ishte i njëjtë me ato të shkrimtarit të madh. Por raporti i dikurshëm me Rugovën rrinte pezull në ajër.

“Unë i kërkova falje Rugovës për kritikat që i bëra”, më tha ndër fjalitë e para. “Gabova, i kërkova falje dhe mbetëm miq”. “Burrat e mëdhenj, kur gabojnë kërkojnë falje”, i thashë, i bindur se ai ishte ndër ata burra. Me kujtohej ardhja e I. Kadaresë në Prishtinë te Rugova, jo shumë kohë pasi u çlirua Kosova. Më kujtohej edhe konferenca e shtypit që organizuan dhe miqësinë që e vazhduan. “Rugova e pranoi faljen time”, më tha, sikur të qe shkarkuar nga një barrë.

Rugova e kishte mbrojtur veprën e Ismail Kadaresë shumë vjet më parë me një shkrim publik, ku thoshte se nuk duhet ndaluar vepra e shkrimtarit nëse politika zyrtare nuk pajtohej me prononcimet e tij publike. Kadare kishte kritikuar rreptë politikën jugosllave për dhunën e terrorin që ushtronte ndaj shqiptarëve në Jugosllavi. Prandaj u tërbuan zyrtarët jugosllavë. Kritikën e Ismailit e dëgjuam i madh e i vogël në Radio Tirana. Këto kujtoja kur po bisedonim.

Me Kadarenë biseduam edhe për shumë çështje politike, për mediokret në letërsi e në politikë, për intrigat e ulëta e për ndërskamsat. U përpoqa ta bindja se, nuk e vlente të shpenzonte energji me disa individë që nuk ishin të barabartë me të. Nuk kanë ndikim politik  e kulturor, sulmet e tyre nuk ia errësonin famën mjeshtrit të madh. U ndamë miqësisht.

Herën e tretë, takimi ishte më kuptimploti, me një arsye të veçantë: shkoja me romanin tim “Zogjtë e qyqes”, që kishte marrë Çmimin “Kadare 2021” nga juria e Institutit Europian “Pashko”. Kishte dhjetë vjet që isha futur në ujërat e letërsisë, pasi u mora kohë të gjatë me kritikë filmi, gazetari, skenarë, prodhimtari filmi artistik dhe me drama. Kisha lexuar çdo gjë nga Kadareja, por asnjëherë nuk e kisha marrë një nënshkrim të mjeshtrit të madh, ndërsa edhe nga familja ime kishin nënshkrime të tij, që më vinte maraz pse ata po e unë jo. Edhe kësaj here nuk mora firmën e tij, por ia dhashë romanin tim me kushtim e firmë. Një libër ia kushtova edhe Bujar Hudhrit, botuesit të “Onufrit”. Vazhduam bisedën pa u përqendruar në ndonjë temë të veçantë, por me një ndjenjë se hera e tretë ishte ndryshe nga dy herët e kaluara, kishte më pak shqetësim e më shumë emocione.

Kush e kishte menduar se do të kishte herë të tretë. Por rastësia është mbret i botës. Nuk i dihet, prapë mund të takohemi me ndonjë shkas të veçantë./liberale.al

Please follow and like us: