Leonard Olli: Për të qeshur dhe për të qarë!
Për këdo me njohuri të avancuara gjuhësore është e qartë se në gjuhën turke apo atë zyrtare të perandorisë otomane, termi ‘arnaut’ do të thotë shqiptar, ashtu sikundër edhe arvanitas në greqisht apo arbëresh në italisht. Kur pashë lojtarin e Austrisë me mbiemër Arnautoviç, automatikisht kuptova se kemi të bëjmë me një sllavizim të termit turk. Pra një shqiptar, me ‘rikoshet’… Pas shënimit të golit, dukej se e gjithë qenia e Arnautoviç, pati një shpërthim thuajse bërthamor, gati në parametrat e tërbimit. Duke parë reagimin e shokëve të skuadrës, natyrshëm besova se ishte një shpërthim ndaj trajnerit të ekipit të vet, i cili e futi në lojë si zëvendësues. Shënimi i golave, përbënte një provë që ai duhej të ishte në formacion bazë. Shumë sinqerisht këtë hamendësova kur pashë tërbimin në shprehje e gjestikulacion. E mendova se ndoshta ishte paragjykuar nga trajneri austriak për arsye të origjinës e prandaj shpërtheu aq i papërmbajtur… Sot, në media, mësova se ishte me orgjinë serbe dhe kishte sharë nënën shqiptare të një futbollisti shqiptar të ekipit të Maqedonisë së Veriut! Këtu e humba fillin. Për disa sekonda, si shqiptar që jam, u nxeha dhe nuk ia përtova së brendshmi sharjet me libër shtëpie! Por pastaj u bëra pishman… edhe kjo fjalë turke… “Për të qeshur e për të qarë”, mendova. A e di ky kastraveci se nuk ka bërë as më shumë e as më pak se ka sharë nënën apo gjyshen e vet… e nëse ky kastravec beson se është serb, harron se ata që janë apo ndjehen serbë janë tallur me vete shumë keqazi duke dëgjuar një shqiptar të pandërgjegjshëm të vetëshahet, duke sharë një bashkëkombas… Prapashtesa “viç” nuk ja mbulon dot origjinën arnautase, pra shqiptare… I qoftë me kaq se budallallëku, siç thonë turqit, nuk ka fund..
Please follow and like us: