Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipëria në Këshillin e Sigurimit të OKB/ Ambasadorja Kadare për ATSH: Vizibiliteti më i madh që shteti shqiptar ka njohur ndonjëherë në arenën ndërkombëtare

TIRANË, 14 qershor/ATSH-Maela Marini/ “Zgjedhja e Shqipërisë për herë të parë si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së shënon padyshim një ngjarje historike”, tha sot në një intervistë për ATSH-në Përfaqësuesja e Përhershme e Shqipërisë në OKB, ambasadorja Besiana Kadare, njëkohësisht zv/presidente e seancës së 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ambasadorja Kadare theksoi se numri i lartë i vendeve anëtare të OKB-së që i dhanë votën (e fshehtë) Shqipërisë për t’u anëtarësuar në organin më të rëndësishëm dhe të lakmuar të OKB-së, dëshmon seriozitetin dhe konstruktivitetin e politikës sonë të jashtme.

“Rezultatet e votimit në Asamblenë e Përgjithshme treguan se Shqipëria gëzon një reputacion pozitiv dhe konsiderohet nga familja e madhe e kombeve si një partner i besueshëm dhe i përgjegjshëm, i aftë që të angazhohet në zgjidhjen e krizave dhe konflikteve globale”, u shpreh ambasadorja për ATSH-në.

Prestigji dhe influenca që fiton një vend duke u anëtarësuar në Këshillin e Sigurimit, sipas Kadaresë, “e tejkalon ndjeshëm peshën dhe fuqinë e tij politike tradicionale, të përcaktuar zakonisht nga përmasat gjeografike, popullsia dhe fuqia e tij ekonomike dhe ushtarake”.

Ambasadorja e Shqipërisë në OKB informoi për ATSH-në se, “gjatë mandatit të saj, Shqipëria do të përfshihet në negociata me fuqitë më të mëdha botërore dhe do të marrë pjesë në vendimmarrje që lidhen me paqen dhe sigurinë e planetit. Miratimi i çdo rezolute në KS kërkon të paktën 9 vota pro, dhe mosvënien e vetos nga asnjëri prej 5 anëtarëve të përhershëm. Në këtë kontekst, nuk është e vështirë të kuptohet se sa rol të rëndësishëm do të marrë Shqipëria, e cila, me qëndrimet që do të mbajë në Këshill të Sigurimit, do të influencojë vendimmarrjen për çështje globale”.

Si rrjedhojë, shtoi ajo, periudha dyvjeçare e anëtarësisë sonë në Këshillin e Sigurimit (2022-2023) do t’i japë Shqipërisë dhe politikës së saj të jashtme vizibilitetin më të madh që shteti shqiptar ka njohur ndonjëherë në arenën ndërkombëtare.

“Një pasojë pozitive afatgjatë për vendin do të jetë edhe përforcimi i bashkëpunimit tonë me vendet më të fuqishme të botës. Më konkretisht, krahas 5 vendeve anëtare të përhershme (SHBA, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Rusisë dhe Kinës), Shqipëria do të shërbejë në KS së bashku me Indinë, Brazilin, Meksikën, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kenian, etj., për të përmendur vetëm disa”, tha Kadare për ATSH.

Së fundi, për t’i vendosur gjërat në perspektivë dhe kuptuar më mirë përmasat e kësaj ngjarjeje madhore, Kadare sqaroi se 33 % e vendeve anëtare të OKB-së (ose më saktë 63 vende) nuk kanë arritur asnjëherë të anëtarësohen në Këshillin e Sigurimit deri tani.

Kadare theksoi se “anëtarësimi i Shqipërisë në KS është një oportunitet fantastik për Shqipërinë, i cili paraqitet një herë në një gjeneratë”.

Ajo tha se “anëtarësimi i Shqipërisë në KS është një lajm i mirë për mbarë kombin shqiptar”.

“Si pasojë e rritjes së influencës dhe peshës gjeopolitike të Shqipërisë, do të përforcohet padyshim edhe roli i saj si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon”, shtoi Kadare për ATSH-në.

Please follow and like us: