Albspirit

Media/News/Publishing

LETRA E MUSTAFA KRUJËS DREJTUR BEQIR VALTERIT, ATENTATORIT TË AHMET ZOGUT

 

 

Enver Lepenica

Dom Lazër Shantoja, Mustafa Kruja, Beqir Valteri

 

Mustafa Asim Merlika i njohur më shumë si Mustafa Kruja, ka lindur në Krujë më 15 mars 1887 dhe ka vdekur në Ujëvarat e Niagarës27 dhjetor 1958. Ka qenë mësues, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë, politikan dhe kryeministër. Si studjues i shqipes, historian e publicist njihet dhe me emrin e pendës Shpend Bardhi. Në studimet e veta mbi etimologjinë e shqipes, Eqrem Çabej e citon në mënyrë të përsëritur.

Në zgjedhjet e 5 prillit 1921 u zgjodh deputet i prefekturës së Kosovës. Përkrahu Lëvizjen e qershorit të vitit 1924 dhe në dhjetor të atij viti pas kthimit të A. Zogut u arratis jashtë shtetit. U kthye në Shqipëri pas 15 vjetësh emigracion, pas pushtimit italian, dhe u emërua senator.

Në nëntor 1941 Jacomoni e emroi kryeministër të Shqipërisë. Me vrasjen më 5 janar 1943 në Vlorë të Qazim Koculit dhe prefektit Lele Koçi Kruja i paraqiti dorëheqjen Jakomonit.

Para se të kthehej në Shqipëri më 3 maj 1939, i shkruan një letër shokut të emigracionit Beqir Valterit, ku e fton të kthehet në atdhe. Letra e Mustafa Krujës është e daktilografuar në një faqe e gjysëm dhe është gjetur në arkivin e Beqir Valterit kur ai është arrestuar e kontrolluar nga forcat  komuniste që e arrestuan.

Duke qenë se Mustafa Kruja ishte një studjues i gjuhës shqipe, letra e tij publikohet pa bërë ndryshime, me drejtshkrimin e tij:

 

“I dashuni Beqir,                                         

Genevë, 3 – V – 1939

Mora letrën t’ande. Ti qahe prej meje. Mirë. Nuk asht rasa tash m’u zgjatë mbi këtë temë. Po të thom kaqë: të kam dashë e të due ma fort se ç’e mendon ti e, këtë sidomos shënoje mirë, pa kurrfarë interese. I urrej ata qi duen kënd për interesë. Un prej teje e dij mirë qi veç të çame kreje kam me pasë, por i pranoj me gzim këto si  t’imponueme prej nji ndiesie qi s’e spegoj dot e prej nji ndërgjegjeje qi e spegoj mirë, qi e kuptoj mirë desha të them. Dashunin t’eme mjafton me t’a provue interesimi i im për ty në ktë rasë.Nuk due qi të më ndiej veshi keq për ty. Prandaj të ftova me u kthye në atdhe. Ti i ke besue vetes për shef e për të zotin m’u mbajtë mbë këmbë të tuja. Edhe un qi të due, kështu kishem me të dëshërue. Por mjerisht s’e kam këtë besim. Prandaj e ndiej për detyrë me t’a ngjitun dorën si e me sa të mundem. Por për me t’a ngjitun dorën desha ma parë me qenë i sigurtë se a do të më ndëgjojsh mue kështu e mbrapa apo do me punue në krye tand. Fjala qi më ke dhanë, ty s’të lidh për jetë. Po e pae se un po të çoj në rrugë të keqe apo të padenjë për nji njeri qi e ka da m’u ba shef je i lirë të zgjidhesh kur të duash. Por atëherë zgjidhemi të dy e i ndiefshim të mirën shoqi – shoqit. Sa të jemi të lidhun ti do të ndjekësh pikë për pikë rrugën qi kam me të tregue un barabar si djelmt e mij. Kur t’a shohesh se të kanë bi bisht e pendë e s’ke ma nevoj për mue fluturo kah të kesh qejfin. Qe ça pata me të thanë dorë për dorë.

Këtu po të mbyll nji çek për 3000 frang qi të duhen. Bile po të çoj 4000, qi të vijsh rahat deri në Shqipni e jo në Genevë. Merre rrugën me nge, por po mbete pa pare nuk të çoj ma asnji pesësh e të quej se e ke hangër fjalën qi më ke dhanë. Un tash nisem vetëm e për nja dy javë do të shmallohem me të mijt. Vetëm q’atje kah fundi i muejt do të jemë në dispozitë t’Atdheut, të miqve e dashamirëve.

Ti kur të dalsh në Durrës piqu atje me miqt e mij, me Hysen Mushketën b.f. dhe eja e gjejmë mue ku të jemë. Instukcionet i merr atëherë me gojë. Nji gja vetëm të dijsh qysh tashti: për ty po fillon nji jetë e re e duhet të mos përsëriç asnji nga gabimet e mërgimit. Dije se nuk bahe shef tue thanë se je shef, por vjen sigurisht dita  m’u ba edhe shef kur të dijsh me durue si ushtar i dishiplinuem. Ani sod ndën regjim fashist! A më ke kuptue mirë?

E mbasi po fillon nji jetë të re, daju me njerzin aty, tue thanë se ndien thellësisht përgjegjësin e familjes e se po kthehe për me i shërue ksaj plagët qi i ka çelë regjimi i Zogut të shkaktueme prej teje. Shih sa ma pak njerëz e vetëm njerëz seriozë, jo ata qi i marrin tragjedit kombëtare e fanikjare me tallje, jo me vagabonda e aventuriera.

Mos i difto kuj, se s’ke nevojë, qi të kam çue un pare.

Mos prit kurrgja nga Baldacci e as nga Nureddini. Mos ba politikë me kurrkënd. Politika e jote ka mbarue deri sa s’je pjekë me mue në Shqipni.

Kaq pra e mbaji mend mirë sa të shkrova. Zoti na pjektë shëndoshë n’tdheun t’onë të dashun. Mustafa” (Arkivi MPB. D.1568, Gjyqi special, f.547)

 

KUSH ËSHTË BEQIR VALTERI

Valterët janë një familje me prejardhje gjermane, të thirrur në kohë Skënderbeut për të prodhuar barut. Në  mbrojtjen me shkrim që Beqir Valteri bën para gjykatës komuniste në vitin 1945, del se duhet të ketë lindur në vitin 1906.

Më 23 shkurt 1924 Valteri i bëri atentat brenda Kuvendit kryeministrit Ahmet Zogu, kur ai po hynte brenda sallës së parlamentit. Zogu mori dy plumba kalimthi.Mendohet se Beqir Valteri u hakmor, se pas vrasjes së xhaxhait të tij ishte Lal Krosi një nga njerëzit më të besuar të Ahmet Zogut.

Pas disa orë bisedimesh, pasi iu premtua se do i falej jeta, Beqir Valteri u arrestua dhe do mbetej vetëm pak kohë në burg dhe më pas do lirohej nga qeveria e Fan Nolit. Një vendim i cili do të merrte reagime të ashpra nga Ahmet Zogu dhe bashkësia ndërkombëtare.

Gjatë pushtimit italian dhe gjerman Valteri ishte deputet dhe Komisar i Lartë i Ushtrisë.

Beqir Valteri ishte ndër 60 e pandehurit të cilësuar “kriminelë lufte” në Gjyqin Special, zhvilluar nga 1 marsi deri në 13 prill 1945. U dënuan 17 vetë me pushkatim, ndër ta edhe Beqir Valteri, 8 vetë me burgim të përjetshëm dhe të tjerët me burgime të ndryshme.

Trupi gjykues përbehej nga 9 veta, kryetar i saj u emërua gjeneral lejtnant Koçi Xoxe (teneqexhi, me 5 klasë), dhe anëtarë: kolonel Hysni Kapo, nënkolonel Beqir Balluku, kapiten Hajdar Aranitasi, partizan Gaqo Boboshtica, dr. Medar Shtylla, Faik Shehu, anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar; Halim Budo, gjykatës, sekretar i përgjithshëm i ministrisë së Drejtësisë; Gaqo Floqi, gjykatës. Prokuror i Gjyqit ishte Bedri Spahiu, gjeneralmajor. Më 10 mars 1945, u emëruan si ndihmësgjyqtarë të Gjyqit Special edhe Bilbil Klosi, major Gjon Banushi dhe major Haki Toska.

*          *         *

Përpara gjykatës Beqir Valteri e paraqiti mbrojtjen me shkrim. Mbrojtja e tij paraqet interesa historike pasi hedh dritë mbi ngjarje të Luftës Antifashiste dhe rolin e pozicionin që ka mbajtur Beqir Valteri. Po kështu mbrojtja sqaron disa aspekte të veprimtarisë së tij që janë paraqitur gabim në disa artikuj të botuar. Kështu p.sh. për atentatin kundër Zogut, nuk e ka shtytur Avni Rustemi sikundër është thënë.

Valteri na paraqitet si një politikan i lindur pasi gjithë jetën u mundua të loste një rol në shoqërinë shqiptare, duke krijuar shoqëri dhe parti, dhe ajo që është e rëndësishme u mundua që fatin e Shqipërisë ta shihte të integruar në Ballkan në miqësi me fqinjët.

Është shqiptar i parë që ka kërkuar një Konfederatë Ballkanike dhe bashkimin e popujve të vegjël për të mbrojtur interesat e tyre.

Pavarësisht rezultatit të përpjekjeve të tij rëndësi ka t’i njohim mendimet dhe idetë e tij që sot janë konkretizuar në Bashkimin Europian.

 

MBROJTJA E BEQIR VALTERIT NË GJYQIN SPECIAL

 

Trupit gjykues të Frontit Nacionalçlirimtar

Zotnij Gjykatës!

Kur hynë në Tiranë fuqit e Nacioonal Çlirimtares unë u mëshefa dhe hika. Hika nga frika se mos më mbytte uji i turbullt:

Mbas dy jave që u qetësua pak gjendja dhe u prokllamue amnistia për fajet politike, erdha me kambët e mija tue iu shtrue pushtetit të Nacional Çlirimtares. E, të më besoni se kam ardhë jo pse edhe unë s’kam muejt me qindrue si i aratisun, por pse më pëlqeu fryma dhe programi i Frontit.

Tash që ju kallzova sinqerisht arsyen e dorëzimit tem, qe edhe gjystifikimi i jem për të shkuemen e pesë vjetve të periodës së okupacioneve.

*    *    *

Zotnij Gjykatës! Pa dyshim Nacional Çlirimtarja ka të drejtë me folë e me e drejtue ket vend si nji Front që pesë vjetë rrjeshtë ka pësue lloj-lloj pësime e vuejtje tue luftue kundra okupatorve. Sakrificat e Nacional Çlirimtarve shqiptarë i kanë tregue botës mbarë se shqiptari asht nji racë e fortë dhe nji popull që me çdo kusht don liri dhe të drejtat e veta.

Nacional Çlirimtarët janë djelmët ma të mirë të popullit shqiptarë. Dishiplina si edhe sakrificat e bame nga ana e djelmëvet dhe vajzavet të Nacional Çlirimtares në luftën kundra okupatorëve, kanë me mbet veprime legjendare; vetëm se edhe të gjithë ata që ndejtën indiferent ose kanë bashkëpunue me okupatorët, nuk mund të konsiderohen djelmë të këqij të këtij vendi e aq ma pakë nuk mund të quhen trathtorë. Së paku kështu mendoj për vedi e qe përse:

 

Idetë dhe veprimet e mija politike

Zotnij Gjykatës! Që të mund të ju përgjigjem akuzave që më bani, më duhet që shkurtimisht të ju njoftoj pak idetë dhe veprimet e mia tue fillue që nga mosha e fëmijnis. Kur kam qenë edhe fare i vogël, unë kam ndi nji dashuni atdheu dhe gjithnji kam veprue me sa kam mujtë.

Në moshën gjashtë vjeç, im atë, ndonse nji malësor i thjeshtë, i etshëm për kulturë më pat çue në shkollat turke në Stamboll.

Më 1919, me mbarimin e Luftës së madhe, tue dëshirue me i vazhdue mësimet në gjuhën shqipe,

hika prej shkollave turke dhe ktheva në atdhe.

Më 1920, tue qenë ende nji fëmi 13 vjeçarë, me entusiazëm të madh jam anëtar i nji shoqnije patriotike që kish themelue Avni Rustemi në San-Dimetrio-Corone,Itali. Po në fund të këtij moti, Lidhja Patriotike e studentave shqiptarë të Romës që quhej Shoqnija “Shpresa”, më ngarkoi përfaqësues të saj në Shqipni për me mbledhë ndihma. Letër përfaqësimin e ka pasë firmue sekretari i shoqnis Vasil Ziu, sot Kryetar i Frontit Nacionalçlirimtar të Durrësit.

Më 1921, me sygjerimin tim që i pata ba Vasil Bidoshit, asht formue në Napoli shoqnia patriotike e studentave shqiptarë “Naim Frashëri”

Më 1922, drejtë për së drejti, prej inisiativës time, asht formue në qytetin Lecce (Itali) nji shoqni tjetër nën emnin “Ismail Qemali”. Këtë mund t’ma vërtetojnë shokët e kolegjit si dr. Remzi Fico, Abaz Omari, Namik Cakrani, Stefan Shundi etj.

Më 1923, po prej inisiativës time, asht formue në Korçë nji shoqni tjetër nën emnin “Ylli i Mëngjesit”. Kjo shoqni përbëhej prej nxansave të krahinave të ndryshme të Shqipnis që kishin ardhë në liceun e Korçës. Por, ma vonë, mbas disa muajve, për mos me qenë të ndamë prej rinis korçare, me bashkëpunimin e disa shokve korçarë, formuem nji shoqni të përbashkët nën emrin “Shpresa”. Kjo shoqni ka pasë nxierrë edhe nji organ të përmuejshëm edhe unë kam qenë nji nga redaktorët e saj. Artikujt e mi edhe sot mund të gjinden në Bibliotekën Kombëtare: Rivista “Shpresa” nr. 1 e 2. Dhe aktivitetin tim përgjthësisht mund të ma vërtetojnë të gjithë shokët e liceut si: Aleko Tashko, dr.Sinan Imami, Petraq Pepo etj, etj.

Po në vitin 1924, gjithnji me entusiazëm të madh për me i shërbye sa ma shumë çështjes kombëtare, tue pa tradhëtit e krimet e Ahmet Zogut si edhe mënin e popullit kundra tij, unë pata guxue për me atentue jetën e tradhëtorit tue dalë në shesh vullnetarisht. Këtë ngjarje e vërteton vet historija e Shqipnis së re dhe mbasi fati i keq më solli që të gjykohem sot para jush si “ tradhëtor”!

Tash më duhet pak edhe me u lëvdue:

Veprën e kryeva në mënyrën që i bante nderë djelmënis shqiptare. I dhash tiranit tri plagë revolveri kur ay ish diktator fuqiplotë i vendit dhe i rrethuem me dyzina cuba të armatosun.

Kam edhe ma:

Kur i dola para tiranit për me i ra e për me e shtri, gjoksin tem e pata mbështjellë me nji flamur kombëtar. E, mbrapa me mbrojtjen që bana për ma se nji orë kundra cubave të tij që shtijshin pa pushim kundra meje. Plumbat e tyne i prita me pushkë e kangë kombëtare në gojë.

Në krismat e pushkave pata këndue at kangën e Hilë Mosit: “Atje n’at vend të lamun me gjak arbnorit të lirë”…

Kët mënyrë veprimi, në mes shum të tjerve mund të ja u vërtetoj dhe ish shoku i jem, e sot vetëm i jueji, Sejfulla Malëshova i cili ka ndodhë në parlament kur u ba ngjarja dhe u burgos së bashku me mue.

Mbas disa muejve burg të rëndë me tortura, e mandej mbas gjashtë muej lirije dhe aklamacjoni nën  qeverin revolucionare të Fan Nolit, në mes qindra intelektualësh që morën rrugën e ekzilit tue hikë nga ardhja e Zogut në fuqi, natyrisht qesh dhe unë.

 

Jeta e jeme në ekzil

Dhe në ekzil, ndonse isha fare i ri e kam qenë gjithnji i persekutuem prej agjentave të Zogut, nuk mbeta pa veprue:

Me anën e nji grupi të vogël që pata formue në Paris nën emnin “Bashkimi i Djelmënis”, kam luftue rrebtas tiranin e Zogut dhe penetracjonin italjan në Shqipni, tue i drejtue Lidhjës së Kombeve e kancelarive memorandum e telegrame protestimi. E kam pasë çveshë Ahmet Zogun përpara opinjonit europjan, e i kam luftue të gjitha lidhjet që pat ba Roma me qeverin e Zogut. Kët shoqni e pata formue me disa studenta, puntorë e ish-oficera të hikun dhe, aktivitetin tim mund të m’a vërtetojnë të gjithë shqiptarët që janë ndodhun në Paris.

– Mbas shumë veprimeve të ndryshme në fushën kombëtare,ma në fund tue pa se Italija dita me ditë po penetronte në Shqipni e, tue kuptue se Shqipnia nuk mund të shpëtonte vetëm me fuqit e veta, përqafova iden e bashkimit të popujve të Ballkanit në gjinin e nji konfederate.

Nji bashkim ballkanik, si tash edhe asi kohe, e favorizonte Rusia Sovjetike. Por, unë tue kuptue se, nga frika e komunizmës çdo ide që dilte nga Moska gjente kundërshtimin e të gjithë oksidentit, kët ide të naltë, mendova t’ia paraqes botës në aspektin thjeshtësisht kombëtar e të pamvarun nga Moska.

-Nga ana tjetër nuk mund të mohojë edhe se, unë si nacionalist, edhe vet isha e jam i parimit që idea e nji bashkimi ballkanik të dalë si nji vullnet i popujve të Ballkanit, tue mos u drejtue Ballkani nga asnji fuqi e madhe.

-Sikundër e kam çfaqë mendimin tim dhe në fletoren “Bashkim i Kombit” me 3 dhjetor 1943, Konfederatën Ballkanike e kam andrrue dhe e kërkoj në mënyrë që secili popull të rregullohet me frymën, karakteristikat dhe vlerat e veta dhe, popujt e Ballkanit, si shtete të bashkueme, në politikën rivale të fuqive të mëdha të mbeten të pa-anshëm për me e ba vendin e tyrne nji faktor paqeje në Europë dhe në botë. Me kët frymë e drejtim kam themelue edhe nji  grup të vogël nën emnin “Partia Nacional-Ballkanike Shqiptare”, të cilën muejta me e shpallë botnisht ndër ditët e fundit që ishte tue u largue ushtrija gjermane nga Shqipnija.

Megjithëse mendimi i jem ka qenë ky, ma vonë, tue kuptue se realizimi i shpejtë i kësaj ideje, ka nevojë për ndihmën e nji shteti të madh, për të parën herë drejtova nji “memorandum” presidentit Hoover tue kërkue ndihmën e Shteteve të Bashkueme të Amerikës. Bashkë me memorandumin pata çue edhe nji flamur që pata sajue për konfederatën.

Ndonse mizerja e mërgimit më kish randue e turbullue tepër – pse nga mos-pasja vuejsha edhe për bukë e shpesh herë flija nën ura – po për iden e bashkimit ballkanik i kam pasë drejtue edhe nji memorandum Konferencës së parë për afrimin ballkanik që u mblodh në Athinë më 1931, tue i kallxue asaj konditat mbi të cilat mund të realizohej ideja e bashkimit ballkanik. Kët memorandum e pata botue edhe në formë manifeste tue harxhue paret e qerasë së hotelit dhe si konsekuencë të kësaj vepre pata mbetë edhe pa odë tue u shtrëngue me fjetë prap nën ura e disa herë në odën e ndonji shoku.

-Ju njoftoj edhe se, ndër të hikunit, jam i vetmi që s’kam pasë marrë subvencion nga ndonjë shtet i huaj dhe kam jetue gjithnji tue i lypë shokve e miqve personal. Dikujt i kam marrë pare për me hangër nji copë bukë, dikuj tesha me e veshë e dikuj këpucë për me u mbathë e, ndonëse kambën e kamë të numurit 41, të gjitha numrat prej 39 e naltë i pranoja…

Jeta e jeme në Paris ka qenë e tmerrshme. Për dhjetë vjetë rrjeshtë e kam ba vet bukën, i kam la vet enët, i kam la vet teshat e çdo natë flinja me frigë se a do të kisha për me hangër në të nesërnmen, pse shpesh herë më ka qillue me mbetë fare pa të. Dhe, kjo mizerje më asht shkaktue jo pse edhe unë s’mund të mirrsha ndonji rrogë prej ndonji qeverije, por pse kisha vendosë me luftue fqinjët imperialist, ka qenë aq intrasigjente sa që çështjen e librimit të Kosovës dhe nevojën e nji Konference Ballkanike, e kam pasë çfaqë bashë në Jugosllavin vet dhe si konseguencë të këtij gjesti, autoritetet Jugosllave të Sushakut më patën okspulsue. Kjo më 1927.

Prej Jugosllavije shkova në Vjenë por mjerisht edhe prej andej nga intrigat e konsullit të Zogut Çatin Saraçit u ekspulsova e menjiherë, mbas shumë mundimesh, u nisa për në Francë ku qindrova deri më 1939.

Kët jetë aktiviteti, persekutimi e mizerje mund të ma vërtetojnë të gjithë të hikunit si dhe studentat e puntorët shqiptarë që ndodhen në Paris.

 

Edhe nji tjetër vepër që më nderon.

Tue mos gjetë asnji mbështetje të pa kompromentueshme për lëvizjen teme shqiptare e ballkanike grupi u shpërnda, e, si person, inspirue me ndjenja njerëzore e paqësore, tue pa padrejtësinë e fuqive të mëdha imperialiste si dhe pazotësinë e Lidhjes së Kombeve për mbrojtjen e të drejtave të sejcilit popull, më ra ndërmend nji ide e re.

Për me i dhanë nji fuqi Lidhjes së Kombeve d.m.th., për mos me e lanë Institutin e Gjenevës vetëm, ndër duart e Fuqive të Mëdha e pash të dobishme që të gjithë popujt e vegjël të botës të lidhen në nji institucjon të veçantë tue u organizue ata ma parë në konfederata. Për realizimin e kësaj ideje i drejtova nji memorandum qeveris holandeze tue i sugjerue asaj mendimin që ajo si nji shtet i respektuem në botë të merrte inisjativën për realizimin e këtij projekti. Dhe kjo ide e jeme e organizimit të popujve të vegjël në nji institucion të veçantë asht e njoftun prej shokve të mërgimit pse dhe këtë, tue e lanë vedin keq, e kam pasë shtypë dhe shpërnda ndër broshura. Me sa dij unë, nji kopje të këtij projekti, gjindet ndër dokumentat që më keni marrë. Mbasi qeverija holandeze nuk më dha nji përgjigje të favorshme, projektin tem për bashkimin e popujve të vegjël ia pata dërgue edhe qeveris republikane të Spanjës.

Kët mendim temin për lidhjen e popujve të vegjël, në nji institucjon të veçantë – tue u organizue ata ma parë në konfederata të veçanta, asi kohe e patën marrë me tallje, por sot kjo ide asht tue u mprojtë edhe prej personaliteteve politike përgjegjëse. Disa muej ma parë, kam këndue në nji fletore ku zoti Smuts-i, president i Afrikës Jugore e mpronte me nxehtësi kët mendim.

 

Tek çështja që ju intereson juve.

Unë në Paris me këto idena të bukura e bujare që ju çfaqa, nji fatkeqësi kombëtare ia mërrijti Atdheut t’onë: Italija okupoi Shqipnin! Nga kjo ngjarje, si për çdo shqiptar të mirë dhe për mua, qe nji grusht i randë, e i randë fort.

Në kët kohë fatzezë për shqipnin, agjentët italjan të Parisit, tue na premtue liri, Shqipni të Madhe e ku di unë, na ftonin me u këthye në Shqipni. Thirrje e tmerrshme! Na që kishim hikë, na që kishim ndejtë 15 vjet jashta Atdheut kundra nji tiranije të mbrendshme, tash na kërkonin për me iu shtrue nji okupatori të huej…

Se çfarë lirije e Shqipnije të Madhe mund të kishim me Italin unë e kuptojsha, dhe e kuptojsha mirë. Por, tue kuptue edhe se çështja shqiptare nuk zgjidhej ma vetëm me opozicjonin tonë që mund të bajshim na tue mbetë jashtë, si dhe për mos me e vazhdue edhe mërgimin e të mbetesha si nji i huaj për Shqipnin – pse nji kala mund të merret ma lehtë së mbrendshmi – pranova për me u kthye n’Atdhe.

 

Pozita jeme nën okupacjonin italjan.

Zotnij Gjykatës, tash se kalaja mund të merret ma lehtë së mbrendshmi, me kët rasë deshta me thanë, unë u ktheva në atdhe dhe me nji qëllim.

Për me mundë nji sundues ka rrugë të ndryshme dhe mbas mendimit tem, kur s’ke fuqi armësh të mjaft për me luftue, ke rrugën e adoptimit. Due me thanë: unë kam qenë i mendimit për me fitue besimin e okupatorit, me shpëtue me të mirë nga thojtë e tij, aq sa mundet, m’u armatosë e me u organizue me mjetet e tija e ma në fund në momentin e dobët të tij me i ra kokës.

Tue pasë vendosë pra me hecë kësaj rruge kam flirtue me të, tue folë e shkrue ndonji herë si në favor të tij.

Okupacjonin e pash të arsyeshme që të mos luftohet për deri sa të vijë moment i volitshëm dhe për nji arsye tjetër: mbasi në luftën që plasi, Kosova u kthye me Shqipnin, qoftë edhe nën okupacjon e tanë Shqipnija, ish nji dobi e madhe për avenirin e Kombit tonë që të gjithë shqiptarët të bashkëjetojnë për nji kohë nën nji regjim, tue u njoftë e tue komunikue midis tyne.

 

Cilën kohë kam pritë unë për me luftue me armë kundra armikut okupator?

Me sa kam muejt me gjykue unë, kjo luftë botnore që po zhvillohet asht shkaktue e vazhdon të bahet vetëm e vetëm për interesat politike e ekonomike të Fuqive të Mëdha, dhe, tue qenë kështu, popujt e vegjël s’kan aspak interesë me u ba me njenën apo me tjetrën anë.

Mbas mendimit tem, popujt e vegjël, zanin e tyne duhet t’a qesin vetëm në mbarimin e luftës d.m.th. kur fuqit e mëdha të lodhen nga lufta e tyre të shtrohen në tavolinën e paqës.

Shpesh herë i kam pasë thanë shokve e miqvet: të rrijnë urtë që të mund t’i pregaditemi së nesërmes, pse sot që po vriten miljona e miljona njerëz nga të gjitha anët e botës, sikur njiqind mij shqiptarë me derdhë gjakun e tyne kundra okupajonit asht sikur me hjedhë nji kovë ujë n’oqeanin Atdhantik – kurse nesër kur të ket pushue lufta me u vra edhe njiqind shqiptarë për të drejtat tona, kishim me tërhjekë vërejtjen dhe aprovimin e të gjithë botës së qytetnueme në favorin tonë. Kam pasë thanë edhe: asht e vërtetë se lufta po bahet për interesat politike e ekonomike, por nesër, nuk mund të bahet nji paqe pa marrë parasysh edhe vullnetin e popujve që asht për drejtësi.

 

Nji tentativ për të cilën meritoj lavdata.

Posa erdha prej egzili, tue konstatue se rreziku ma i madh që mund të na vinte prej Italis ishte kolonizimi i Shqipnis, i kam drejtue qeveris nji kërkesë tue çfaqë nevojën e krijimit të nji drejtorije për organizimin e shqiptarëve të jashtëm. Në at kërkesë i gjithë qëllimi i jem ka qenë: në vend të kolonve italjan që mendohej se do të vinin, të instaloheshin shqiptarët e jashtëm. Por, mjerisht, me gjithë lajkat që bana nuk pata sukses në kët tentativë. Kopjen e kësaj kërkese e keni ndër dokumentat që më keni marrë.

 

Edhe nji tentative tjetër.

Mbasi nuk më doli organizimi i shqiptarëve të jashtëm, e tue pa se ajo Partija Fashiste Shqiptare drejtue prej Giovani Giro-s po na e xhveshte djelmënin nga idenat shqiptare, kërkova formimin e nji partije të re nacjonale nën emnin “Roja Kombëtare”.

Me kët tentativë, natyrisht tue mos i u largue parimeve fashiste e tue u angazhue me luftue doktrinën komuniste, kërkova me ruejtë individualitetin shqiptar tue i hjekë të gjitha emblemat dhe gjuhën italjane nga përdorimi, pse siç e dini, n’at kohë nji shumicë e madhe e popullit u shkrue në Partin Fashiste dhe deri ndër shkolla e formacjone djelmënije kishin fillue me u dhanë komandat në gjuhën italishte.

Tue konstatue edhe se, nji ditë do të përlesheshim me italjanët e tue pa se ushtrija shqiptare bani me atë Italis, pata kërkue dhe formimin e nji milicije shqiptatre të formueme e të komandueme krejtësisht prej shqiptarve tue caktue detyrën e saj për me ruejtë kufijt e Shqipnis.

Kët parti “Roja Kombëtare” mendonja me e këthye ma vonë në nji frymë edhe ballkanike, ashtu si e çpalla me hikjen e gjermanve: Partija Nacional-Ballkanike Shqiptare – programin e së cilës besoj se e keni lexue.

Kërkesën për me formue kët Parti ia pata paraqitë inspektorit të Partis Giovani Giro-s, por m’a refuzoi tue i konsiderue idet e mija separatiste.

I zemruem me Giovani Giro-n për mos përkrahjen e kësaj kërkese, pata tentue  – po për kët qëllim – edhe me pas-ardhësin e tij Piero Parianin. Këtij i pata ba edhe nji telegram urimi kur u ba inspektor i partis. Teksti i këtij telegram që asht botue në fletoren “Fashizmi” e tregon qëllimin tem.

Në projektin tem edhe me Parianin s’pata sukses dhe që prej asaj kohe kam qëndrue larg Partis Fashiste. Megjithëse tri herë rrjeshtë me shkrim më ka thirrë partija për me u betue si antar, unë nuk jam paraqitë. Këta dokumenta mund t’i gjeni ndër letrat që m’i keni marrë.

 

Ke qenë fashist.

Ndonëse unë s’e kam vu asnjiherë distiktiven fashiste dhe kam refuzue për me u betue në parti, shum kushi, tue mos i kuptue idet e mija të vërteta, më kanë mbajtë për fashist. Por, në realitet, kjo s’asht e vërtetë. Idet e mija politike janë për demokraci, pse çmoj thellësisht dobin e liris së mendimeve. Vetëm, për Shqipni, tue pa se edhe populli i jonë asht nën influencën patriarkale, feudale e fetare, kam mendue që prej kohe organizimin e inteligjencës shqiptare për me i imponue vendit nocionin e shtetit e  me mprojtë me efikacitet të drejtat e popullit.

Përsëris, e kuptoi padrejtësin e qeniës së nji partije të vetme, por në nji vend si ky i joni, ku mungojnë edhe udhët, urat e buka e gojës së shumicës së popullit, shum partina bajnë vetëm fjalë e dame. Veçanërisht, kur nji popull asht mbrapa edhe në pikpamjen kulturale, veprimet e shum partinave politike e hutojnë tue ia prishë karakterin e moralin e tij. Me fjalë të tjera unë kam qenë e jam me mendimet e Nacionalçlirimtares.

 

Je antikomunist.

Edhe kjo s’asht e vërtetë. Komunist nuk jam, por dhe antikomunist jo; dhe prova asht se, tue pasë mundësina, unë kurrë nuk e kam damtue ose përbuzë ndonji komunist. Bile dhe i kam favorizue e ndihmue në rasa të ndryshme dhe për këtë mund të ju jap disa prova.

Unë, komunizmin nuk e kam quajtë kurr të damshëm për popujt e vegjël. Bile, komunizmin e konsideroj nji aleate natyrale të nacionalizmës së popujve të vegjël të kërcënuem të gjithë nga imperializmi i Fuqive të Mëdha.

Këtë e kam kuptue qysh me kohë, por, unë tue kuptue edhe se nën flamurin e komunizmës inteligjenca shqiptare s’mund t’a shtinte kurrë fuqin e shtetit në dorë, jam çfaqë gjithmonë kundra sajë tue pranue disa principe të anës së djathtë. Dhe, në qoftë se kam ekzagjërue ndonjiherë me ndonji frazë kundra komunizmës kjo ka ardhë e para se kam dashtë të mbesë në terrenin nacional dhe, e dyta pse për idetë e mia në favor të nji konfederacjoni ballkanik, autoritetet shqiptare, italjane e gjermane më kanë konsiderue si komunist. Këtë mund të ja u vërtetoj edhe me nji dokument që u kam pasë zanë italjanve, e të cilin e keni ndër letrat që më keni marrë. Këtë dokument ma ka dorëzue nji mik i jem Ahmet Kola prej Mati që e kish gjetë në Burrel kur hikën italjanët. Deri Fiqri Dinia kur i kërkova leje dhe përkrahje për me e shpallë partin teme, më tha: “Dhe ti Beqir nuk je tjetër veçse motër e vlla me komunizmin”.

 

Pse kam kryesue fuqinat vullnetare në kohën e Italisë

Në kohën e okupacjonit italjan edhe unë për dy herë rreshtë kam rekrutue fuqina vullnetare në krahinën e Matës. Për të parën herë pata mbledhë 100 veta kur i u deklarua luftë Jugosllavis dhe për të dytën herë në kohën e Mustafa Krujës pata grupue 100 veta për me mbajtë qetësin e Matës.

Për herën e parë e pata mbajtë fuqin vetëm dy muej dhe për të dytën herë vetëm nji muej e gjysë. Pohoj edhe se, detyrën për me kryesue fuqina e pata kërkue unë vetë dhe nuk më qe imponue. Dhe arsyeja e kësaj kërkese asht kjo: tue qenë se unë, tue ndejt 15 vjetë rrjeshtë jashta Atdheut isha ba tepër i huej për Shqipni e tue çmue se nji ditë do të më duheshin me organizue forca për me luftue me armë okupatorin, me at mënyrë kam dashtë të bije në kontakt me malësoret që nesër, në kohën e duhun të mujsha me dijt me i drejtue për çlirimin e vendit.

Që unë kam mendue vetëm kështu provohet nga fakti se në kohën që kam kryesue forca s’asht ba ndonji veprim kundra kuejt. Bile, përkundrazi, me cilësin e komandantit kam sjellë vetëm lehtësina popullit. Për tregim, tue qenë komandant që kisha për detyrë vetëm për të ndjekë e për të kap të arratisun, në emnin e vullnetarve të Matit, i kam drejtue Jacomonit nji telegram tue i kërkue faljen e katër djelmëvet katundarë që i kish kapë forca e gjindarmëris së Krujës e që i kishte dënue me vdekje. Këta djelm ishin kapë nga nji përpjekje që pat Abaz Kupi me fuqit qeveritare të Krujës. Teksti i këtij telegram mund të ndodhet edhe sot në postën e Krujës.

Njiherë tjetër, kam refuzue me rrethue Abaz Kupin që ndodhej me 20 veta në nji shtëpi të katundit Bruç e unë ndodhesha me 300 veta në Burel.

Prap, pse unë me cilësin e komandantit e kam pasë marrë nën mbproje shokun tuej të shkretin Muhamet Gjolleshin i cili ka pasë qindrue në Burrel shef i zyrës botore. Ay ka pasë mujtë me zhvillue pa pengime propagandën e tij Nacionalçlirimtare. Propagandën dhe veprimet e Muhamet Gjolleshit- akuzue si komunist- qeverija e Burrelit i ka pasë dijtë në hollësina e mos të isha unë komandant, n/prefekti i Matës Hafuz Hasa do ta kish kapë Muhametin me të gjithë shokët e tij.

 

Si përfundoi fuqija e jeme.

Tue konstatue se ishte nji punë tepër e vështirë për me drejtue malsorët, tue kuptue se Mustafa Kruja seriozisht kishte vendosë për me luftue kundërshtarët e regjimit, e që për kët punë donte me i përdorë edhe fuqit e mija, unë dhash dorëheqjen.

Zotnij gjykatës, me gjithë se unë kam pasë qëllime të nalta për me mbajtë forca në kambë, nuk mund të pranojsha për me ba veprime gjakësore kundra popullit. Që unë jam nji natyrë bujare mund të pyetni popullin e Matit ku, as kundërshtarët e mij që më kanë ba dame në kohën e Zogut nuk i kam prekë dhe përkundrazi i kam ndihmue në rasa të ndryshme.

Mbasi dhash dorëheqjen si komandant i fuqive vullnetare u emnova si deputet. Dhe kët barrë të fundit e pranova jo pse më pëlqente por vetëm e vetëm për mos me u çfaqë si kundërshtarë, por edhe me anën e kësaj detyre të re s’kam lanë ndërhyrje pa ba për me shpëtue njënin e tjetrin prej burgu e për me lehtësue nevojat e popullit përgjithësisht.

 

Je pasunue në kohën e italis.

Disa më paraqesin si nji nga ata që kam përfitu edhe unë nga okupatori. Kjo s’asht e vërtetë aspak. Asht e vërtetë vetëm se unë kam marrë nji leje për me çue groshë në Greqi, por këtë e kam marrë prej qeveris shqiptare e jo prej Italis pse i kam sjellë ose për me i sjellë ndonji shërbim.

Qeverija shqiptare, ajo e kryesume prej Mustafa Krujës, mbas shum lutjeve që i pata ba e mbas ndërhyrjes së shumë miqve të mij, tue mos pasë nji fond të veçantë për me më ndihmue, vendosi me më dhanë kët leje vetëm e vetëm si shpërblim për dëmet e mëdha që kam pësue nën regjimin e Zogut.

Përkrahësin kryesor të këtij intervinimi kam pasë ish Ministrin e Financave Shuk Gurakuqin pse sikundër e din i gjithë populli shqiptarë, Ahmet Zogu, përveç se më ka vra babën, xhajën e vëllan, më ka djegë edhe shtëpijat dhe grabitë të gjithë pasunin. E pasunija e jeme në Mat s’ka qenë e pakonsiderueshme dhe me fitimin që kam ba unë prej lejes, s’kam muejt me qitë as nji të katërtën e dëmeve që më janë ba.

Asht nji tragjedi e tmerëshme me ju përshkrue të gjitha hollësinat që ka pësue familja e jeme dhe të afërmit e mij në kohën e sundimit të Zogut. Veç vuajtjeve të mija personale, me vjete rreshtë, burrat e fisit Valter kanë ndejt të aratisun ndër male, ose në mërgim, e gratë tona me fëmijt e tyne janë internue vend më  vend tue vdekë nga urija e nga mizerja.

Asht për t’u shënue edhe se përveç se leja më asht dhanë si shpërblim për mue e për familjen t’eme, edhe kjo leje tregtije ka qenë krejt e ndershme dhe e dobishme për ekonomin e vendit tonë. Prej Kosove ku kalbej grosha, nga se atje bahet shumë, kam çue në Greqi 3.000 kv. groshë ku mungonin ushqimet, e si shkëmbim të këtij malli kam prue prej Greqije topa pambuku, landë për të cilën ka nevojë të madhe vendi i jonë. Njoftoj edhe se leja e jeme nuk u ngjetë si disa lejeve të tjera, që u janë dhanë të tjerëve, të cilët mbrenda ditës mërrijshin me u ba miljoner, vetëm tue e shitë lejen ndonji tregtari të madh ose ndonji firme.

Unë për me ba nji pasuni modeste, me lejen teme kam interesue dhe 7 tregtarë të tjerë të ndershëm dhe m’asht dashtë të punojë e të lodhem bashkë me ta për disa muaj rrjeshtë për me pasë nji rezultat. Kam shkue në Romë për me hjekë disa pengime pse si mbas vendimit të ministris së ekonomis italjane, groshët e shqipnis i donte Italija. Kam shkue në Athinë disa herë për me lidhë kontratë me shoqnin greke tue kapërcye njimijë pengime pse s’donin me na dhanë nji mall të çmueshëm siç asht pamuku, kemi shkue në Kosovë tue hjekë njimijë mundime për mbledhjen e ngarkimin e groshës ndër vagona.

Në doni me dijtë edhe personat me të cilët e kam ba punën e nda fitimin e lejes, qe po jua tregoj: fitimin e 750 kv ia kam dhanë tregtarit Pjetër Pistullit për me ma drejtue tregtin përgjithësisht, pse unë nuk marrë vesht nga tregëtija. Fitimin e 500 kv. ia kam dhanë nji tregtari italjan Pasqueale Cesero për me ndihmue që Roma mos të më qitte  pengime mbasi siç e thash, Ministrija e Ekonomisë Italjane donte qi prodhimet tona të çoheshin vetëm në Itali mbassi ajo na i sillte sendet e tjera në Shqipni. Pjestarët e tjerë janë tregtarët: Filip Korra, Llambi Fundo, Petraq Katro dhe Telo Kondili të cilët kanë derdhë kapitalet për blemjet e groshës dhe shpenzimet e transportit dhe të importit të mallit.

Kët lejen e groshës pra e kam fitue me të vërtetë me mundë e me mjeshtri sa që të gjithë janë çuditë për suksesin që pata. Përdorimi i kësaj leje ka qenë kaq i vështirë sa që kur deshta njiherë t’ia shes tregtarit Jonuz Shijakut nuk më ofroj ma tepër se 1000 napolona mbassi paraqitte nji mund e nji rrezik të madh në transporte.

 

Familja.

Tash që duhet të ju njoftojë se edhe pjesën e fitimit tem nuk e kam pasë vetëm për vedi. Kam pasë e kam mbi supa plot njerëz për të mbajtë. Nji njerkë plakë, kam dy nipa e nji mbesë për të martue, kam nji motër me 4 fëmij të cilën burri i sajë nuk e shikon; kam për të mbajtë gruen teme me dy fëmij që më ka mbetë në Paris; tue pasë frikë partizanët e Zogut m’asht dashtë  me mbajtë gjithnji katër pesë veta të armatosun; tue qenë unë në Mat me shumë akraballeqe e miqësina m’asht dashtë me çue vazhdimisht ushqime e shtresa. Shtëpija e jeme në Mat ka pritë e përcjellë edhe partizan.

Në gjithë këto obligime familjare s’kam lanë edhe shokë, miq e akraba pa ndihmue. Dikuj ma shum e dikuj ma pak të gjithëve u kam ardhë në ndihmë. E pse kam veprue në kët mënyrë s’kam muejtë me ba as nji shtëpi të vogël për vehten teme për muejt me pru gruen me fëmijë.

Kam edhe ma për të tregue: tue qenë se unë nuk jam njeri i dhanun mbas paras e jam mësue gjithnji me përqafue ideale, deklaroj se të tana shpenzimet që janë ba për veprimet e grupit të Partis Nacjonal-Ballkanike Shqiptare i kam ba unë vetë me fondet e mija.

 

Pozita jeme nën okupacjonin gjerman.

Ndonëse ushtrija gjermane për veprimet e kohës së fundit m’asht ndye keqas, tue dashtë me folë të drejtën, unë Gjermanin nuk e kam pa me sy okupatori. Mbas mendimit tem ajo kish ardhë në Shqipni vetëm e vetëm për arsyena strategjije dhe do të largohej posa të mbaronte lufta. Pohoj edhe se, ndonse në mësheftësinë e shpirtit tem, nuk më ka pëlqye kurr që nji popull të sundojë mbi të tjerë, kam pas urue fitimin e Gjermanis, për sigurimin e avenirit të Shqipnis. Me fitimin e Gjermanis kam qenë i sigurt për nji Shqipni të lirë e ta pa-coptueme, kurse me fitimin e aleatve, jo. Dhe kët besim nuk duhet të ma queni për faj.

Siç e thash, unë s’kam besim se shtetet e mëdhaja po luftojnë për parime demokratike e drejtësi, e mandej, s’kanë kalue ende 30 vjetë që në konferencat e Londrës e të Versajës, ku aleatët, për interesat e tyne hegjemonije e sakatuen Shqipnin në mënyrën ma të padrejtë.

Kështu pra tue e pa Gjermanin me sy të mirë, kam folë e shkrue në favor dhe, në periudhën e saj në Shqipni kam pasë pranue me u zgjedhë deputet. Por, prap puna e jeme s’ka qenë tjetër veçse me intervenue pranë autoriteteve shqiptare e gjermane për njenin e tjetrin. Në mes kaq vetave që kam muejt me shpëtue edhe mue më detyrohet falja e përgjithëshme që u ba, ku u liruen qindra të burgosun të Nacionalçlirimtares.

 

Pse pranova barrën e komisarit të naltë të fuqive të armatosuna.

Më duket se asht e pa vend të gjykohem unë për kët çeshtje. Kur hynë në Tiranë Fuqit e Nacjonalçlirimtares, mue më gjetën si kryetar të nji grupi politik që ka afrim me Nacjonalçlirimtaren e jo komisar të naltë të Fuqive t’Armatosuna. Si Komisar unë nuk qindrova as nji javë për me zhvillue ndonji aktivitet. Megjithë këtë, që po spjegohem edhe për pranimin e kësaj detyre:

Zotnij Gjykatës, tri qëllime më banë që të pranojsha detyrën e komisarit të naltë dhe këto janë:

1) Tue pa se qeverija e Ibrahim Biçakut ishte tepër e butë me iu imponue gjermanve për me i ndalue ata për me ndërhy ndër çështjet tona, mendova se tue u vu unë “gjermanofili” në krye të fuqive të armatosuna do të mujsha me e shpëtue vendin nga damet e ndryshme. Tue u bazue mbi neutralitetin e shtetit tonë të cilin e kishte njoftë Berlini, kam pasë mendue me ndalue arrestimet e Gestapos, me rikthye në Tiranë të internuemit e Prishtinës si edhe me marrë disa masa që me hikjen e gjermanve mos të digjej qyteti e mos të na prisheshin urat. Kët që them mund të vërtetohet prej urdhnit me shkrim që i kam dhanë komandantit të Mbrojtjes Kombëtare gjeneralit Mirdash. Letrën mund t’a gjeni në Komandë e me sa mbaj mend përmban tekstualisht këtë: “Indipendenca dhe neutraliteti i shtetit shqiptar dita me ditë po violohet. Ushtrija gjermane ka fillue me kontrollue shtëpija e me kap njerëz. Nuk asht çudi që ma vonë të kapen e të pushkatohen njerëz me shumicë si edhe të shofim djegien e qytetit. Për me ndalue pra këto, duhet të organizojmë sa më parë nji fuqi për me e marrë na vet rojen e qytetit. Dhe për deri sa të mbërrijnë më pasë fuqia e duhun, urdhnoj që të gjithë oficerat dhe nënoficerat të inkuadrohen e të grupohen në nji kazermë…”

2) Tue mendue se me hikjen e gjermanve, partitë politike, Nacjonalçlirimtaria, Balli e Legaliteti do të përplaseshin njena me tjetrën për posedimin e fuqis, me fuqit qeveritare kam pasë mendue me evitue nji vlla-vrasje tue i detyrue partitë për me iu shtrue zgjedhjeve të nji asambleje të re ku i gjithë populli të zgjidhte regjimin që donte.

3) Tue pa se të tri partit paraqitshin fotrca të armatosuna desha me përfitue edhe unë nga pozita e jeme për me armatosë disa elementa që mund të lidheshin me grupin tem politik, Partija Nacional – Ballkanike Shqiptare. Për kët qëllim të tretë, që qe armatimi i vullnetarve që do të rekrutoja për partinë teme, kisha vendosë edhe: në qoftë se s’do të muejsha me luejt rolin qeveritar tue iu imponue partive që t’iu shtroheshin nji zgjedhje të rregullt, do të hidhesha edhe unë me fuqit e grupit tem me partin që kisha ma afrim. Në kohën e pakët që kisha para meje, shpresën ma të madhe e pata vu në realizimin e kësaj pikës së fundit, por edhe kjo s’me doli mbasi Mehdi bej Frashëri i shtrënguem prej grupit Zogist më detyroj me dhanë dorëheqjen.

Më duhet të ju them edhe se, partija me të cilën mendoja unë me u lidhë, ishte Nacjonalçlirimtarja dhe kjo provohet me letrën që i kam drejtue gjeneral Dali Ndreu, në të cilën i thonja: Unë kryesoj nji grup të vogël nën emnin Partija Nacjonal Ballkanike Shqiptare me programin që po ju dërgoj. Tue mos dashtë me ba çështje të përbashkët me Legalitetin e me Ballin që asht lidhë me të, unë, po mbetem këtu.

Letrën e pata çue me anën e partizanit Xhemal Meçe dhe tue mos marrë ndonji përgjigje kjesh largue nga Tirana për nja dy javë deri sa u qetësue gjendja. Shënoj edhe se kur e pata dërgue kët letër fuqit e Ballit e të Legalitetit nuk qenë shkatërrue ende, as në Shkodër, as në Durrës.

Beqir Valteri (Arkivi MPB. D.1568, Gjyqi special, f.548 – 561).

 

 

Please follow and like us: