Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: AKULLNAJA

Tregim
Natën e mirë. Ai mbylli jo pa trazim sms-në e fundit, kur akrepat e orës shënuan numrin dy të ditës së re. Jashtë dritareve qielli qe përskuqur dhe retë kishin marrë flakë. Mendja e tij bridhte ende në atë breg deti prej nga ku ajo shkruante mesazhet. E merrte me mend që Magdalena P. mund të ishte e vetme aty. Arratisur prej familjes. Sfiduese, kokëkrisur, mbërthyer në ngasje, si gjithë femrat provokuese që i ysht trill i moshës. Kur mesazhet vonoheshin, ai kuptonte që ajo ose kridhej në det, ose mendohej gjatë për ngacmimin e rradhës. Përfytyronte si trupi i saj kridhej parreshtur, dilte prej detit e shkëlqente ruaza – ruaza nën ndriçimin e papërsëritshëm hënor të atij fundshtatori. Fuqia e dritës hënore i fokusonte kinse lëkurën e bardhë, flokët pis të zeza dhe sytë e thellë që shkrepëtinin sikur dëshironte t’i zgjonte natës pasione të furishme. Në netë të tilla, toreadorët pëshpërisin mitin e thinjur: Natën me hënë, demi është një mik i mirë!
U ndje i mikluar, megjithse kishte vetëm tri ditë që kishte marrë shenjën e parë nga një mesazh i thjeshtë. Me pyetjen e pafajshme të një femre: Je kthyer, si je? Nuk arrinte të kuptonte se si pas njëzet vjetesh largimi në emigracion, pa asnjë lajm në mes, mund të vinte një pyetje e tillë? Pyetja e rikthente në kohën e rinisë, kur moskuptimi dhe refuzimi ishin aq përvëlues sa e përplasën në skajin e kundërt. Iku larg, në një vend të huaj, aty ku kujtimet shuhen ngadalë e butesisht. Stinët e vitet iknin shpejt, por në brendësi të shpirtit i mbeti plaga e pambyllur nga mosthënia, mosthënia e një dashurie që nuk pati fatin të shpallej. Mosthënia nuk kishte fajtorë. E risolli në kujtesë gjithë marrëdhënien e çuditshme me studenten praktikante të arkeologjisë, Magdalena P. dhe shoqen e saj, Anën, që ai e quante “piperka”, në pritje të mesazhit të rradhës, me vështrimin ngulur diku thellë në horizontin e trishtë, atje ku kodrat me ullinj ngjanin nëpër natë si gjinj të stërmëdhenj dadoje. Priste. Kishte pritur në heshtje që një mesazh të vinte nga qindra kilometra larg, deri aty ku ai gjendej, në qytetin historik, ndanë lumit Rin. Jashtë dritareve era fishkëllinte ftohtësi, lëkundte fort degët e panjës, ndërsa Klausi flinte në dhomën ngjitur e Adela shkruante pa u lodhur përfundimet e ekspeditës së re në dhomën e punës.
Sapo mesazhi mbërriti në ekranin e celularit, ai u gjallërua. Vrikthi solli në kujtesë të tjera kohë të largëta, aq të largëta sa i krahasoi me malet gjigande të pashkrira të akullnajave, atje në Polin e Veriut. Kjo metaforë prej tri ditësh, kur i mbërriti mesazhi i çuditshëm prej saj, rrotullohej me shpejtësi brenda kafkës duke e shtypur aq fort në tëmthat, sa i dukej se mosmbërritja profetike e Godosë vinte pikërisht prej këtij shkaku. Përse? Pas saj, zhgënjimi dhe agulli i pritjes absurde e kishin lodhur. Nuk e kuptonte prej nga vinte ky moskuptim dhe gjithë fajin ia vishte metaforës së akullnajës së pashkrirë.
As unë e as ti nuk kemi faj, deshi të thërriste aq fort sa të dëgjohej larg, në bregun mesdhetar, aty ku ishte ajo. Thjesht na rastisi që të mos takoheshim dot. Jetët tona lëvizën me kahje të ndryshme dhe kjo është më e mirë se sa brenga e ndarjes.
Me sytë e tij e kish parë si ishte larguar. E heshtur drejt fatit të saj. E pa ndjerë në faj. Ne u ndamë të paprekur, të paputhur, të pasharë, sikur të kishim vdekur, gati sa s’ulëriti.
Kur ja, njëzet vjet më pas, befas ajo u kujtua ta sillte prapë në jetë të pakryerën, me mesazhet e largëta që ngjanin si lotë të nxehtë mbi ballin e buzët e thara të meitit. Kur i erdhi mesazhi i parë, s’iu besoi syve. Vërtet? gati klithi. Ti…? Po e përse kaq çudi? erdhi menjëherë përgjigjia. Të kam dërguar dhe më parë mesazh, po nuk je përgjigjur… Nuk është e mundur…? Eshtë dhe pikë. Të kam dërguar me emër tjetër. Ashtu…?
Pas një pauze disaminutëshe që ngjau e gjatë sa koha e dashurisë së pandodhur, ajo i shkroi sërish në celular. Hej, jam unë… më ke harruar…? Nuk e di… – shkroi nxitimthi – jo nuk të kam… Po atëherë…?
Vetëm harrim nuk është.
Po çfarë…? Mëri…?
As njëra as tjetra. Vetëm ti nuk mund të të harroj dot, guxoi t’i shkruajë. Ti je shënjuar përjetësisht tek unë. Nuk të zhbëj dot edhe po të dua. Je brenda meje. Je dashuria ime e parë, ajo që vjen vetëm njëherë dhe na e lë gjurmën e zjarrit në shpirt. Për gjithë jetën.
Ashtu?… erdhi mesazhi që sikur digjej flakë nga qindra kilometra larg. A je i sigurt…? Mos është peng…? Pengu i së pakryerës…?
Pas provokimit, ai shpërtheu në spjegime të vrullshme që atë e lodhën derisa i kërkoi lejë. Tani do të lahem në det, i shkroi dhe i shënjoi një zemër të kuqe si shenjë pikësimi në fund të fjalisë lutëse dhe e mbylli celularin.
Pas kësaj, e kaluara e tij ngjau se mori kuptim, nisi të zbulohej pak nga pak si amphora e amfiteatrit të Apolonisë mbuluar prej pluhurit të harresës. Pandërprerë, ditë e net mendja e tij po cfilitej për të ribashkuar pejzat më të holla të kujtimeve, në të vërtetë të një ekzistence që e çonte drejt një zgjimi të beftë. U desh mesazhi pasardhës, fjalët fëshfëritëse dhe dykuptimshe e njëherësh ngacmuese që ai të rishqyrtonte një pjesë të mirë të jetës, braktisur për hiçmosgjë. Ajo ishte një e shtunë fundshtatori e zakonshme dhe dita kish rrjedhur monotone pa lënë asgjë si testament. Pritjen e lodhshme e theu mesazhi i saj, një nga mesazhet më të çuditshme të asaj nate. Ajo i shkroi: Më trego një nga çmenduritë e tua…?
Pyetja e çarmatosi krejt, më saktë e hutoi. I ngjau lajthitje. Më keq, marrje lehtë e kujtimit të një dashurie. Nënçmim. Priste tjetër gjë prej saj. Ndoshta një rrëfim për jetën, një spjegim për dashurinë e panisur, pengimin, në fund të fundit diçka që të justifikonte kohën e gjatë të moskuptimit, të shmangies, refuzimin. Atëherë ai e donte marrëzisht, ndërsa kinse, ajo sillej indiferente ndaj tij. Sëpaku kështu besonte. Iu kujtua një nga poezitë e pakta, shkruar kohë të shkuara si shenjë hakmarrjeje, ndonëse nën dehjen e nostalgjisë; “bie shi dhe Magdalenaa është në mes detit/ krejt e pafat…/ bie shi…
Dashuri gruaje e pafat…? Po ajo as që kishte nisur? Nuk mbante mend nëse poezia i kushtohej plotësisht asaj, apo thjesht ishte tis trishtimi për humbjen, dorëzim para një mundësie të humbur. Madje nuk e kujtonte nëse ishte shkruar në kohën para apo pas ikjes. Si për ta shkundur nga përhumbja, në ekran u përsërit pyetja: Më trego, hajt jepi…!
Një damar i trashë iu fry menjëherë në qafë dhe më pas forma urdhërore e mesazhit, jepi!… ngjau si rënie në humnerë. Jepi, jepi, jepi!… si tokmak që godiste dhe e çonte në buzë.
Ç’po më ndodh kështu? Nëse lutesh të bjerë shi, duhet të pranosh dhe baltën, i feksi në tru kundërreagimi kryeneç i burrit. Ajo shfaqet bashkë me shiun. Pak sekonda më pas e flaku tutje krahasimin absurd. Qeshi. Ndjeu se si përnjëherë një urë e padukshme u hodh, u shtrëngua fort, me atë bregun tjetër matanë, të largëtin, mesdhetarin, aty ku ishte ajo. Pas shtrëngimit, ndjeu dhe afërsinë. Madje u trubullua. E dinte se ajo që ishte ruajtur e paprekur me xhelozi të egër prej gati njëzet vjetësh, e hajthme, brishtake, sipërore, në membranën e trurit, e hollë, mjegullore si re puplore, ishte pikërisht ndjenja. Ndjenja e bardhë. Zëri që i fliste nga përbrenda ishte i vlefshëm, i qartë, i kulluar, edhe pse vitet e kishin holluar e holluar deri në venitje. Ishte zëri që donte më shumë. Ndjesi të panjohura më parë vrapuan si të çmendura sa nga njëri breg në tjetrin. Qeshi përsëri me formën urdhërore: Jepi!
Cilën çmenduri t’i rrëfente asaj? Kë të zgjidhte? Çmenduritë janë dhembje të thella, janë si shenjat e plagëve në trup, mbeten tërë jetën dhe pjellin kujtime të forta. E kuptonte se ajo i kërkonte një aventurë dashurie, një provokim a ngasje tek e cila do të kapej fort më pas. Do të përplaste duart e saj kinse në zemërim.
E shikon…?
A kishte ai një çmenduri të tillë?
I lindi dëshira të mos përgjigjej menjëherë, por ta ngatërronte disi nëpër një urtësi të thekur bavareze “udhëto dhe mos i trego askujt, përjeto një dashuri të vërtetë dhe mos ia trego askujt, jeto i lumtur dhe mos i trego askujt. Njerëzit shpesh e më shpesh po i shkatërrojnë gjërat e bukura”.
Hoqi dorë nga loja. Po ajo a kishte qenë e lumtur? Si ta mësonte këtë? E dinte se njeriu që është thellësisht i lumtur, doemos duhet dëgjuar. Ai ka përherë diçka për të thënë dhe atij i duhej të gjente mënyrën për të komunikuar me të. Po si? A ishte vallë e lumtur? Përkundër paktit vetanak për të mos i folur kurrë i pari, betim i vjetër kataleh si gurët e stërmëdhenj të Apollonisë antike, befas, guxoi dhe i ra numrit që i dërgoi ajo. Nuk priti dot. Prej anës tjetër, zhaurima e lehtë e dallgëve i ngjau se iu mbështoll në grykë si litar. Ndjeu zjarrmi dhe heshtje. Asnjë fjalë. Pastaj gurgulloi përsëri një e qeshur fëminore. Glluk, glluk, glluk…si dikur… U shtang. Femër nuk është thjesht dhe vetëm forma fizike, por mbi gjithçka, fuqia brenda shpirtit, ajo pastërti e tejdukshme, e freskët, e kristaltë si ujë që del nga thellësi e shkëmbit. Madje sipas tij, hiret e delikatesa ishin fuqia e jo dobësia. Ajo fuqi i ngjau se ishte e njëjta, e paprekur, e epshme, ndjellëse dhe më e përtërirë se dikur. E dinte se askush nuk mund t’ia heqë dot rrudhat e anësyrit një femre. Rrudhat e shtuara gjatë jetës, ato rreth gojës që rrëfejnë sa ka qeshur apo është puthur; as lëkurën e fryrë poshtë syve nuk mund t’ia heqë dot asnjë burrë, sepse aty fshihet kuptimi i të qarës përbrenda femrës. Dhe janë kujtime të paharrueshme. Janë sekretet e bukura të çdo femre. Por mund ta bësh një femër t’i harrojë çastet e dëshpërimit, të dhimbjes e fatit. Në pasqyrën e përditshme sytë e saj e ndjejnë kur shpirti është i qetë, pa trazime të trishta. Kjo është dhurata më e çmuar e një burri!
E qeshura e saj gurgulloi sërish, kësaj here e plotë, si katarakt, ngacmuese, goditëse, gjithë kumbime. Ah, i sëmboi thellë brinjëve, edhe e qeshura duket se ka mbetur e njëjta. E pandryshuar, fëmijënore si atëherë. E pafajshme. Uh.
Nxitimthi u bë gati t’i fliste asaj që priste në anën tjetër të kontinentit. I foli: Të ka ndodhur ndonjëherë të hutohesh në një platformë ku trenat ekspresë nisen çdo dy minuta…?
Hëk, hëk… – dëgjoi zërin e lehtë të saj si fëshfërima e gjetheve në furtunë.
U trand disi pasi besoi që ajo po ngatërrohej në kuptimin e thelbit. Jo – ja e thënë aq shpejt, i ngjau e pafajshme, naïve, më shumë se fëminore. Ndjeu dëshirë të fliste. Hapur, thjesht, pa ndërlikime. A duhet t’i rrëfehem? pyeti veten. Po çfarë je në të vërtetë për mua? klithi e shkulur prej gjoksit pyetja. A je fotografia në dhomën e gjumit, rrëzimi në trafik a mendimin e pjerrët, ecja fillikate, harresa e lotit, poezia e parë, vendi i fshehtë i takimit të munguar, largësia ëndërrimtare dhe lëkura e bardhë e vizatuar në sytë e mi?
Mos ndalo – më thuaj – u dëgjua nxitës, zëri si fëshfërimë furtune, sikur t’i kishte kuptuar gjithë hamendjet e mëdyshjet e tij. Ai zë tani se si ishte. Sikur nuk ngjante me të sajin. Iu duk i ftohtë, akull. “Atje u gjenda unë…në platformën ku trenat niseshin marramendthi…më dëgjon… trenat marramendthi, trenat e jetës…”.
Nuk të kuptoj fare… ç’po thua? – erdhi i ngrirë, i largët, krokan, zëri i saj.
Atje u gjend Adela, Adela, ajo që më priste, inxhinierja e kantierit, – vijoi rrëfimin pa u ndalur, sikur të kish frikë mos humbiste shansin e fundit…
Aha, ej…oh, e… e kuptova, erdhi brisk, si një stalaktit zëri i saj, që sikur iu ngul në grykë.
Po kjo nuk është çmenduri, kjo është ngatërresë në orarin e trenave… – shqiptoi rrëmbimthi, dhe atij i ngjau sikur në zverk iu derdh një i ftohtë si murlan alpesh. Pakuptuar as vetë, i foli me sa zë kishte në kokë: Dil, dil nga deti se do të ftohesh!
Prej vendit të largët mesdhetar erdhi sërish e qeshura gurgulluese: Ti je i çmendur… unë jam piperka dhe jo Magdalena P. dhe po lahem në detin e Dhërmiut, jo në akullnajën e Polit të Veriut.
Si? A … piperka? Diç më kujtohet…
Po, po, ajo piperka djegëse jam – u dëgjua i plotë zëri. Si nuk e di që Magdalena P. ka pesë vjet që është ngjitur lart në qiell? Me siguri tani po e dëgjon bisedën tonë…
Please follow and like us: