Pandeli Koçi: In memoriam, Pano Taçi!
PANO TAÇI lindi në Gjirokastër më 1929. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Tiranë. Ka botuar që në moshë të re në revistën “Bleta” me ndërmjetësinë e Lasgush Poradecit. Më 1944 inkuadrohet në brigadën 24S të UNÇl. Pas Luftës vazhdoi shkollën, po më 1947 u arrestua dhe vuajti afro çerek shekulli burgime e internime nëpër burgje e kampe përqendrimi si kundërshtar i regjimit. Pas rrëzimit të diktaturës jetoi i vetmuar deri në fund të jetës së tij më 13 qershor 2012. Shkroi e botoi përmbledhje poetike, drama e kujtime. Është vlerësuar nga kritika, si dhe ka marrë disa çmime letrare brenda dhe jashtë vendit.
Libra të Pano Taçit
- Blerimi i thinjur (1994)
- Dhe vdekja do paguar (1997)
- Hukama e Venusit (1999)
- Shpirt i zbardhur (2001)
- Muzg (2000)
- Qirinjtë (2000)
- Flakë në terr (2001)
- Lakuriq (2002)
- Sa pak qiell (2003)
- Kokoveja e Kokoshit (2003)
- Poezi të zgjedhura (2003)
- Ofshama e dell-arit (2004)
- Pani plak (2005)
- Prit e prit (2007)
- Bijtë e erës (2009)
- Muzgu vjen papritur (2013)
VARGJET E MIA
– Poeti, profet i të vërtetave –
Aristotel
Vargjet e mia kalojnë nën dritaren e të vluarave,
ato ulin grepat, i zënë e thurin dantella.
Vargjet e mia kalojnë nën ballkonin e zonjave,
ato zgjatin duart, zënë metaforat i bëjnë inxhi gushe.
Vargjet e mia kalojnë në konviktin e studentëve,
i zënë u këpusin rimat e i bëjnë numra telefoni për të dashurit
Vargjet e mia kalojnë para sofave të portave,
plakat i zënë e i kthejnë në filxhanë kafeje.
Vargjet e mia me bluxhins ulen trotuareve,
të zhgënjyera, një cigare tymosin bashkërisht…
Vargjet e mia kalojnë shkallëve të turizmit,
dalin sarahoshët, i zënë mbushin potiret.
Vargjet e mia kalojnë shkallëve të turizmit,
lypësit e vegjël u zgjatin dorën si monedhave.
Vargjet e mia kalojnë pranë fushave djerra,
Dalin fshatarët i zënë t’i bëjnë plugje.
Vargjet e mia, fshesë plehurinash të selive,
lexuesit i mbajnë lente mbi gazetat e partive.
Unë, i zoti, që i krijova me brumë shpirti
tri ditë pa ngrënë, tri ditë pa tymosur
dal parqeve të gjej ndonjë bisht cigareje.
Tiranë, 1992
Nga poezitë e fundit të Pano Taçit
Tanusha
“E unë Tanushën vet e kam pa…”
E ndezur prush,
te bregu i lumit hapin shtriu…
Kur pa që s’e shihte askush,
u zhvesh… e pylli psherëtiu.
Rrobat i la atje përreth.
Diellit i plasi syri.
Vala e lumit u rrëqth
kur Tanusha cullak hyri.
Qielli, tek lahej krejt përhumbi,
gjoksoret pa t’ia puth tërfili.
Një anë ia bëri fole pëllumbi,
në tjetrën çerdhe ngriti bilbili
tek ai mëndafsh sisash
aromë trëndafili.
Flladit që frynte në mal mes lisash
iu mek zëri
tek rrinte nër gjethe strukur.
Brezin e belit gjarpër ia bëri –
lëkurë për vete të dridhet bukur.
I fshehur rri Zoti përflakur nga malli
pas brekëve qëndisur me lule
q’i la Tanusha te zalli.
E unë djalli
shikoja si lahej berbecule.
Pas trungut të dardhës tek rrija atje
mbaja me dorë zhulkat prushore,
mos binin përdhe
dardhët e mia hënore.
Ringjallja
Tërë jetën ç’jam përpjekur,
si t’ia zbus shpirtit hallin.
Për ç’premtova duke vdekur,
them se vargjet më ringjallin.
Për ç’jap shpirtin zemërmekur
n’atë varr ku do më kallin,
për ç’këndova duke vdekur
them se këngët më ringjallin.
Rob i mallit
Rob më mban një mall i vjetër,
aq sa trupin ma zhuriti.
Desh ta ndaja me një tjetër,
por s’ma do, që s’ma do shpirti.
Edhe vajza ma pëlqen
gjer në vdekje t’i jem skllav.
Them se jeta nuk më vlen
Në se shpirti s’më ka mall.
Dhe në gjumë kur e thërras,
vjen si hije e më zgjon.
Siç vjen e përcjell me gas,
dhe pse zemrën ma sumbon.
Rrjedhë lumi
Rrjedh Poeti, lum’ i thellë,
vala valës nuk i ngjan.
Brigjet puth tek i këndell
plagët gjak me lot i lan.
Ahu plak
I dehur nga era, ahu plak shikonte
trupin brinjë tharë te pasqyra vaut,
teksa rridhte lumi, vala i vallzonte
me hijen e dehur të valles së ahut.
I zhveshur lakuriq, me zemër të vrarë,
një çerdhe që kishte ja mori era.
vallen makabre hedh brinjë tharë
blerim vyshkur nëpër humnera.
Tek shoh ahun si plak mendoj
se ai me mua krejt ngjason.
Dehur dhëmbjesh, pa gjethe vallzoj
me hijen time ç’iki për hon.
Mallkim
Mallkoj veten që kot rroj,
mallkoj jetën që më mban,
mallkoj varrin ku do shkoj,
lotin që ma bën haram.
Mallkoj ditën që kam lindur,
mallkoj çastin që do vdes,
mallkoi shpresën për ç’jam grindur
se më doli e pabesë.
Orakull
Teksa rruhem në pasqyrë,
veten time aty s’e kam.
Më del një tjetër fytyrë,
rrudhur, sy mekur mbi xham.
I them: -Ç’më rri si akull,
kush je, ç’pret, fol se më çmende!?
-Je ti, më tha, si orakull
bën të dish për jetën tënde…
Me kohë…
Që kur shpresa më ka mashtruar,
që kurrë malli, s’më çmalli kurrë,
që kur fjalën s’ma kanë dëgjuar,
për ç’thashë bota është sëmurë.
Kam jetuar më shumë se ç’duhet,
ku jeta fatin ma la në llohë,
mbi varrin tim them do shkruhet
për ç’më hoqi shpirti në jetë:
– Duhej të kish vdekur me kohë
kjo zemër e shkretë!…
Me vdekjen pas
Krrokamën, korbit, mbi telat e burgut,
grahmën e fundit të shokut fat zi,
etjen për gjak të dhëmbëve të ujkut,
këngën e zogut, ngjirur në frëngji,
e bëra poezi.
Ndaj vargjet e mia dalin të trishta
me rrokje të helmuer, lëmshe në grykë.
Bëra t’i nxirrja, pa dhëmbje, të brishta
këngët, ç’desha të m’ishin lirikë…
m’i bëri tragjikë.
Bashkudhëtar me vdekjen nga pas,
duke çarë dallgët mbi vrotimete,
bëra të mbahem fort të mos shkas
në honet kobe të kësaj jete.
Por me ç’pashë, rashë kollotumba
me kokë e këmbë,
në rrathët e Ferrit, ç’ka humba
krejt shpirti më dhëmb.
Kosova
Sulet shkjau morth,
bisha gjak përlyer.
Kosova Golkothë –
Krishti kryq mbërthyer.
Djeg, ther e rrjep
çetniku barbar.
Kosova me varret mbi djep
e djepet mbi varr.