Fadil Sahiti: Urrejtja si paralajmërim i zezonës
“Unë, murgu Gjon, biri i Gjorg Ukcamës, tue u kujtuem se në gluhën tonë ende s`ka gja të shkruom për urën mbi Ujanën e Keqe e, aq më keq, kur për të vazhdojnë të thurren gojëdhëna e histori të paqëna e gjithfarë dokrrash, tani që ajo mbaroi së ndërtuari, madje që u spërkat edhe dy herë me gjak, në themel e në kulm, vendosa të shkruaj kronikën e saj”.
Kështu e përfundon murgu Gjon kronikën e tij për ndërtimin e urës mbi lumin e Ujanës së Keqe. Më tepër se përshkrim artistik i ndërtimit të një ure – që bazohet ne baladën e njohur të murimit – gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare, në novelën “Ura me tri harqe” e përshkruan kohën kur në tokën e arbrit fillon agu i një zezone pesëshekullore.
Për mendimin tim, mesazhi është ky: përmes shenjave që ishin vënë re prej kohësh, në tokën e Arbërisë ravijëzohej zezona që do ta gjymtonte shpirtin dhe mendjen e arbrit për shekuj të tërë. Këto shenja ishin të ndryshme – që nga kërkesa që një qeveritar turk (me ‘izën’ të Sulltanit) i kishte bërë Kontit të Gjikës, që ta jepte të bijën për djalin e tij Abdullahth (ç’emër i tmerrshëm!), e deri tek lëvizjet misterioze të dërvishëve në trojet e Arbërisë. Shkurt, zezona po vinte.
Por, cila ishte përgjigja e krerëve të Arbërisë karshi këtij rreziku?
Përshkrimi që Kadare i bën ‘konstelacionit politik’ të asaj kohe është krejtësisht surreal – një përzierje e fakteve me fantazinë. Por, është interesant se sa ky konstelacion ngjason me realitetin që kemi sot, kudo ku janë shqiptarët: një antagonizëm i theksuar brenda mendjes politike shqiptare, një skizmë, një përçarje e frikshme që të ngjallë krupën. Dikush mund të thotë se ata që kanë gjak të arbrit, në ADN-në e tyre e kanë të rrënjosur përjashtimin, mosdurimin brenda sojit që shkon deri në urrejtje të frikshme.
E, cila ishte përgjigja që krerët e Arbërisë ia dhanë zezonës osmane që po u trokiste në derë?
Ishte përgjigje tipike shqiptare. Krerët e Arbërisë ishin të përçarë sipas interesave meskine provinciale. Tre nga njëmbëdhjetë kryezotët e Arbërisë e kishin pranuar vasalitetin osman. Të parët ishin Konti i Kashtnjetit dhe Duka i Tepelenës. Të njëjtën gjë pastaj e kishte bërë Konti i Skurajve. Muzakajt nuk kishin qëndrim të qartë se si duhej reaguar. Njëjtë vepronin dukagjinët të cilët ngjashëm me balshajt, tërhiqeshin në bjeshkët e tyre sa herë që duhej të bëhej lufta e përbashkët. Kushti për një besëlidhje për luftë kundër osmanëve ishte kurora (kërkesa e pakapërcyeshme e Karl Topisë).
Sigurisht, përshkrimi i mësipërm i përket dellit letrar. Por, ngjarjet ngjasojnë me shumë periudha të historisë sonë nga ku del se mosdurimi dhe urrejtja karshi tjetrit është tipar i qenies sonë. Nuk besoj në determinizëm – në kuptimin që fati i individit apo i një kombi është i paracaktuar nga forcat e jashtme. Përkundrazi, besoj se fati i individit, por edhe i një kombi, varet nga mënyra se si ata e shohin të ardhmen e tyre. Gjithashtu, nuk besoj në ligjin e progresit historik, meqë historia mund të ketë edhe regres. Me fjalë tjera – nëse një individ apo një komb nuk di të mbrojë atë që ka fituar, mund ta humbasë atë.
Për fund… nëse kjo urrejtje ndaj tjetrit vazhdon të kultivohet, së shpejti mund të bie një zezonë tjetër… e të jetë vonë për shumëçka./9 janar, 2021, telegrafi.com