Ndue Ukaj: Mbi raportet e Kosovës me Amerikën dhe perëndimin
Raportet e Kosovës me Amerikën dhe perëndimin janë përkeqësuar dhe kjo është intriga më e rrezikshme që i vërtitet vendit tonë. Është një hije e zezë. Është një intrigë e vjetër që përndizet nga interesa antishqiptare, në prapavijë të së cilës qëndron një sfond i rrezikshëm ideologjik, bashkë me do sentimente antiperëndimore, që në esencë janë antishqiptare. Për këtë ka dëshmi të mjaftueshme historike.
Historia më e re Kosovës është e lidhur organikisht me Amerikën e perëndimin dhe këtë të vërtetë duhet ta themi përditë e me zë të lartë. Për më tepër, këtë të vërtetë duhet ta kemi shujtë të përditshme në tryezën tonë politike.
Kurse ata që me vetëdije ose pa të thonë se po i mbrojnë interesat e Kosovës duke e kundërshtuar Amerikën e perëndimin, ata e mashtrojnë keq popullin e vuajtur të këtij vendi dhe rrjedhimisht bëjnë një gabim të rëndë, një padrejtësi historike, që mund të kthehet në fatalitet.
Sepse, pararojë e interesave tona është Amerika dhe perëndimi dhe kjo e vërtetë s’ mund të mbulohet, ashtu siç s’ mund të mbulohet dielli me shoshë. Me perëndimin, në krye me Amerikën, kemi realizuar çdo gjë e pa të s’ mund të bëjmë asgjë, pos t’ i hapim portat e ferrit, tmerrit dhe izolimit!
Është çështje e pastër si loti: çdo konfrontim me perëndimin është në funksion të pastër të avancikit të intetrsave të Serbisë dhe është fort i pashëndetshëm për Kosovën e sotme dhe të nesërme.
Gjuha e përçartë e Prishtinës zyrtare sot është duke i rrezikuar seriozisht aleancat tona organike me perëndimin. Gacat e zjarrit antiperëndimor tani duken të vogla dhe ne duhet ta marrim ujë e t’ i fikim, sepse mund të bëhet zjarr i madh, ku mund të digjemi të gjithë.
Të rrezikosh raportrt e shëndosha me perëndimin domethënë t’i vendosësh kazmet në themelet e shtetit. Krejt justifikmet tjera janë dokrra pa tro vlere politike, pos marrina në funksion të një tallavaje të brendshme politike, prej së cilës dikush mund të fitojë pushtet, por populli i Kosovës mbezet më me pak shtet, zhvillim dhe siguri.
Please follow and like us: