Sergej Esenin: NUK PENDOHEM, NUK QAJ, NUK ANKOHEM…
Nuk pendohem, nuk qaj, as ankohem,
të tëra do shkojnë, siç mjegulla tretet ndër mollë.
Nis jeta venitet, kujtoj, përmallohem,
të rinohem s’ka shpresë, as të shkoj prapë në shkollë.
Dhe ti zemra ime tej e tutje ndryshe do pulsosh,
po të afrohet dallga e ngricës së acartë polare,
dhe toka e shtruar me të plepave pushin bardhosh,
më s’të fton të vraposh këmbëzbathur rrëzë një are.
Marrëzitë endacake, gjithmonë e më rrallë po i ndjej,
si një flakë që luhatet dhe shuhet mbi buzën e tharë,
o freski e rinisë që humbe u trete e më s’do t’të gjej,
vrulle të pasionit, vështrime të egra plot zjarr!
Tani që dëshirat janë shterur e thahen ngadalë,
moj jetë, thua vallë mos në ëndërr të pashë?
Një mëngjes pranveror që renda i hipur mbi kalë,
në fusha plot lule që kryq e tërthor unë u rashë?!
Ne këtë botë jallane të gjithë jemi kalimtarë,
kullon zgjyrë e bakrit nga gjethet e panjës së prerë…
bekuar pra qoftë ajo çka shijuam e çfarë kemi parë,
që pat’ fatin të çelë e të vdesë, qoftë edhe një herë.
1925
Shqipëroi: Arqile Garo.
Please follow and like us: