Albspirit

Media/News/Publishing

Sharl Bodler: ALBATROS

Ndodh që detarët n’udhëtim, në orët e mërzisë,
për të dëfryer plogështinë, kapin një albatros,
zog madhështor i detrave, simbol i krenarisë,
që ndjek anijet n’oqean, prej shekujsh doemos.
Ashtu zhgërryer mbi kuvertë, rrethuar nga vandalët,
mbret i përdhosur, perandor, që lartësitë sundon,
krahët bardhosh siç hiqen zvarrë, tek qeshin kanibalët,
ngjajnë me lopata në një skaf të vjetër që lëngon.
Para një çasti qiejve shtrinte flatrat krenare,
ndërsa tani i pa takat, i zhgalur, zhelemel,
një marinar i shfryn në sqep tymin nga një cigare,
tjetri e tall, gajaset, shan e përmbi puplat shkel.
Kështu qenke dhe ti Poet, hyjni që çan rrebeshet,
në lartësitë ku plumbi s’ mbrrin, mbi retë kur fluturon,
sapo që shkel këmbën në tokë edhe ty vetë të qeshet,
krahët gjigande të pengojnë, dhe s’ ecën dot, çalon.
Shqipëroi: Arqile Garo.
Please follow and like us: