Zgjedhjet në Iran 2021: Bojkoti i Ardhshëm Zgjedhor Është Shenja më e Fundit e Rritjes së Forcës së Rezistencës Iraniane
Ditët e fundit, disa media shtetërore iraniane kanë hedhur një hap të çuditshëm duke e pranuar që bojkoti i ardhshëm i zgjedhjeve presidenciale të vendit i atribuohet në masë të madhe ndikimit në rritje të grupit kryesor opozitar pro demokracisë, Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK). Kjo thekson dobësinë e vazhdueshme të diktaturës teokratike, afërsisht tre vjet e gjysëm pas të parës prej disa kryengritjeve mbarëkombëtare që sfidoi pushtetin e këtij regjimi.
Kryengritja e parë filloi në ditët e fundit të 2017-ës dhe vazhdoi gjatë një pjese të madhe të janarit 2018. Ajo përfshiu mbi 100 qytete iraniane të mëdha e të vogla, duke ndihmuar në popullarizimin e slloganeve provokative e anti-qeveritare të cilat shprehnin mbështetjen e publikut për perspektivën e ndryshimit të regjimit dhe themelimin e një qeverisjeje demokratike. Këto mesazhe nxitën gjithashtu një ndryshim dramatik në mënyrën se si autoritetet e regjimit filluan të diskutonin lidhur me lëvizjen e organizuar të Rezistencës. Në një fjalim të mbajtur gjatë kulmit të kryengritjes, Lideri Suprem i regjimit Ali Khamenei deklaroi se MEK kishte “bërë plane për muaj të tërë” për të lehtësuar zhvillimin e protestave dhe për të kanalizuar irritimet e përbashkëta të popullit në një rrugëdalje të vetme.
Risjellja në vëmendje e protestave mbarëkombëtare të nëntorit 2019 në Iran pas rritjes së madhe të çmimit të karburantit
Që atëherë, zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar vazhdimisht për ndikimin e MEK. Dhe është vërtetuar shumë herë që këto paralajmërime kanë qenë të justifikuara pasi kryengritja fillestare frymëzoi demonstrata të mëtejshme publike dhe përpjekje të tjera për mohimin e pretendimeve të regjimit për legjitimitet politik.
Kryengritja e nëntorit 2019 ishte një shenjë e qartë e rritjes së lëvizjes së Rezistencës, por tregoi gjithashtu edhe thellësinë e ankthit të regjimit lidhur me këtë fenomen. Ende të tronditur nga një vit i tërë kryengritjesh dhe nga dështimi i një komploti terrorist kundër Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, në Francë në qershor 2018, autoritetet iraniane e përshkallëzuan tej mase dhunën e tyre politike si përgjigje ndaj kryengritjes së dytë. Khamenei i nxiti forcat e sigurisë që ta ruanin rendin me çfarëdo mjeti që të ishte nevoja dhe Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike hapi zjarr mbi turma të mëdha njerëzish, duke vrarë 1,500 njerëz vetëm brenda pak ditësh.
Për më tepër, të paktën 12,000 aktivistë të njohur e të dyshuar u arrestuan menjëherë pas kryengritjes së 2019-ës.
Shtypja e protestave të nëntorit 2019 risolli në vëmendje trashëgiminë e asaj masakre, sidomos ngaqë sistemi gjyqësor në kohën e kësaj shtypjeje ishte nën kontrollin e njeriut që ka qenë një nga figurat më të larta në “komisionin e vdekjes” të Teheranit, i cili mbikëqyrte shumicën dërrmuese të marrjeve në pyetje dhe ekzekutimeve masive që u zhvilluan midis korrikut dhe shtatorit 1988.
Kryegjyqtari Ebrahim Raisi konsiderohet tani si kandidati që do të fitojë presidencën të premten, falë mbështetjes agresive të liderit suprem dhe skualifikimit në masë të të gjithë kandidatëve të tjerë që mund të kishin qenë kërcënim serioz për fitoren e tij. Përkushtimi i regjimit për instalimin e Raisi-t si president është forcuar pa dyshim ditët e fundit nga treguesit e rritjes së mbështetjes popullore për një bojkot zgjedhor të organizuar nga MEK. Ky bojkot premton të thyejë rekordin për pjesëmarrjen më të ulët të votuesve, rekord që u arrit vetëm 16 muaj më parë nga zgjedhjet parlamentare ku u shfaq i njëjti impuls drejt konsolidimit të pushtetit që po drejton ndërhyrjet e Khamenei-t në procesin zgjedhor sot.
Siç kanë shpjeguar aktivistët e Rezistencës në dokumente të ndryshme e në konferenca për shtyp të zhvilluara në periudhën përpara zgjedhjeve, strategjia e Khamenei-t pasqyron vendimin e tij për t’u mbështetur fort në reputacionin e regjimit për represion të dhunshëm politik. Duke bërë kështu, ai dhe mbështetësit e tjerë të Raisi-t e kanë përqafuar më haptazi se kurrë më parë trashëgiminë e masakrës së 1988-ës. Sigurisht, kjo gjë ngre shqetësime serioze lidhur me perspektivën që ajo masakër të merret si shembull për përgjigjen e Teheranit ndaj disidencës në muajt në vijim, sidomos nëse trazirat e viteve të fundit përsëriten dhe vazhdojnë të shtohen.
Mohammad Mohaddessin, kryetari i Komitetit të NCRI për Punët e Jashtme, parashikoi në një konferencë për shtyp në maj se pikërisht kështu do të ndodhë pas bojkotit elektoral. “Kryengritja mbarëkombëtare që shihet në horizont,” tha ai, premton të jetë “shumë më intensive dhe e përhapur sesa në vitet e mëparshme.” Tani, edhe vetë mediat shtetërore iraniane duket se po e mbështesin këtë mendim, duke e pranuar që MEK ka vazhduar ta rritë ndikimin e vet brenda shoqërisë iraniane, duke krijuar kështu një situatë ku segmente gjithnjë e më të larmishme e të gjera të popullsisë po përfshihen në një përpjekje të koordinuar për ta përmbysur diktaturën klerikale.
Ky mesazh do të përsëritet pa dyshim në korrik, në Samitin Botëror të NCRI-së për një Iran të Lirë, samit i cili do t’u ofrojë politikë-bërësve perëndimorë një mundësi për të analizuar pasojat negative të zgjedhjeve presidenciale, bojkotin, dhe lëvizjen e Rezistencës që e ka udhëhequr atë, përpara se të vendosin se cila është mënyra më e mirë për ta ndryshuar politikën ndaj Iranit në mënyrë që të përshtatet me realitetin e ri.