JEVREM BËRKOVIQ: GJATË SHEKUJVE SHQIPTARËT JANË PËRKUJDESUR PËR PATRIARKANËN E PEJËS DHE MANASTIRIN E DEÇANIT
Shkrimtari malazez, Jevrem Berkoviq ka lindur në Seoci në Piperi më 29 dhjetor 1933 dhe u nda nga jeta në janar 2021. Shkollën fillore e kreu në fshatin Kopilje dhe Seoci, teksa të mesmen e kishte vazhduar në Titograd dhe Sarajevë në drejtimin e gazetarisë. Krijimtaria e tij arriti të vlerësohet nga juri të shumta profesionale, duke bërë që Berkoviq të fitoj shumë çmime. Ai është fituesi i Çmimit të Trembëdhjetë Korrikut; Çmime dhjetori; Çmimet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Malit të Zi; Çmimet e mbrëmjes së poezisë Ratkoviq; Karta e Goran Kovaçiq; Çmime për tekstin më të mirë dramatik në Pozorje të Sterijës në 1972; Çmimi Kepi i Shpresës së Mirë, 2005; Çmimet e Unazës Mesdhetare 2007 (Çmimi Ndërkombëtar). Në vitin 2010, Berkoviqit iu dha statusi i një krijuesi të shquar. Ai fitoi çmimin ‘Teuta’ në 2013 dhe çmimin ‘Ali Podrimja’ në 2015.
Intervistoi: Bekim Bislimi
RADIO EVROPA E LIRË (REL): Zoti Bërkoviq, ju keni ardhur në Prishtinë, që të merrni pjesë në takimin ndërkombëtar letrar “Kepi i shpresës së mirë- Fahredin Gunga”, të cilin e organizojnë institucionet e Kosovës. Cila është domethënia e kësaj ftese për ju?
JEVREM BËRKOVIQ: Kjo thirrje ka domethënie për mua. Unë jam fituesi i parë i çmimit “Kepi i shpresës së mirë” dhe unë kam ardhur me ftesën e Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve të Kosovës, të cilat e ndajnë këtë çmim ndërkombëtar dhe ai ndahet për herë të parë. Për mua kjo, me të vërtetë, do të thotë shumë, edhe me vetë emrin e çmimit “Kepi i shpresës së mirë”, i cili është vulosës dhe ka një porosi humane, sepse të gjithë ne diku na pret, ose na ndodh Kepi i shpresës së mirë. Për këtë arsye edhe jam i gëzuar që jam këtu në Prishtinë dhe që do të jem në Mirovicë, në qytetin e Fahredin Gungës së ndjerë, mik i imi i dikurshëm dhe shkrimtar i madh shqiptar, kështu që jam i emocionuar dhe kjo është normale. Unë nuk e kam pasqyrën e vërtetë për atë qytet dhe përgjithësisht për ndarjen. E di që shteti është i ndarë dhe se ekziston një pjesë ku gjenden serbët, si dhe një pjesë shumë më e madhe ku gjenden shqiptarët. Unë kisha dashur që rrethana historike dhe gjykimi historik t’i pajtojë ato dy anë të Mitrovicës dhe që ai të jetë qytet i qytetarëve dhe i njëjtë, si për shqiptarët si popull shumicë, po ashtu edhe për serbët. Dhe serbët në Mitrovicë e poashtu edhe ata në Serbi, duhet të pajtohen që përkatësia shqiptare dhe në mënyrë analoge edhe përkatësia malazeze, nuk janë dukuri antiserbe. Të qënit shqiptar ose malazez nuk do të thotë të jesh antiserb. Kjo është shpërfaqje normale e përjetimit të identitetit të tyre.
REL: Kanë kaluar 6 vite nga përfundimi i luftës në Kosovë. Zoti Bërkoviq, si i shikoni ju sot zhvillimet politike në rajon dhe sa mendoni se këto zhvillime ndikojnë në situatën politike në Kosovë dhe Mal të Zi?
JEVREM BËRKOVIQ: Nëse mendoni zhvillimet politike në Serbi dhe në Kosovë, ato nuk kanë ndikim të drejtpërdrejtë në Malin e Zi. Aty tashmë ka dhjetra vjet që ka përfunduar çdo gjë dhe ai shkon rrugës së tij, do të thotë rrugës evropiane. Padyshim se Mali i Zi është në prag të sovranitetit të tij dhe ai tashmë është shtet, po ashtu sikurse praktikisht është edhe Kosova. Mali i Zi është shtet i vjetër dhe shpresojmë që për 6 muaj, sigurisht se do të jetë shtet evropian i pavarur dhe sovran. Nuk mundet këtu që rasti i Kosovës të kushtëzojë diçka në Mal të Zi dhe as pavarsia e Malit të Zi të çrregullojë diçka në Kosovë. Këto janë dy procese nga ish-Jugosllavia, të cilat janë duke u zhvilluar të pavarura nga njëra tjetra, kështu që Kosova së shpejti do të jetë e pavarur dhe shtet sovran i pranuar, dhe këtë Beogradi duhet ta pranojë. Ai më nuk ka dorë as mbi Malin e Zi e as mbi Kosovën.
REL: Pse mendoni se Kosova do të jetë e pavarur. Si mendoni se do të ndodhë kjo?
JEVREM BËRKOVIQ: Mendoj se kjo është mënyra më e mirë që të arrihet paqja në Ballkan, në Kosovë dhe në Serbi, sepse Kosova është entitet dhe nocion gjeografik me popullatë shumicë shqiptare dhe e vetmja mënyrë që populli shqiptar të trajtohet dhe të jetë në një nivel tërësisht të civilizuar dhe të ripërtërihet në një nivel tërësisht të civilizuar, është pavarësia, shtetësia dhe republika e saj. Ajo nuk ka mundur të zhvillohet në kuadër të Serbisë. Nuk ka mundur t’i zhvillojë të gjitha potencialet e veta, ndërkaq që e dimë se serbët, gjegjësisht Sllobodan Millosheviqi dhe oligarkia ushtarake serbe, kanë tentuar që ta shpërngulin atë popull dhe ta shkatërrojnë. Është tejet tragjike që në Serbi sot ka më së shumti varre të shqiptarëve. Ky është fenomen, për të cilin serbët e ardhshëm dhe Serbia moderne duhet të mendojë. Është tmerr. Ata, duke ikur nga realiteti, duke ikur nga vdekja, të cilën ua kanë projektuar armiqëve të tyre të ashtuquajtur shqiptarë, megjithatë kanë dëshiruar që edhe varret e tyre t’i shpërngulin nga Kosova dhe t’i vendosin në Serbi. Kjo u është hakmarrë tmerrësisht. Serbia sot, fatkeqësisht, është e shtrirë mbi varret dhe eshtrat e shqiptarëve. Ky fenomen është i barabartë me atë të Srebrenicës, për të cilin, në të ardhmen Evropa dhe bota do të mendojnë, çfarë dhe pse ka ngjarë.
REL: Bashkësia ndërkombëtare ka paralajmëruar se do të fillojnë bisedimet për statusin e Kosovës. Si e shikoni përfundimin e këtyre bisedimeve?
JEVREM BËRKOVIQ: Absolutisht, ato do të rezultojnë me pavarsinë e Kosovës dhe me përfshirjen e saj si shtet në përbërjen e Bashkësisë Evropiane, me garancë të plotë për popullatën joshqiptare, se do të zhvillohen normalisht, se ai do të jetë një shtet i qytetarëve dhe se të gjitha objektet e kultit dhe të shenjta, manastiret dhe kishat, do të ruhen e për to do të kujdesen. Ne po harrojmë se gjatë shekujve shqiptarët janë përkujdesur për Patriarkanën e Pejës dhe për Manastirin në Deçan. Nuk kanë ardhur tash shqiptarë të tjerë apo barbarë që do t’i rrënojnë ato objekte të shenjta. Ata edhe më tutje, për shkak të statusit të tyre të civilizuar para botës, do të përkujdesen për objektet e kultit, kështu që normalisht, shqiptarëve në Kosovë nuk guxon t’ju ndodhë për asnjë çmim që cilido popull joshqiptarë, serbët, malazezët, aq sa janë në Kosovë, që të trajtohen si popull i rangut të dytë. Ky është shtet i qytetarëve dhe kurrsesi nacional.
REL: Zoti Bërkoviq, sipas jush, në cilën mënyrë është e mundur që të kyçen serbët dhe malazezët në jetën institucionale të Kosovës?
JEVREM BËRKOVIQ: Unë mendoj se kjo është e vetmja mënyrë që serbët të qëndrojnë në Kosovë. Do të thotë, që ata të kyçen në institucione, të jenë pjesë përbërëse e administratës së Kosovës, jetës, kulturës, arteve dhe shkencës dhe të jenë gjithkund sepse kanë potencial. Kjo është e vetmja mënyrë që serbët të mbijetojnë në Kosovë në sasi numerike normale. Mendoj se nëse serbët nuk kyçen në institucione, atëherë së shpejti Kosova do të jetë shtet etnikisht i pastër.
REL: Cili është mendimi i juaj, kur do të realizojnë qëllimin e tyre vendet e ish-Jugosllavisë, përfshirë këtu edhe Kosova dhe Mali i Zi, që të kyçen në bashkësinë evropiane?
JEVREM BËRKOVIQ: Unë mendoj se kjo do të ndodhë më së largu për 4 deri 5 vjet. Kosova dhe Mali i Zi do të hyjnë ndoshta më parë në pedigrenë e shteteve të vjetra evropiane, ndërkaq që Serbia ndoshta do të hyjë e fundit, sepse i ka mbetur mjaft borxh bashkësisë evropiane. Ajo nuk i ka dorëzuar kriminelët të cilët i kërkon Haga. Serbia duhet të kalojë disa provime të civilizimit dhe nëse nuk i kalon ato, ajo do të mbetet jashtë bashkësisë evropiane.
02 nëntor 2005.