Albspirit

Media/News/Publishing

Vargje poetike nga Mustafa V. Spahiu

 

Mustafa Spahiu dhe Jevrem Berkoviq.

 

URATË PËR SHKODRËN

– Shkodra jonë si dy sytë,

s’ka në botë një të dytë.

–  populli –

 

Rozafë qytetit ruaja-o pergamenë,

Gjeografi e histori të mëmëdheut!

Ujërash blu doli e Bukura e Dheut,

Krenari është t’lindish n’këtë vënd!

 

Qytet rrënjësh të thella në tokë, e

Nën këmbë derdhen ujëra-çeliku,

Duar të shpresës ia behën miku;

Kalaja unikate e vetmja në botë…

 

E tej blerimit tënd i kullosja sytë, e

Njëmijë zemra t’i fal Malësia e Madhe,

Rrugën e gjeta veten’Cukal e luadhe,

Bun’e Drin t’i ngjallin tërë bukuritë…

 

Taraboshi Sfingë mbi dhè do mbesë,

Shkodërlocja me ballin e diellnuar,me

Dallëndysh’e zogj s’ndalen cicēruar-

Shkodra bekuar! – E vetmja shpresë!

 

‘Të kisha lindur (oh) në këtë qytet’[1]

Shkëmbinjësh do jem banor i grishtë!

Të rritem ujërash me barin e brishtë;

Poetët e ndjerë t’i ftoj t’këndojnë vet’!

 

 

Shkodra e blertë yll – dëgjo si troket!

Kumbonare e minare kanë hapësirë.

Agimet e bardha t’presin paq’e mirë,

Nëna Dhemetër – lulet sythash iu qet.

 

Në vargje të këngës s’jam i furishëm!

Ardhësit pas teje ia mbathën t’dëbuar.

Nga kushtrimi ikën tejet t’llahtaruar, si

Gjakpirësa mbetën krejt të habitshëm!

 

Në faqet e shekujve na vjen një fjalë:

– Para zjarrit dhe ujit kurrë s’u nguta!

Ushtarëve ilirianë iu printe Teuta, dhe

Romakë pushtues n’hov për t’i ndalë!

 

Urata për Shkodrën gjendet dhe vetë,

Rapsodi n’këngë – pse tha sa mizore,

E vogël u duke – ç’e madhe na dolle!

Mbretëresha din si kujdeset vërtetë!..

E premte, 18 qershor 2021, në Dardaninë Ilire.

[1] Vargu është nga titulli i një vjershe të poetit Enver Gjerqeku (1928-2008).

 

 

VETËM BLERIMI MË DEHU

 

 Blerimi e ka gjakun në këtë mënyrë,

Kështu më blerohet n’dioprinë time,

Blerimi kur drenushohet në gufime

Buisja e blerimit nuk ndërron ngjyrë!

 

Ardhja e blerimit pa lodra ë’ kasnec,

Me guxim iu them pa blerim s’jetohet!

Pa blerime pranvera nuk pranverohet;

Prite Zot, vargu im mos qoftë memec.

 

Për blerimin përgjërohem me uratë, e

currilat e blerimit si vërejtëm përfare,

Blerimi na vjen në prag dhe në dritare,

Lumi blerimit ditën na bën më t’gjatë!

 

Çudi vetëm blerimi sa keq m’dehu, me

Lundër të blertë e mësyej monopatin,

Bukurisë s’blerimit ia marrë dhe patin!

Larg prej blerimit këngës i vjenë jehu.

 

Blerimi e ka të blertë n’zemër orën,si

Shpjegohet kjo le ta – thotë, pra, dija.

Flora ruan ngjyrërat larg nga alkimia,

Pas njëqind vjet blerimit i puth’dorën.

E enjte, 17 qershor 2021, në Dardaninë Ilire.

 

Please follow and like us: