LE MONDE,1985/DEKLARATA E LEKA ZOGUT I NË PARIS PËR VDEKJEN E ENVER HOXHËS
Nga Aurenc Bebja*, Francë.
Prestigjozja “Le Monde” ka botuar, të dielën e 14 prillit 1985, në faqen n°3, deklaratën e Leka Zogut I me rastin e vdekjes së Enver Hoxhës, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Në Paris gjithashtu, pretendenti i fronit të Shqipërisë, Leka I (djali i mbretit Zog që mbretëroi nga viti 1928 deri në 1939), dha një deklaratë ku u bën thirrje “të gjithë nacionalistëve shqiptarë, brenda dhe jashtë kufijve”, që të bashkohen për krijimin, “brenda kufijve etnikë” të Shqipërisë, të një “kombi të lirë dhe demokratik”.
Duke u nisur për në Shtetet e Bashkuara, ku do të japë një konferencë shtypi të martën e ardhshme, Leka I beson se vdekja e Enver Hoxhës “shënon fundin e një epoke dhe paralajmëron fillimin e një periudhe paqëndrueshmërie në Shqipëri, e cila, nënvizon ai, do të ndikojë drejtpërdrejt te shqiptarët në rajonet tona etnike në Jugosllavi (Kosovë) dhe tërthorazi në stabilitetin e Ballkanit”.