Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Nga koha e Xhejms Bejkerit e deri sot

1) Sali Berisha u thotë shqiptarëve se Xhejms Beker (James Baker) erdhi në vendin tonë për hatër të miqësisë që kishin ata të dy? Eshtë fjala për vizitën historike të 22 qershorit 1991, fundin e diktaturës së proletaritatit. Atyre ditëve kur Ylli Bufi, kryeministri në detyrë deklaronte se Shqipëria kishte bukë vetëm për 6 ditë. Atyre ditëve kur shqiptarët në një masë të konsiderueshme donin që vendi i tyre të ishte një Amerikë e vogël, një Zvicër, a një Francë e të drejtave dhe lirive të individit. Shkurt një vend anëtar i Komunitetit Europian, ndaj edhe thërritën bashkarisht atë që sot është një vokacion kombëtar, fakti që e duam Shqipërinë si gjithë Europa. Se erdhi për Sali Berishën apo për Shqipërinë dhe shqiptarët, e shpjegon vet ai, Bejkeri, kur i thanë se afro gjysëm milion shqiptarë kanë mbushur sheshin Skënderbej, enkas për të. Dhe se ai duhej të kandindonte për President i Shqipërisë…? Ai u përgjigj shkurt, se shqiptarët nuk kishin dalë në rrugë për atë, Xhejms Bejkerin, por për Amerikën. Mirëpo në vendin tonë të marrë peng nga një grup emrash, teoria vulgare e provincës, se erdhi a e bëri për mua, ha akoma bukë.
2) Paralelisht me përvjetorin e kësaj vizite, Shqipërisë nuk iu çelën rishtas negociatat. Nga shtypi opozitar fajësojnë Ramën, kurse nga ai qeveritar, fajësojnë Europën. Madje me gërma të mëdha, ata që e varrosën së gjalli Gjergj Fishtën, kanë nxjerrur nga dosjet vargjet e tij, duke e cilësuar Europën si ‘kurva e motit’. Kjo është në vazhdën e jetës sonë paradoksale duke i shërbyer pikërisht stanjacionit kombëtar. Përpara se të fajësojnë Ramën opozita duhet të fajësoj veten. Pasi është ajo që po e lë kaq gjatë këtë grafoman, a një mbetje klasike e propagandës. Përpara se të fajësojnë Europën gjithë shtypistat e Ramës duhet të fajësojnë veten. Vendi nuk ndreqet duke i rënë Francës, por butaforizmit të gjoja suksesshëm të ”gjeniut”. Të gjithë kujtojnë se rindërtimi pas tërmetit të nëntorit 2019, apo pandemia, po ndodh me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Aspak, janë ato të Europës dhe emigrantëve. Madje televizionet e qeverisë po çahen me reklamat e Western Unionit. Nuk është ekonomi e konsoliduar ajo kur një rrugë ta ndërton banka arabe, një portal detar një sheik po arab, një spital rajonal, Turqia. Dhe shtëpitë e shëmbura Europa, ”kurva e motit”.
3) Sot me të drejtë shumë shqiptarë të tjerë, jo ata pas Berishës, Ramës dhe Metës, marrin rrugët e emigrimit. Jo rastësisht vendi ynë në raport me të tjerët, është një ndër të parët për aplikimin e Llotos Amerikane, Kanadeze dhe në programin Vizë pune në Gjermani. Po të kërkoni aty, nuk do gjeni asgjë nga barku i ngushtë i Sali Berishës, as nga ai i Ramës. Madje vëllai i Ramës la Amerikën, sapo Edi u bë kryeministër, erdhi në Shqipëri për ”të mirën” e vendit. Nuk do gjeni as nga barku i Ilir Metës. Presidenti me premtimin e pa mbajtur, mbi dorëheqjen në rast se Edi Rama merr mandatin e tretë. Në një vend perëndimor premtimet e pa mbajtura kanë kosto të lartë. Nga Lulzim Basha jo, madje shoqja e jetës e ka për vdekje të heqi dorë nga nënshtesia holandeze në mënyrë që të votoj burrin e saj. Shkurt vendi është i gjithi një pengamarrje klasike e 3 apo katër emrave, shto shërbyesit klasikë që kanë përreth. Sidomos studiot, ku edhe për shtatzaninë a gripin e pulave flasin po të njëjtit, të gjithdijshmit e stanjacionit 30 vjeçar të Shqipërisë. Këta që në emër të shqiptarëve po bëjnë pikërisht atë që bëri fashizmi, a radikalzmi europian, copëtimin e një vendi të lashtë si Shqipëria. Ku me të drejtë, poeti asokohe, e quajti si kurvë e motit. Këta po bëjnë zbrazjen e saj. Sa termi Shqipëri e madhe, jo natyrale, është herezi për politikën shqiptare. Madje studiot e xhelistave e kanë tmerr të thonë shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi a në Luginën e Preshevës. Thonë, kosovarët. Kosovarët këtu e kosovarët atje. Janë shqiptarë, o hajvanë. Nuk janë kosovarë. Bëhet kështu, nja tre a katër batalione që bëjnë sikur shqyejnë njëri-tjetrin, por në thelb kjo nuk ndodh. Madje nëse do të rrëzoni sikur njërin prej tyre, do bien me radhë të gjithë.
4) Që ta kuptoni këtë pengmarrje emrash, shikoni faktin Xhejms Bejker. Atë që Sali Berisha pirdhet se erdhi në Shqipëri për shkak se ky e kishte mik. Kjo nuk është një lajthitje pleqërie, por strategji e grupit të emrave pengmarrës, me devizën bëje për mua. Punësimin sezonal për një votë dhe gërshërët e inagurimeve me paratë e botës. Xhejms Bejker ka shërbyer në Shtëpinë Bardhë me presidentin Regan dhe Bush. Sot është një pensionist i nderuar. Dhe po t’i referohesh kalendës së Shtëpisë së Bardhë, nga ajo kohë, kanë kaluar shumë presidentë e sekretarë të shtetit Amerikan. Për rrjedhojë edhe forcat politike, një a dy mandate, herë e majta, herë e djathta. Kurse tek ne nga ky 30 vjetor i hapjes së Shqipërisë, ngul e shkul Berisha, Nano, Meta, Rama. Kësisoj uji që nuk qarkullon qelb jo vetëm veten, por edhe vendin.
Please follow and like us: