Albspirit

Media/News/Publishing

Tregu me porosi i punimeve të diplomës

Temat e diplomave për cikle të caktuara studimesh Bachelor ose Master, vazhdojnë të jepen dhe të merren në mënyrë abuzive dhe të paligjshme.

Sot nëpër rrjetet sociale lulëzojnë faqe që ofrojnë punime diplome, ku një i ri porosit një temë diplome duke paguar shuma të ndryshme që variojnë nga 10 mijë lekë deri në 350 euro. Më tej pajisesh me punimin e kërkuar për dy-tre javë.

Gazetari i “Stop” e konkretizoi vetë se si shkohet, pa asnjë shqetësim, për të porositur një temë diplome.Ai hyri në një faqe në Instagram dhe bëri një porosi për temë diplome. Mjaftoi vetëm një kërkim i thjeshtë “punim diplome” dhe menjëherë vërshuan një pafundësi faqesh me emërtime si tema diplome, detyra kursi dhe me radhë.

Gazetari përzgjodhi një faqe ku promovohej puna dhe shërbimi i kësaj faqeje në Instagram. Aty kishte punime të përfunduara edhe për Universitetin e Tiranës.

Po të shohësh edhe faqet e tjera që ofrojnë këtë shërbim kanë pak a shumë të njëjtën metodologji dhe procedurë pune.

Pasi i hodhi një sy të përgjithshëm, gazetari i “Stop” komunikoi me një faqe të caktuar. Personi që u përgjigj mori përsipër temën “Motivet e folklorit shqiptar” për në Universitetin e Vlorës.

Punuesja e temës: Përshëndetje! Si jeni?

Bashkëpunëtori i Stop-it: Folëm bashkë në Instagram për një temë diplome.

Punuesja e temës: Po!

Bashkëpunëtori i Stop-it: Unë e kam tek Universiteti i Vlorës. E kam për letërsi shqipe.

Punuesja e temës: Çfarë teme keni zgjedhur?

Bashkëpunëtori i Stop-it: “Motivet e folklorit shqiptar”.

Punuesja e temës: Ok!

Bashkëpunëtori i Stop-it: Të të pyes një herë, se nuk e kam idenë. Si janë kushtet? Sa lekë duhet të paguaj? Si funksionon? Si mund të lidhemi?

Punuesja e temës: Çdo kapitull do ju dërgohet me e-mail. Çdo gjë bëhet “online”. Pagesa bëhet në bankë. Tema ju dërgohet me e-mail. Ju dërgohet nga kapitulli i parë, deri te kapitulli i katërt. Katër kapituj ka gjithsej, tema. Temat Bachelor, deri në 35 faqe punohen. Për plagjiaturën kontrollojmë me program.

Bashkëpunëtori i Stop-it: Kjo është pjesa më ashtu…, e plagjiaturës, se nuk i dihet, se çfarë pozicioni marrim.

Punuesja e temës: Ka dy vjet, që ka dalë programi. Po të njëjtin program, që përdor zysha, të njëjtin përdorim edhe ne. Vetëm të jemi qorra, që të përdorim plagjiaturë. Kontrollohet, perifrazohet çdo pjesë.

Bashkëpunëtori i Stop-it: Do ma dërgosh me e-mail?

Punuesja e temës: Po, me e-mail. Në fund fare të ngelet, që ta printosh në kancelari, dy mijë lekë, tre mijë lekë.

Bashkëpunëtori i Stop-it: Për sa mund të ma bësh?

Punuesja e temës: Minimumi tre javë do, që të dalë punim i mirë. Se unë ta bëj edhe dy javë, por nuk të del maksimalja. Në fund fare bën edhe një përmbledhje, që ta mësosh edhe më kollaj. Normalisht, se nuk e ke bërë vetë dhe nuk e ke aq të thjeshtë, sesa kur e ke bërë vetë, që ta mësosh. Kam bërë të Tiranës, të Elbasanit, të Gjirokastrës, të Korçës, nga “Fan Noli”, plot./tvklan.al

Please follow and like us: